Shtëpi me vatër zjarri
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Shtëpi me vatër zjarri

Banesës së njohur me emrat “shtëpi me vatër” (Hearth-house) a “shtëpi me mjedis me vatër” (Herdraumhaus), në shqip më për shtat i shkon emërtimi i huajtur nga banesa Tiranase: banesa me “shtëpi zjarri” (shpi Zjerrmi). Bërthamë kompozicionale dhe nyje organizuese-ndërlidhëse e këtij tipi është Shtëpia e Zjarrit, mjedisi me vatër, emërtim që tregon se në origjinë ky mjedis ishte e tërë shtëpia.

Në këtë bërthamë multifunksionale qëndrohej, magazinohej, gatuhej, hahej dhe flihej. Në aspektin social, ky ishte mjedisi që bashkonte dhe lidhte familjen. Me kohë kësaj bërthame iu shtuan mjedise të tjera, të cilat morën mbi vete funksionin origjinar të fjetjes dhe pjesërisht qëndrimit. Por, për shkak të përmasave të vogla dhe mungesës së vatrës, këto mjedise nuk mund t’i plotësonin funksionet jetike të shtëpisë së zjarrit: gatimin dhe qëndrimin në kohë të ftohtë. Në të kundërt, në rastet e shtimit tej masës të pjesëtarëve të familjes ose ardhjes së miqve të shumtë, shtëpia e zjarrit i rimerrte lehtë funksionet e mjediseve ndihmëse, përkatësisht fjetjen dhe qëndrimin.

Formalisht, banesa me shtëpi zjarri lidhet me arketipin prehistorik, me banesën njëkthinëshe me vatër. Si i tillë, rrugëtimi i saj nis herët, me konstruksionet monoqelizore neolitike me vatër në mes (Kamnik, Mitrovicë, Vica/Zagori: Epir) dhe ato të bronzit (Badhër). Rrugëtimin e mëtejshëm të tipit e shënjon ndarja nga kthina me vatër e kthinës për fjetje (Obre), por hapin vendimtar e shënjon banesa në Donja Dolina, e fiindit të bronzit/fillimit të hekurit. Rruga e zhvillimit të mëtejshëm të këtij tipi ndiqet nëpërmjet banesave në Kassopea, Orraion (Ammotopos) dhe qytetin në Çukën e Ajtoit.

Donja Dolina

Banesat në Donja Dolina kanë një sipërfaqe rreth 40-55 m2 dhe planimetri drejtkëndëshe, me raport gjatësi / gjerësi 7/4. Banesat në Donja Dolina, ashtu si dhe në Ripac, janë ndërtuar me trarë lisi dhe bredhi, të kllaposur me njeri tjetrin dhe rrallë herë të Edhur me kunja druri, por asnjëherë me metal.

Banesa ndahet në tri kthina, prej të cilave ballorja, katrore dhe e pajisur me vatër, zë gjysmën e sipërfaqes së banesës (20-25 m2). Kjo kthinë, Shtëpia e Zjarrit, vijonte në tërë lartësinë e banesës pa u pajisur me tavan, në mënyrë që tymi të dilte nëpërmjet pullazit. Përmasat dhe vatra e tregojnë atë mjedisin kryesor që shërbente për ndenje, gatim, ngrënie dhe fjetjen e pjesëtarëve të pamartuar të familjes.

Shtëpisë së zjarrit i mbështeten nga pas dy kthina më të vogla (4-10 m2), 2- 2,5 m të larta, me tavan anjesh druri. Përmasat e mësipërme dhe tavani i tregon ato dhoma fjetje.48 Mbi kfhinat ndodhen dy depo, njëra për veglat e punës dhe tjetra për drifhin, drejt të cilave të çonin shkallë të brendshme. Si e tillë kjo banesë shënjon kalimin nga skema e banesës njëkatëshe në skemën e banesës dykatëshe.

Njësia e mësipërme, shtëpia e zjarrit e pandarë në kate dhe e qarkuar nga dy kate me kthina, përfaqëson bërthamën qendrore, kuintesencën e banesës me Shtëpi Zjarri. Këputja e mjediseve të fjetjes nga Shtëpia e Zjarrit, e cila merr përfundimisht rolin e dhomës së ndenjes (living and dining room, soggiorno, salle de sejoui), dhe pajisja e dhomave të fjetjes me tavan dëshmon synimin embrional ndaj komfortit.

