Shqipëria e Lashtë
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Durrësi (Dyrrhachium)

Ky qytet ishte i pari që vizitova. Këtu qëndrova pak kohë, pasi antikitetet e tij ishin parë prej kohësh nga arkeologë të tjerë. Një mision arkeologjik francez kryen gërmime që prej një viti. Megjithatë, nuk ndenja pa kërkuar dhe pa parë monumentet e njohura tashmë. Por për këtë nuk do të flas, duke e përcjellë lexuesin në bibliografinë e cituar në shënimet dhe në Shtojc'ën Bibliografike në fund (2). Meqë është studiuar më parë, nuk do të flas këtu as për pjesët ende të dukshme të Via Egnatia, arteria rrugore e madhe që duke nisur nga Durrësi, përmes Maqedonisë dhe Trakës, arrinte deri në Helespont. Ndonjë njoftim tjetër i karakterit të përgjithshëm gjendet në kapitullin e Përfundimeve, i cili gjendet në fund të këtij vëllimi.

Afro gjysmë ore nga Durrësi shtrihet vendi mbresëlënës i quajtur “Porta Romana”, i cili ruan rrënoja të mëdha muresh të lashta .

Tirana

Në kryeqytetin e sotëm të Shqipërisë nuk gjendet asgjë arkeologjike mbi sipërfaqe, sepse ai është krejtësisht i ri. Tirana është në ndërtim e sipër, ngaqë kohët e fiindit kanë nisur punime të mëdha sistemuese dhe të hijshme të bërthamës zanafillore të qytetit. Me këto ndërtime dhe rrugë, për pak viteTirana do të jetë një qytet shumë i bukur, por dhe një kryeqytet i hijshëm.

Në Tiranë gjendet një Muze Kombëtar i cili mbledh gjithçka që ka lidhje me studimin e Shqipërisë. Krahas koleksioneve etnografike, të historisë natyrore, etj., ndodhet edhe koleksioni arkeologjik, i cili përbën bërthamën më të rëndësishme të muzeut. Ngaqë më kishin thënë se po bëhej përkujdesje për ilustrimin e materialit të mbledhur, do të kufizohem vetëm në përmendjen e ekzemplarëve që janë më të vlefshëm.

Në kopshtin që rrethon muzeun paraqiten një varg gurë varresh romake, prej mermeri, të stolisura me motive dekorative. Faqja parësore e tyre mban mbishkrimin latin që i kushtohet personazheve romake; në faqet anësore janë gdhendur në reliev vazo ose objekte të karakterit ritual.

Në sallën e parë të muzeut gjenden disa shtatore fragmentare, mes të cilave një romak i veshur me togë; disa pllaka që paraqesin figura të gdhendura dhe njëra me trofe armësh. Vlera më e madhe e tyre përbëhet nga fakti se këto vepra vlerësohen pothuajse të gjitha si punime vendore.

Ja vlen të kujtoj ndonjë hollësi teknike të disa ndërtimeve të Tiranës, pasi janë dëshmi e zakoneve mjaft të lashta ende sot e kësaj dite në fuqi. Muret e shtëpive ndërtohen me qerpiçë, pak të përpunuar dhe të përzier me kashtë të grirë. Një karakteristikë edhe më interesante për të mbajtur më këmbë muret dhe për të lidhur fort gjithë ndërtesën është ndërvënia e shtyllave të drurit horizontalisht dhe vertikalisht. Muri ngrihet mbi një xokolaturë të punuar me gurë, për të penguar rrjedhjen e ujit pranë tij dhe shpërbërjen e tullave të qerpiçit dhe, si rrjedhojë, rrënimin e ndërtesës. Eshtë e tepërt të sillen ndërmend, për analogji, ndërtimet e lashta që kanë një teknikë murature të njëllojtë, pasi ky është një argument tepër i njohur. Do të kujtoj vetëm muret e shtëpive të shtresës së dytë të Trojës.

Lezha (Acrolyssos)

Duke shkuar për në Shkodër, ndala kalimthi në Lezhë dhe u ngjita në majën e kodrës që gjendet mbi lagjen e jashtme, pasi kisha dëgjuar se këtu gjendeshin rrënojat e “mureve ciklopike” të Lisit të lashtë. Atje pashë një sistem të bukur fortifikimesh greke, shumë të dëmtuar, gjurmët e të cilit shihen aty-këtu, veçanërisht në ledhet që zbresin nga maja e kodrës deri në gjysmën e lartësisë së saj. E gjykova si vepër greke të shek.IV p.Kr.

