Në një territor të gjerë prej ujdhesave të Dalmacisë së mesme në veri e deri në Epir në jug dhe deri te Dardania e Maqedonia në lindje u zhvillua formacioni më i rëndësishëm politik që krijuan ilirët në kohën e pavarësisë së tyre. Ishte ky shtet të cilin sundimtarët sipas burimeve antike e përmendin “ilir” për dallim nga ai “dardan”, “taulant”, etj., prandaj për këtë shkak studiuesit e sotëm këtë shtet e quajnë ilir. Shumë sundues të këtij shteti i dimë për nga emri, mirëpo përpjekjet e disa hulumtuesve të rinj për të caktuar radhën e tyre kronologjike dhe gjenealogjike nuk vërtetohet gjithnjë edhe nga burimet e shkruara antike. Këto përpjekje ndër të tjera nisen edhe nga supozime se kjo bashkësi politike, e cila kishte përfshirë një mori fisesh, të cilat nga emrat janë të njohura si ilirë. Fatkeqësisht, shumë gjëra janë të paqarta kur flitet për çështjet gjenealogjike të ilirëve të jugut dhe padyshim do të nevojiten jo vetëm zgjuarësi, por në radhë të parë burime të reja të shkruara (epigrafike dhe numizmatike) në mënyrë që të sqarohen problemet që burojnë nga shënimet fragmentare të cilat njihen sot.
Fanula Papazoglu, e cila kohëve të fundit është inarrë intensivisht me problemet e historisë ilire mehdon75 se mbretëria ilire fillon nga fundi i shek. V para e.r. me mbretin Siras dhe se vazhdon të jetojë pa ndërprerje deri në shek. II para e.r., derisa humbi pavarësinë politike kohë kur romakët morën rob mbretin e fundit ilir, Gentin (Genthios).Në këtë periudhë të gjatë shtetin ilir e sunduan pesëmbëdhjetë sundimtarë, të cilët ndahen në dy dinasti. Në të parën sundojnë nëntë mbretër të cilët i njohim nga emrat: Siras (fundi i shek. V dhe fillimi i shek. IV para e.r.), Bardhyli, themeluesi i parë i dinastisë, vdiq në vitin 359 ose 358 para e.r. Vijojnë mandej Grabosi, Pleurati, Kleiti, Glaukia (i cili në vitin 335 para e.r. së pari përmendet si mbret i taulantëve, ndërsa si mbret i ilirëve prej vitit 317 deri më 302 para e.r.), Bardhyli II, Monuni dhe Mytili, për të cilin kemi lajme nga viti 270 para e.r. Mbas kësaj dinastie pason tjetra, e cila fillon me Pleuratin (rreth vitit 260 para e.r.), ndërsa e trashëgon Agroni, mandej Pini i mitur i cili sundon nën mbikqyrjen e njerkës së vet Teutës. Pason Skerdilaidi, mandej Pleurati dhe në fund biri i tij Genti (sundoi prej vitit 180 deri më 168 para e.r.) me të cilin përfundon kjo dinasti dhe jeta e pavarur e shtetit ilir.
F. Papazoglu insiston në tezën se nuk kishte ndërprerje jo vetëm në zhvillimin e shtetit ilir, por as në mes të dinastisë së parë dhe të dytë. Për dinastinë e Pleuratit, një numër i madh burimesh të shkruara nuk lënë dyshime për relacionet gjenealogjike midis disa anëtarësh të kësaj shtëpie sunduese. Me arsye mund të dyshohet se a janë të njohur për ne sundimtarët ilirë që kanë sunduar me të vërtetë vetëm në një shtet dhe se mos autorët grekë i kanë quajtur “ilirë” vetëm për shkak se nuk i kanë dalluar mirë disa bashkësi fisesh, në krye të të cilave ishin sundimtarët e përmendur. Na duket se për dinastinë mbretërore ilire mund të flasim vetëm prej mesit të shekullit III para e.r. do të thotë prej Pleuratit. Shteti ilir, megjithatë, edhe më parë ka ekzistuar, mirëpo cilët nga sundimtarët që njohim kanë qenë me të vërtetë në krye të atij shteti, kjo është pyetje së cilës në mënyrë pohuese mund t’i përgjigjemi vetëm për disa prej tyre. Megjithatë, përjashtohet mundësia që shteti i mëparshëm ka pasur përafërsisht të njëjtë territorin si ai i kohës së Pleuratit dhe Agronit.
Me ardhjen e Pleuratit në pushtet rreth vitit 260 para e.r. dhe veçanërisht të të birit të tij Agronit, fillon faqja më e lavdishme e hsitorisë ilire. Ky shtet gjatë sundimit të tij si dhe të trashigimtarëve të tij do të qëndrojë në qendër të lojës politike midis shteteve ballkanike si factor i ri politik në skenën politike - të kohës.
Paraqitja e Romës së pari në bregun perëndimor të Adriatikut (gjatë shekullit III para e.r. Roma themeloi një varg kolonish në bregun italik), e mandej në atë lindor, shënoi fillimin e ngjarjeve shumë të bujshme, të cilët mbas luftërave të gjata e të vështira shkaktuan okupimin romak të pjesës perëndimore dhe jugore të Ballkanit.
Pozita dhe madhësia e shtetit ilir kushtëzuan angazhimin e tij në kombinimet politike dhe në luftërat në këtë pjesë të Ballkanit. Agroni hyri me mjaft mjeshtri në këto kombinime dhe luftëra duke i siguruar në këtë mënyrë mbretërisë së tij rol të rëndësishëm në ngjarjet që do të pasonin.
Me futjen e mbretit maqedon, Demetri II, i cili në atë kohë ishte i zënë me luftërat kundër dardanëve, Agroni me ushtrinë e vet prej 5000 ushtarësh u shkoi në ndihmë aleatëve të Demetrit, akarnanasve. Etolasit, kishin rrethuar në atë kohë qytetin akarnanas, Medion. Ushtria ilire duke zbarkuar në afërsi të këtij qyteti, me një sulm të furishëm shkatërroi taborrin etolas. Kjo ishte një nga fitoret më të lavdishme të ilirëve kundër një ushtrie greke e cila shtoi dukshëm prestigjin e armëve ilire në sytë e grekëve dhe të maqedonëve.
Fatkeqësisht, menjëherë pas kthimit nga kjo ekspeditë, Agroni vdiq. Kjo ishte një goditje e rëndë për shtetin ilir, sepse ai me politikën e vet të brendshme energjike arriti të kufizojë pushtetin e disa kryetarëve të fiseve dhe në këtë mënyrë të krijojë kushte për përfshirje më të gjërë të shtetit të tij në politikën ndërkombëtare.
Në fron erdhi atëherë Pinesi i mitur, i biri i Agronit dhe i gruas së tij të parë, Triteutës, por pushtetin e vërtetë e kishte njerka e tij, Teuta.
Teuta, fatkeqësisht, nuk diti të ruajë shtetin të fortë si e trashëgoi nga Agroni. Nën presionin e kryetarëve të pakënaqur të fiseve lejoi piraterinë, të cilën, si duket paraardhësit e saj e kishin kufizuar. Ndoshta që t’i qetësonte kryetarët e pakënaqur të fiseve, ndërmori në vitin 230 para e.r. marshimin e parë luftarak kundër Greqisë. Dërgoi nja njëqind barka që të plaçkisin Elidën dhe Meseninë në Peloponez, e mandej menjëherë filloi luftën me epiriotët, të cilët qëndronin në anën e etolasve kundër maqedonëve dhe ilirëve. Kjo ishte një pjesë e planit të saj që të depërtonte nga Greqia. I pari u godit qyteti Foinike, qytet shumë i rëndësishëm strategjik në Epirin e veriut (në afërsi të Sarandës së sotme). Duke zbarkuar në afërsi të qytetit, ilirët e morën pa luftë sepse qysh më parë qenë marrë vesh me garnizonin e përbërë nga 800 mercenarë keltë, të cilët mbronin qytetin. Mbas lajmit për një fitore të re të ushtrisë ilire kundër grekëve, u sulën kundër qyteteve epirote. Ushtria e tyre rrethoi qytetin, i cili ishte i mbrojtur me mure të forta dhe u bëri rezistencë me lehtësi sulmeve. Ilirëve të rrethuar u shkoi për ndihmë në krye të 5000 ushtarëve Skerdilaidi, i ungji i Pinesit. Për të penguar depërtimin e tij nga Foinike një pjesë e ushtrisë epirote u nda dhe ia mbylli rrugën afër Antigonesë, në lindje të Gjirokastrës. Zvogëlimi i ushtrisë epirote në Foinike u bëri të mundur ilirëve të rrethuar që një natë, befasisht, të dalin nga qyteti dhe të shkatërrojnë rrethimin. Epirotët pësuan edhe këtu një disfatë të rëndë.
Në kohën që ushtria ilire ishte zotëruese e situatës në Epir për shtetin ilir u çfaq një rrezik i ri. Dardanët, të cilët deri atëherë zhvilluan një varg luftërash me maqedonët, u nisën tani edhe kundër shtetit të Teutës. Teuta e thirri Skerdilaidin të kthehet shpejt me ushtrinë e vet në veri. Mirëpo para se të largohej nga Epiri lidhi me ta një marrëveshje shumë të volitshme, e cila i vente epirotët, praktikisht në pozitë të varur ndaj shtetit ilir. Akarnanasit, megjithatë, lidhën gjithashtu me ilirët një marrëveshje, me të cilën njohën pushtetin suprem të ilirëve. Kështu Teuta mbas luftërave në Epir zgjeroi kontrollin e vet prej Neretvës në veri e deri në gjiun e Ambrakisë në jug. Në këtë kohë shteti ilir ishte njëri nga shtetet më të mëdha në Mesdhe.
Mbasi u evitua rreziku prej dardanëve, Teuta vazhdoi politikën e vet ekspansioniste, duke i drejtuar përpjekjet e veta kundër kolonive greke në bregdetin dhe ujdhesat ilire. Në qendër të goditjeve ishin kolonitë në Ilirinë e jugut (Dyrrhachion dhe Apollonia) si dhe ato në ujdhesat e Dalmacisë së mesme, më e rëndësishmja në mesin e tyre Isa. Ushtria ilire rrethoi Isën, kurse ajo e vetëdijshme se nuk mund të mbështetej më në ndihmën greke, kërkoi mbrojtje në fuqinë e re ushtarake, e cila në atë kohë ishte gjithnjë e më e pranishme në Adriatik - Romën.
Ky ishte një akt vendimtar i cili solli shpejt ndërhyrjen romake në konfliktet ballkanike dhe fillimin e luftërave të gjata midis Romës dhe ilirëve dhe më në fund solli okupimin romaktë Ballkanit lindor si dhe humbjen e pavarësisë politike të ilirëve.
Senati romak, të cilit edhe më parë i kishin arritur ankesat e tregtarëve italikë dhe grekë për shkak të sulmeve të piratëve ilirë kundër anijeve të tyre që lundronin nëpër Adriatik, i nxiturtashmë edhenga lutjae isejve përndihmë vendosi t’i dërgojëTeutës një delegacion dhe të kërkojë prej saj të ndërpresë operacione luftarake kundër Isës si dhe të ndërpresë sulmet e piratëve kundër anijeve tregtare greke dhe italike. Delegacioni në të cilin ishin vëllezërit Gaj dhe Luc Korunkani, iu bashkua edhe greku i Isës, Kleemporos, nuk arriti të sigurojë nga Teuta atë që kërkonte. Simbas Polibit, Teuta duke dëgjuar kërkesat e tyre, iu përgjegj, duke mos njohur fare fuqinë e Romës, se ajo do të kujdesej që ilirët të mos u shkaktojnë kurrfarë të këqiash romakëve, mirëpo ajo nuk mund t’ua ndalte nënshtetasve të vet piraterinë, sepse kjo ishte çështje e tyre private. Kjo përgjigje nuk iu pëlqeu delegatëve të Romës dhe njëri prej tyre mori guxim t’i përgjigjet se Roma vetë do t’i mbrojë nënshtetasit e vet prej piratëve ilirë dhe sundimtarët ilirë do t’i detyrojë t’i ndryshojnë ligjet e tyre. Një përgjigje e tillë, sigurisht, në sytë e sundimtares së një shteti të lirë dhe në atë kohë të fortë do të dukej si përzierje prepotente e një shteti të huaj në punët e brendshme të mbretërisë së saj. Nuk dihet se a me dijen e mbretëreshës, ose ndoshta edhe me urdhërin e saj, delegacioni duke u kthyer nga pallati i saj u sulmua tradhtisht: një nga delegatët romak dhe Kleemporosi u vranë. Senatit romak, i cili me kohë kërkonte pretekst për intervenim, kjo vrasje qe e mirëseardhur si shkak për të depërtuar drejtpërdrejt në skenën politike dhe ushtarake të Ballkanit perëndimor.
