Shkrimi i historisë
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Shkrimi i historisë

Arsyet se pse ne mund ta shkruajmë këtë histori deri në detaje të tilla janë shumë të thjeshta: vetë romakët shkruan shumë mbi të dhe shumë prej asaj që shkruan mbijetoi. Historianët modernë shpesh ankohen se sa pak gjëra ne mund të dimë mbi disa aspekte të botës së lashtë. ‘thjesht mendo se çfarë nuk dimë ne mbi jetët e të varfërve’, ankohen ata, ose mbi perspektivën e grave’. Kjo është anakronike aq sa është edhe gënjeshtare. Shkrimtarët e letërsisë romake qenë pothuajse tërësisht meshkuj ose, së paku, shumë pak shkrime nga gratë kanë mbërritur deri te ne (autobiografia e nënës së perandorit Nero, Agripinës, duhet të numërohet si një nga humbjet më të trishta të letërsisë klasike). Këta burra qenë gjithashtu pothuajse ekskluzivisht të pasur, edhe pse disa nga poetët romakë pretendonin, siç pretendojnë me raste poetët, se ata qenë duke vuajtur urie nëpër papafingo. Ankuesit, gjithsesi, nuk kuptojnë një pikë shumë më të rëndësishme. Gjëja e vetme më e jashtëzakonshme mbi botën romake është se shumë gjëra nga ato që shkruan romakët kanë mbijetuar për më shumë se dy mijëvjeçarë. Ne kemi poezitë, letrat, esetë, fjalimet dhe rrëfenjat, të cilave u jam referuar sakaq, por gjithashtu edhe novelat, gjeografitë, satirat dhe rafte të tëra me shkrime teknike, nga inxhinieria e ujit te mjekësia dhe sëmundjet. Mbijetesa i detyrohet gjerësisht zellit të murgjve të mesjetës, të cilët transkriptuan me dorë, sërish dhe sërish, atë që ata besonin se qenë më të rëndësishmet ose më të vlefshmet nga veprat e literaturës klasike, me një kontribut të rëndësishëm dhe shpesh të injoruar nga studiuesit mesjetarë islamikë, të cilët përkthyen në arabisht një pjesë të materialeve filozofike dhe shkencore. Falë arkeologëve që kanë gërmuar papiruse nga rërat dhe vend-grumbullimet e mbeturinave të Egjiptit, tabela shkrimi prej druri nga bazat ushtarake romake në veri të Anglisë, si dhe gurë varri që shprehen plot elokuencë nga e gjithë perandoria, ne kemi fragmente të jetës dhe letrat e disa prej banorëve të zakonshëm të botës romake. Ne kemi letra të dërguara në shtëpi, listë pazaresh, libra llogarish dhe mesazhet e fundit të gdhendura në varre. Edhe pse e gjitha kjo është një pjesë e vogël e asaj që dikur ekzistonte, kemi akses te më shumë literaturë romake - dhe më shumë shkrime romake në përgjithësi - nga sa është e mundur të mësohet prej një personi të vetëm përgjatë të gjithë jetës.

Pra si ndodhi, ekzaktësisht, që ne e dimë për konfliktin mes Katilinës dhe Ciceros? Historia ka mbërritur te ne përmes rrugëve të ndryshme dhe pjesërisht për shkak të larmishmërisë ajo është kaq e pasur. Në veprat e një numri historianësh të Romës së lashtë ka përshkrime të shkurtra, përfshirë një biografi të lashtë nga vetë Cicero - të gjitha të shkruara rreth njëqind vjet apo më pas ngjarjeve. Më e rëndësishmja dhe domethënëse, është se një ese e gjatë, që vijon për rreth pesëdhjetë faqe në përkthimin standard në anglisht dhe që ofron një narrativë të detajuar dhe një analizë të Lujia kundër Katilinës ose Bellum Catilinae, për të përdorur atë që është pothuajse e sigurt ishte titulli origjinal. Ai u shkrua vetëm njëzet vjet pas <luftës>, në vitet 40 p.e.s. nga Gaius Sallustius Crispus ose <Salust>, siç njihet zakonisht tani. Një <njeri i ri> njësoj si Cicero dhe një mik dhe aleat i Jul Cezarit, ai kishte një reputacion politik shumë të përzier: periudha e tij si guvernator romak në Afrikën e Veriut ishte famëkeqe, edhe për standardet romake, për korrupsion dhe zhvatje. Por, pavarësisht karrierës së tij jo tërësisht të pranueshme, ose për shkak të saj, eseja e Salustit është një nga shkrimet më mprehta të analizës politike që ka mbijetuar që nga bota e lashtë.