Para hyrjes së prefekturës, është ekspozuar një kapitel guri i stilit korintik, shumë i dëmtuar, i epokës perandorake romake.

Shkodra (Scodra)

Ky qytet i hijshëm, kryeqytet i Shqipërisë Veriore, shtrihet pranë liqenit, të cilit i ka dhënë emrin, Liqeni i Shkodrës. Siç na dëshmojnë Livi dhe Plini, në lashtësi ai quhej Labeatis lacu, pasi gjendej në trevën e labeatëve. Dy lumenj rrjedhin shumë pranë Shkodrës, kështu që qyteti është pothuaj i rrethuar prej tyre. Njëri është Buna, lumi zbrazës i liqenit të Shkodrës; tjetri është lumi i Kirit që ka një prej urave karakteristike me shumë harqe me gjerësi dhe lartësi të ndryshme. Në lumin Kir, pak në jug të Shkodrës, derdhet Drinasa që është një prej dy degëve, në të cilat ndahet lumi Drin rreth njëzet kilometra larg nga deti (dega tjetër kalon nëpër Lezhë dhe derdhet në Adriatik në jug të portit të Shën Gjinit të Meduas).

Por, sikur të mos mjaftonin për të mbrojtur Shkodrën këto rrjedha ujërash që e rrethojnë, mbi rrafshinën shkodrane ngrihen mali Cukal dhe mali historik Tarabosh, të cilët përbëjnë tjetër mbrojtje natyrore të fuqishme. Me këtë vendndodhje të veçantë kuptohet pse qyteti i Shkodrës quhej “velut regni totius arx" i labeatëve dhe përbënte, në kohët kur Anici e pushtoi për Romën (168 p. Kr.) ashtu si edhe në ditët e sotme, një “belli capuf.

Në tokën e zënë nga qyteti bashkëkohor i Shkodrës nuk pashë rrënoja të tjera të Skodrës së lashtë, përveç një pjese të vogël të murit shumëkëndor, që m’u duk pothuaj si i rindërtuar, në hyrje të kështjellës. Megjithatë, janë të shpeshta gjetjet e copave të amforave romake të verës.

Prejardhje nga Shkodra ka një shpatë bronzi 48 cm e gjatë, që është pjesë e koleksionit të bronzeve në Muzeun Britanik. Nga forma duket e ngjashme me ato të epokës së hekurit.

Në rrethinat e afërta të Shkodrës (në Gur të Zi, lokalitet që gjendet në bregun e majtë të Kirit, në veri-lindje të qytetit, një milje larg prej tij) u gjend rreth vitit 1872 një figurinë bronzi femërore, 28 centimetra e lartë. Dumont, i cili e publikoi, mendoi se ajo përfaqësonte një grua të lashtë shqiptare. Argumentet që ai parashtroi janë mjaft të dobëta dhe shpesh të pathemelta, për të cilat nuk është rasti që të ndalem për t’i diskutuar dhe kundërshtuar. Por do ta përshkruaj dhe interpretoj figurinën - nëse skica të cilën dha Dumont dhe që unë e kam riprodhuar në mënyrë fotografike, është e saktë dhe nuk është plotësuar me hamendje. Në të shohim një figurinë femërore, më këmbë, që ka veshur një lloj rrobe disi të veçantë që mund të ketë një interpretim të dyfishtë.

Ose bëhet fjalë për një rrobë të vetme, të puthitur pas trupit, pak të hapur në qafë, me mëngë të shkurtra, të ngushtuar në bel nga një rrip i gjerë dhe të stolisur në pjesën e përparme; ose gruaja është e veshur me një tunikë të ngushtë prej së cilës shihet vetëm pjesa e sipërme deri në bel, ku është vendosur një rrip. Kjo do të shërbente për të mbajtur pjesën e dytë të veshjes, domethënë një lloj fundi që përbën pjesën e poshtme të veshjes. Ky fund nuk duhet të mendohet i puthitur, ashtu siç e ka paraqitur artisti duke e stilizuar, por më i gjerë dhe i rrudhur me pala vertikale, që ne mund t’i përfytyrojmë të shprehura nga linjat gjatësore të skicuara në anët e zonave horizontale të zbukuruara me motive të larmishme edhe nën to. Më në fund, katërkëndëshi që gjendet në pjesën e përparme mund të tregojë një lloj bohçeje. Ajo është stolisur me pesë zona që mbajnë secila një motiv të ndryshëm dekorativ, të cilat ndoshta do të arrijmë t’i interpretojmë.