Teuta u përpoq ta zgjidhë konfliktin e shkaktuar, prandaj për këtë dërgoi në Romë të deleguar të posaçëm, mirëpo nuk hoqi dorë as nga rrethimi i Isës, e as nga qëllimi që t’i nënshtrojë edhe kolonitë e tjera greke në Adriatik dhe në detin Jon. Për të realizuar qëllimet e veta dërgoi flotën e vet në drejtim të Dyrrhachionit dhe mbasi nuk mundi ta pushtojë, ushtria e saj u nis kundër Korkyrës. Në këto kushte kolonitë iu drejtuan për ndihmë vëllezërve të vet grekë, mirëpo lutjes së tyre iu përgjigjën vetëm ahejët të cilët dërguan kundër ilirëve dhjetë anije të rënda luftarake. Beteja detare midis ahejve dhe flotës ilire në anën e të cilëve gjendeshin edhe shtatë anije luftarake të akarnanasve, u zhvillua afër ujdhesës Paksos, afër Korfuzit. Ilirët në këtë betejë korrën fitore të madhe, kështu që mbas kësaj fare lehtë morën edhe qytetin Korkyra. Duke lënë në të Dhimitër Farin, komandantin e deriatëhershëm të Farit dhe sigurisht komandantin e flotës ilire, ilirët u nisën përsëri kundër Dyrrhachionit.
Në këtë kohë romakët përgatiteshin për sulm kundër ilirëve. Në pranverë të vitit 229 para e.r. në bregdetin përballë, në Brundisium (Brindisi i sotëm në Apuli) u mblodh një ushtri e fortë prej 20.000 ushtarësh, 2.000 kalorësish dhe 200 luftanijesh. Kjo ushtri u nis kundër ilirëve në kohën kur ushtria ilire gjendej rreth mureve të Dyrhachionit. Ky ishte fillimi i luftës sëparë romake-ilire.
Flota romake e udhëhequr nga Gnei Fulv Centumali u nis në drejtim të Korkyrës. Dhimitër Fari as që u orvat të bëjë rezistencë, e cila do të ishte e kotë kështu që ua dorëzoi qytetin romakëve, dhe vetë vihet në shërbim të tyre. Romakët u nisën mandej drejt Apollonisë, banorët e së cilës ua hapën dyert e qytetit, dhe mandej vazhduan drejt Dyrhachionit duke u liruar nga rrethimi ilir. Flota romake u nis mandej drejt Isës dhe Pharit, të cilat u vunë menjëherë nën mbrojtjen romake, ndërsa ushtria tokësore romake që operonte në Ilirinë e Jugut gjithashtu shënoi rezultate të rëndësishme për një kohë shumë të shkurtër. Disa fise, si atintanët dhe parthinët, shfrytëzuan situatën e vështirë në të cilën ishte shteti ilir dhe dërguan delegatë te romakët me lutje që t’i pranojnë si aleatë.
Teuta ushtarakisht nuk ishte e aftë që të pengonte depërtimin e legjioneve romake. U tërhoq në kështjellën Rizon (Risan i sotëm në gjirin e Bokës së Kotorit), mirëpo shpejt kuptoi se rezistenca ishte e kotë, kështu që kërkoi paqë.
Marrëveshja e arritur me Romën ishte shumë e rëndë për Teutën dhe për shtetin ilir. Ajo u detyrua të abdikojë në dobi të Pinit, ndërsa mbretëria e saj u vu pjesërisht nën kontrollin e Romës: kolonitë greke në bregdetin ilir Dyrrhachion, Apollonia, Issa e të tjera ruajtën autonominë politike, por nën protektoratin e Romës. Me marrëveshje qe precizuar se anijet e armatosura ilire nuk guxojnë të lundrojnë më në jug të Lisosit.
Personaliteti që doli në plan të parë të skenës politike ilire, ishte greku Dhimitër Farasi, njeri me aftësi të mëdha diplomatike i cili me kohë diti të kalojë në anën e romakëve, sa pa se çështja e Teutës dështoi. Me ndihmën e zotërve të rinj u bë sundimtar në Farku kishte lindur si dhe i disa pronavenë pjesën tokësore, mirëpo më i rëndësishmi ishte roli të cilin nisi ta luajë në vetë pallatin ilir, pasi mori grua të ëmën e Pinit Triteutën dhe kështu faktikisht, u bë person më me ndikim në shtetin ilir.
Romakët në atë kohë nuk ishin të gatshëm që të hynin në konflikte vendimtare me ilirët dhe të konsolidonin pozitat e fituara, për këtë shkak intervenimin në punët e Ballkanit për afirmimin e vet politik. Dëshironin që veçmas te grekët të krijonin kuptimin e mbrojtësit të interesave të tyre dhe të kundërshtarit të ilirëve barbarë, të atyre piratëve të rrezikshëm të cilët nuk respektonin ligjet e civilizimit në det. Për këtë qëllim senati romak dërgoi delegatët e vet të athinasit dhe te grekët e tjerë me mesazhe se që tani lundrimi nëpër Adriatik ishte i lirë jo vetëm për anijet italike, por edhe për anijet tregtare greke. Duke besuar se te romakët gjetën aleatët kundër ilirëve, grekët në shenjë mirënjohje, lejuan që të marrin pjesë në lojërat istmike, duke i njohur kështu si popull të civilizuar.
Lufta e dytë romake-ilire u zhvillua nja dhjetë vjet më vonë, mbasi romakët përfunduan se Dhimitër Fari, i cili në fillim luante rolin e vazalit besnik, nisi të bëjë llogari më tepër për interesat ilire se sa për të tyret. Në të vërtetë Dhimitër Fari nisi f u afrohet më shumë maqedonëve - atëherë armiqve më të rrezikshëm të politikës romake në Ballkan. Lidhi marrëveshje së pari me sundimtarin maqedon, Antigon Dosonin, e mandej edhe me trashëgimtarin e tij, Filipin V, sepse në Maqedoninë e fortë dhe mike shihte garanci për forcimin e pozitave ilire në krahasim me Romën dhe për dobësimin e ndikimit romak në Ballkan. Për këtë shkak ndihmoi ushtarakisht sundimtarët maqedonë që t’i forcojne pozitat e tyre në Greqi. Gjithashtu, mori aksione ushtarake kundër aleatëve të Romës në Iliri, e mandej me flotën e tij sulmoi edhe qytetet greke, bile edhe në detin Egje.
Senati romak u shqetësuangazhvillimi i ngjarjeve në Iliri, prandaj e ftoi Dhimitrin të shkonte në Romë që t’i sqaronte qëndrimet e tij. Dhimitri, megjithatë, nukju përgjigj dëshirës së senatit romak, kështu më 219 para e.r. kundër tij u dërgua një ushtri e fuqishme romake, me në krye dy konsujt — L. Emil Paulin dhe M. Liv Salinatorin. Dhimitri u strehua në kështjellën Dimallum,81 qytet të cilin ilirët e mbanin si të papushtueshëm, prandaj romakët për këtë vendosën ta sulmojnë. Mbas shtatë ditë lufte të rreptë ushtria romake arriti ta pushtojë qytetin. Dhimitri u fsheh në Far, në vendlindjen e tij, me shpresë se atje do të arrijë të bëjë rezistencë kundër sulmuesve, mirëpo romakët edhe aty e arritën shumë shpejt dhe i shkaktuan edhe një disfatë para hyrjes në qytet. Ai arriti të shpëtojë duke ikur, së pari, në viset fqinje e mandej në Maqedoni, ku e priti miqësisht Filipi V.
Mbretëria ilire me këtë disfatë mori edhe një goditje të rëndë e cila e kufizoi edhe më tepër sovranitetin e saj. Skerdilaidi i cili me kohë ishte ndarë nga Dhimitri, arriti në të vërtetë të ruajë mbretërinë, mirëpo u detyrua të njohë romakët si aleatë.
Kur në vitin 217 para e.r. vdiq Pinesi i mitur, në vitin e pesëmbëdhjetë të jetës, në krye të shtetit mbeti vetëm Skerdilaidi. Si vasal besnik i Romës ai mbrojti interesat romake në Ballkan, sidomos kundër maqedonëve. Mbreti maqedon, Filipi V, i cili nën ndikimin e DhimitërFarit ëndërronte mbi përtritjen e shtetit maqedon, lidhi aleancë antiromake me Kartagjenën dhe me Sirakuzën. Megjithatë, prej kësaj aleance nuk pat fitim, sepse asnjëra nga palët e angazhuara në këtë marrëveshje nuk iu përmbajt obligimeve të marra, mirëpo kjo aleancë e nxiti senatin romak që të marrë një varg masash, së pari diplomatike, e mandej edhe ushtarake, kundër maqedonëve. Filipi V, duke shfrytëzuar situatën e romakëve për shkak të fitoreve të Hanibalit në Itali, sulmoi Skerdilaidin dhe pushtoi një pjesë të bregdetit ilir. Romakët nuk mund të lejonin forcimin e maqedonëve në llogari të aleatëve të vet në Iliri, dhe dërguan kundër maqedonëve një ushtri e cila zbarkoi në afërsi të Dyrrhachionit. Në vitin 205 para e.re. midis maqedonëve dhe romakëve u nënshkrua paqja kompromise në Foinike të Epirit, mirëpo romakët sapo e mundën Kartagjenën, i filluan përsëri operacionet kundër Filipit V. Mbas një varg betejash në vitin 197 u arrit fitorja vendimtare romake te Kinoskefali në Thesali, e cila varrosi të gjitha shpresat e Filipit.
Shteti ilir nën protektoratin e Romës, mbas ndërhyrjes së legjioneve romake kundër Filipit V, ktheu një pjesë të madhe të territoreve të humbura. Pleurati i cili trashëgoi fronin e Skerdilaidit i shërbeu me besnikëri Romës. Këtë nuk e vazhdoi edhe trashëgimtari i tij, Genci, i cili erdhi në fron rreth vitit 180 para e.re. Sigurisht duke vlerësuar gabimisht situatën dhe raportin e forcave në kohë, Genci përsëri luajti me letrën maqedone. Ky ishte gabimi më fatal. Roma nuk donte të kishte më aleatë të pasigurt, gjithnjë të gatshëm të pajtohen me armiqt e saj, prandaj vendosi që me një aksion të furishëm, të nënshtrojë drejtpërdrejt provincën jugore ilire dhe të likuidojë mbretërinë ilire. Prijësi ushtarak romak, Luc Anic Gali në krye të 30.000 ushtarëve u nis në drejtim të Shkodrës së fortifikuar (Shkodra e sotme në Shqipëri), kryeqytet i shtetit ilir, ku ishte strehuar mbreti. Kjo luftë e tretë romake-ilire zgjati gjithsej nja tridhjetë ditë. Genci, në të vërtetë, nuk mundi të qëndrojë gjatë nën rrethimin e legjioneve romake, kështu që u detyrua të dorëzohet (më 168 para e.re.). Mbreti me tërë familjen u dërgua rob në Itali, ku së pari u internua në Spoletium e mandej në Gubbium. Ky ishte fundi i mbretërisë ilire dhe njëherësh një nga hapat vendimtarë ndaj okupimit romak të tokave ilire.
Mbas ngadhnjimit ndaj Gentit, L. Anic Gali caktoi kuvendin e kryetarëve të fiseve ilire (më 167 para e.re.) në Skodër dhe aty shpalli, “në emër të senatit dhe të popullit romak” se të gjitha ato fise dhe qytete që kanë kaluar në anën e Romës para rënies së Gentit, janë të lira dhe nuk duhet të paguajnë tribut. Kjo kishte të bënte me fiset e taulantëve, pirustëve, daorsve, mandej me banorët e qyteteve Rhizon, Olcinium, dhe mesa duket Lissos. Mbretëria ilire qe ndarë në tri pjesë, që të tria nën sundimin e drejtpërdrejtë të Romës. Në krye të pjesëve të ndryshme të ish mbretërisë ilire, e ciia ruajti autonominë shumë të ngushtuar qëndronin sundimtarë të ndryshëm, për të cilët dimë fare pak. Pak më tepër dimë vetëm për njërin prej tyre, Ballaiosin. Në bazë të aktivitetit të tij shumë të pasur numizmatik mund të supozohet se Ballaiosi ishte një nga sundimtarët lokalë, të cilët orvateshin të ruanin sido që të ishte kontinuitetin e shtetit ilir nën kushte shumë të vështira të okupimit romak. Selia e shtetit të tij - nëse guxojmë edhe ta quajmë kështu — gjendej në Rhizon të Bokës së Kotorit, e më vonë, ndoshta në Far.