Salusti nuk tregon thjesht historinë që shpaloset mbi përpjekjen për kryengritje, si dhe shkaqet e pasojat e saj. Ai përdori figurën e Katilinës si një emblemë të defekteve më të përgjithshme të Romës së shekullit të parë p.e.s.. Në këndvështrimin e Salustit, karakteri moral i kulturës romake ishte shkatërruar nga suksesi dhe pasuria e qytetit, babëzia dhe etja për pushtet, të cilat patën pasuar pushtimin e Mesdheut dhe shpartallimin e të gjithë rivalëve të vet seriozë. Momenti kyç erdhi tetëdhjetë e tre vjet para luftës kundër Katilinës, kur më 146 p.e.s., ushtritë romake më në fund shkatërruan Kartagjenën, bazën e Hanibalit në brigjet veriore të Afrikës. Pas kësaj, mendonte Salusti, nuk mbeti asnjë kërcënim serioz ndaj dominimit romak. Katilina mund të kishte cilësi pozitive, siç pranon Salusti, nga trimëria në rreshtin e parë të fushëbetejës te fuqia e jashtëzakonshme e durimit: ‘aftësia e tij për të përballuar urinë, të ftohtin apo mungesën e gjumit ishte e pabesueshme’. Por ai simbolizonte shumicën e asaj që ishte e gabuar me Romën e kohës së tij. Përveç esesë së Salustit gjenden dokumente të tjera interesante, të cilat në finale shkojnë te dora e vetë Ciceros dhe japin versionin e tij mbi atë që ndodhi. Disa nga letrat që ai i shkroi mikut të tij më të ngushtë, Titus Pomponius Atikus - një pasunar që nuk hyri kurrë në politikë formale, por shpesh lëvizi gurët nga pas - përmend marrëdhëniet e tij fillimisht miqësore me Katilinën. Të përziera me lajme familjare, mbi lindjen e djalit të tij (‘Më lejo të të them, jam bërë baba...’) dhe me mbërritjen e statujave të reja nga Greqia për të dekoruar shtëpinë e tij, Cicero shpjegon më 65 p.e.s. se ai po peshonte idenë e mbrojtjes së Katilinës në gjykata, me shpresë se ata mund të punonin bashkë më vonë.

Se si ndodhi që letra të tilla private u bënë publike mbetet mister. Ka gjasa që një anëtar i familjes së Çiceros bëri kopje të disponueshme për publikun pas vdekjes së tij dhe ato qarkulluan me shpejtësi mes lexuesve kureshtarë, mbështetës apo armiq. Në botën e lashtë, asgjë në të vërtetë nuk publikohej, sipas kuptimit tonë të kësaj fjale. Pothuajse një mijë letra mbijetojnë, si të shkruara nga njeriu i madh ashtu dhe të shkruara për të gjatë njëzet viteve të fundit të jetës së tij. Domethënëse janë letrat e tij vajtuese nga periudha e dëbimit (gjithçka që mund të bëj është të qaj!) dhe hidhërimi për vdekjen e së bijës pas lindjes, ndërkohë që mbulojnë tema të tilla nga agjentët hajdutë te divorcet në shoqëri, tek ambiciet e Jul Cezarit; këto janë disa nga dokumentet më intriguese të botës së lashtë.

Po kaq intrigues është mbijetesa, e ndoshta edhe më habitëse, e pjesëve nga një poemë e gjatë që Cicero shkroi për të lavdëruar arritjet e tij si konsull: ajo nuk disponohet më e plotë, por ishte e famshme apo famëkeqe mjaftueshëm sa më shumë se shtatëdhjetë vargje të saj citohen nga shkrimtarë të tjerë të lashtësisë, si dhe nga vetë Cicero në vepra të mëvona. Një nga vargjet më të njohura si poezi e keqe latinisht që ka mbijetuar përmes Epokës së Errët është kjo: ‘ fortunatam natam me consule Romam' - një rimë që tingëllon si diçka e tillë ‘Roma ishte një shtet me fat / lindur në timen konsullatë’. Dhe kjo është parë si një mungesë madhore dhe disi qesharake e modestisë, por jo vetëm kaq: duket se poema ka treguar për një ‘asamble të zotave’ në të cilën, konsulli ynë mbinjerëzor diskuton me senatin hyjnor në malin Olimp se si ai duhet të menaxhojë komplotin e Katilinës.

