Shën Mëri Vllaherna

Shën Mëri Vllaherna

Megjithëse e transformuar në shek. XVI kur është edhe ripikturuar nga Nikolla i Onufrit, kisha ruan qartë format e dikurshme të kishës me planimetri kryq i brendashkruar me katër mbështetje të brendshme. Si struktura nga ajo ruhen dy pilastrat lindore, pjesë të ambientit të altarit që ruhet në trajtat e dikurshme, si dhe muret anësore të naosit. Nga këto, i plotë ka arritur muri lindor me absidën trefaqëshe. Në muret verior dhe jugor dallohet prania e frontoneve me dritare të krahëve të kryqit, qemerët e të cilëve bashkë me kupolën me tambur janë rrëzuar përpara rindërtimit që përmendëm më lart. Muratura është e ndërtuar me gurë e tulla, sipas teknikës së kluasonazhit. Me tulla janë harqet e shkallëzuara të dritareve, pjesët e zbukuruara mbi të nën kornizat me dy radhë tullash të dhëmbëzuara, që fillojnë e bëhen pjesë e traditës vendase arkitekturale. Kisha ka një pamje të rëndë dhe primitive në proporcionet e sidomos në teknikën e ndërtimit dhe për pasojë dhe dekorin. Format dhe proporcionet janë pak të kërkuara dhe dëshmojnë për një nivel jo të lartë ndërtimi.

info@balkancultureheritage.com