Në njërën prej banesave, shtëpia e zjarrit ishte e pajisur me dy vatra. Trajtimi dhe forma tregon se vatra në mesin e mjedisit shërbente vetëm për ngrohje, ndërsa vatra që i mbështetej murit anësor për gatim. Zbukurimi i vatrës qendrore me svastika (kryqe të thyer), meandra dhe kryqe helikë, tregon se ajo kishte fituar edhe funksione religjioze, të cilat e kthenin në altar të kultit të lashtë Ilir të diellit, zjarrit dhe ngrohtësisë së vatrës familjare. Krahasuar me banesat e mëparshme, banesa në Donja Dolina shënon një zhvillim cilësor për nga programi dhe zgjidhja arkitekturore. Pozita e veçuar dhe vazhdimësia e këtij vendbanimi nga bronzi në hekur, e tregon këtë zhvillim evolutiv dhe jo të transplantuar.

Kassopea

Hopin e mëtejshëm të banesës me Shtëpi Zjarri e shënjojnë banesat në Kassopea. Vetë Kassopea e shek. 5 p.e.s., shtrihet në një pllajë me skaje të thepisura, të përshtatur për endjen e rrjetit urbanistik ortogonal. Ndërprerja me kënd të drejtë e rrugëve gjatësore (primare) me rrugët e tërthorta (sekondare), krijon 22 ishuj (insula) të plotë dhe 24 ishuj pjesorë banimi. Në këta ishuj, të ndarë së gjati prej një rrugine të ngushtë, vargëzohen tetë banesa me planimetri thuaj katrore (fig. 34, 15 x 15 m, 230 m2)51. Banesat përbëhen prej dy blloqesh, blloku i parë ndihmës, logjikisht njëkatësh (rreth 120 m2), shtjellohej përreth oborrit. Blloku i dytë, shtëpia e mirëfilltë dykatëshe (rreth 120 m2), shtjellohej përreth Shtëpisë së Zjarrit. Hyrja, nganjëherë e pajisur me tambur për mbrojtjen nga shiu dhe dielli, të çonte në oborrin e vogël (30-35 m2) në rolin e një nyje të parë organizuese-ndërlidhëse dhe vendqëndrimi të familjes në kohët e mira të stinëve të buta. Anash, oborri lidhej me bllokun e depove, dyqaneve dhe stallave ndërsa nga balli me bllokun e shtëpisë së mirëfilltë. Ky i fundit me planimetri drejtkëndëshe në raportin gjatësi: gjerësi 7 : 4, ripërsërit i zmadhuar në tre herë banesën e Donja Dolinas (100 ndaj 33 m2).

Blloku i shtëpisë së mirëfilltë ishte dykatësh: Mungesa e shkallëve të jashtme, tregon se blloku ndihmës gjasisht ishte njëkatësh. Bërthamë e shtëpisë së mirëfilltë ishte Shtëpia e Zjarrit, me planimetri drejtkëndëshe dhe sipërfaqe 50-55 m2, e cila zhvillohej si në Donja Dolina në lartësinë e dy kateve, pa u ndarë në kate. Vatra e thjeshtë, pa zbukurime dhe simbole, i shmangej boshtit të hyrjes, duke i shpëtuar korrenteve të bezdisshëm të ajrit dhe hallakatjes së tymit që ngrihej e kalonte përmes pullazit.

Në katin përdhe, anash Shtëpisë së Zjarrit rreshtoheshin katër kthina të vogla (10-14 m 2), në komunikim të drejtpërdrejt me të. Gjurmët e shkallëve dhe gjerësia e mureve tregojnë se këto kthina pasqyroheshin edhe në katin e sipërm. Kalimi për në to kryhej me anë të një ballkon korridori, tek i cili të ngjisnin shkallët. Në tetë kthinat e dy kateve duhen kërkuar dhomat e fjetjes së çifteve dhe, sipas gjinisë dhe grupmoshës, të fëmijëve dhe të pamartuarve të shtëpisë.