Nga shekulli i parë p.e.s., reputacioni dhe fama në Romë vareshin jo vetëm nga fjala e gojës, por edhe nga reklama, në disa raste e përpunuar apo e orkestruar pa shije. Ne dimë se Cicero u përpoq të bindte një nga miqtë e tij historianë, Lucius Luceius, të shkruante një raport lavdërues për mposhtjen e Katilinës prej tij dhe çfarë ndodhi pas saj (‘Unë jam jashtëzakonisht i interesuar’, tha ai në një letër, ‘që emri im të vihet nën dritën e shkrimit tënd’); dhe shpresoi gjithashtu që një poet grek i modës, të cilin ai e pati mbrojtur në gjykatat e Romës për çështjen e vështirë të imigrimit, të kompozonte një epikë të përshtatshme mbi të njëjtën temë. Por, gjithsesi, atij iu desh të shkruante vargje lavdesh për vetveten. Pak kritikë modernë janë përpjekur, në mënyrë aspak bindëse, të mbrojnë cilësinë letrare të veprës, dhe madje edhe të asaj që është bërë vargu simbolik i saj (‘0 fortunatam natam ...’). Shumica e kritikëve romakë, mendimet e të cilëve mbi këtë temë kanë mbijetuar, janë tallur si me vanitetin e nismës, ashtu edhe me gjuhën e përdorur. Edhe një nga admiruesit më të mëdhenj të Ciceros, një student i mprehtë i teknikave të tij të oratorisë, shprehu keqardhje që ai ‘ishte ngopur kaq shumë me vetveten’. Të tjerët me shpejtësi i përqeshën apo i parodizuan vargjet e tij.

Por një pjesë e aksesit më të drejtpërdrejtë që ne kemi nga ngjarjet e vitit 63 p.e.s. vjen nga teksti i disa prej fjalimeve që Cicero dha në kohën e kryengritjes. Dy u mbajtën në takimet publike të popullit të Romës, ku ai informoi njerëzit mbi ecurinë e hetimeve mbi komplotin e Katilinës dhe në shpalljen e fitores kundër disidentëve. Njëri ishte kontributi i Ciceros në debatin në senat më 5 dhjetor, kur u vendos dënimi i përshtatshëm për ata që qenë arrestuar. Dhe, më i famshmi nga të gjithë, ishte fjalimi që ai dha në senat më 8 nëntor, duke denoncuar Katilinën, përmes fjalëve që duhet t’i imagjinojmë sikur po dalin nga goja në pikturën e Maccari-t.

Vetë Cicero ka gjasa që t’i ketë qarkulluar shpejt këto kopje pasi ato u mbajtën, të transkriptuara me shumë punë nga një ushtri e vogël skllevërish. Dhe, ndryshe nga përpjekjet e tij në fushën e poezisë, ato shpejt u admiruan dhe u bënë klasikë të shumëcituar të literaturës latine, si dhe shembuj të rëndësishëm të oratorisë madhështore që duhet të mësohet dhe imitohet nga nxënësit e shkollave në Romë, apo nga aspirantët për folës publikë për pjesën tjetër të lashtësisë. Ato madje u lexuan dhe u studiuan edhe nga ata që nuk qenë tërësisht të rrjedhshëm në latinisht. Kjo vijonte së paku edhe katërqind vjet më vonë në Egjiptin romak. Kopjet më të hershme të këtyre fjalimeve që kanë mbijetuar, janë gjetur në papiruse, të cilat datojnë nga shekulli i katërt ose i pestë i e.s., tashmë thjesht copa të vogla të atyre që në origjinal qenë tekste shumë më të gjata. Ato përfshijnë origjinalin në latinisht dhe një përkthim fjalë për fjalë në greqisht. Ne duhet të imagjinojmë një folës të greqishtes në Egjipt, duke vuajtur paksa dhe duke pasur nevojë për ndihmë, për të kuptuar gjuhën origjinale të Ciceros. Edhe shumë nxënës të mëvonë kanë vuajtur gjithashtu. Ky grup me katër fjalime Kundër Katilinës (in Catilinam) ose Katilinarianët, siç njihen ata sot zakonisht, hynë në traditat arsimore dhe kulturore të Perëndimit. Të kopjuara dhe të shpërndara përmes manastireve mesjetare, ato përdoreshin për të stërvitur gjenerata të tëra nxënësish të gjuhës latine dhe u analizuan imtësisht si kryevepra të literaturës nga intelektualë të rilindjes dhe teoricienët e retorikës. Edhe sot; në edicionet e shtypura mekanikisht, ato mbajnë vendin e tyre në programin mësimor të atyre që mësojnë latinisht dhe mbeten modele të oratorisë bindëse, teknikat e të cilave gjenden pas disa prej fjalimeve më të famshme të kohës sonë, përfshirë fjalime të mbajtura nga Tony Blair dhe Barack Obama.