Nënshtetas të dëgjueshëm ishin edhe sundimtarët e tjerë, gjegjësisht kryetarët e fiseve, të cilët qëndronin në krye të shteteve të vogla të posaformuara mbas vitit 167 para e.re. Me shkatërrimin e shtetit të përbashkët ilir në njësi më të vogla dhe me dhënien e autonomisë territoriale këtyre njësive të reja, duke shfrytëzuar me mjeshtëri mosmarrëveshjet e mëparshme dhe armiqësitë midis ish mbretërve ilirë si dhe kryetarëve të fiseve të nënshtruara, Roma arriti për një kohë të gjatë të ruajë paqen në atë pjesë të Ilirisë. Duke proklamuar dëshirën që ilirëve t’u sigurojë jetën e lirë, senati romak, i forcoi pozitat e veta në Iliri. Megjithatë, ato fise dhe qytete të cilat tradhtuan interesat e Gencit në kohën kur legjionet romake u vërsulën kundër mbretërisë së tij fituan shumë privilegje, ndër të cilat edhe atë që të presin të hollat e veta (labeatët, daorsët etj.
Problemi që dëshirojmë të trajtojmë është pa dyshim i një rëndësie të veçantë për historinë ilire. Si i tillë ai nuk ka mbetur jashtë vëmendjes së studiuesve, megjithatë, duhet pranuar se në këtë drejtim mendimi shkencor nuk ka ecur përpara. Mund të themi pa ngurrim se në thelb nuk ka ende një ndryshim midis asaj që shkruante Th. Mommsen më se 100 vjet më parë se "ilirët nuk ishin të prirë për jetën qytetare"' dhe absolutizimit ose mbivlerësimit të faktorëve të jashtëm në procesin e urbanizimit të Ilirisë. Kjo pikëpamje e shprehur në forma të ndryshme vë në bazë të fenomenit ndikimin grek. Përkrahësit e saj i konsiderojnë qytetet ilire vepra të ndërtuesve grekë ose themelime të sundimtarëve maqedonë e epirotë, në rastin më të mirë, produkt të ndikimit të tyre; ndërtime "thjesht ilire" pranohen vetëm ato më primitivet. Te emigruarve ose sundimtarëve të huaj u caktohet, kështu, një rol aktiv, qytetërues, roli i përçuesve të kulturës së përparuar greke në botën "barbare", madje ende zhvillimi i pabarabartë i krahinave të ndryshme ilire shpjegohet me shkallën e ndikimit të kulturës helene. Nga ana tjetër, popullsia ilire paraqitet si konservatore, pasive dhe inerte ndaj qytetërimit. Kështu, progresi i Ilirisë shkëputet nga zhvillimi i brendshëm social-ekonomik e politik i saj.
Në një vështrim tjetër e paraqet procesin e urbanizimit të Ilirisë A. Fol. Sipas tij, në Thraki, Iliri dhe Maqedoni aglomeracionet urbane kanë një ngjashmëri thuajse të plotë, si për sa i përket tipave dhe llojeve ashtu edhe rrugëve të formimit historik të tyre. Qyteti në këto vise formohet rreth rezidencës së bazileut lokal (tursis), gjatë luftës që zhvillohet midis fiseve dhe dinastëve të veçantë, pro e kundër centralizimit. Këtë lloj qyteti, pjellë të faktorëve politikë, tek i cili, jeta ekonomike zhvillohet më pas, dora-dorës që popullsia vjen e ngulet rreth tursis për të jetuar, ndërtuar e prodhuar, autori e quan të veçantë për vendet ballkanike dhe të tillë që, për specifikën e vet, nuk mund të krahasohet me qytetin grek. Në gjendjen e sotme të kërkimeve na duket e pamundur të provohet ekzistenca e një qyteti të përbashkët "ballkanik" në kuptimin që i jep atij A. Fol, ashtu siç na duket e gabuar të shkëputet jeta qytetare në këto vise nga ajo e Greqisë.
Mbetet pra detyra për të shtruar problemin, por kjo kërkon para së gjithash, të kapërcehet "limesi" i krijuar pas botës helene dhe të hiqet dorë nga mendimi i gabuar se gjithçka këtu duhet të krijohet në forma origjinale, ose të sillet e gatshme nga jashtë. Pa mohuar dhe as ekzagjeruar rolin e ndikimeve, krijues të jetës qytetare në Iliri qenë vetë ilirët, masa e popullsisë ilire dhe jo të emigruarit e as sundimtarët e huaj apo vendas. Është e qartë se, duke jetuar midis botës së përparuar mesdhetare, ilirët nuk u treguan aspak indiferentë ndaj qytetërimit të popujve fqinjë, përkundrazi përqafuan në mënyrë aktive arritjet e tyre në fushën e kulturës dhe të jetës shoqërore në atë masë që e lejonte dhe e kërkonte niveli i zhvillimit të tyre social-politik. Është e nevojshme, nga ana tjetër, të shkëputemi nga tradita e keqe në shqyrtimin e historisë ilire dhe t'u drejtohemi më me vëmendje si burimeve të shkruara, ashtu edhe atyre arkeologjike. "Historianët e Greqisë dhe të Romës theksojnë tepër anët pirateske dhe barbare të jetës së tyre (ilirëve)", vinte në dukje shumë kohë më parë A. Evans, kurse ai gjente tek ata institucione të përparuara për kohën. Vërejtja e këtij dijetari ruan vlerën e vet edhe në ditët tona.
Shkalla e zhvillimit të ilirëve nuk qe e njëjtë në të gjitha krahinat e trevës së gjerë të banuar prej tyre. Midis jugut ilir, më të përparuar dhe krahinave veriore e të brendshme, më të prapambetura, kishte ndryshime të mëdha. Kuptohet se dhe fenomeni që na intereson, nuk paraqitet njëlloj në të gjithë Ilirinë. Për lehtësi të studimit dhe në interes të problemit, vështrimin tonë do ta shtrijmë vetëm në atë pjesë të Ilirisë që përbënte territorin e Shtetit Ilir. Në shqyrtimin e çështjes do t'u referohemi pa dyshim edhe burimeve antike, të cilat meritojnë një vëmendje të madhe, por mbi të gjitha, do të mbështetemi në të dhënat arkeologjike nga territori i Shqipërisë. Skodra, Lisi, qyteti në Zgërdhesh të Krujës (Albanopolis?), ai në Selcën e Poshtme të Pogradecit (Pelion?), në Belsh të Elbasanit, Dimale, Bylisi, Amantia, Antigonea dhe shumë qendra të tjera më të vogla të Ilirisë dhe të Epirit (pa harruar këtu edhe vetë Dyrrahun e Apolloninë), që kanë qenë objekt i kërkimeve intensive të arkeologëve shqiptarë, ofrojnë një material të dorës së parë, që ndihmon të shihet në një dritë më të qartë problemi i urbanizimit të Ilirisë.
Në historinë e qytetit ilir dallojmë dy etapa të rëndësishme:
Etapa e parë përfshin fundin e shek. V dhe gjysmën e parë të shek. IV p.Kr. Kjo periudhë shënon një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të jetës social- ekonomike e politike të Ilirisë. Në viset që na interesojnë, ajo është e lidhur me lindjen e jetës qytetare dhe të Shtetit Ilir.
Para shek. V ilirët jetonin ende në fshatra dhe njihnin vetëm vendbanime të fortifikuara të tipit Gajtan. Vërtet se Hekateu, autor i shek. VI p.Kr. përmend si qytete ilire Sesaretin, Adrian dhe Japygian,por këto janë lajme që na ritransmetohen tepër vonë nga autorë të dorës së dytë dhe që deri më sot nuk kanë gjetur vërtetim arkeologjik, në qoftë se nuk duam t'i identifikojmë me vendbanime të tipit të Gajtanit, që nuk kanë marrë ende pamjen e një qyteti.
Një tok njoftimesh që lidhen me mesin e shek. IV dëshmojnë mjaft qartë për ekzistencën e qyteteve në Iliri. Kështu, Diodori, duke përshkruar fushatat e Filipit II, na thotë se ai "u lëshua mbi Ilirinë nie një ushtri tëfortë, plaçkiti vendin, nënshtroi shunië qytete të vogla (TioAiopa) dhe u kthye në Maqedoni nie plaçkë të inadhe". Demosteni vë në dukje gjithashtu, se Filipi II "po fortifikonte qytete (tioAeiç) në Iliri". Theopompi, që jetoi në oborrin e Filipit II, përmend me emër qytetin Oidantion, kurse Ariani dhe Rufi, duke përshkruar fushatën e Aleksandrit të Madh kundër ilirëve në vitin 335 p.Kr., përmendin qytetin Pelion, si qytet i Dasaretisë. Më në fund, nga të dhënat numizmatike mësojmë emrin e një qyteti të rëndësishëm ilir, Damastion, që pret monedha në gjysmën e parë të shek. IV. Të gjitha këto të dhëna tregojnë se rreth mesit të shek. IV p.Kr. dhe në gjysmën e parë të këtij shekulli në Iliri ekzistonin një varg qytetesh. Kuptohet vetiu se si të tillë ata duhet të kenë lindur diçka më parë, aty nga fundi i shek. V p.Kr.
Nuk dimë ende mirë se ç'paraqesin në vetvete këto qytete ilire. Dëshmitë e autorëve antikë, përveç faktit që na kumtojnë ekzistencën e tyre, janë tepër të varfra për të na ndihmuar që të ndërtojmë një tablo më të plotë të gjendjes së këtyre qendrave urbane. Edhe nga pikëpamja arkeologjike nuk kemi ende gjurmë të tilla, nëpërmjet të cilave do të dallojmë qartë qytetin ilir të kësaj kohe. Megjithatë, mund të supozojmë se prej qyteteve ilire, rrënojat e të cilëve ruhen në Shqipëri, me gjysmën e parë të shek. IV dhe mbase edhe në fundin e shek. V p.Kr., duhet të lidhen një pjesë e atyre që në origjinë janë fortifikuar me mure poligonalë e trapezoidalë. Si të tillë dëshmohen më mirë Gradishta e Klosit, që mendojmë se përfaqëson Bylisin e vjetër dhe pak më në jug, por jashtë arealit që ne shqyrtojmë, Amantia.
Muret e Pelionit, të cilat i përmend Ariani dhe që mund të ndihmonin për të thënë një fjalë më të sigurt në këtë drejtim, për fat të keq nuk njohim. Me këtë grup do të lidhej edhe qyteti Belsh (rreth i Elbasanit). Muret rrethuese të tij nuk janë ruajtur, por gjetjet arkeologjike dëshmojnë për fillimet e një jete qytetare që përputhet mirë me gjysmën e parë të shek. IV p.Kr.
Nga pikëpamja e pozicionit të tyre, këto qytete zënë një vend qendror e të mbrojtur, midis një zone të pasur bujqësore-blegtorale dhe nganjëherë edhe minerale. Zona të tilla përbëjnë në vetvete njësi të vogla gjeografike me kufi të qarta natyrale; pellgje apo krahina që zakonisht i rrethon një kurorë malesh, një varg kodrash apo i kufizon një lumë. Si të tilla, këto njësi gjeografike përfshinin tokat e një fisi dhe përbënin kështu, edhe një njësi etnografike. Qyteti ishte qendra e kësaj njësie gjeografike-etnografike dhe popullsia që e rrethonte ishte një popullsi fshatare lidhur me të nëpërmjet interesave ekonomike.
