Kuvendi u mblodh më 27 prill 1909 dhe mori vendimin të shfronësonte sulltanin. Abdylhamidi u dërgua menjëherë në Selanik me tren. Midis katër përfaqësuesve që i sollën lajmin e keq Halifit-Sulltan, dy prej tyre ishin jomuslimanë: Emanuel Karaso (Emmanuel Carasso) (një hebre) dhe Arami (një armen). "Veprimi më i keq që kreu Komiteti Ittihad ve Terakki ishte ky mënjanim i Abdylhamidit, që ishte mjeshtër i diplomacisë evropiane, me një përvojë 32-vjeçare. Ambasadori britanik, Nikolas o'Konor (Nicolas o'Connor), është cituar të ketë thënë se gjithë vendet evropiane ishin të gatshëm për t'u lutur për Abdylhamidin, në mënyrë që të shmangnin mundësinë e shpalljes së një lufte botërore. Ambasadori francez, Moris Bompar (Maurice Bompard), deklaroi se nuk kishte asnjë diplomat tjetër të kalibrit të tij në asnjë shtet të Evropës.
Abdylhamidi u dënua me arrest shtëpie në vilën e madhe Alatini në Selanik, por u soll sërish në Stamboll në vitin 1912, gjatë Luftës Ballkanike, dhe qëndroi në Pallatin Bejlerbej, deri sa ndërroi jetë më 10 shkurt të vitit 1918. Ndërkohë që qëndroi në këtë vend, Enver Pasha, njëri prej tre udhëheqësve të Ittihad ve Terakki e vizitonte shpesh atë; ish-sulltani me përvojë kishte vërejtur se ai "do të bëhej një kolonel i mirë".
Ndërkohë që prijësit e Ittihad ve Terakki ishin të anga-zhuar në fushatën zgjedhore, evropianët i shkaktuan goditje të rënda Devletit Osman tashmë të rrënuar dhe të pafuqishëm. Austria aneksoi Bosnjë e Hercegovinën më 5 tetor 1908. Bullgaria u shpall vend i pavarur dhe Greqia pushtoi Kretën, e cila u zbraz nga fuqitë evropiane më 27 korrik. Devleti Osman iu drejtua për ndihmë garantuesve dhe nënshkruesve të Traktatit të Berlinit, por pa dobi. Më pas, Devleti u përpoq t'i zgjidhte vetë problemet, duke nënshkruar një traktat me Austrinë, nëpërmjet të cilit pranoi aneksimin austriak të Bosnjë e Hercegovinës, në këmbim të qytezës së Novi Pazarit. Austria, nga ana e saj, do t'i paguante Devletit dëmshpërblimet e luftës. Më 19 prill 1909, u nënshkrua edhe një traktat me Bullgarinë, sipas të cilit sulltani mori kontrollin e institucioneve muslimane në Bullgari dhe në Bosnjë e Hercegovinë, dhe në to emëroi drejtues fetarë (kadinj dhe muftinj). Austria dhe Bullgaria garantuan se do t' i përkrahnin financiarisht shkollat muslimane dhe xhamitë në vendet e tyre.