Orraon (Amotopos)

Orraon ndodhet 32 km në Jug të Dodonas dhe 30 km në Veri të gjirit të Ambrakias. Sipërfaqja 6 hektarëshe e qytetit ndahej në 22 gjysmë ishuj të përzgjatur, të tipit “per riga”. Në skajin e njërit nga ishujt, ruhet thuaj e paprekur në lartësinë e dy kateve një banesë e shek. IV p.e.s.(260 m2). Nga jashtë ajo ka pamjen e një bunkeri të gurtë, pa kurrfarë fizionomie vetjake. Ndryshe nga banesat në Kassopea me superstrukturë qerpiçi, banesa është ndërtuar e tëra me muraturë izodomike prej blloqesh të latuar guri. Balli, nga ana e rrugës, përbëhet prej xokolit me orthostate (pllaka vertikale guri) të thadruar me kujdes, mbi të cilët, ndarë nga korniza, vijon muri me blloqe po të thadruar, çka tregon për një farë kujdesi edhe për pamjen e jashtme. Anëve të tjera balli i blloqeve nuk është rrafshuar me kaq kujdes.

Banesa strukturohet qartë në dy blloqe: Prej tyre kryesori dykatësh, ndërsa ndihmësi pjesërisht dy dhe pjesërisht njëkatësh. Hyrja në skajin e banesës, të drejton nëpërmjet një korridori të ngushtë tek oborri i vogël (40 m2) në rolin e nyjës së parë shpërndarëse të banesës. Anash tij ndodhen mjediset ndihmëse dhe një kthinë e madhe (28 m2), ndërsa në ballë shtëpia e mirëfilltë, me bërthamë dhe kuintesencë të sajën shtëpinë e zjarrit.

Shtëpia e Zjarrit (6 x 7.50 m, 45 m2) zhvillohej si në Kassopea, e pandarë në kate, duke arritur në 5.90 m lartësi. Në mesin e saj ndodhej vatra e madhe, ndërsa anash kalohej në dy kthina të vogla për fjetje (4 x 2. 5 m) dhe në një mjedis shërbimi. Mjedisi i ndarë në dy kate

nga dyshemeja prej trarësh të fuqishëm, shërbente si magazinë dhe qëndrim për personelin ndihmës. Në faqen gjatësore të Shtëpisë së Zjarrit niste shkalla e ballkonit korridor, i cili të çonte në dy mjediset e fjetjes të katit të dytë.

Ndonëse muratura me blloqe të latuar dhe foletë e masive të trarëve të drunjtë, dëshmojnë për një banesë solide dhe të kushtueshme, komoditeti lë mjaft për të dëshiruar. Mjedisi kryesor, Shtëpia e Zjarrit, gjendej në errësirë, ndërsa kthinat ndriçoheshin nga frëngji dhe rrallë me ndonjë dritare të vogël me kanata druri. Si e tillë ajo ishte larg të qenit shtëpi luksoze a komode.

Banesa në Orraon, e shek. IV p.e.s., është më e vonë se banesat e gjysmës së dytë të shek. V fillimit shek. IV p.e.s. në Kassopea. Ndonëse programi i saj është i njëllojtë me atë të banesave në Kassopea, me ndarje po në dy blloqe, sipërfaqe afersisht të barabartë të banesës (285/250 m2) dhe oborrit (35 m2) dhe numër të njëjtë prej tetë kthinash, zgjidhja arkitektonike nuk është më aq puritane dhe rigide, por disi më e zhdërvjellët, në raportin e një kostumi me porosi dhe një kostumi të gatshëm.

Në Orraon, kalimi nga oborri në Shtëpinë e Zjarrit nuk është më i drejtpërdrejtë si në Kassopea, por, si në banesat e qyteteve grekë të gjysmës parë të shek. IV p.e.s. (Pireius, Priena, Olynth) nëpërmjet një holli të hapur vocërrak, me pilastra të sheshtë kuadratike në ballë. Funksioni i këtij holli, i cili s’bën asgjë tjetër përveçse zvogëlon me 10 m2 të Shtëpinë e Zjarrit, është nul, tregues ky se në shek. IV p.e.s, pompoziteti po fitonte terren ndaj racionalitetit. Trekëndëshat në relief në pilastrat, shenja apotropaioni këto, për lidhjen e syrit të lig, tregojnë se shtëpia e mirëfilltë niste pas këtij holli. Po aq kjo tregon se shoqëria e kësaj kohe kishte nisur të akulturohej me venomet e botës helene, duke pranuar deri dhe besëtytnitë e saja.