Duke folur për qytetet e kësaj kohe, Diodori, siç e pamë, i quan ato noAiapa, që do të thotë se kemi të bëjmë me qytete të vogla, me sa duket ende në shkallën fillestare të zhvillimit të tyre. Demosteni përkundrazi, i quan tioAelç. Ndryshimi që vërehet në termat e përdorura prej tyre, duket se pasqyron një diferencim që ekzistonte midis qyteteve ilire. Një dritë të vogël hedh mbi këtë çështje, pohimi i Arianit, i cili e quan Polionin si "qytetin tnë të fortë" midis qyteteve të Dasaretisë. Duket se disa qytete kishin mundur të ecnin përpara dhe të dallonin prej të tjerëve. Interes të veçantë paraqet në këtë drejtim Damastioni, i cili është edhe qyteti i parë ilir që pret monedha. Qyteti, siç mund të kuptohet nga Straboni, ishte ngritur në një zonë të pastër me miniera argjendi, të cilat përbënin me sa duket, edhe bazën e ekonomisë së tij. Shfrytëzimi i tyre dhe zhvillimi i zejtarisë së përpunimit të metaleve qenë degët kryesore të kësaj ekonomie. Karakteri i saj na bëhet i qartë edhe nga simbolet që zbukurojnë monedhat e qytetit, të cilat paraqesin midis të tjerash çekanin e minatorit dhe shufrat metalike.
Kemi kështu një ekonomi të ndryshme nga degët e tjera të ekonomisë fshatare ilire. Damastioni është shembulli i një qyteti zejtar të përparuar ilir të kësaj kohe, por pa dyshim jo i vetmi. Pelioni na del nga ana tjetër, si një kryeqendër apo qendër rezidenciale e mbretit. Ka shumë të ngjarë që në qytetet e tjera më të vogla (noAiopa) të ketë mbisunduar ekonomia bujqësore- blegtorale me ndonjë zejtari më të kufizuar.
Zhvillimi ekonomik e social i Ilirisë gjatë periudhës së parë të hekurit dhe veçanërisht gjatë shek. VII-V p.Kr. i kishte përgatitur në fakt të gjitha kushtet për lindjen e këtyre qyteteve. Premisat duhet f i kërkojmë te vendbanimet e fortifikuara të tipit të Gajtanit dhe te zhvillimi i brendshëm i tyre. Janë këto qendra ku gjen zhvillimin e saj fillestar zejtaria, si degë e veçantë e ekonomisë ilire, e ndarë nga ekonomia fshatare.
Fshatin ilir, për fat të keq, e njohim shumë pak. Gjurmimet serioze arkeologjike, tani për tani, në këtë fushë mungojnë. Disa pak të dhëna të autorëve antikë bëjnë aluzion për një bujqësi dhe blegtori relativisht të përparuar tek ilirët.
Kjo tregon, në njëfarë mënyre, se fshati nuk kishte mbetur jashtë procesit transformues, që përshkonte në këtë kohë jetën ilire pas lindjes së qyteteve. Në zonën e Ultësirës bregdetare të Adriatikut Jugor, një ndikim të madh në këtë proces ushtronin prej kohësh Dyrrahu dhe Apollonia, kurse në krahinat e brendshme lindore, Damastioni.
Të dhënat mbi shkëmbimet tregtare janë disi më të plota dhe ndihmojnë më mirë për të kuptuar gjendjen ekonomike të Ilirisë së Jugut në periudhën që na intereson. Ne do t'u referohemi sidomos atyre të dhënave që dëshmojnë për tregtinë e ilirëve me botën greke, sepse sot për sot janë më të qarta. Fakti që disa nga pasuritë natyrale dhe blegtorale kanë tërhequr vëmendjen e autorëve antikë, tregon se këto ishin ndër artikujt kryesorë të eksportit ilir. Midis tyre një vend të veçantë zinte argjendi i zonës së Damastionit që fumizonte, me sa duket, punishtet monetare të qyteteve dhe ato të Halkides. Edhe sera e Atintanisë duket se ishte një mall i kërkuar. Kundrejt tyre, ilirët mermin prodhime luksi të artizanatit grek, midis tyre edhe atike dhe italike. Krahas prodhimeve të Dyrrahut e Apollonisë, enët e këtyre qendrave janë gjetje jo të rralla në zonën bregdetare. Por ato fillojnë të duken dendur edhe në krahinat e brendshme ilire, ku arrijnë përmes rrugëve tregtare të shkelura qysh në shek. VI-V p.Kr., duke ndjekur luginat e lumenjve me pikënisje si nga brigjet e Adriatikut, ashtu edhe të Egjeut.
Element i ri në këmbimet me botën ilire është monedha. Në krahinat bregdetare qarkullojnë tani monedhat e argjendta të Dyrrahut dhe Apollonisë dhe të ndonjë qendre tjetër greke, kurse në ato të brendshme, lindore, monedhat e Damastionit dhe më rrallë ato maqedone të Filipit e të Aleksandrit të Madh. Pranimi i këtyre monedhave nga popullsia vendase tregon se ajo kishte krijuar mbi produktet bujqësore e blegtorale, apo mallra të zejtarisë minerare, dhe ishte e interesuar për tregtinë e tyre.
Dukja e qy teteve solli me vete ndryshime jo vetëm në strukturën ekonomike, por edhe në atë të shoqërisë. Pa mbivlerësuar peshën dhe rolin e qytetit ilir në këtë periudhë të hershme, duhet të vëmë në dukje se ai vepron jo vetëm si bartës i rendit të ri skllavopronar, por edhe si përçues i tij në botën fshatare që e rrethon. Megjithëse kjo botë do të ruajë edhe për një kohë të gjatë, ku më shumë e ku më pak, mbeturina të rendit fisnor, dhe në burimet do të flitet, për këtë shkak, me këmbëngulje për fiset e mëdha e të vogla ilire, tabloja në përmbajtjen e saj ka ndryshuar. E lidhur me qytetin nëpërmjet marrëdhëniesh ekonomike dhe e varur prej tij me anë të këtyre marrëdhënieve, bota fshatare ilire, sidomos ajo që ndodhej më pranë qyteteve, nuk është më bota e rendit fisnor. Pa ditur mirë se qysh dhe në ç'rrugë, ajo njeh tani marrëdhënie vartësie dhe shfrytëzimi, në formën e një skllavërie të tipit helot. Prospelatet e ardianëve, të cilët përfaqësojnë një popullsi të gjerë, të varur, nuk janë një shfaqje e veçuar në Iliri. Ky fenomen na dëshmohet pak më vonë edhe te dardanët, kurse emri etnik i penestëve ilirë, që na kujton popullsinë e varur omonime thesale, na shtyn të mendojmë se edhe kjo popullsi ilire i përkiste kategorisë së prospelatëve-dulle-helote.
Kështu, në mesin e shek. IV p.Kr. shoqëria ilire paraqitet si një shoqëri që njihte format e nënshtrimit dhe shfrytëzimit të hershëm skllavopronar. Lindja e qyteteve ndihmoi në emancipimin e shoqërisë ilire, sepse, duke u bërë qendra të rëndësishme të zejtarisë dhe tregtisë, qytetet i dhanë hov rritjes së prodhimit dhe shkëmbimit me para.
Etapa e dytë përfshin periudhën midis viteve 335-230 p.Kr. Në këtë kohë qytet ilire jetuan periudhën më të lulëzuar të tyre. Të dhënat arkeologjike e paraqesin këtë periudhë si një kohë begatie të vërtetë. Zhvillim më të madh pati jeta qytetare sidomos në krahinat e ultësirës bregdetare, në shpinë të Dyrrahut e Apollonisë që përbënin tani zonën më të rëndësishme të shtetit ilir. Për Damastionin dhe qytetet e tjera të brendshme në burimet nuk bëhet më fjalë. Duket se pas hyrjes së disa krahinave lindore ilire në përbërjen e Shtetit Maqedon, këto qytete e humbën rëndësinë e tyre, që kishin në kuadrin e Shtetit Ilir. Qytete të tjera si Bylisi dhe qyteti në Gradishtën e Belshit janë ndër ato qytete të vjetra që u rritën e u zhvilluan
dhe që luajtën në këtë kohë një rol të dorës së parë. Krahas tyre lindën në këto anë dhe një varg qytetesh të reja si Dimale, Antipatrea, qytetet në Zgërdhesh (Albanopolis?), Margëlliç, Irmaj, etj., të panjohura më parë. Që nga kjo kohë jeta qytetare u shtri edhe në krahinat bregdetare në veri të Lumit Mat. Qytetet e para në këto anë, Lisi, Shkodra, Ulqini, Rizoni, etj., lindën vetëm aty nga fundi i shek. IV- fillimi i shek. III p.Kr. Por në krahinat e brendshme të luginës e së Matit e të Drinit të mesëm ato nuk janë vërtetuar dhe duket se jeta qytetare këtu nuk u zhvillua.
Qytet e reja zënë, si edhe më parë, një vend qendror midis një krahine të pasur nga pikëpamja ekonomike dhe lidhen me rrugët më të rëndësishme të komunikacionit tokësor e detar. Procesi i lindjes së tyre ndjek në përgjithësi rrugën e njohur të zhvillimit të mëtejshëm të vendbanimeve të fortifikuara të periudhës së parë të hekurit, por në disa raste, si në Dimal, Irmaj e Margëlliç, qyteti lind mbi një truall të ri. Karakteristikë e veçantë e qyteteve në veri të Lumit Mat, në krahasim me qytetet e brendshme ilire, është se ato janë kthyer me fytyrë nga deti. Për ndërtimin e tyre janë zgjedhur gjiret e futura apo grykat e lumenjve, vende këto të lidhura me detin, por edhe të mbrojtura nga rreziqet dhe të papriturat e tij.
Qytet e reja zënë, si edhe më parë, një vend qendror midis një krahine të pasur nga pikëpamja ekonomike dhe lidhen me rrugët më të rëndësishme të komunikacionit tokësor e detar. Procesi i lindjes së tyre ndjek në përgjithësi rrugën e njohur të zhvillimit të mëtejshëm të vendbanimeve të fortifikuara të periudhës së parë të hekurit, por në disa raste, si në Dimal, Irmaj e Margëlliç, qyteti lind mbi një truall të ri. Karakteristikë e veçantë e qyteteve në veri të Lumit Mat, në krahasim me qytetet e brendshme ilire, është se ato janë kthyer me fytyrë nga deti. Për ndërtimin e tyre janë zgjedhur gjiret e futura apo grykat e lumenjve, vende këto të lidhura me detin, por edhe të mbrojtura nga rreziqet dhe të papriturat e tij.
Tipin e parë e përbëjnë ato qytete, të cilat kanë një Akropol në majë dhe qytetin poshtë tij. Të tillë janë Lisi, Zgërdheshi dhe ndonjë qendër tjetër që u ndërtuan në faqe kodrash. Qendrat e vjetra që u dhanë jetë këtyre qyteteve, zinin më parë majat e kodrave. Me kalimin e kohës kufijtë e ngushtë të këtyre qendrave u kapërcyen dhe qyteti u shtri nëpër faqet e kodrave. Të forcuara ekonomikisht, qytetet rrethuan sipërfaqen e re me mure mbrojtëse, duke i zgjatur ato në vijim të mureve ekzistuese dhe të vendbanimit të mëparshëm; muri i poshtëm i qendrës së vjetër u kthye në këtë rast në një mur të brendshëm të tërthortë, që ndante qytetin në dy pjesë: në atë të sipërm, Akropolin, dhe atë përfund tij, qytetin e poshtëm. Në Lis ky tip qyteti pati një zhvillim të mëtejshëm, duke krijuar një ndarje të tretë, qytetin e mesëm, që veçohej prej pjesëve të tjera të qytetit me një mur të dytë, të brendshëm.
Shkodra e Belshi kishin një pamje tjetër. Qendra e vjetër e tyre ishte ndërtuar mbi pllajën e vogël të një kodre të veçuar me faqe të thepisura, prandaj qyteti u zhvillua këtu rreth e qark qendrës së vjetër. U krijua kështu, një tip qyteti me Akropolin në mes dhe qytetin rreth tij. Edhe këtu Akropoli zinte truallin e vendbanimit të parë të fortifikuar të periudhës së parë të hekurit. Nuk dimë nëse qytetet e këtij lloji kishin një mur të jashtëm rrethues apo mjaftoheshin me fortifikimin e Akropolit.
Ndryshe prej këtyre qyteteve, Dimali, Antipatrea, Margëlliçi dhe Irmaj u ngritën mbi kodra që kishin një syprinë, kryesisht të rrafshët me kurrize e thyeije të buta. Këto qytete që lindën mbi një truall të ri, duket se nuk kanë pasur Akropol dhe territoret e tyre rrethoheshin me një mur të vetëm.
