Rruga Egnatia në luginën e Shkumbinit
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Rruga Egnatia në luginën e Shkumbinit

Degët e rrugës Egnatia

Rruga gjatë luginës së Shkumbinit e merr emrin Egnatia me sa duket nga qyteti Egnatia në Italinë Jugore buzë Adriatikut i banuar në origjinë nga fisi ilir i Japigëve, të cilët patën kapërcyer Adriatikun. Rruga Egnatia në trojet e Ilirisë Jugore ishte vazhdimi i rrugës Apia në Itali, njëra nga arterjet më të mëdha rrugore të Romës (shek. IV p.e.s.) , e cila niste nga Roma kalonte nëpër Beneventum dhe e arrinte Adriatikun në Brindizi,.

Për herë të parë rruga nga Apollonia në Selanik përmendet nga historiani grek Polibi në vitin 120 p.e.s.  dhe më vonë nga historiani tjetër grek Straboni, i cili jetoi në periudhën nga viti 63 p.e.s. - 20 e.sonë . Në fillim gjatë periudhës republikane rruga Egnatia kishte karakter ushtarak, e lidhur kjo kryesisht me luftrat romako-maqedonase deri në vitin 146 p.e.s. kur Maqedonia u bë provincë romake. Më tej ajo fitoi një karakter të një arterjeje të rëndësishme ekonomike duke lidhur gadishullin e Apenineve dhe një pjesë të mirë të Evropës Perëndimore me Ballkanin e Jugut, Azinë e Vogël, me Lindjen e Afërme e deri në Mesopotaminë e njohur.

Romakët në vendet e pushtuara,gjatë ndërtimeve të tyre sidomos në ndërtimet rrugore shfrytëzuan rrugët ekzistuese. Kështu ndodhi konkretisht dhe me rrugën e rëndësishme Egnatia e cila kaloi në trasenë e rrugës pararomake të Kandavisë me drejtim po luginën e Shkumbinit, që në periudhën qytetare ilire kontrollohej nga disa vendbanime të fortifikuara .

Në territorin e Ilirisë së Jugut gjatë shekullit I p.e.s., në kohën e ekspeditave ushtarake romake, rruga Egnatia ka luajtur një rol të rëndësishëm, veçanërisht në luftimet ndërmjet Qezarit e Pompeut në mesin e shek. I p.e.sonë.

Sipas Strabonit në Ilirinë e Jugut kish dy pikënisje për rrugën Egnatia, njëra nga Apollonia, ndoshta më e hershmja (para pushtimit romak) e tjetra nga Dyrahion. Gjithashtu Straboni theksonte se të dy degët bashkoheshin me njëra-tjerën në largësi të barabarta. Duke e quajtur degën e Apollonisë si degë jugore e Egnatias përshkruajmë itinerarin e rrugës me nisje nga Durrësi.

Nga Dyrratio, një nga portet më të lashta e më të mëdhenj të Adriatikut, rruga Egnatia, sipas të gjithë itinerarëve antikë, si staciontë parë, “mansio” kishte Klodianën (Peqini i sotëm). Më tej rruga arrinte në nimfeun dhe termat e stacionit Ad Quintum (Bradasheshi i sotëm), ndërtimi i shek. II-III e.s. Ky stacion “Mutatio” i rrugës Egnatia i përmendur në itinerarin e Burrdigalës ndodhet rreth 5-m më lart se gjurmët e rrugës antike...

Pak km. më në lindje rruga arrinte në Scampis (Hiscampis sipas Burdigalës) - Elbasani i sotëm. Qyteti i lashtë i Skampinit me një jetë që nga shek. II e.s. shërbente si “mansio” për rrugën Egnatia. Duke ndjekur pak a shumë aksin e sotëm të rrugës automobilistike Elbasan Librazhd, Egnatia tekura e Haxhi Beqarit takohet me lumin e Shkumbinit, Këtu ishte stacioni Genesis flumeni “Tabula Peutingeriana” ose “mutatio” trajekto i itinerarit të Burdigalës. Me anën e një ure të periudhës romake ndërtuar me harqe tullash, rruga Egnatia kalonte nga ana e djathtë në të majtë të Shkumbinit pasi bregu i djathtë nga ky vend e deri në Prrenjas është mjaft i thepisur.

