Deri vonë është besuar se i vetmi tekst në gjuhën ilire gjendet në një unazë që është gjetur në nekropolën e njohur në Kalanë e Dalmaçës afër Shkodrës në Shqipëri.88 Është konstatuar, megjithatë, se ai tekst është lexuar gabimisht dhe se ai, në të vërtetë, është një tekst në gjuhë greke nga koha bizantine.89 Kështu u hodh poshtë një iluzion, që për një kohë të gjatë kishte ekzistuar, se ilirët para okupimit romak kishin bërë përpjekje të shkruanin - qoftë edhe me shkronja greke - gjuhën e tyre. Kohëve të fundit këtij “mbishkrimi të vetëm ilir” - siç e kanë quajtur - iu bashkuan edhe tri të tjera, për të cilatdisa nga arkeologët dhe linguistët besojnë se dëshmojnë mbi përpjekjet e individëve të izoluar që të shërbenin me anë të shkrimit.
Një mbishkrim i tillë gjendet në monedhat “barbare”, nga shek. II para e.r., shumë ekzemplarë të të cilave janë zbuluar në Pellgun danubian, ndërsa numri më i madh është gjetur në katundin Ribnjaça. Fjala është për legjendën e shkruar me shkronja të alfabetit të etruskëve të veriut që përbëhet vetëm nga një fjalë - emrit të sundimtarit lokal Sosthenes.90 Paraqitja e këtij mbishkrimi ka ngjallur shpresën se ndonjë shkrim lokal ishte zhvilluar në ato vise ilire ku ishin vendosur përgjithmonë keltët. Fatkeqësisht, ky mbishkrim mbeti i vetëm; asnjë tekst tjetër në këtë rajon, i shkruar me këtë shkrim, nuk është zbuluar as në monedha të tjera “barbare” të kësaj periudhe, prandaj ky mbishkrim mund të konsiderohet si rast i izoluar, i cili tregon më tepër për lidhjet e iliro-keltëve me Italinë Veriore se sa për orvatjet që në Pellgun danubian të krijohej shkrimi për përdorim të përditshëm.
Në vitin 1963 gjatë hulumtimeve të vendbanimit të madh Pod në Bugojna është zbuluar një enë qeramike e shek. VI para e.re. rreth buzës së sipërme të së cilës gjenden të vizatura disa shenja. Arkeologu BorivoJ Covic, i cili e zbuloi këtë enë, në ato shenja pa gërma të shkruara me alfabetin grek të periudhës paraklasike " Filologia Radmila Salabalic u përpoq ta lexojë këtë mbishkrim, për të cilin mendon se është shkruar me gërmat e një alfabeti të përzier të alfabeteve etrusk dhe të alfabeteve të tjera italike të veriut. Megjithatë, nuk është e sigurt se këtu, me të vërtetë, fjala është për mbishkrim, mirëpo edhe nëse është mbishkrim, ai kurrsesi nuk është në gjuhën ilire.
Në “monumente të rralla ilire epigrafike, të cilat do të mund t’i karakterizonim si fillim të shkrimit ilir” Duje Rendic - Miocevic radhiti një mbishkrim interesant nga Grebeshtica e Shibenikut. Gdhendësi vendas, i cili gdhendi shkronjat në këtë monu- ment devijoi nga normat e zakonshme në shkrimin e gërmave dhe në krijimin e ligaturave, kështu që me vetëdije shkoi në një kombinim, të cilin ndoshta - sikur të vazhdonte —do ta nxirrte një variant të posaçëm, vendas të shkrimit latin. Kjo orvatje e izoluar, dhe jo aq e suksesshme për përshtatjen e alfabetit latin sipas nevojave të vendit, është shkruar, megjithatë në gjuhën latine, e jo në atë ilire. As vendas, pra nuk ka pasur idenë se me këtë alfabet, eventualisht të ri, do të shkruante në gjuhën e tij amtare, ashtu si nuk i lindi kjo ide as shumë të tjerëve para dhe pas tij, të cilët shkruanin me gërma greke dhe në gjuhën greke, nëse jetonin në kolonitë greke ose në afërsi të tyre, ndërsa me alfabet latin dhe në gjuhën latine kur ranë nën pushtetin e romakëve.
Ndonëse nuk mund ta përjashtojmë kategorikisht mundësinë se ilirët, sidomos ata në viset jugore, të cilët kishin arritur në shkallën kulturore dhe politike kur shkrimi bëhet faktor i domosdoshëm i zhvillimit të mëtejshëm, janë shërbyer me alfabet për shkrimin në gjuhën e vet amtare, njohuritë e deritanishme të materialeve arkeologjike na lënë pak shpresë se do të gjendet një shkrim i tillë. Në të vërtetë është fare pak e besueshme, se nuk do të gjendej deri sot ndonjë gjurmë për shkrime të tilla, sikur ato të ekzistonin diku, e po ashtu është fare pak e besueshme se ilirët kanë përdorur alfabet të huaj për shkrimin në gjuhën e tyre amtare, sepse deri tani do të duhej të gjenim edhe mbishkrime të tilla, sikur të ekzistonin.