Prej qyteteve të vjetra, Bylisi mori një rrugë të veçantë në zhvillimin e tij. Kodra e Kosit, mbi të cilin ishte ngritur qyteti i vjetër, në fund të shek. IV nuk i plotësonte më nevojat e zgjerimit të kësaj qendre. I vetmi vend që paraqiste kushte më të përshtatshme për këtë qëllim, ishte kodra e Hekalit, 15 minuta mbi Klos, ku filluan të vendosen qytetarët, duke i dhënë jetë një vendbanimi të ri. Që nga kjo kohë që të dy qendrat u zhvilluan paralelisht si dy pjesë të veçanta, por të ndërlidhura, të një dyqytetshi, ku i riu fitoi epërsinë dhe u bë më përfaqësuesi. I parë më vete, Bylisi i ri ka të gjitha tiparet e qyteteve të tipit të tretë, pa Akropol, por së bashku me Klosin ai përbën një kategori të veçantë qyteti.
Qytetet ilire të kësaj kohe modelohen, së pari, sipas vijës së jashtme të mureve rrethuese, traseja e të cilëve shfrytëzon sa më mirë mundësitë mbrojtëse të terrenit.
Në sistemin e fortifikimit të tyre, muret e qendrave të vjetra të periudhës së parë të hekurit u shfrytëzuan vetëm pjesërisht. Qytetet e ndërtuan mbrojtjen e tyre mbi një bazë krejt të re, që i përgjigjej nivelit dhe kërkesave të kohës. Muret rrethuese të Lisit dhe Shkodrës u ndërtuan në stilin e njohur poligonal-trapezoidal, kurse ato të Bylisit të ri, Dimalit, Margëlliçit, Irmajt e Zgërdheshit, ndjekin stilin kuadratik. Këta ishin mure të fuqishëm, të ndërtuar me blloqe të mëdhenj e të skalitur, me një trashësi prej 2.70-3.50 m. Ata përforcohen tani me kulla të shumta, të cilat mungojnë krejt në vendbanimet e periudhës së parë të hekurit, kurse në ato të gjysmës së parë të shek. IV, siç është rasti i Bylisit të Vjetër (Klosit), janë një gjë e rrallë. Në Zgërdhesh, muri i jashtëm ka kulla të tilla në çdo 30 m, kurse te muri i brendshëm i Akropolit, në çdo 20 m. Edhe në Bylisin e ri (Hekal) kullat që përforcojnë murin rrethues janë të dendura.
Në qoftë se vendbanimet e para kishin një ose dy porta, qytetet që kanë tani një jetë më të dendur dhe lëvizje të madhe, kanë porta të shumta, të mëdha e të vogla, për të lehtësuar hyrjen e daljen e qytetarëve. Në Lis njohim 10 porta të tilla të jashtme dhe dy të brendshme që lidhin qytetin e poshtëm me të mesmin. Njëra nga portat kryesore të jashtme kishte në këtë qytet hyrje të dyfishtë. Në Zgërdhesh janë zbuluar deri tani vetëm tre porta të jashtme, ajo e Akropolit dhe dy të qytetit të poshtëm; një portë e katërt e brendshme lidhte qytetin e poshtëm me Akropolin. Porta të tilla kishin dhe Bylisi, Irmaj, etj. Ndër të gjitha portat e qyteteve, ato kryesoret ishin llogaritur edhe për kalimin e qerreve. Meqenëse portat përbënin pikat më delikate, mbrojtjes së tyre u kushtohej një kujdes i veçantë. Ato zakonisht, i vendosnin midis dy kullave dhe, në rastin kur mbroheshin nga një e tillë e vetme, atëherë kulla ngrihej në anën e djathtë të hyrjes, me qëllim që të mbetej zbuluar ky krah i armikut.
Nuk njohim ende në masën e duhur ndërtimin e brendshëm të këtyre qyteteve, por edhe ato të dhëna të pakta që kemi, dëshmojnë se ata janë ndërtuar sipas shembullit të qyteteve bashkëkohëse në Greqi, Maqedoni dhe Epir, në bazë të parimeve urbanistike të njohura të kohës helenistike. Përveç ndarjeve të mëdha, Akropolit dhe qytetit të mesëm e të poshtëm, në këto qytete dallojmë edhe pjesën ku ndodheshin sheshi publik dhe tregu i qytetit. Në Zgërdhesh, ky shesh ishte në këmbët e kodrës, në një tarracë të krijuar buzë murit të jashtëm rrethues, kurse në Lis ai do të ketë qenë në qytetin e mesëm. Skodra e Lisi dhe qytetet të tjera të ngritura buzë detit apo lumenjve, kishin edhe skelet e tyre.
Rrugët, që niseshin nga hyrjet kryesore apo të dyta, përshkonin qytetin në drejtime të ndryshme dhe lidhnin në mënyrë organike pjesët përbërëse të tij. Kështu, në Zgërdhesh njohim tri rrugë të tilla që lidhnin qytetin e sipërm me të poshtmin; dy prej tyre kishin edhe shkallë të gdhendura në shkëmb që lehtësonin ngjitjen atje ku terreni ishte i thyer.
Vendet më në dukje janë përdorur në qytetet ilire për ndërtimin e godinave të rëndësishme shoqërore. Vende të tilla zinin teatri në Bylis, portiku i Dimalit, varret monumentale në Selcë të Poshtme, etj. Kur terreni ishte i pjerrët, ai sistemohej për nevoja të ndërtimeve qytetare me anë tarracash. Një kujdes i veçantë i kushtohej pajisjes së qytetit me kanale kulluese, të cilat shkarkonin ujërat jashtë mureve rrethuese. Fumizimi me ujë të pijshëm mbështetej kryesisht në sterat dhe rezervuarët që ndërtoheshin brenda qytetit ose duke shfrytëzuar trashësinë e mureve rrethuese, siç e vërteton bukur rasti i Margëlliçit.
Një ide mbi madhësinë e qyteteve ilire na e jep hapësira që ata zinin, dhe gjatësia e mureve të tyre rrethues. Kështu, Lisi zinte një sipërfaqe prej rreth 20 ha dhe muret e tij kishin një gjatësi prej 2.200 m; Bylisi i ri shtrihej mbi një sipërfaqe prej 28 ha dhe muret e tij ishin 2.550 m të gjatë, kurse Bylisi i vjetër kishte pushtuar në kodrën e Klosit 18 ha tokë, që rrethoheshin prej muresh me një gjatësi prej 1.850 m. Nuk dimë shtrirjen e saktë të Shkodrës, por dimë se ka qenë pak më e madhe se ajo e Lisit. Qytetet e tjera si Antipatrea, Dimali, Zgërdheshi kishin një madhësi mesatare: sipërfaqja e shtrirjes së tyre arrinte deri në 10-15 ha, kurse muret e perimetrave nuk i kalonin 1.400 m. Një grup i tretë qytetesh si: Irmaj, Margëlliç, etj., ishin më të vegjël; muret e tyre ishin nën 1.400 m të gjatë dhe rrethonin sipërfaqe të vogla prej 4-5 ha. Megjithëse qytetet e kësaj kohe shtriheshin edhe tej mureve rrethuese, sepse jashtë tyre gjejmë dendur gjurmë banesash, tempujsh e ndërtimesh të tjera, prapëseprapë truallin kryesor të qytetit e përbënte territori brenda mureve rrethuese.
Këto që përmendëm janë ato pak njohuri që kemi ne sot për pamjen dhe strukturën e qyteteve ilire. Muret rrethuese, ndarjet e brendshme të qytetit dhe godinat shoqërore që janë ruajtur, dëshmojnë se ndërtimet e tyre kanë ndjekur një ide urbanistike. Vetëm ndërtues të aftë dhe me njohuri të thella teknike mund të zgjidhnin detyrat e ndërlikuara që paraqesin ndërtimet mbrojtëse dhe ato me karakter shoqëror e privat, në atë shkallë të gjerë dhe në atë nivel të lartë që njohin qytetet ilire që nga fundi i shek. IV deri në mesin e shek. III p.Kr. Jeta dhe kërkesat e kohës i përgatitën këta ndërtues midis vetë popullsisë ilire. Realizimi i këtyre ndërtimeve ishte vepër e një shoqërie skllavopronare në zhvillim, që kishte mundësitë organizative e materiale për një veprimtari kaq të gjerë ndërtuese. Rrethanat politike dhe fuqizimi, gjatë kësaj kohe, i Shtetit Ilir e favorizuan shumë këtë veprimtari ndërtuese.
Në fushën e prodhimit periudha e dytë shënon përparime të dukshme. Punishte të shumta metalesh funksiononin në çdo qytet. Mbeturinat e farkave, zgjyrat, të cilat janë ndër gjetjet e zakonshme në trojet e këtyre qyteteve, dëshmojnë qartë për këtë. Pasuritë minerale të Ilirisë së Jugut, veçanërisht ato të bakrit dhe të hekurit u siguronin atyre lëndë të parë të bollshme. Në këto punishte farkëtoheshin veglat e punës, armët dhe punoheshin stolitë e enët metalike që u nevojiteshin qytetarëve dhe banorëve të rretheve në jetën e tyre të përditshme. Gjetja me shumicë e këtyre sendeve në qytetet dhe varrezat e kësaj kohe dëshmon për karakterin intensiv të prodhimit zejtar dhe për konsumin e gjerë të këtyre mallrave.
Zhvillim të dukshëm mori edhe zejtaria qeramike. Enët prej balte që dalin tani nga punishtet e qyteteve janë të punuara kryesisht me çarkun e poçarit, kurse sasia e atyre të punuara me dorë është tepër e kufizuar. Kalimi në teknikën e re të punimit të enëve u shoqërua me largimin nga format tradicionale dhe adaptimin e formave greke. Nuk mungojnë edhe përpjekjet për të zhvilluar format e vjetra, por zakonisht ato çojnë në kombinime eklektike, që nuk gjejnë përhapje me sa duket, për shkak se nuk u përgjigjen kërkesave të tregut dhe shijeve të reja të kohës. Prodhimi i enëve me forma greke merr, përkundrazi, përhapje të gjerë. Kështu, nga furrat e punishteve qeramike të qyteteve ilire dalin tani enë të llojeve të ndryshme, duke filluar prej atyre të mëdha, si pitosa e amfora, e deri tek enët e përdorimit të përditshëm apo të hiksit, të lyera me vemik të zi ose të pikturuara. Një vend me rëndësi në këtë kohë zë edhe prodhimi i tullave e sidomos i tjegullave që përdoreshin për ndërtimin e banesave dhe godinave shoqërore. Ne njohim sot pothuajse për çdo qytet punishte qeramike të tilla, pronarë të të cilave ishin qytetarë ilirë. Sipas vulave që kanë enët apo tjegullat, del se një punishte në Lis ishte pronë e njëfarë Eortai, në Irmaj pronarët e punishteve quheshin Trito. Pato, Bato dhe Pito; një vulë me emrin e Kleitit nga rrethi i Gramshit i takon, mbase, gjithashtu një punishteje të Irmajt. Një Plator vulos buzën e një pitosi të gjetur në Tren të Korçës, kurse një Epikad, te një enë tjetër e këtij lloji nga rrethi i Pogradecit. Pronari i një punishteje qeramike në Selcën të Poshtme (Pelion?) quhej Gent, në Bylis (Klos) ajo i takonte Balaneut, kurse në Dimal, Epikadit. Në qytete të tjera, si në Zgërdhesh e Margëlliç, vulat e pronarëve janë të shënuara me monograme apo shenja simbolike. Krahas këtyre, ka në këto qendra edhe vula që mbajnë emra grekë e maqedonë. Prania e këtyre emrave në vulat e punishteve qeramike të qyteteve ilire nuk është domosdo e lidhur me qytetarë me origjinë greke apo maqedone. Ky fenomen lidhet kryesisht me ndikime të karakterit kultural, si pasojë e të cilave këta emra u përhapën dhe u adaptuan nga popullsia ilire. Dëshmi të gjalla të kësaj janë emri grek i mbretit Glaukia apo rastet që na paraqiten në mbishkrimet sepulkrale të Apollonisë e Dyrrahut ku emri i parë është grek, kurse i dyti, ai i atit, është ilir ose anasjelltas. Kështu, në Apolloni kemi emra të tillë si Nikanori i Gentit ose në Dyrrah Anaia e Glaukisë, Epiktesi i Tritos, Tata e Aristionit, Euklidi i Tritos, Teutaia e Aleksenit, Brygu e Afrodisit, etj.