Me kalimin e Shkumbinit rruga i ngjitej shpateve veriore të malit të Polisit. Stacioni që pasonte sipas Burdigalës - Grandavia, identifikohet me Rrafjet e Spatharit ku gjurmë banesash flasin për një vendbanim të shek. I.e.s. e jo me Babjen e itinerarit, kjo edhe në korrespondim me distancat tabelare. Pas Grandavias ku bëhej pushimi në “mansio” rruga arrinte në “mutation” In Candavias (tab. Peuntingeriana) ose Tres Tabernas (sipas Burdigalës) vend i përshtatshëm për pushim ku janë zbuluar gjurmë vendbanimesh të kohës së pushtimit romak.

Kjo pikë i përgjigjet Qukësit të sotëm, i cili sipas itinerarit Antonin emërtohej “Tre Tabernas dhe “Tribus Tabernis”. Në Qukës rruga Egnatia ulej poshtë në lumin e Shkumbinit për të kaluar tashmë nga malet e Polisit majtas lumit, në të djathtë të lumit Shkumbin siç ndiqet sot rruga e Qukës-Prrenjas. Këtu Shkumbinin rruga e kalonte mbi një urë me 3 harqe guri e gjatësi 70 m mbeturinat e së cilës ruhen ende rreth 500m para hyrjes në Qukës. Nga Qukësi deri në Qafën e Thanës, vetëm Tabula Peuntigeriana shënon stacionin Pons Servili (Uraka e sotme) emërtim ndoshta i lidhur me tri urat në ngushticën e prroit të Prrenjasit, vend delikat i rrugës. Stacioni në Qafën e Thanës shënon vetëm itinerari i Burdigalës, që piketon mansion Glaudanon. Gjurmë e rrugës Egnatia në këtë stacion është një mur mbajtës rrugor 55 m i gjatë e 3 m i lartë, i ndërtuar me blloqe guri pa llaç që ruhet sapo zbret qafën e Thanës, i cili mund t’i ketë takuar më herët rrugës Kandave.

Megjithëse rruga Egnatia përmendet në burimet që në shek. II p.e.s. stacionet e rregullta gjatë saj u ndërtuan vetëm në shek. I-II e.s., konkluzion i arrirë pas vrojtimeve arkeologjike në terren. Gjatë këtyre shekujve të parë, në aksin e rrugës Egnatia gjatë luginës së Shkumbinit nuk u ndërtuan vendbanime të fortifikuara, kjo sigurisht e lidhur e lidhur me faktin që vendasit të mos mund të mbroheshin gjatë kryengritjeve kundër pushtuesit. Nga ana tjetër lindën një sërë vendbanimesh të hapura si Karina, Fatisha, Papri, Bradasheshi, Mansi, Krasta, etj.‘ të lidhura direkt me funksionimin e rrugës Egnatia.

Mbas stacionit Glaudanon të Qafë Thanës rruga Egnatia vijon tej kufirit të sotëm shtetëror të vendit tonë duke kaluar mbi kalldrëmim e Radozhdës e më tej me mure mbrojtës gjatë liqenit nëpër Strugë - mutatio Patras e itinerarit të Burdigales.

Gjatë bregut të liqenit të Ohrit rruga arrinte në stacionin Lignido (Ohri) sipas itinerarit Antonin e Tabulës Pentigeriana dhe Civitas Cledo sipas Burdigalës. Pas Lignidos rruga antike merrte drejtimin për në juglindje. Në veri të Prespës së Madhe ndodhej stacioni Scirtiana, i pa identifikuar ende, ndoshta Reseni i sotëm i Maqedonisë. Afër ndodhet stacioni tjetër Castra, mundet mutatio, Parembole i Burdigalës, pranë Dolencit të sotëm ku është zbuluar një kala romake , gjurmë kalldrëmi dhe muri kufizues të trasesë. Pas Castrës rruga Egnatia duke zbritur pak në juglindje arrin në një nga stacionet kryesorë të saj, në Heraclea (afër Manastirit - Bitolës së sotme). Nga Heraclea e titnerarit Antonin dhe e tabulës Peutigeriana apo Civitas Heraclea e Burdigalës, shkëputet një degëzim rrugor drejt verilindjes dhe në Stobi takon rrugn e njohm a ntike Thesalonik - Scupi - Ulpiana (afër Prishtinës) - Naissus - Sirmium. Pas Heracleas, me mjaft ndërtime të periudhës romake (shekulli II e.s.) rruga arrinte në mutation Melitonos (Vostarani ose Kenali në Greqi) e prej andej zbriste në jug në Kelle, mansio Cellis - Cellas në it. Antonini dhe mansio Cellis në itinerarin e
Burdigallës. Më tej rruga ngjitej në veri-lindje në mutatio Ad Duodecinum sipas Burdigalës, afër Arnisë, në Greqi. Pas këtij vendpushimi rruga hynte në Edesa, vendbanim i njohur në periudhën romake. Tej Edesës ndodhej mutatio Skurio, sipas Burdigalës, afër Kyrrkos së sotme. Gjatë vazhdimit rruga Egnatia takonte stacionin Pella (Guido sipas Burdigalës dhe Dio sipas Peutingerit) vendbanim i njohur romak në Maqedoninë e Greqisë. Para se të arrinte në Thesalonikun e njohur rruga kalonte nëpër mutation Ad Decinum (Nea Anchialos e sotme) të itinerarit të Burdigalës.

