Rrugët nga shek. VII - shek. XV
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Rrugët nga shek. VII - shek. XV

Rruga në luginën e Shkumbinit Rruga në luginën e Devollit Rruga Durrës-Fushë e Tiranës-Dibër Rruga Durrës - Lezhë - Shkodër

Rrugët mesjetare të Shqipërisë ndoqën në përgjithësi trasetë e rrugëve antike. Këto i ruajtën nga antikiteti pasi nyjet e tyre kryesore, qytetet e antikitetit të vonë përgjithësish vijuan të mbijetonin dhe në mesjetë. Nga 27 qytete të antikitetit të vonë në tokat ndërmjet Tivarit, Prishtinës, Janinës dhe Ohrit, 17 e vazhduan jetën, 4 pësuan çvendosje të vogla dhe vetëm 6 u shuajtën. Kjo vazhdimësi e rrugëve dëshmohet nga burimet historike, nga prezanca e vendbanimeve pranë tyre, nga gjurmët e urave dhe kalldrëmeve nga periudhat përkatëse. Megjithatë në përputhje me kushtet specifike historike pati rrugë antike që në mesjetë u zbehën e pati nga ato që punuan bile me intensitet e ngarkesë.

 

 

 

Rruga në luginën e Shkumbinit

Rruga e luginës së Shkumbinit nga Durrësi në Stamboll e njohur në antikitet me emrin rruga e Kandavisë dhe në periudhën romake si rruga Egnatia, në shekujt IV-VI të antikitetit te vonë, me shthurrjen e sistemit skllavopronar dhe me sulmet barbare nisi ta humbasë rolin e saj ekonomik dhe të funksionojë kryesisht si rrugë strategjike .

Gjatë mesjetës për zonën e Elbasani bie në sy mungesa pothuajse e plotë e fortifikimeve mesjetare gjatë luginës së Shkumbinit. Me zbehjen e funksionit të rrugës Egnaita, duket se lidhja me krahinat e brëndshme kryhej me anën e luginave të Devollit e të Osumit, ku nuk mungojnë kështjellat mesjetare. Rënie e rolit të kësaj rruge dëshmohet dhe nga prania e pakët e gjurmëve të ndërtimeve gjatë saj. Kështu në të shihen pak kalldrëme apo riparime kalldrëmesh të mesjetës së hershme e të mesme si dhe ura apo riparime të tyre nga kjo periudhë.

Burimet dokumentare përmendin vetëm disa shfrytëzime të kësaj rruge gjatë kësaj periudhe në intervale kohësisht të fazuara. Kështu në shek. V-VI këndej kaluan invazorët barbarë, në shekullin XI u shfrytëzua nga fiset normane si dhe nga kryqëzatat. Në burimet thuhet gjithashtu se kur në fund të shek. XI Aleks Komneni kaloi nëpër këtë rrugë për në lindje, pasi pushoi pak në malin e Babjes, ai kaloi nëpër rrugë të panjohura të braktisura prej kohe dhe arriti në Ohër. Në vitin 1219 nëpër këtë rrugë kaloi komandanti bizantin Gjergj Akropoliti me ushtrinë e tij nga Ohri për në Durrës. Pra rruga e Shkumbinit në këtë periudhë u shfrytëzua për qëllime strategjike.

 

Rruga në luginën e Devollit

Rruga e luginës së Devollit me origjinë antike e për këtë dëshmojnë kalatë antike që e ruanin atë (Zvezda, Dishnica, Symiza) si dhe ura antike e Grabovës, ka pasur rol të rëndësishëm gjatë mesjetës. Në antikitetin e vonë dhe në mesjetë ajo kontrollohej nga disa fortifikime si Menkulasi, Zvezda, Dishnica, Symiza, si dhe Gopeshi e Zereci në zonën e Moglicës.

Nën fshatin Gopesh mbi lumin e Devollit ruhen gjurmët e dy urave mesjetare me kalim druri mbi këmbë guri, mbi të cilat kalonin degëzime rrugore nga rruga kryesore e luginës së Devollit në  drejtim të Voskopojës. Veç këtyre për funksionimin e rrugës së Devollit në mesjetën para pushtimit turk flasin dhe burimet dokumentare.

