Fragmenti dëshmon për një urë me shtroje trungjesh dhe dërrasash mbi pilat e gurta, e cila mund të hiqej dhe vihej lehtë. Praninë e urave të tilla e dëshmojnë Dion Kasi, i cili flet për një urë që thyhet kur mbi të kalon ushtria e Pompeut, dhe Appiani, sipas të cilit gjatë marshimit nga Apollonia në Dyrrah Cezari “i shkatërroi tërë urat”. Vetëkuptohet se në një lëvizje kaq të ngutur mund të shkatërroheshin vetëm urat me shtresë druri. Ky tip ure përfaqësohet nga ura e Bogdanit, një nga urat e pakta të botës antike pararomake. Ura e cila ndodhet poshtë qytezës antike në Cerje, mbi një va në lumin e Vlorës, përbëhet prej katër pilave (këmbëve) me hapësirë drite 5 m nga njëra-tjetra. Dy pilat e brigjeve kanë formë trapezi dhe gjerësi 4 m, çka tregon se gjerësia e shtrojës dhe e rrugës ka qenë e konsiderue-shme, po 4 m. Nga këmbët në lumë, rolin e njerës këmbë e luan një shkëmb i rrafshuar për mbështetjen e shtrojës, ndërsa tjetra ka formën e një prizmi pesëkëndësh 7.50 m të gjatë, 3.20 m të gjerë dhe 4 m të lartë. Këmba është orientuar me majën e mprehtë kundër rrjedhës së ujit, në mënyrë që ta çajë atë, ndërsa nga pas është prerë rrafsh. Muratura izodomike me blloqe me faqe të sheshta, identike me muret rrethuese të qytetit, tregon se ura u ndërtua njëkohësisht me fortifikimin e qytetit, në kapërcyellin e shekujve IV/III p.e.s. Për përballimin më të mirë të presionit të ujit, blloqet e këmbëve të urës janë lidhur me ganxha hekuri me njëri-tjetrin.