Për faktin se unë nuk kam kryer gërmime në nekropolin e Komanit, nuk arrita të mbledh eshtrat e të varrosurve në këtë vend. Prandaj tani nuk mund të parashtroj para studiuesit ndonjë arritje të mirë të të dhënave antropologjike.
Do të rendis rezultatin e hulumtimeve mbi kafkën e varrit I, që po e paraqes në katër pozicione. Ajo nuk është e plotë siç duket edhe nga fotografitë. Eshtrat janë shumë të thyeshme dhe disa pjesë të shkëputura janë rivendosur në vendin e tyre dhe janë ngjitur. Por fotografitë e norma verticalis dhe e norma occipitalis janë kryer para ribashkimit.
Kafka - pesha 498 gram. Vërehet se mungojnë gjashtë dhëmbë dhe të tjerët janë pjesërisht të brejtur.
Nofulla - pesha 75 gram. Mungojnë gjashtë dhëmbë.
Rrethi kafkor 557 mm; diametri i përparmë fundor 195 mm; diametri gjerësor 140 mm; treguesi cefalik 72 Dolikoqefal', formë elipsoidale.
E dala oksipitale shumë e spikatur. Qepjet në asnjë pikë të ngjitura, të gjitha të dukshme, shumë gjarpëruese: vërehet një vormian ndërmuror (ala Lamda) dhe një varg kockash natyrore përgjatë muralit-oksipital. Kockat kanë trashësi të dukshme: ajo në qendër të muralit rreth dhjetë milimetra. Mungojnë dymbëdhjetë dhëmbë. Dhëmbët prerës dhe kaninët ekzistues janë të konsumuar; dhëmballët janë pak a shumë të brejtura, përveç dy dhëmballëve të fundit të poshtme, që janë të shëndoshë, me katër apo pesë maja.
Jam mjaft i përmbajtur, nga shqyrtimi i vetëm një kafke, që të arrij në përfundime të karakterit të përgjithshëm, dhe për t’i shtrirë ato në të gjithë të varrosurit e nekropolit. Një kafkë e vetme nuk është e mjaftueshme për të përligjur një përgjithësim të tillë. Veç kësaj, për këtë argument të shihet kapitulli i pjesës antropologjike në konkluzionet përfundimtare.