Rritja e prodhimit zejtar i dha hov qarkullimit më të dendur të mallrave dhe zgjerimit të tregtisë. Prodhimet e zejtarisë së qyteteve ilire mbulojnë tani rrethin e tyre të ngushtë dhe lëvizin në drejtimet më të ndryshme për të ushqyer reciprokisht tregjet e njëri-tjetrit; jo rrallë ata shtrihen në krahina të gjera, duke arritur deri në skajet e thella të zonave të brendshme. Në qoftë se deri në fund të shek. IV popullsia e këtyre krahinave të largëta kënaqej me prodhimet e qeramikës lokale të punuar me dorë dhe prodhimet e importit ishin ende sende luksi, tepër të rralla, më vonë prodhimet e qeramikës qytetare ilire depërtojnë më gjerësisht në këto anë dhe hyjnë në konsumin e përditshëm të popullsisë.
Marrëdhëniet e botës ilire me Dyrrahun e Apolloninë bëhen më intensive. Megjithëse këto nuk janë më qendrat e vetme që fumizojnë Ilirinë, prapëseprapë, vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm. Midis tyre duket se ka një ndarje të qartë të zonave të tregtimit: ndërsa Dyrrahu e shtrin veprimtarinë e vet kryesisht mbi krahinat në veri të Shkumbinit, në orbitën e Apollonisë hyjnë ato në jug të këtij lumi.
Përmes këtyre dy qendrave përhapen gjerësisht në Iliri edhe prodhimet e qyteteve apule. Mallrat e qendrave greke që gjenden krahas tyre, janë përkundrazi më të rralla, kurse ato të Maqedonisë dhe të Epirit ndeshen kryesisht në zonat kufitare.
Rrugët kryesore, nëpër të cilat lëviznin mallrat dhe zhvillohej tregtia, ishin luginat e lumenjve; ndër to, ajo e Drinit, Shkumbinit, Devollit, Osumit dhe Vjosës formonin arteriet më të rëndësishme. Rrugë të tjera të shumta, të dorës së dytë, përshkonin grykët e ngushta dhe qafat e maleve për të lidhur njërën krahinë me tjetrën. Sado të vështira të ishin këto rrugë, asnjë krahinë e Ilirisë nuk mbetet në këtë kohë e izoluar dhe jashtë ndikimit të marrëdhënieve tregtare me botën qytetare.
Fuqizimi ekonomik dhe rritja e prodhimit zejtar i lejuan Shkodrës dhe Lisit të presin gjatë gjysmës së parë të shek. III monedhat e tyre prej bronzi. Monedha e Skodrës kishte si simbol në faqe Zeusin dhe në shpinë një anije ilire. Ajo pritej në emrin e bashkësisë qytetare, prandaj edhe mbante legjendën Eko6qlv(|)v. Si tip, kjo monedhë i ngjan asaj të Dyrrahut me Zeus-trekëmbësh, të cilën ky qytet e vuri në qarkullim aty nga fillimi i shek. III. Me prerjet e para të kësaj monedhe të Dyrrahut, monedha e Skodrës ka të përbashkët jo vetëm simbolin e faqes, por edhe peshën e madhësinë. Kjo ngjashmëri diktohet edhe nga influenca e madhe ekonomike e Dyrrahut dhe nga nevoja e domosdoshme që i del Skodrës, për t'u paraqitur në treg me një monedhë, që të pranohej që në shikimin e parë nga populli i thjeshtë dhe pastaj t'i kundërvihej monedhës së ngjashme të Dyrrahut të fuqishëm. Skodra duhet ta ketë filluar prerjen e monedhës së saj diçka më parë se mesi i shek. III, mbasi Dyrrahu kishte nxjerrë monedhën e përmendur me Zeus-trekëmbësh.
Bylisi përkundrazi, tregohet i pavarur në prerjet monetare të fqinjëve të vet, Apollonisë, Amantias dhe Epirit. Gjatë gjysmës së parë të shek. III ai hedh në treg dy monedha në emër të bashkësisë qytetare me legjendën BvAAiovcf>v, duke u dhënë këtyre monedhave si simbol të faqes fytyrën e Neoptolemit, heroit me të cilin, sipas mitologjisë, qyteti lidhte themelimin e vet. Në shpinë, njëra prej tyre kishte një armë lufte, mëzdrakun, kurse tjetra, që përfaqëson gjysmëvlerën e së parës, është zbukuruar me simbolin e rrufesë. Që të dyja këto monedha nuk kanë ngjashmëri as në simbole, as në masë e peshë me monedhat bashkëkohëse të Apollonisë, Amantias apo Epirit. Fuqizimi ekonomik që kishte arritur në këtë kohë Bylisi, i lejon, siç duket, të dalë me monedhën e vet dhe të zhvillojë një politikë monetare të tillë, me anën e së cilës t'u kundërvihet haptas fqinjëve e të luftojë për të krijuar tregun e vet.
Procesi i kthimit të disa qendrave të fortifikuara të periudhës së parë të hekurit në qytete nuk përfshin dhe as që mund të përfshinte të gjitha këto qendra. Midis tyre u veçuan dhe u kthyen në qy tete vetëm ato që kishin kushte të mira ekonomike dhe një pozitë gjeografike të përshtatshme për një zhvillim më të lartë. Pjesa tjetër, më e madhja e tyre, ruajti pamjen e dikurshme me një jetë ekonomike të kufizuar. Nevojat e mbrojtjes dhe të tregtisë bënë nga ana tjetër që krahas këtyre qendrave të lindnin pranë rrugëve të komunikacionit ose rreth qyteteve edhe një varg vendbanimesh të vogla, të fortifikuara ose pika vrojtimi. Të tilla mund të konsiderohen kalaja e Xibrit në Mat, e cila zinte një pikë kyçe në rrugën që të çonte prej Dyrrahut në krahinat e brendshme lindore, nëpër Shkallë të Tujanit-Qafë-Murriz-Dibër-Maqedoni; qyteza e Shkamit në rrugën e Krrabës, kulla e Kamunaut në Sulovë në rrugën që lidhte ultësirën bregdetare pas Apollonisë me luginën e Devollit, pikëvrojtimi i Rabijes në Mallakastër në rrugën që ndjek krahun e djathtc të Vjosës e të tjera si këto, që i gjejmë pa përjashtim në të gjitha rrugët e dorës së dytë që përshkojnë truallin e vendit tonë. Tek autorët antikë që përshkruajnë ngjarjet e çerekut të fundit të shek. III dhe ato të pjesës së parë të shek. II si dhe në të dhënat epigrafike, këto qendra përmenden si kështjella apo fortesa rreth qyteteve me termat "casteilum", "acris" apo tieqino Aia- Ato janë në funksion të qyteteve qoftë nga pikëpamja strategjike dhe administrative, qoftë nga ajo ekonomike. E para duket në vendosjen e tyre pranë qafave ose rrugëve që të çojnë drejt qytetit, duke krijuar një kurorë fortifikimesh gjeografike ku qyteti dominon ekonominë e vet. E dyta shprehet në faktin se ato më tepër konsumojnë prodhimet e qytetit, sesa prodhojnë vetë.
Burimet thuajse nuk na e ndriçojnë strukturën shoqërore dhe organizimin politik të qytetit ilir. Megjithatë, nuk është vështirë të kuptohet se një bazë ekonomike e tillë si ajo që u krijua në Iliri, në kohën e lulëzimit të jetës qytetare, i takon një shoqërie të zhvilluar skllavopronare me të gjitha tiparet që ajo njihet edhe në krahinat periferike të botës greke.
Duke qenë qytetet qendra ekonomike, një vend me rëndësi në popullsinë e tyre zinte shtresa e prodhuesve zejtarë dhe mjeshtërve ndërtues, të cilët mund të ishin qytetarë të lirë apo edhe skllevër. Të fundit na dëshmohen në qytetet ilire vetëm në burimet që lidhen me ngjarjet e mbarimit të shek. III dhe ato të fillimit të shek. II p.Kr., por nuk ka dyshim se në këtë kohë ata nuk janë një dukuri e re, ashtu siç nuk janë dhe vetë qytetet që përmenden. Shtresën tjetër të popullsisë e përbënin pronarët e punishteve zejtare, tregtarët dhe në qytetet bregdetare, detarët. Krahas tyre, në qytetet ilire jetonin me sa duket edhe përfaqësues të aristokracisë së vjetër fisnore. Si e tillë, popullsia e qyteteve ilire paraqitej e diferencuar në shtresa shoqërore me interesa të kundërta.
Nga pikëpamja e organizimit politik, qyteti së bashku me rrethin fshatar dhe kështjellat, që formonin sistemin e tij mbrojtës apo u shërbenin nevojave të tregtisë, përbënte, me sa duket, një njësi administrative në Shtetin Ilir. Qyteti ishte qendra e kësaj njësie. Emetimi i monedhave nga Skodra dhe Bylisi, në emër të bashkësisë qy tetare, dëshmon jo vetëm për forcën ekonomike të këtyre qyteteve, por edhe për autonomi politike, që ata gëzonin në kuadrin e Shtetit Ilir. Simbolet e monedhave të tyre hedhin dritë, mbase, edhe mbi karakterin e pushtetit politik në këta qytete. Pasqyrimi i anijes në monedhat e Skodrës ka mundësi të bëjë aluzion për tregtinë detare që zhvillonte qyteti dhe të jetë në këtë mënyrë, një e dhënë indirekte për sundimin e shtresës tregtare në qytet. Në Bylis, përkundrazi, përdoret si simbol fytyra e themeluesit të qytetit, duke theksuar me këtë traditën me të cilën lidhet kryesisht shtresa aristokratike e qytetit. Pak më i qartë na bëhet ky problem, në burimet që trajtojnë historinë e Shtetit Ilir në periudhën midis viteve 230-168 p.Kr. Për herë të parë dëgjojmë që në krye të qyteteve qëndronin dinastë të vegjël, të cilët i nënshtroheshin plotësisht pushtetit të mbretit. Një mbishkrim i Klosit dëshmon, nga ana tjetër, se në disa qytete të jugut administrata e qytetit ishte ndërtuar sipas shembullit të qyteteve greke.
Pas vitit 230 p.Kr. fillon rënia e qytetit ilir. Luftërat e pandërprera me Romën tronditën thellë jetën politike dhe ekonomike të Ilirisë. Gjatë kësaj kohe nuk kishte asnjë kusht që të favorizonte përparimin. Në jetën e qyteteve ilire nuk vërehet asgjë e re nga pikëpamja cilësore, përveç plagëve të shkaktuara nga këto luftëra. Okupacioni romak e ndërpreu zhvillimin e pavarur të jetës qytetare në Iliri, ashtu sikurse ndërpreu dhe jetën e pavarur shtetërore të ilirëve.
Ky zhvillim që mori jeta qytetare në këtë kohë, formonte bazën ekonomike e politike të Shtetit Ilir gjatë sundimit të dinastive të Bardhylit dhe Glaukisë. Vetëm mbi këtë bazë mbretëria ilire e mëpastajme e kohës së Agronit mundi të merrte ato përpjesëtime që te Polibi janë formuluar me frazën e njohur: "Agroni, mbreti i ilirëve dhe i biri i Pleuratit kishte një fuqi detare e tokësore shmnë më të madhe se ajo që kishin pasur mbretërit e mëparshëm të Ilirisë".
Të gjitha të dhënat na çojnë te mendimi se procesi i lindjes së formimit të Shtetit Ilir krijohet gjatë shek. IV. Në kushtet e Ilirisë ky proces ecën paralel dhe përkon me lindjen dhe zhvillimin e qytetit dhe të jetës qytetare, madje krijohet mbi këtë bazë.
Një rol të madh në përparimin e jetës qytetare në Iliri kanë luajtur edhe dy kolonitë greke të bregdetit ilir, Dyrrahu dhe Apollonia, sidomos qysh nga shek. IV, kur ato u përfshinë në gjirin e Shtetit Ilir. Pas kësaj, vihen re lidhje më të ngushta të tyre më botën ilire, sepse tregtisë iu hapën rrugë më të drejtpërdrejtë për shkëmbime të ndërsjella. Treguesi më i mirë i kësaj është depërtimi i prodhimeve të zejtarisë së zhvilluar të Dyrrahut e Apollonisë deri në skajet më të thella të tokës ilire. Përveç kësaj, në Iliri hynë përmes këtyre dy qyteteve edhe mallrat e importit grek, midis të cilave zënë vend me peshë edhe ato mallra që vijnë nga brigjet italike.
Dyrrahu dhe Apollonia hedhin tani në treg edhe monedha të reja argjendi. Ndër to, përhapje më të gjerë mori drahma e argjendtë e këtyre dy qyteteve, e cila qe destinuar kryesisht për tregtinë me botën ilire, prandaj edhe me të drejtë është pagëzuar "drahma ilire". Ndërkaq, këto qytete fillojnë të presin edhe monedha bronzi.
