Çfarë ndodh me gjymtyrën e seksit që Kroni hodhi në det? Ajo nuk fundoset në ujin e oqeanit, noton sipër tyre, pluskon, dhe shkuma e spermës përzihet me shkumën e detit. Nga kjo shkrirje shkumore përreth seksit, që lëviz nga ta çojnë dallgët, ngjizet një krijesë e përkryer: Aferdita, hyjnesha e lindur nga deti dhe shkuma. Ajo lundron njëfarë kohe, pastaj zbret në ujdhesën e vet, në Qipro. Çapitet në rërë dhe, teksa shkon përpara, lulet më erëmuese e më të bukura mbijnë poshtë hapave të saj. Pa iu ndarë Aferditës, çapiten pas saj, Erosi dhe Himerosi, Dashuria dhe Dëshira. Ky Eros nuk është Erosi i kryehershëm, por një Eros që kërkon ndërkaq që tiparet të jenë mashkullore e femërore. Herë-herë do të thuhet që ai është i biri i Aferditës. Ky Eros ka ndërruar, pra, funksion. Roli i tij nuk është më që të sjellë në dritë atë çka ndodhej në terrin e fuqive të kryehershme, si në fillim fare të kozmosit. Tashmë ai ka për rol të bashkojë dy qenie të individualizuara qartas, me seks të ndryshëm, në një lojë erotike që parakupton një strategji dashurore me gjithë joshjen, mirëkuptimin, xhelozinë. Erosi bashkon dy qenie të ndryshme me qëllim që prej tyre të lindë një qenie e tretë, që të mos jetë identike as me njërin prind, as me tjetrin, por që të jetë pasuesja e të dyve. Ekziston, pra, tani një krijim që dallon nga ai i kohës së mëparshme. E thënë ndryshe, duke prerë seksin e të atit, Kroni krijoi dy fuqi që për grekët janë plotësuese, njëra nga të cilat quhet Eris, Grindja, kurse tjetra Eros, Dashuria.
Eris është lufta në gjirin e të njëjtës familje ose brenda të njëjtit njerëzim, konflikti dhe mosmarrëveshja në zemër të asaj që qe e bashkuar. Erosi, përkundrazi, është mirëkuptimi dhe bashkimi i atyre çka janë aq të pangjashme sa ç’mund të jenë femërorja me mashkulloren. Erisi dhe Erosi janë përftuar që të dy nga i njëjti akt themelues që liroi hapësirën, që zhbliokoi kohën, që u lejoi breznive të njëpasnjëshme të shfaqeshin në faqe të dheut: skena tanimë qe hapur plotësisht.
Tanimë të gjithë këto personazhe hyjnore, me Erisin nga njëra anë dhe Erosin nga ana tjetër, do të përballen e përleshen mes tyre. Po përse? Më shumë për të caktuar se kush do të bëhet zot i kësaj gjithësie sesa për ta ngritur vetë gjithësinë, që tashmë i ka hedhur themelet. Kush do të jetë sovrani i saj? Në vend të një rrëfimi kozmogonik që shtron pyetjet “Çfarë është fillimi i botës? Përse qe së pari Humnera? Si u mbrujt gjithë kjo që përmban gjithësia?”, brofin të tjera pyetje, të cilave rreken t’u japin përgjigje rrëfenja të tjera, shumë më dramatike. Si do të luftojnë e do të shqyhen mesvedi zotat që u krijuan dhe bënë fëm ij ë edhe vetë? Në ç ’ mëhy rë do të merren vesh? S i do ta vuaj në gabimin që bënë Titanët ndaj atit të tyre Uran, në ç’mënyrë do të ndëshkohen? Kush do ta sigurojë qëndrueshmërinë e kësaj bote të ndërtuar nga një hiç që qe gjithçka, nga një terr që qe vetë burimi i dritës, nga një zbrazëti ku lindin trupat e plotë e të ngurtë? Si do të bëhet bota e qëndrueshme, e organizuar, me qenie të individualizuara në të? Duke u larguar nga Toka, Urani i hap udhën një vijimësie të pandalshme brezash. Mirëpo, në qoftë se në çdo brez perënditë hahen me shoshoqin, bota nuk do të gjejë asnjëherë qëndrueshmëri. Lufta e perëndive duhet ta ketë një fund, me qëllim që në botë të vendoset përfundimisht rendi. Perdja ngrihet mbi luftimet për sovranitetin hyjnor.