Çuka e Ajtoit

Banesa e shpatit me Shtëpi Zjarri haset edhe në qytetin 7.5 hektarësh në Çukën e Ajtoit, qytet tipik shpati ky. Ndonëse skema urbanistike e qytetit është mjaft larg skemave klasike, banesat e tija renditen qoftë lakuar përgjatë vijave rrushkulluese. Këtij lakimi i përmbahen edhe rrugët mes tyre, të shtrira mbi tarraca tre metërshe.

Në shpatin e pjerrët jugor, 10 m në brendi të murit rrethues, vijojnë në varg tri banesa me skemë dhe përmasa identike. Banesat e orientuara mirë ndaj diellit të jugut, janë pjesërisht të gdhendura në shkëmb dhe pjesërisht të ndërtuara me mur. Banesat, pa oborr dhe hajate, kanë një skemë kompakte të përshtatur mirë ndaj terrenit.

Banesa e ruajtur më mirë, ka në planimetri formën e shkronjës L. Blloku i saj kryesor (19 x 7.50 m) zhvillohej me dy kate, ndërsa krahu i dalë (10.5 m) me tre kate. Lartësia e banesës, në këtë krah, deri në majë të çatisë me tjegulla solene dhe kaliptere, është 11 m. Sipërfaqja e saj në një plan është 175 m2, në tërë planet 320 m2dhe vëllimi 650 m3. Në katin përdhe ndodhet një kthinë e vetme, ndërsa në katet e sipërm përreth bërthamës kompozicionale, shtëpisë së zjarrit, grupohen shtatë kthina. Në kthinën e katit përdhe, 4.5 m të lartë, kalohej drejt e nga rruga. Çezma e një burimi, komunikimi me rrugën dhe fragmentet e dinoive, qypave të vegjël, e tregojnë atë punishte-dyqan.

Një palë shkallë të gdhendura në shkëmb të çojnë prej kësaj kthine, në Shtëpinë e Zjarrit me planimetri katrore, sipërfaqe 50 m2 dhe vëllim 275 m3, të barabartë me atë të Shtëpive të Zjarrit në Kassopea. Shpina dhe dyshemeja e saj janë të gdhendura në shkëmb, ndërsa muret ndarës të ndërtuar me gurë të lidhur me baltë. Foletë në shkëmb të trarëve të çatisë, tregojnë se ajo vijonte në lartësinë e dy kateve e pambuluar me tavan, për të lejuar tymin e vatrës që të dilte nga plasat e pullazit.

Në Shtëpinë e Zjarrit, përveç nga punishte-dyqani i katit përdhe, kalohej dhe anash, nga e djathta. Nga dy anët ajo qarkohej nga 6 kthina banimi dhe depo të shpërndara në dy kate, me të cilat komunikonte drejtpërdrejt ose me shkallë të brendshme druri. Si e tillë ajo luante edhe funksionin e nyjës lidhëse-organizuese.

Mulliri për bluarje drithi, në cepin e saj dhe fragmentet e mokrave, amforave dhe pytosave, qypave të mëdhenj, tregojnë se krahas qëndrimit, Shtëpia e Zjarrit shërbente për gatim, ruajtjen dhe përgatitjet e rezervave ushqimore.