Vënia në qarkullim dhe pranimi në masë, siç tregojnë gjetjet, i këtyre monedhave me vlerë shumë herë më të vogël se monedhat e argjendit tregon se ekonomia monetare kishte hyrë në një shkallë të gjerë në Iliri.
Gjatë kësaj kohe Dyrrahu dhe Apollonia jetojnë një periudhë të vërtetë lulëzimi. Ndërtimet më të rëndësishme dhe më monumentale në këto qytete i përkasin periudhës pas mesit të shek. IV. Forcimi ekonomik dhe pasurimi nga tregtia me botën ilire u lejuan të zgjerojnë qytetet e tyre dhe të ndërtojnë mure mbrojtëse më të fuqishme, që rrethojnë sipërfaqe më të mëdha nga ato që njihnin më parë, të ngrenë tregje e sheshe publike, shëtitore, tempuj, teatro, gjimnaze e godina të mëdha administrative.
Një fenomen i ri fillon të përshkojë dhe të ndryshojë në një drejtim të caktuar jetën shoqërore të këtyre qyteteve dhe përbërjen e mëparshme etnike të tyre. Emrat ilirë që janë gjetur mbi gurët e varreve të zbuluara në nekropolin e Dyrrahut, përbëjnë një dëshmi shumë të rëndësishme për praninë në masë të popullsisë ilire në këtë qytet.
Ndërkaq, emrat ilirë të prytanëve dhe të nëpunësve monetarë, që figurojnë ndër monedhat prej argjendi e bronzi si dhe emrat në vulat e tjegullave të Dyrrahut e Apollonisë, tregojnë se popullsia ilire kishte një peshë jo pa rëndësi në jetën ekonomike e politike të këtyre qyteteve. Midis emrave të shumtë të magjistratëve ilirë përmendim këtu nga Dyrrahu: Boiken, Genthios, Dazios, Daalkidas, Eortaios, Monunios, Tritos, Skyrthanas, Baton, Epikados, Preurados, etj.
Kështu qysh nga fundi i shek. IV p.Kr. Dyrrahu dhe Apollonia humbasin karakterin klasik të statusit të një kolonie greke, sepse popullsia e tyre përbëhej tani në një masë të konsiderueshme edhe nga ilirë. Procesi i ilirizimit të këtyre qyteteve ushtroi një ndikim të thellë në gjithë jetën social-politike e kulturore të Ilirisë në shekujt që pasuan. Rezultat imediat i këtij procesi qe shkëputja e Dyrrahut dhe Apollonisë nga qytetet mëmë dhe integrimi i tyre në jetën politike dhe ekonomike të Shtetit Ilir. Interesat reciproke e favorizonin këtë integrim: mbreti dhe klasa sunduese ilire lakmonin fuqinë ekonomike të këtyre qyteteve të mëdha, kurse skllavopronarët e Dyrrahut dhe Apollonisë, pushtetin e fuqishëm të sundimtarëve ilirë mbi një krahinë shumë më të gjerë sesa territoret e ngushta të këtyre qytet-shteteve, me pasuri dhe treg të gjerë. Rezultati u arrit, siç e pamë, nëpërmjet një lufte të ashpër politike, mjaft të ndërlikuar, ku u përzien edhe fuqi të jashtme, por ai u arrit si një domosdoshmëri e kushteve objektive të kohës.
Duke trajtuar problemin e urbanizimit të Ilirisë në një punim të mëparshëm kam shprehur mendimin se ky proces njohu tre periudha të rëndësishme:
Ky periodizim duket se po gjen mbështetje të mëtejshme edhe në të dhënat e reja arkeologjike. Megjithatë, ndonjë çështje është vënë në diskutim, ndërsa të tjera kanë nevojë të shqyrtohen më me vëmendje e të saktësohen.
Është shprehur mendimi se fillimet e jetës urbane në Iliri duhen kërkuar më përpara se fundi i shek. V, diku aty nga çereku i parë i këtij shekulli, ose të paktën në mesin e tij. Kjo pikëpamje, e dla i referohet njoftimit të Hekateut për Sesarethin dhe sidomos atij të Pausanias për Thronin, edhe pse duket me interes, mendojmë se ka nevojë për f u mbështetur në argumente më të besueshme. Po forcohet gjithnjë e më shumë mendimi se njoftimi i Hekateut nuk mund të merret si i sigurt, sepse ai nuk gjen mbështetje në të dhënat arkeologjike. Ka të ngjarë që i njëjti fat fi jetë rezervuar edhe njoftimit të Pausanias, i cili nuk ka gjetur deri tani një konkretizim arkeologjik. Besoj se në të dy rastet kemi të bëjmë me një përdorim jo të drejtë të emrit polis ose me përdorimin e tij në kuptimin që i jepnin grekët Akropolit apo, në përgjithësi, qendrave të fortifikuara. Në këtë kuptim poliseve të Hekateut dhe Pausanias do f i përgjigjeshin më mirë vendbanimet e fortifikuara të njohura në vendin tonë si të tipit Gajtan.
Duke përshkruar Gajtanin kemi vënë në dukje se ky vendbanim, i vendosur mbi një kodër zotëruese ndaj mjedisit që e rrethon, zinte një sipërfaqe prej 4-5 ha. Ai ishte i mbrojtur nga një mur i fuqishëm, i gjerë 3.50 m e i formuar nga dy parete blloqesh të mëdhenj të palatuar ose pak të latuar, lidhur në të thatë dhe
mbushur në mes me gurë të vegjël e mesatarë. Të dhënat e përfituara nga gërmimet kanë treguar se vendbanimi i Gajtanit kishte lindur aty nga fundi i epokës së bronzit - fillimi i asaj të hekurit dhe ekzistoi si i tillë deri në kohën e vonë antike. I mbështetur në një ekonomi bujqësore-blegtorale, që ia siguronin fusha pjellore dhe kullotat përreth, ky vendbanim zhvilloi gjatë periudhës së parë të hekurit (shek. XII - V p.Kr.), siç dëshmojnë furrat e qeramikës dhe zgjyrat e metaleve, që janë zbuluar, edhe një veprimtari të kufizuar zejtare. Në këtë kohë banorët e Gajtanit rrethuan vendbanimin e tyre me mure që përshkruam më lart. Megjithatë, tërësia e të dhënave tregon, siç e kemi vënë në dukje edhe më parë, se Gajtani përfaqësonte në këtë kohë një qendër të fortifikuar fisnore, por ende jo një qytet.
Në këto vitet e fundit janë zbuluar në Shqipëri vendbanime të reja të tipit Gajtan dhe numri i tyre kalon të njëzetepestat. Midis tyre dallojmë të tilla që kanë shërbyer thjesht si vendstrehime dhe që zënë një sipërfaqe të kufizuar, siç është rasti i Trenit e Ventrokut në rrethin e Korçës, apo i Ganjollës në afërsi të vetë Gajtanit, por edhe vendbanime të gjera, të cilat në disa raste dallohen se janë të mbrojtura prej dy e më shumë muresh rrethuese. Sidoqoftë, këto vendbanime nuk duhen krahasuar me "gradinat" e krahinave qendrore apo veriore ilire, të cilat si nga madhësia ashtu edhe nga shkalla e zhvillimit të tyre, janë më modeste.
Eshtë bërë përpjekja për të dalluar dy faza evolutive në ngritjen e vendbanimeve në fjalë: fazën tren dhe atë Gajtan. Si karakteristika të vendbanimeve të fazës së parë merren vendosja e tyre në kodra të ulëta, sipërfaqja e ngushtë dhe fortifikimi i dobët me mure të ulëta. Këtu futen Treni, Ventroku e Ganjolla, të cilat cilësohen si vendstrehime dhe datohen në fazën kalimtare nga bronzi në hekur. Për vendbanimet e fazës së dytë (Gajtan) merren si veçanti pozicioni më i ngritur strategjik, muret rrethuese me një teknikë më të përparuar, territori disa herë më i madh, që shërben si banim dhe në rast rreziku, si strehim për popullsinë përreth. Këtu futen Gajtani, Shkodra, Marshej, Lisi I e II, Zgërdheshi I, Dorsi I e II, të cilat datohen në shek. VIII-V dhe lidhen me periudhën e formimit të federatave fisnore ilire.
Këto karakteristika, edhe pse në ndonjë rast mund të jenë të vlefshme, nuk janë të mjaftueshme për të bërë një diferencim kronologjik midis dy fazave të pretenduara. Me sa e njohim sistemin e fortifikimit të këtyre qendrave, na duket se
ai nuk na lejon të bëhen dallime të qarta tipologjike dhe aq më pak është e mundur të vendoset një lidhje midis tipave të supozuara dhe të dhënave strategjike të vërtetuara nga gërmimet në Gajtan e Tren.
Nuk mund ta ndjekim këtë proces as në ato qendra ku dihet me siguri se kanë shërbyer si bazë për zhvillimin e jetës urbane, siç është rasti i Shkodrës, Lisit, Zgërdheshit, etj. Shtresa kulturore paraurbane në Zgërdhesh si dhe fragmentet e qeramikës protohistorike që janë zbuluar në Lis apo Shkodër, janë aq të varfra saqë nuk na lejojnë ende të ndjekim evolucionin e akropoleve të këtyre qendrave dhe as të parafytyrojmë qartë fizionominë e tyre në prag të kthimit në qytete, gjë që do të na interesonte në radhë të parë.
Në këto rrethana, na duket e vështirë të vendosim një kronologji të detajuar të këtyre vendbanimeve. Gjendja e sotme e kërkimeve, kur nuk kemi veçse pak qendra të gërmuara, na detyron të kënaqemi me konstatimin e përgjithshëm që i konsideron vendbanimet e tipit Gajtan si karakteristike për periudhën e parë të hekurit dhe që disa prej tyre bëhen bazë e qyteteve të ardhshme. Në shekujt VI - V këto lloj vendbanimesh përfaqësonin në kushtet e Ilirisë, me sa duket, atë që Hekateu quan polis.
Në këto rrethana, na duket e vështirë të vendosim një kronologji të detajuar të këtyre vendbanimeve. Gjendja e sotme e kërkimeve, kur nuk kemi veçse pak qendra të gërmuara, na detyron të kënaqemi me konstatimin e përgjithshëm që i konsideron vendbanimet e tipit Gajtan si karakteristike për periudhën e parë të hekurit dhe që disa prej tyre bëhen bazë e qyteteve të ardhshme. Në shekujt VI - V këto lloj vendbanimesh përfaqësonin në kushtet e Ilirisë, me sa duket, atë që Hekateu quan polis.
Duke përdorur termin "poligonal" është e nevojshme të vëmë në dukje se kemi lënë në një anë termat e tjera që ndeshen në literaturën arkeologjike për këtë tip murature, si të tilla që nuk kanë një vlerë reale. Klasifikimi stilistik i R. Skrantonit, që dallon, krahas stilit poligonal, një stil trapezoidal të veçantë, me ndarje të hollësishme si poligonal i rregullt e i rreshtuar apo trapezoidal i parregullt, izodomik e pseudoizodomik, nuk gjen zbatim praktik në kushtet e Ilirisë dhe si i tillë nuk paraqet interes për sa i përket përcaktimit kronologjik. Nuk u ka shpëtuar hollësive të panevojshme edhe G. Luli. Termat "Scheinpoligonale" "pseudo-poligonale" dhe "poligonal- trapezoidal" që i ndeshim në literaturën arkeologjike, janë, sipas mendimit tonë, gjithashtu të papërshtatshme.
Duke përdorur termin "poligonal" është e nevojshme të vëmë në dukje se kemi lënë në një anë termat e tjera që ndeshen në literaturën arkeologjike për këtë tip murature, si të tilla që nuk kanë një vlerë reale. Klasifikimi stilistik i R. Skrantonit, që dallon, krahas stilit poligonal, një stil trapezoidal të veçantë, me ndarje të hollësishme si poligonal i rregullt e i rreshtuar apo trapezoidal i parregullt, izodomik e pseudoizodomik, nuk gjen zbatim praktik në kushtet e Ilirisë dhe si i tillë nuk paraqet interes për sa i përket përcaktimit kronologjik. Nuk u ka shpëtuar hollësive të panevojshme edhe G. Luli. Termat "Scheinpoligonale" "pseudo-poligonale" dhe "poligonal- trapezoidal" që i ndeshim në literaturën arkeologjike, janë, sipas mendimit tonë, gjithashtu të papërshtatshme.
