Ajo që ndodhi pas kësaj ishte një revolucion sa i përket përmasave të shkallës, vendndodhjes dhe pasojave të luftërave të Romës. Tiparet bazë të luftërave pak a shumë të përvitshme vijuan. Shkrimtarët e huaj qenë të emocionuar nga një listë e gjatë betejash romake të luftuara përgjatë shekullit të katërt p.e.s., dhe lavdëruan e padyshim ekzagjeruan fitoret heroike, ndërkohë që vajtonin disa disfata të turpshme dhe tërheqje poshtëruese. Beteja e Grykës Kaudine, më 321 p.e.s., në të cilën samnitët e Italisë së Jugut shpartalluan romakët, u bë po aq rezonante sa beteja e Alias ose plaçkitja e Romës shtatëdhjetë vjet më herët - edhe pse ajo nuk ishte me të vërtetë një betejë. Romakët u zunë në kurth në një grykë të ngushtë malore, të njohur si Sfurku, pa ujë dhe ata thjesht u dorëzuan.
Megjithatë, që nga plaçkitja e Romës më 390 p.e.s. dhe betejës së Sentinumit më 295 p.e.s., numri i njerëzve të përfshirë në këto konflikte u rrit në mënyrë dramatike. Fushatat u kryen gjithnjë e më larg Romës. Ndërsa Veii ishte vetëm 16 kilometra larg, Sentinumi ishte rreth 300 kilometra përtej Apenineve. Marrëveshjet e arritura mes Romës dhe të mposhturve kishin pasoja të gjera për të ardhmen. Ndikimi ushtarak i Romës nga fundi i shekullit të katërt p.e.s. ishte kaq i madh sa Livi e ndjeu të vlefshme ta krahasonte fuqinë e Romës me atë të pushtuesit botëror, Aleksandri i Madh, i cili mes viteve 334 dhe 323 p.e.s. udhëhoqi ushtrinë e tij maqedonase në një seri pushtimesh nga Greqia deri në Indi. Livi pyeti veten se kush do të kishte fituar, romakët apo maqedonasit, nëse ata do të përplaseshin ballë për ballë, një dilemë ushtarake që gjeneralët në karrige të lëkundshme e kanë edhe sot e kësaj dite.
Pati dy konflikte veçanërisht të rëndësishme në Itali në këtë periudhë: e para ishte e ashtuquajtura Lufta Latine, e luftuar kundër fqinjëve latinë të Romës mes viteve 341 dhe 338 p.e.s. Shpejt pas kësaj pasuan ‘Luftërat Samite’, rasti i fitoreve të Barbatusit. Ato u luftuan me faza mes viteve 343 dhe 290 p.e.s. kundër një grup bashkësie me baza në pjesët malore të Italisë së jugut: samnitët ishin shumë më pak të ashpër dhe primitivë nga sa i leverdiste Romës t’i paraqiste ata, por edhe më pak të urbanizuar sesa anë të tjera të gadishullit. Që të dyja këto luftëra janë konstruksione pak a shumë artificiale, izolimi i dy armiqve dhe dhënia e emrit të tyre për luftime shumë më të shpeshta e më të përhapura të kësaj periudhe, nga një këndvështrim shumë romano-centrik (asnjë samnit nuk luftoi kurrë një ‘Luftë Samnite’)- Pavarësisht kësaj, ato vënë në pah disa ndryshme të rëndësishme.
Sipas rrëfenjës së zakonshme, e para u shkaktua nga një revoltë e latinëve kundër pozicionit dominues të romakëve në rajon. Ky ishte sërish një konflikt lokal, por u bë i famshëm, e madje edhe revolucionar, për marrëveshjet e bëra më pas mes romakëve dhe bashkësive të ndryshme latine. Kjo, për shkak se këto konflikte i dhanë nënshtetësinë romake një numri të madh prej të mposhturve, në shumë qyteza në të gjithë Italinë Qendrore, në një shkallë që shkoi shumë përtej precedentit të vendosur në Veii. Pavarësisht nëse ky ishte një gjest bujarie, siç e kanë interpretuar shumë shkrimtarë romakë apo një mekanizëm shtypjeje, siç mund ta kenë parë ata që e panë shtetësinë romake të imponuar mbi veten, ngjarja ishte një fazë thelbësore në ndryshimin e përkufizimit të asaj që do të thoshte të ishe romak’. Dhe kjo solli, siç do ta shohim, ndryshime të stërmëdha në strukturën e pushtetit romak.
Gati pesëdhjetë vjet më vonë, dekadat e Luftërave Samnite përfunduan, kur më shumë se gjysma e gadishullit u vu nën sundimin e Romës në mënyra të ndryshme, nga traktatet e ‘miqësisë’ te kontrolli i drejtpërdrejtë. Shkrimtarët romakë i prezantonin këto luftëra a thua se qenë përplasje mes dy shtetesh për supremacinë në Itali. Ato natyrisht nuk ishin të tilla, por shkalla e konfliktit ishte diçka e re dhe hapi siparin për të ardhmen. Në Betejën e Sentinumit, romakët u përballën me një grup të madh armiqsh (‘aleancë’ mund të jetë një fjalë tepër formale për të): vetë samnitët, si dhe etruskët dhe galët nga pjesa më veriore e gadishullit. Numri i lartë i luftëtarëve duket se ka tërhequr vëmendjen e Duris në Samos, i cili regjistroi numrin e stërmadh dhe të pagjasë të 100 mijë viktimave mes samnitëve dhe aleatëve. Shkrimtarët romakë e panë këtë si një fitore veçanërisht heroike. Ajo madje u bë edhe temë e një tragjedie shoviniste romake dyqind vjet më vonë, e plotësuar me një kor tragjik ushtarësh romakë dhe që paraqiste një nga komandantët romakë të tillë që dha jetën për të siguruar suksesin e ushtrisë. Por ata edhe debatuan, siç vijojnë ta bëjnë shkollarët modernë, se sa realisht e madhe ishte kjo betejë, më e madhja nga të gjitha betejat. Livi nuk tregoi shumë durim me vlerësimet e Duris mbi shkallën e betejës e madje edhe me shifra më të fryra me të cilat u përball gjatë kërkimeve të tij. Nëse vlerësimi i tij për forcat romake prej rreth 16 mijë burrash (plus shumë aleatë) është korrekt apo jo, kjo është e pamundur të mësohet. Gjithsesi, një gjë është e sigurt: ishte një botë e ndryshme luftarake nga përplasjet e nivelit të ulët të shekullit të pestë p.e.s.