Takimin me detin Egje rruga e rëndësishme Egnatia e bënte në Thesalonik, qytet i krijuar në shek. IV p.e.s., qendër province romake, e njohur në të gjithë itinerarët antikë, ku janë zbuluar disa gurë miliarë të rrugës. Trakte të rrugës Egnatia në këtë qytet stacion të këtij arteri të rëndësishëm ekonomik janë zbuluar në veri të bazilikës së Shën Dimitrit, në dy pika të rrugës së sotme Agiu Nikolau. Drejt Lindjes rruga takonte mutaion Duodea (sipas Burdigalës), stacioni Melissirgin, të njohur në gjithë itinerarët si mutation Heracleustibus (sipa Burdigalës). Në bregun e liqenit Boble rruga kish stacionin e njohur Apollonia e Maqedonisë së njohur tek itinerarët antikë dhe mutation Arethusa (Rentina e sotme) sipas Burdigalës. Në gjirin e Strumonit ndodhej mutatio Penana, pas të cilit rruga hynte në qytetin e njohur të periudhës republikanë romake Amphipolis i pasqyruar në gjithë itinerarët antikë. Pas Galepsosit rruga Egnatia vijonte edhe disa stacione në territorin e Greqisë e pastaj hynte në territorin e Turqisë së sotme deri sa arrinte në Konstandinopol (Stambolli i sotëm).

Në territorin e sotëm të Shqipëtisë, gjatë kalimit nga Dyrrachium deri në Klaudanon (Qafa e Thanës) rruga Egnatia kishte katër stacione për pushim e fjetje - mansio, Clodianën (Peqini), Scampën (Elbasani), Grandavian (Rrafjet e Spatharit) dhe Claudanon (Qafa e Thanës) si dhe katër stacione për ndërrimin e kuajve - mutatio, Ad Quintum (Bradasheshin), Genesis ose Ad Trejecto (ura e Haxhi Beqarit) dhe Pons Servili (Uraka). Me afërsi, në territorin e Greqisë e të Turqisë së sotme rruga Egnatia nga Lygnidos (Ohri) e deri në Konstandinopol (Stamboll) numuronte rreth 20 stacione “mansio” dhe po aq “mutatio”. Sipas Tabulës Peutingeriana gjatësia e Via Egnatias nga Dyrratio në Konstandinopolis arrinte 264 milje romake ose 390.7 km, duke qenë kështu rruga më e shkurtër që lidhte Europën Perëndimore me Azinë.