Nuk u desh shumë dhe fjalët hapëse të fjalimit që Cicero mbajti më 8 nëntor (Katilinariani i Parë) u bënë një nga citimet më të njohura dhe lehtësisht të dallueshme të botës romake: ‘Quo usque tandem abutere, Catilina, patientia nostra? (‘Edhe për sa kohë ti, Katilinë, do të vijosh të abuzosh me durimin tonë?’); dhe këto fjalë u pasuan shpejt disa rreshta më poshtë në tekstin e shkruar me sloganin e ashpër dhe ende shumë të përsëritur: ‘0 tempora, o mores') (Oh në çfarë bote jetojmël; ose, fjalë për fjalë, ‘Çfarë kohe, çfarë zakonesh!’). Në fakt, fraza ‘Quo usque tandem ... ’ duhet të ketë hyrë bindshëm në ndërgjegjen letrare romake në kohën kur Salusti shkroi raportin e tij mbi ‘luftën’, vetëm njëzet vjet më vonë. Kaq shumë qenë trupëzuar ato sa, me qëllim apo me ironi të fortë, Salusti i vendosi në gojën e Katilinës. 'Quae quo usque tandem patiemini, o fortissimi virit (‘Edhe sa kohë ju, shokët e mi trima, do të vijoni të duroni?’) Kjo është mënyra se si revolucionari i Salustit nxit ndjekësit e tij, duke iu rikujtuar atyre padrejtësitë që po vuanin nga elita. Fjalët janë pastër imagjinare. Shkrimtarët e lashtë vazhdimisht u vinin fjalime në gojë protagonistëve të tyre, pak a shumë siç bëjnë historianët e sotëm, të cilët pëlqejnë të përshkruajnë ndjenja apo motive për personazhet e tyre. Shakaja këtu është që Katilinës, armikut më të madh të Ciceros, i vihet në gojë slogani më i famshëm i kundërshtarit të tij.

Kjo është vetëm një nga ironitë e sforcuara dhe ‘keqcitimet’ paradoksale të spikatura në historinë e kësaj shprehjeje të dalluar. Ajo shpesh është fshehur në letërsinë romake kurdo kur kishte plane revolucionare. Vetëm pak vite pas Salustit, Titus Livius ose ‘Livi’, siç njihet më së shumti, po shkruante historinë e tij mbi Romën që nga fillesat, në origjinë në 142 ‘libra’ - një projekt i stërmadh, edhe pse libri në lashtësi ishte ajo që përmblidhej në një role papiri dhe është më afër gjatësisë së një kapitulli modern. Se çfarë kishte për të thënë Livi mbi Katilinën ka humbur. Por kur ai deshi të shprehte konfliktet politike të disa qindra viteve më parë, në veçanti ‘komplotin’ e një Markus Manlius, i cili në shekullin e katër p.e.s. supozohej të kishte ndezur të varfrit e Romës të rebeloheshin kundër sundimit shtypës të elitës, ai shkoi pas te një version i këtyre fjalëve klasike. ‘Quo usque tandem ignorabitis vires vestras?' (Edhe për sa kohë ju do të vijoni të jeni të paditur për fuqitë tuaja?’) imagjinoi ai Manliusin duke pyetur ndjekësit e tyre për t’i bërë të kuptonin se, megjithëse qenë të varfër, ata kishin fuqinë për të triumfuar. Argumenti këtu nuk është thjesht mbi jehonën e gjuhës. As nuk është thjesht mbi figurën e Katilinës si një sinonim i keqbërësit, megjithëse ai e luan këtë rol shumë shpesh në literaturën romake. Emri i tij filloi të përdorej si një nofkë për perandorët jopopullorë, dhe një gjysmë shekulli më vonë, Publius Vergilius Maro (ose Virgjili, siç njihet zakonisht tani) i dha atij një rol të latuar te Eneida, ku keqbërësi imagjinohet duke u torturuar në botën e nëndheshme, ‘duke u dridhur përballë Furive’. Më e rëndësishme është mënyra se si konflikti mes Katilinës dhe Ciceros u bë një shabllon për të kuptuarit e mosbindjes civile dhe kryengritjes përgjatë historisë së Romës dhe më tutje. Kur historianët romakë shkruan mbi revolucionin, imazhi i Katilinës është pothuajse gjithmonë i fshehur pas rrëfenjave të tyre, edhe nëse kjo duhet të paguhet me ndonjë përmbysje të çuditshme në kronologji. Siç sugjerojnë fjalët e zgjedhura me kujdes të Livit, Markus Manlius, një fisnik që vendos të përdorë një revolucion të mallkuar që mbështetet nga një turmë të varfërish, është në përgjithësi një projektim i Katilinës pas në historinë e Romës.

info@balkancultureheritage.com