Koka e figurinës mbulohet me një floknajë të dendur por të shkurtër e cila zbret mbi supet me kaçurrela të rregullta: mbi të është vendosur një kalathos, me formë pak të çuditshme, që vjen duke u zgjeruar pak nga pak për së larti dhe që përfundon pothuaj me disk. Figura mban në dorën e djathtë një oinoh që duket se është mbajtur në rrëfanën e gjatë vetëm me dy gishta: treguesin dhe atë të mesmin. Në dorën e majtë, pak më poshtë grykës së oinohesë, mban një kylik të vogël me fund të lartë. Figura na paraqitet duke hcdhur lëngun nga oinoheja në kyliks.

S’ka dyshim që bëhet fjalë për një priftëreshë, e cila po derdh verën për nder të perëndive. Këtë hamendësim e vërtetojnë kalathosi i vënë mbi kokë, por edhe këpucët dhe lloji i veshjes. Kjo e fundit mban një element tjetër, që mund të tregojë se cila ishte perëndesha së cilës po i bënte fli kjo priftëreshë. Mes shiritave që stolisin pjesën e përparme të veshjes, dy më të gjerët, të vendosur menjëherë nën rripin e mesit paraqesin zbukurime pothuaj si luspa peshku. Motivet e secilit shirit nuk bëjnë dallim nga njëri-tjetri, por i sipërmi ka linjat më të rrumbullakosura në krahasim me ato të shiritit të poshtëm. A nuk dallojmë në këtë zbukurim, më tepër se një motiv të thjeshtë dekorativ, një përfaqësim të stilizuar të gjinjve? Nëse kjo mund të qëndrojë, siç besoj unë, arrijmë në përfundimin se statujëza paraqet një priftëreshë të Artemisit të Efesit, që mban në veshje simbolet e kësaj perëndeshe me shumë gjinj. Në të vërtetë, nëse kalathosi është mbajtur nga priftëreshat e Demetrës dhe Afërditës, por edhe nga ato të Artemisit, do të rezultonte një atribut pak i vagullt, prandaj shtesa e përfaqësimit të gjinjve mund të jetë bërë për të saktësuar përkatësinë e kësaj priftëreshe ndaj perëndeshës shumëgjinjëshe, dhe jo Afërditës apo Demetrës.

Duke vërejtur formën paralele të cullufeve, rregullsinë e kaçurrelave të tyre, rreptësinë e profilit të fytyrës dhe të gjitha linjave të tjera të pamjes; shtrirjen e shtrënguar të veshjes që mbështjell kaq puthitur trupin, ku mezi duket palëzimi i saj; stilizimin e larimeve dhe shtangësinë e përgjithshme që provojmë duke vëzhguar qoftë dhe vetëm vizatimin e kësaj figure, jemi të shtyrë ta gjykojmë atë si një punë të periudhës arkaike.

Pasi kam dhënë këto pak shënime për objektet që kanë dalë nga dheu shkodran, por që nuk janë parë nga unë vetë, do të kaloj në përshkrimin dhe shqyrtimin e materialit tjetër arkeologjik që kam pasur mundësinë ta shoh me sytë e mi në qytetin e Shkodrës dhe që gjendet i ruajtur pranë Muzeut Historik- Gjeologjik të të përnderuarve Etër Jezuitë dhe pranë koleksionit privat të Atit Françeskan Shtjefën Gjeçovi Kryeziu.

Golemi dhe Zadrima

Në rrafshinën e Golemit, që gjendet pranë Shkodrës, nga ana e lumit Kir, që ka një urë karakteristike me shumë harqe të madhësive të ndryshme; në Zadrimë dhe në lokalitete të tjera që do të përmend, ndeshen vende të ngritura të truallit në formë kikash të vogla. Ato janë të larta nga 3 deri në 5 metra dhe kanë një diametër bazë që vërtitet rreth 4 apo më shumë metra; dhe shfaqen në një formë herë më të lartë e herë më të ulët sipas rasteve. Në afërsitë e Shkodrës gjenden rreth 250 të tilla. Në Zadrimë, posaçërisht në lokalitetin e quajtur Fangu i Nënshatit, rreth katër orë larg nga Shkodra, gjenden të tjera të tilla .

Këto relieve toke janë mesa duket vepër e dorës së njeriut dhe jo ngritje naryrore të truallit. Duke hapur transhe gërmimi për të arritur deri në qendër të tyre, zbulohen kufomat, pranë të cilave gjenden një sërë pajisjesh mortore jo gjithherë të njëllojta, për të cilat do të flas tani. Shqiptarët besojnë se janë varret e stërgjyshërve të tyre të lashtë, domethënë të ilirëve.