Tipilogjia e shtepisë me vatër zjarri

Me një përputhje të pabesueshme të programit dhe strukturës, banesa me shtëpi zjarri rishfaqet në banesën Tiranase, funksionale deri nga mesi shek. XX. Në shembullin në shqyrtim, kjo banesë ka fiks të njëjtin numër kthinash me banesën tip të Kassopeas, thuaj të njëjtën sipërfaqe (250 m2 ndaj 230 m2 të Kassopeas) dhe kryesorja absolutisht të njëjtën sipërfaqe të Shtëpisë së Zjarrit (51 m2). Hiatus-i 24 shekullor, pa asnjë hallkë ndërmjetëse, nuk lejon që këtë përputhje ta kategorizojmë marrëdhënie filiacioni, birësie të banesës Tiranës nga banesa në Kassopea dhe Orraon. Por, nga ana tjetër, ajo ilustron aksiomën se “kushte dhe kërkesa të njëjta, në vende të njëjtë por në kohë të ndryshme, sjellin zgjidhje po të njëjta”. Ndër to kusht a premisë kryesore është struktura familjare e shek. V/IV p.e.s., identike me atë të familjes së madhe Tiranase.

Një strukturë e tillë i përmbahej linjës së primogenitura-S’. të qëndrimit me prindin të të parëlindurit dhe vëllezërve dhe motrave të pamartuara, por jo linjës së fratria-s, familjes së madhe vëllazërore, e cila sipas udhëtarëve të shek. XIX. në verilindje të Shqipërisë arrinte deri në dyqind vetë.

Struktura e mësipërme, si e familjes Tiranase ashtu edhe asaj të shek. V/IV p.e.s., ishte triangolare, e bazuar në parësinë brenda barazisë dhe shtresëzimin hierarkik, quasi militaris, të grupmoshave (ageism) por kurrsesi në diferencimin gjinor.

Përputhja e mësipërme strukturale dhe arkitekturore, na lejon ndjekjen e dinamikës së zhvillimit të tipit: Fillimisht në të ndërtohej shtëpia e zjarrit, e cila hynte menjëherë në funksionim duke kryer e vetme tërë funksionet e banesës. Njëherazi a më vonë asaj i shtoheshin kthinat anësore, të cilat merrnin mbi vete funksionin origjinar të fjetjes dhe pjesërisht qëndrimit. Por, për shkak të përmasave të vogla dhe mungesës së vatrës, këto kthina nuk mund t’i plotësonin funksionet më jetike të shtëpisë së zjarrit: gatimin dhe qëndrimin veçanërisht në kohë të ftohtë. Vice- versa, në rastet e shtimit tej masës të pjesëtarëve të familjes ose ardhjes së miqve të shumtë, shtëpia e zjarrit i rimerrte lehtë funksionet e mjediseve ndihmëse, përkatësisht fjetjen dhe qëndrimin.

Banesa me Shtëpi Zjarri (Herdraumbaus, Heartbhouse) është një banesë specifike Ilire, me program dhe strukturë të ndryshme nga ai i banesave helene. Ndërsa sipërfaqja mesatare e banesës në Kassopea (230 m2) është e njëjtë me sipërfaqen mesatare të banesave bashkëkohëse helene (Kolofon, Olynth Abdera, Pire, Priena), sipërfaqja e mjedisit me vatër, e Shtëpisë së Zjarrit, është mbi dy herë më e madhe (50 ndaj 23 m2).

Parë në vëllim, ky raport rritet në 5:1 ( 250 ndaj 50 m3). Kjo tregon se në programin e banesës helene, mjedisi me vatër, shtëpia e zjarrit, ishte një mjedis i rëndomtë, ndërsa në programin e banesës Ilire ai është kuintesencë e programit, bërthamë e banesës deri vetë banesa. Kjo strukturë pasqyrohej në tubimin e familjes pa diferencim seksi dhe moshe në shtëpinë e zjarrit dhe qëndrimin e vajzave dhe grave edhe në prani të miqve. Si e tillë ajo dallon esencialisht nga banesa greke, e cila sipas Vitruvit ndahej në andronas, pjesën e burrave ku nuk hynin gratë dhe femijët, dhe gynaikonitis, pjesën e grave ku nuk hynin miqtë.

Në të kundërt, Shtëpia e Zjarrit në Donja Dolina, Kassopea, Orraon, Çukën e Ajtoit ishte bërthamë e bashkimit familjar, pa asnjë veçim moshe dhe gjinie. Ky përqendrim në një mjedis të vetëm, dëshmon për një familje kompakte dhe jetë familjare demokratike. Parë në prizmin social, ai dëshmon barazinë gjinore në qelizën elementare të shoqëtisë, familjen.

info@balkancultureheritage.com