Ruf Festi, i quajtur edhe Sekst Rufi, është historian i kohës së perandorit Valens (364-378). Me sa duket gjatë sundimit të tij ai mbante ofiqe me rëndësi në pushtetin perandorak, Prej tij kemi një histori të shkurtuar: "Breviarium rerum gestarum populi Romani" (Histori e shkurtër e popullit romak), që zë në gojë ngjarjet më në shenjë të historisë së Romës. Për ngjarjet paraperandorake Festi mbështetet mbi epitomet e Livit dhe Florin, kurse për periudhën tjetër, duke përfshirë edhe kohën e Diekletianit, ai shfrytëzoi të njëjtat burime si dhe Eutropi.
E re për ne tek Festi është sidomos emërtimi i 18 krahinave që përbënin Ilirikun në gjysmën e dytë të shek. IV të e. sonë.
Në kohën e konsujve, në mes të cilëve nganjëherë pati edhe diktatorë, para katërqind e gjashtëdhjetë e shtatë vjetësh, u pushtua Italia deri përtej lumit Pad, u nënshtrua Afrika, u shtruan hispanët; Galia dhe Britania u bënë tributarë. Qenë shtruar ilirët, istrët, liburnët, dalmatët; pastaj u kalua në Ahe: u nënshtruan maqedonët, u luftua me dardanët, myzët dhe thrakët, dhe u arrit deri në Danub...
Pastaj në kohën e perandorëve, para katërqind e shtatë vjetësh, kur shumë perandorë drejtonin fatin e shtetit, iu shtuan gjithashtu shtetit romak alpet bregdetare, alpet e Kotisë, të Retisë, të Norikut, të Panonisë, Myzisë dhe gjithë bregu i Danubit u kthye në provincë...
VII Nga bregdeti ne hymë dalëngadalë në Ilirik. Konsulli Levin qe i pari që përshkoi Adriatikun dhe detin Jon, dhe pushtoi qytetet bregdetare... Epirotët, të cilët kishin guxuar të kalonin me mbretin Pirro në Itali, u mundën së bashku me krahinat e grekëve dhe të maqedonasve; u bënë me ne edhe thesalët. Maqedonia tri herë ngriti krye: nën Filipin, nën Perseun dhe nën Filipin e rremë. Filipin e mundi Flaminini, Perseun - Pauli, Filipin e rremë - Meteli. Me këto triumfe edhe Maqedonia iu shtua popullit romak. Ilirët të cilët u dhanë ndihmë maqedonasve, i mundën nëpërmjet pretorit Luc Anicit, të shtyrë po nga ky rast, dhe i futëm në dorë ata bashkë me mbretin Gent; prekonsulli Kuri nënshtroi dardanët dhe myzët, dhe qe i pari komandant romak që arriti deri në Danub. Në kohën e cezarëve Jul dhe Oktavian, u hap rruga për Alpet Jule. Pasi u mundën, gjithë popujt alpinë iu shtuan provincës së norikëve. Pasi u mund Batua, mbreti i panonëve, iu nënshtruan sundimit tonë Panonitë, u nënshtruan dhe amantinët, të cilët banojnë në mes Savës dhe Dravës, dhe krahina e Savës dhe e Panonisë së Dytë.
VIII Markomanët dhe kuadët u dëbuan nga krahinat e Valerisë, që gjenden midis Danubit dhe Dravës dhe kufiri në mes romakëve dhe barbarëve u vendos nga Augusti në Vindeliki, Norik, Panoni dhe Myzi. Trajani mundi dakët në kohën e mbretit të tyre Decebal dhe krijoi në tokën barbare përtej Danubit, provincën e Dakisë, që kishte rreth e përqark një gjatësi prej një mijë mile . Por në kohën e perandorit Galien ajo pati humbur dhe Aureliani, pasi shpërnguli prej këndej romakët krijoi në krahinat e Myzisë dhe Dardanisë dy Dakitë. Iliriku ka tetëmbëdhjetë provinca: dy Norikët, dy Panonitë, Valerien, Savien, Dalmatinë, Myzinë e Sipërme, Dardaninë, dy Dakitë. Në dioqezën e Maqedonisë gjenden shtatë provinca: Maqedonia, Thesalia, Ahea, dy Epirët, Prevalis dhe Kreta.