Degët e rrugës Egnatia

Sipas Strabonit dega jugore e Egnatias fillonte që nga Apollonia ndërsa itinerari Hierosolimitan (i Burdigalës) e nis nga Vlora këtë degë. Sidoqoftë me interes është përshkrimi i rrugës nga Apollonia në Dyrrah, e cila sipas burimeve historike rezulton si aks i ndërtuar para Egnatias. Rruga nga Apollonia në Dyrrah përmendet që në shek. V p.e.s. nga historiani grek Thukididi, e më tej në vitin 200 p.e.s. nga historiani i Augustit Tit Livi. Më vonë në shek. I p.e.s. rruga luajti rol të rëndësishëm në luftrat civile ndërmjet Cezarit e Pompeut. Rruga nga Apollonia kalonte në fshatin Mbrostar të sotëm ku janë gjetur dy gurë miliarë me mbishkrime te shek. III-IV e.s. të kohës së perandorisë Elegabal (218-222) dhe Julian (361-363), në të cilat bëhet fjalë për riparime të shtyllave dhe të vetë rrugës së Apollonisë, gjatë periudhës perandorake, në shekujt e parë të erës sonë. Kjo rrugë duke u ngjitur drejt Veriut e kalonte lumin e Apsit (Semani) në shtratin e tij të vjetër, më në veri, pranë fshatit Babunjë e Re, ku në të djathtë të Apsit ndodhen rrënojat e një qyteze të fortifikuar ilire e cila sigurisht lidhet me këtë rrugë të rëndësishme. Duke u ngjitur drejt veriut rruga e Apollonisë hyn në zonën e Divjakës ku janë zbuluar gjurmë të saj si dhe materiale arkeologjike që hedhin dritë mbi vendbanime në këtë zonë buzë rrugës. Pas Divjakës rruga takon Genesis flumen (lumi i Shkumbinit), ku ndërmjet fshatit Ballej dhe kalasë mesjetare të Bashtovës ruhen gjurmët e një ure me harqe guri e periudhës romake. Pas urës së Bashtovës rruga duhej të kalonte me drejtim veri-lindje dhe pranë lumit të Darçit (në Shtodhër) ku ka ekzistuar një urë e periudhës romake ndoshta * ajo takonte arterien kryesore të Egnatias që vinte nga Dyrrahi. Gjurmë kalldrëmi të Egnatias në këtë zonë ruhen në fshatin Qerret, në veri-perëndim të Kavajës.

Rruga Apolloni - Dyrrah me sa duket ka më shumë mundësi që të jetë pjesë përbërëse e rrugës së rëndësishme antike gjatë bregdetit që niste nga Preveza e nëpërmjet Foinikes, Acroceraunit, Aulonit, Apollonisë, Dyrrahut, Lissusit e Scodrës përfiindonte në Dalmaci duke qenë njëkohësisht edhe njëra nga degët jugore të Egnatias, e cila kishte dhe degëzime të tjera rrugore, nga Rrogozhina, Dumreja, lugina e Semanit, etj.

Stacioni i parë i degës që niste nga “mansio” Aulona (sipa it. të Burdigalës), ishte Stefania e cila nuk është identifikuar, ku bëhej ndërrimi i kujave (mutatio). Rruga për të kaluar Vjosën duhet të ketë kërkuar vaun më të ngushtë të saj, i cili ndodhet pikërisht tek ura e sotme e Mifolit. Pra rruga ka ndjekur pak a shumë aksin e sotëm Bestrovë-Pana ja-Mifol-Levan-ApolIoni. Nga Apollonia veç rrugës së Dyrrahit nga Divjaka, rrugë pararomake e përshkruar, nisej dega tjetër e cila shmangte kënetën e Myzeqesë së Lushnjës dhe kalonte majtas Semanit nga zona e Roskovecit. Stacioni i parë pas Apollonisë ishte “mutatio” Stefanafana-Roskoveci i sotëm. Nga Apollonia në Roskovec, në fillim të shekullit tonë, Prashnikeri ka hasur mjaft gjurmë të trasesë së rrugës antike. Kjo rrugë e takonte lumin e Apsosit (Semanin) në fshatin Kuç (mansio), ku mbi Seman rruhen gjurmë të një ure të kohës romake.