Kjo është një botë që ne ende mund ta dallojmë në një zbulim të jashtëzakonshëm të kryer në gërmimet e viteve 1870 në atë që dikur duhet të ketë qenë fundi i qytetit të lashtë të Romës: një fragment joshës i vogël pikture, nga një varr, që ndoshta daton nga fillimi i shekullit të tretë p.e.s. Në origjinal, kjo ishte një pikturë shumë më e madhe, e cila mbulonte një mur të tërë dhe ajo është organizuar në një seri kuadratesh, njëri mbi tjetrin, të cilat mendohet se paraqesin skena nga këto konflikte mes Romës dhe samnitëve. Nëse është kështu, kjo është piktura e parë e mbijetuar në Perëndim që tregon një fushatë ushtarake të identifikueshme dhe reale - e konkurruar nga vetëm një skenë tjetër më e përgjithshme lufte e pikturuar në një varr në Italinë e Jugut, për të cilën disa arkeologë me optimizëm e kanë imagjinuar si një paraqitje të fitores krenare të samnitëve në grykën Kaudine.
Interpretimi i kësaj pikture ka qenë shumë i debatuar dhe tashmë ajo për fat të keq është gërryer, por tipari i përgjithshëm është mjaftueshëm i qartë. Pjesa më e poshtme paraqet luftimet trup me trup, të dominuara nga një burrë, helmeta elegante e të cilit zgjatet te skena më sipër; skena më sipër tregon disa përleshje imponuese. Secila nga dy skenat e ruajtura më mirë tregojnë një burrë me togë të shkurtër që mban një ushtë. Njëri prej tyre, ka gjasa që të dy ka emrin ‘Q_Fabius’ dhe ndoshta është Kuintus Fabius Maksimus Rulianus, i cili ishte oficer komandues në Sentinum dhe që i dha Barbatusit rolin e tij të vetëm të latuar në betejë, duke e instruktuar atë ‘të sillte rezervat nga prapavija’. Këtu ai tregohet- me një shpurë parazitësh pas tij në një shkallë dallueshëm më të vogël në dukje në negociata me ‘Fanius’, një luftëtar pa armë, i veshur me pajime ushtarake që përfshijnë mbrojtëse të rënda këmbësh dhe në një rast me një helmetë me pupla, i cili po i zgjat dorën e zhveshur të djathtë. A është Faniusi një samnit që po i dorëzohet një përfaqësuesi të racës që vesh toga’ - pikturuar ekzaktësisht i tillë në këtë pikturë të shekullit të tretë p.e.s.?
Nëse shohim këto imazhe të thjeshta dhe të stilizuara, romakët mund të duken kundërshtarë mëse të aftë për Aleksandrin e Madh. Por nëse do të ishin apo jo me të vërtetë të aftë për ta mposhtur atë, kjo është çështja që Livi e ngre në një devijim të gjatë nga tema në Historia menjëherë pas përshkrimit të rimëkëmbjes mbresëlënëse të Romës nga poshtërimi në grykën Kaudine. Atij nuk i shpëtoi nga vëmendja fakti se luftërat samnite po zhvilloheshin në Itali në fund të shekullit të katërt p.e.s., pak a shumë e njëjta kohë kur mbreti maqedonas po zhvillonte fushatën e tij shkatërrimtare në Lindje. Në kohën kur Livi jetoi, gjeneralët e Romës kishin kohë që përpiqeshin ethshëm të imitonin Aleksandrin. Ata imitonin stilin e tij të dalluar të flokëve dhe e thërrisnin veten ‘I madh’, ndërkohë që si Jul Cezari ashtu edhe perandori i parë Augusti, bënë pelegrinazh në varrin e Aleksandrit në Egjipt- kështu thuhej- dhe ai theu aksidentalisht hundën e kufomës, ndërkohë që i bëri homazhin. Pra nuk është çudi që Livi peshoi pyetjen klasike kundërfaktuale: kush do të kishte fituar nëse Aleksandri do ta kthente ushtrinë e tij drejt Perëndimit dhe do të përballej me romakët në vend të persëve?
Aleksandri, pranon ai, ishte një gjeneral i madh, megjithëse jo pa defekte, pija mes të tjerave. Por romakët kishin avantazhin që nuk vareshin nga nj ë udhëhe qës i vetëm karizmatik. Ata kishin thellësi në komandën e tyre, mbështetur nga një disiplinë e jashtëzakonshme ushtarake. Ata kishin gjithashtu, këmbëngulte ai, mundësinë për të thirrur një numër më të madh trupash të stërvitura mirë- falë aleancave të Romës në të gjithë Italinë- dhe aftësinë për të thirrur përforcime pak a shumë kurdo që i nevojitej. Shkurt, përgjigjja e tij ishte se, nëse do t’i jepej mundësia, romakët do ta kishin mposhtur Aleksandrin.