Megjithatë mua më duket se nuk mund të pranohet në mënyrë të pakundërshtueshme ky besim popullor shqiptar i cili gjithsesi, siç do të shihet, mund të ketë një thelb të vërtetë. Duke vëzhguar tumat, duke mbledhur pohimet që kanë besueshmëri dhe mbi të gjitha duke shqyrtuar materialin arkeologjik që ka dalë me siguri prej tyre, besoj se mund të nxjerr si rrjedhojë sa vijon.

Po filloj duke bërë dallimin e një grupi tumash që janë përkatësisht të kohëve moderne. Nën to gjenden në të vërtetë armë turke dhe përgjithësisht shumë kufoma të vëna grumbull dhe pa rregull. Janë këto varrime të ngutshme dhe, sipas të gjitha gjasave, mbulojnë ushtarë të vrarë gjatë luftimit. Prandaj nuk do të flas për to pasi janë tepër të vona që t’iu kushtohet atyre një trajtim në këtë paraqitje të materialit arkeologjik.

Përkundrazi, meritojnë të përmenden veçanërisht ato pirgje dheu prej brendësisë së të cilave kazma e kërkimtarit të thesarit nxjerr objekte hekuri që përbëjnë pajisjet mortore të kufomave të pakta dhe të renditura mirë.

Ndër objektet që unë kam parë do të kujtoj shtiza hekuri prej shufre të rrumbullakët, të thjeshta dhe me gjatësi rreth 45 cm; maja shigjetash thjesht prej hekuri, me xhuntë në formë tubi për trupin e drunjtë të shigjetës; mbeturina shpatash dhe heshtash; mjete të pakta dhe të pagdhendura pune; por edhe ndonjë objekt për stolisje vetjake. Një material i tillë, pasi nuk ka karakteristika spikatëse (flas për atë që unë kam parë), i shmanget një klasifikimi apo kronologjie të ngushtë; megjithatë nuk bëhet gabim duke i përfshirë ato në kategorinë e materialit barbar mesjetar.

Lloji i tretë i tumës është ai që ne na intereson më tepër, pasi ato mbajnë brenda kufoma të pajisura me material vërtet arkeologjik. Duke i vëzhguar së jashtmi, këto nuk ndryshojnë nga të mëparshmet pasi edhe ato janë ngritje trualli pak a shumë majëmprehta apo të fryra në formë gjiri, me përmasa më të mëdha apo më të vogla, me formë të rrumbullakët pak gjatoshe. Janë më tej të përhapura pa rregullsi, por jo shumë orë larg nga Shkodra. Nuk mund të them se sa janë, pasi është e kuptueshme që, për të bërë këtë, do të ishte e nevojshme të kryhej një gërmim në të gjitha, apo së paku një provë, për të parë çfarë lloj materiali përmbanin ato që të mund t’i klasifikoje.

Para se të përcaktoj për këtë grup të tretë tumash një datim dhe të jap ndonjë vlerësim mbi to, po përshkruaj disa prej atyre që kanë dhënë një material arkeologjik. Njoftimet dhe përshkrimet përkatëse të këtyre vendeve dhe materialeve të tyre vijnë pjesërisht si rrjedhojë e pamjes së tyre drejtpërdrejtë nga unë dhe pjesërisht prej shënimeve që më janë dhënë nga At Shtjefni, apo që i kam nxjerrë nga relacioni përmbledhës që ai dha për to në artikullin e përmendur tashmë.

Vau i Dejës

Kjo famulli gjendet rreth katër orë rrugë në jug-Iindje të Shkodrës dhe pranë bregut të majtë të Drinit. Kishëza e lashtë meriton të përmendet për harqet e saj me kulm të mprehtë dhe për afresket që mbulojnë muret e brendshme të saj. Pranë saj po ndërtohet një kishë e re, më e madhe me shtojcë kambanoreje.

Gjatë punimeve të gërmimit për të hedhur themelet e kësaj të fundit, kishin dalë në dritë varret me skelete. Unë nuk munda t’i shoh pasi ishin hapur shumë muaj përpara vajtjes sime në vend. Pasi u vura në kërkim të materialit arkeologjik që mund të më bënte të mundur të hidhja pak dritë mbi to, pata fatin të gjej, të shpërndara andej-këndej mbi dheun përqark, tullat që i gjykova të epokës romake më të vonë për shkak të përmasave të zvogëluara dhe të trashësisë disi të madhe. I kam parë në të vërtetë të përdorura në Finiq, në muret e epokës pasadriane.