Duke u orientuar nga veriu dega kalonte nëpër Barbullinjë-Lushnjë. Pas Lushnjës vijon stacioni mansio “Marusio” që sipas distancës identifikohet me fshatin e sotëm Golem, në veri të Lushnjës. Në vazhdim afërsisht sipas rrugës së sotme buzë kodrave rruga arrinte në Rrogozhinë ku pa e kaluar Shkumbinin, majtas tij rrëzës së kodrave arrinte në Clodiana (Peqin) ku bënte takimin me vijën kryesore Egnatia që vinte nga Dyrrahi. Duket se në antikitet kjo rrugë që konturonte fushën e Myzeqesë nga jugu dhe lindja priste dhe rrugët nga Bylisi e Dimali, për lidhje me luginën e Shkumbinit dhe me skelen,e rëndësishme të Dyrrahit. Paralel më këtë aks, kjo rrugë e Myzeqesë lidhej me luginën e Shkumbinit edhe nëpërmjet një drejtimi tjetër më të shkurtër, nga zona e Dumresë. Nga Lushnja shkëputej një degëzim e nëpër Kasharaj (ku ruhet një urë e hershme guri) e Hysgjokaj arrinte në: Gradishtën e Belshit, vendbanim me  origjinë nga koha e bronzit . Këtu një degë çonte nga veriu dhe e takonte Shkumbinin përballë Bishqethmit kurse dega e Scampinit, vijonte për në veri-lindje nëpër Shalës, Muriqan, (mbeturina ure romake), Jagodinë, ura e Topçiasit (e periudhës romake) dhe në Scampis (Elbasan). Së fundi nga ruga e Apollonisë pas Roskovecit shkëputej një degë për në luginën e Semanit, pasi kalonte urën e Kuçit.

Kjo degë duke ndjekur anën e djathtë të Semanit (Devoll pas urës së Kuçit) arrinte në Gostimë, ku Devolli kthen drejtimin nga veri-perëndimi në jug-perëndim, e prej këndej pasi takohej dhe me rrugën e Korçës të luginës së Devollit vijonte për në veri-lindje dhe në Jugodinë pasi merrte dhe rrugën e Belshit vijonte për në Shkumbin tek ura e Topçiasit, që e lidhte me Scampinin.

Kështu mund të themi se rruga e luginës së Shkumbinit, me emrin Candavia në antikitet dhe Egnatia gjatë periudhës romake, mbetet rruga më e rëndësishme e Ilirisë së Jugut gjatë shekujve të fundit të para erës sonë e veçanërisht në shekujt e parë të erës sonë. Përveç fortifikimeve te periudhës antike dhe vendbanimieve të hapura të periudhës romake, që ruanin e kontrollonin rrugët e luginës së Shkumbinit, edhe në degët e saja ndodheshin sisteme fortifikimi si Dorëzi (rruga e Ndroqit), Bodin (rruga nga Arbana), Graceni (rruga e Krrabës), të treja degë veriore të rrugës. Ndërsa degët jugore kontrolloheshin nga Gradishta (rruga e Myzeqesë) dhe fortifikimi i Valshit (rruga e luginës Devollit). Në aspektin ekonomik, përveç funksionit kryesor si portë e rëndësishme e Adriatikut nga perëndimi në lindje, rruga e luginës së Shkumbinit gjatë funksionimit të saj ushqehej dhe nga degët e saja Apollonia, Myzeqeja, Belshi e lugina e Scman - Devollit nga jugu si dhe nga Krraba, Vila (Petrela), Arbana e Peza nga veriu të cilat e lidhnin atë me rrugë të tjera të rëndësishme si ajo e luginës së Vjosës, e bregdetit, e luginës së Devollit, etj.

Me kalimin e kohës, pra pas shekujve të parë të perandorisë romake (shek. III e.s.) kur rruga Egnatia u pasurua me ndërtime e sistemime për të qenë sa më e shfrytëzueshme, me çthurrjen e sistemit skllavopronar dhe me ekspeditat barbare në territorin ilir, gjatë shekujve IV-VI të antikitetit të vonë, rruga Egnatia e humbet rëndësinë e saj ekonomike e njihet më tepër si rrugë strategjike. Rruga Egnatia, e njohur në antikitet e në periudhën romake, si pasojë e ekspeditave barbare dhe atyre sllave gjatë antikitetit të vonë dhe e pushtimeve të mëtejshme, që copëzimet politike territoriale e dëmtuan dhe e cunguan trasenë e saj duke e lënë atë në rol sekondar apo ndoshta herë pas here edhe pa funksion gjatë mesjetës (së hershme kryesisht), e humbi atë rol që historia i pat njohur asaj gjatë periudhave të hershme. Paralel me të në territorin e vendit tonë punonin siç e kemi theksuar edhe akse të tjera rrugore të cilët duke mos e pasur rëndësinë antike të Egnatias, nuk janë përshkruar me hollësi sikurse rruga e luginës së Shkumbinit.

info@balkancultureheritage.com