Nëpër luginën e Devollit kaluan në fundin e shekullit XI kryqtarët normanë me Beomundin e po këtej në Gllavenicë kaluan forcat bizantine në fillim të shekullit XII me në krye Kantakuzenin. Fakti që në krahasim me rrugën e luginës së Shkumbinit, ku në mesjetë mungojnë fortifikimet, gjatë luginës së Devollit ka vazhduar jeta gjatë mesjetës, me qendër kryesore Deabolisin (Devollin) si dhe arsyeja që kjo rrugë është më strategjike ndaj asaj të Shkumbinit, të shtyjnë të mendosh se me rënien e rëndësisë së rrugës Egnatia, rruga e luginës së Devollit fitoi rëndësi në këto anë.   

Rruga Durrës-Fushë e Tiranës-Dibër

Funksionimi i kësaj rruge gjatë mesjetës së herët e të mesme vërtetohet si nga burime dokumentare ashtu edhe nga gjurmët e ndërtimeve të ndryshme gjatë saj. Rruga ka kaluar nëpër Tujan - Shupal - Murrizë, Guri Bardhë - Bulqizë - Valikardhë - Maqellarë - Dibër e Madhe. Kjo rrugë me origjinë antike ruan gjurmë kalldrëmi nga antikiteti i vonë në fshatin Gur i Bardhë dhe nga mesjeta e hershme në Qafën e Lajthizës në Grykën e Tujanit.

Që rruga Durrës - Dibër ka punuar gjatë mesjetës e dëshmon dhe dega rrugore Mamurras - Krujë - Gryka e Shkallës së Zezës - Bruz, Bastar ku kjo degë e rrugës Shkodër - Lezhë - Durrës lidhet me rrugën e Tujanit. Në këtë degë gjatë Grykës së Shkallës së Zezës ruhen gjurmë të plota me kalldrëm nga antikiteti i vonë dhe mesjeta e hershme. Veç këtyre në defterin e vitit 1467 theksohet se Bulqiza prej shekujsh merrej me mirëmbajtjen e rrugës. Në fillim të shekullit të Xll-të në këtë rrugë kaluan normanët e Boemundit të cilët në luftë me bizantinët pushtuan grykat ndërmjet Krujës e Dibrës. Më vonë, gjithashtu nëpër këtë rrugë lëvizi dhe komandanti bizantin Gjergj Akropoliti (viti 1257), i cili kërkonte të vendoste qetësinë në Mat të Dibrës për shkak të kryengritjeve arbëreshe ndaj pushtimit bizantin. Si rrugë e maskuar dhe jo shumë e vështirë rruga e Dibrës nga Mati duhet të ketë pasur : rol të rëndësishëm sidomos gjatë mesjetës së hershme e të mesme kur rruga e luginës së Shkumbinit i ishte e kufizuar.

 

Rruga Durrës - Lezhë - Shkodër

Kjo rrugë e rëndësishme me origjinë antike, pjesë e rrugës së gjatë bregdetare Prevezë - Dalmaci ka funksionuar dhe gjatë mesjetës para pushtimit turk. Kjo gjë mbështetet nga dy gjurmë konkrete në terren të lidhura me ekzistencën e rrugës në këtë kohë. Së pari theksojmë se në Mamurras nga kjo rrugë degëzohej rruga e shkurtër e cila lidhte Shkodër - Lezhën me Dibrën nëpërmjet Krujës - Shupalit - Gurit të Bardhë - Bulqizës e Maqellarës që në fragmentin e Grykës së Shkallës së Zezës ruan gjurmë kalldrëmi antikiteti i vonë - mesjeta e hershme dhe e mesme. Treguesi i dytë i rëndësishëm është ruajtja e plotë e një ure me dy harqe në Blinisht të Zadrimës, në pjesën Lezhë - Shkodër.

Ura e Blinishtit është ndërtuar në fundin e shekullit XIII-të .Kështu ajo i takon periudhës së pushtimit të Shqipërisë së Veriut nga ana e shtetit serb të Rashës.

 

info@balkancultureheritage.com