Famullitari më dha të shoh dy monedha të vogla bronzi, romake, shumë të konsumuara, njëra prej të cilave m’u duk e Konstantinit, të cilat ishin gjendur në varret. Gjithashtu, në to janë gjetur copa qeramike greke. Pashë një fund vazoje (ndoshta të një lekythos pa bazament) dhe një pjesë të vogël të buzës së një vazoje të vogël, të zbukuruar me një “gajtan” të pikturuar në të zezë me sfond të kuq. I gjykova si qeramikë atike e fillimit të shek.V p. Kr. U sigurova se ndër varret shpesh gjendeshin qeramika të ngjashme.

Pranë altarit pashë dy fragmente mbishkrimesh mortore që i përmend në shtojcën epigrafike (n.l, në kapitullin përkatës), që m’u dukën afërsisht të epokës së monedhave të përmendura më parë. Mendoj se varreza e nisur rreth fillimit të shek.V p.Kr. (siç na dëshmojnë copat e qeramikës atike, të cilat nuk mund të kenë qenë vendosur në varre në epokë më të vonë se ajo e prodhimit të tyre), ka vijuar në kohë (apo është rifilluar) edhe në epokën romake perandorake, domethënë deri në shek.IV m.Kr., siç na provon monedha e Konstantinit.

Komani

Ky fshat gjendet nën juridiksionin e nënprefekturës së Pukës, e cila nga ana e saj varet nga prefektura e Shkodrës. Në Koman, që është larg një ditë të mirë ecje nga ky qytet, shkohet me tepër mundim për shkak të mungesës së rrugës: herë-herë një shteg i thiktë, mezi të shënuar me gurishte apo me shembje të rrëpirët të dheut të shkrifët, herë-herë mungon edhe gjurma e tij. Megjithatë, një mundim i tillë është mjaft i shpërblyer nga bukuria e peizazhit, i cili zotëron nga momenti në moment diçka të një bukurie të frikshme. Rrjedha e Drinit është e fuqishme, me shtrat herë shumë të gjerë, herë në të kundërt të mbyllur, me grykë të ngushtë dhe me faqe të thikta.

Në një pjesë të shkurtër të lugajës pjellore që laget nga Drini shtrihet fshati i vogël i Komanit, por i banuar nga njerëzit krenarë dhe të paepur dukagjinas; dhe jo shumë larg prej këtu gjendet një majë mali e quajtur Kalaja e Dalmaces, që në shqip do të thotë “Fortesë Dalmate”. I tërhequr nga toponimia, shkova në këtë vend, por qe mundim i pavlerë, pasi e gjithë ajo që sipas informatorëve të mi duhet të gjendej aty, në realitet nuk ishte. Nuk pashë ndonjë gjurmë ndërtimesh murale.

Në të kundërt është mjaft me interes një nekropol që gjendet jo shumë larg që këtej, prej të cilit m’u dha mundësia tëshoh vetëm pak më tepërse gropat e dhunuara më parë dhe që ishin mbuluar shpesh me gjethnajë apo me dhë. Sidoqoftë, përveç kësaj dhe me gjithë kohën e shkurtër të qëndrimit tim në këtë vend, arrita të krijoj një mendim se për çfarë bëhej fjalë. Do të flas shkurtimisht tashmë për të.

Nekropoli është shumë i gjerë si nga sipërfaqja e zënë, ashtu dhe nga numri i varreve (fig. 30). Këto janë të përhapur pa rregull dhe largësia mes tyre po ashtu. Varret janë të llojit primitiv, ngaqë gropa mortore është e mbuluar në të gjithë krahët e saj me rrasa shkëmbore të bashkuara mes tyre pa u latuar. Në shumë prej tyre mungojnë rrasat në këmbët ose në ftind. Brenda ka një skelet (në më të mëdhenjtë, më tepër se një), të shoqëruar me sende mortore. Brenda varrit ndeshen shpesh mbetjet e qymyrit. Nuk më rezulton që të jenë gjetur ndonjëherë enë kuzhine.

Përmasat e gropave mortore, të cilat mund t’i quajmë “varre në formë arke”, janë të larmishme, por të tilla natyrisht sa të mund të nxënë një person qoftë të rritur qoftë në moshë të njomë. Pajisjet mortore që gjenden në këto varre përbëhen nga objekte që ishin të dashura për personin që është varrosur më pas këtu: objekte zbukurimi, armë sulmi apo mbrojtjeje, ose edhe vegla pune.

Le të shohim një grup të vogël prej tyre — nga ato që kam mundur të vizitoj - më parë se të vijojmë me caktimin e epokës dhe qytetërimit si për objektet, ashtu dhe për vetë varret.

info@balkancultureheritage.com