Nuk rezulton të kenë vlerë reale për kronologjinë edhe ndryshimet që vërehen në shkallën e përpunimit të blloqeve brenda të njëjtit stil. I tillë është rasti i Xibrit, muret poligonale të cilit kanë një pamje shumë më primitive se ato të Lisit, megjithëse të dy qendrat, siç kanë treguar të dhënat stratigrafike, janë bashkëkohëse. Këtu kanë ndikuar pa dyshim, mundësitë teknike e materiale që kanë pasur këto dy qendra, të ndryshme për nga madhësia e funksionit për realizimin e ndërtimit.
Ndryshime thelbësore dhe një evolucion i brendshëm mund të vihen re, përkundrazi, në tërësinë e sistemit të fortifikimit të qyteteve të fortifikuara me mure poligonale. Më poshtë do të mundohem të ilustroj mendimin tim, duke marrë në shqyrtim qytetet e këtij tipi, që kam mundur të studioj në territorin e Shqipërisë dhe gjatë bregdetit Adriatik të Jugosllavisë deri në Naretva.
Në këtë territor ata rezultojnë të grupuar në këtë mënyrë:
Grupin e parë, duke filluar nga jugu, e përbëjnë qytetet e bregut Jon: Buthrotos, Foinike, Çuka e Aetojt, Ripës, Selo, Borsh e Himarë;
Grupi i dytë është ai i Luginës së Vjosës me Amantian, Klosin e Metohasanajn;
Grupin e tretë e formojnë qytetet e bregdetit Adriatik midis lumenjve Mat e Naretva-Lissos, Skodra, Meteon, Ulkinion, Rhizon e Osanic. Këtyre u duhen shtuar dhe dy kështjella nga Shqipëria e Mesme: Xibri, në Mat dhe Shkambi i Shënlliut, në Kërrabë, të cilat megjithëse gjenden në jug të kufirit të caktuar gjeografik, menduam të mos i ndajmë në grup më vete.
Ky grupim, i cili në vështrim të parë duket të ketë karakter thjesht gjeografik, merr parasysh edhe faktorin historik, sepse fqinjësia apo ngjarjet politike kanë luajtur, sipas rastit, rolin e vet.
Sidoqoftë, do të shqyrtojmë sistemin e fortifikimit të këtyre grupeve më parë nga pikëpamja tipologjike për të parë se ç'mund të nxirret nga kjo për kronologjinë.
Midis tyre dallojmë dy tipa fortifikimi:
Tipi i dytë është i lidhur me grupin e tretë (verior) dhe është i përfaqësuar, mund të themi në këtë mënyrë, nga Lisi III, por edhe nga Xibri, Meteoni, Osanici. Qendrat e tjera janë më pak të ruajtura e më pak të studiuara. Në jug me këtë tip lidhen vetëm dy kështjella: Matohasanaj e Selo.
Siç mund të shihet, tipi i dytë paraqitet më i evoluar se ai i pari dhe të kujton nga të gjitha pikëpamjet një fortifikim të zhvilluar të kohës helenistike.
Ky raport, që vërehet nga pikëpamja tipologjike dhe që lejon të vendoset një kronologji relative midis dy tipave, gjen mbështetje edhe në të dhënat stratigrafike. Gërmimet më të reja në Klos kanë nxjerrë në dritë një shtresë kulturore, megjithëse të varfër, që përmban, krahas qeramikës lokale të tipit të devollit, edhe disa fragmente qeramike të importuar korintike, jonike e atike, që i përkasin fundit të shek. VI dhe shek. V. Kjo tablo na përsëritet dhe në Belsh (vendbanim i hapur prehistorik në afërsi të Elbasanit), në Berat dhe në Mavrovë (në afërsi të Amantias). Vetë Amantia ka dhënë gjithashtu, midis gjetjeve të rastit, figura terakote të tipit arkaik e fragmente qeramike të shek. V. Ndërkaq, shekulli IV është përfaqësuar shumë mirë si në Klos ashtu edhe në Çukë të Aetojt, pa përmendur këtu Butrintin. Megjithatë, është vështirë t'i lidhim fillimet e fortifikimeve tona poligonale të tipit të parë me shtresën më të hershme që na shfaqet në Klos. Elementët e arkitekturës së banimit, që gjenden në këtë shtresë në Berat, (copa muresh balte me gjurmët e thuprave të kasolleve) dëshmojnë më tepër për një qendër paraurbane, të cilën nuk mund ta parafytyrojmë më tepër se kaq. Në këto rrethana, data që fitojmë nga këto të dhëna (fundi i shek. Vl-shek. V), do të na shërbente vetëm si një terminus post quem për fortifikimet e tipit të parë.
Fortifikimet e tipit të dytë nuk na kanë dhënë, nga ana tjetër, në asnjë rast, as në Lis dhe as në Xibër ku janë bërë gërmime, materiale më të hershme se çereku i fundit i shek. VI. Ky kufi që shënon fillimet e tipit të dytë, shërben në të njëjtën kohë si një terminus ante quem për tipin e parë.
Tipi ynë i dytë i përgjigjet plotësisht atij që Garasanin e quan tip "Moenia Aeacia".Duke u nisur nga të dhënat historike, ai e vendos formimin e këtyre qyteteve midis gjysmës së dytë të shek. IV dhe gjysmës së dytë të shek. III p.Kr. Krijimin e tyre e lidh me veprimtarinë e Pirros ose (me rezervë) me një periudhë më të lashtë, me aktivitetin e Filipit II. Të dhënat arkeologjike nga Lisi, Xibri dhe Osanici japin mundësinë për ta kufizuar këtë datim brenda caqeve më të ngushta dhe për ta vendosur më me saktësi midis çerekut të fundit të shek. IV dhe dhjetëvjeçarëve të parë të shek. III. Mendoj se duhet hequr dorë prandaj nga mendimi, qoftë ky dhe hipotetik, për të lidhur krijimin e këtyre qyteteve apo të çfarëdo qyteti, nga Filipi II, në hapësirën që shtrihet në perëndim të liqenit Lyhnid, sepse dihet mirë nga burimet, që mbreti maqedon nuk mundi të shtrihej përtej këtij kufiri dhe nuk arriti kurrë, siç e thotë shprehimisht Isokrati, në brigjet e Adriatikut. Nuk shoh ndonjë arsye, nga ana tjetër, për të lidhur tipin tonë të dytë të qyteteve me veprimtarinë e Pirros sa kohë që vetë Epiri, siç tregon shembulli i Antigonesë dhe i qendrave të tjera të luginës së Drinos, nuk e preferon në këtë kohë mënyrën e fortifikimit të quajtur "Moenia Aeacia".
Që nga fundi i shek. IV, që shënon fillimin e periudhës së dytë të jetës qytetare në Iliri, atë të zhvillimit më intensiv dhe të lulëzimit të saj, shfaqen qytetet e fortifikuara me mure të stilit kuadratik. Si kohë, këto ndërtime përputhen në fillimet e tyre me ato të tipit të dytë poligonal, por, ndërsa poligonali arrin këtu me ndërtimet e tij më të vona, kuadratiku do të përbëjë karakteristikën e re të kohës gjatë shek. III e më vonë.
Në stilin kuadratik ndërtohen muret rrethuese të qyteteve të reja të mëdha si Antigonea, Bylisi, Antipatrea e Lynhidi dhe të një varg qyteteve të mesme, prej të cilave do të përmendim Melanin, Mavrovën, Kaninën e Margëlliçin në Jug. Irmajn e Prishtinën, në rrjedhat e sipërme të Devollit e Osumit, Persqopin e Zgërdheshin, që përfaqësojnë pikat më veriore të ndërtimeve të këtij lloji, pa u zgjatur në numrin e madh të kështjellave më të vogla. Në stilin e ri bëhen gjithashtu rifortifikime të rëndësishme në qendrat e vjetra (Klos, Amantia, Foinike e Bothrotos). Është për t'u vënë në dukje se në stilin kuadratik realizohet edhe rrethimi i madh i Apollonisë, muret perimetrale të së cilës, me një gjatësi prej 4.500 m, mbyllin një sipërfaqe prej 130 ha.
Sistemi i ri i fortifikimit synon t'u përgjigjet nevojave të mbrojtjes në kushtet e artit të zhvillimit ushtarak të kohës helenistike. Ai dallohet për kulla të dendura katërkëndëshe e gjysmërrethore, me dalje të gjata të krahëve dhe porta të fortifikuara mirë, ndonjëherë me dalje të dyfishtë. Në ndërtimin e mureve vërehet qartë përdorimi i diatoneve dhe i kontarforteve, siç është rasti në Amantia, Presqop, etj. Blloqet me faqe të sheshta janë karakteristike për gjithë ndërtimet e këtij lloji në qendrat më të rëndësishme. Variantet e tjera me rustika apo breza anësore, që na paraqiten në disa raste, u takojnë ndërtimeve më të vona të kësaj periudhe dhe kanë vetëm vlerë kronologjike lokale.
Ndërtimet publike bëhen në këtë kohë, gjithashtu, kryesisht në stilin kuadratik. Të tilla janë, midis të tjerash, teatri i Buthrotit, thesaurosi i Foinikes, stadiumi i Amanties, fontana dhe portikët në Apolloni e Dimal, varret monumentale në Amantie, Selcë e Poshtme, etj.
Përmbajtja e shtresave kulturore në qendrat ku janë bërë gërmime këto vitet e fundit dëshmon për një jetë ekonomike intensive dhe për marrëdhënie të ngushta tregtare me botën italike. Element i rëndësishëm për ekonominë është qeramika apule, e në mënyrë të veçantë, ajo e tipit Gnathia.
Pas vitit 230 p.Kr. fillon rënia e qytetit ilir. Luftërat e pandërprera me Romën, që tronditën thellë jetën ekonomike e politike të vendit, peshuan në mënyrë të veçantë mbi qytetin ilir. Është e vërtetë se gjatë shek. II-I, siç tregojnë të dhënat arkeologjike, ai do të ruajë në disa aspekte të jetës, fizionominë e tij të mëparshme, por kjo gjendje nuk do të shkojë më tej se fillimi e erës sonë, pas së cilës ndikimi romak do të veprojë gjithnjë më me forcë në fatet e tij.
Duke dashur të sjellim kontributin tonë për kronologjinë e qytetit ilir, ne u munduam të trajtojmë këtu disa nga problemet që është bërë e mundur të shtrohen sot mbi bazën e kërkimeve shqiptare, dhe t'u japim atyre përgjigje në masën që e lejojnë rezultatet e këtyre kërkimeve. Studimet e mëtejshme do të sjellin pa dyshim zgjidhje më të sakta e më të plota.
Gërmimet mbi qytetin në Iliri dhe në Epir kanë zënë një vend të rëndësishëm në veprimtarinë e arkeologjisë shqiptare. Për më se tri dekada janë bërë gërmime intensive në qendra kryesore, si Lis, Zgërdhesh (Albanopolis?), Selcë e Poshtme (Pelion), Dimale, Bylis, Amantia, Antigonea, Buthrot e në qendra të tjera të dorës së dytë, të cilat kanë lejuar të hidhet një dritë e re rreth këtij problemi. Botimi i materialeve arkeologjike të zbuluara nga këto gërmime ka bërë të mundur fu jepet përgjigje disa çështjeve themelore që lidhen me gjenezën e qytetit, karakterin dhe etapat kryesore të zhvillimit të tij në këto krahina.
Duke marrë përsipër të flasim sot për qytetin në Iliri dhe në Epirin antik, dëshirojmë të vëmë në dukje që në fillim se kumtesa mbështetet në kërkimet e zhvilluara në territorin e Shqipërisë dhe mbi të dhënat e përftuara nga këto kërkime. Si e tillë, ajo do të jetë e kufizuar brenda këtyre caqeve, pa pretendimin për ta parë problemin në një shtrirje më të gjerë. Kemi bindjen se edhe kështu ajo do të mundë të sjellë një dobi, po të mbajmë parasysh se në territorin e Shqipërisë fenomeni është përfaqësuar mirë për të dy krahinat. Nga ana tjetër, kemi menduar ta kufizojmë shqyrtimin e problemit në disa nga aspektet e tij dhe, përmes tyre, të evidentojmë disa nga analogjitë apo veçantitë që vërehen në dy krahinat në fjalë.
Kemi shprehur mendimin se qyteti në Iliri dhe Epir lindi mbi bazën e vendbanimeve të fortifikuara të kohës së hekurit, të njohura në vendin tonë si të tipit Gajtan (lokalitet në afërsi të Shkodrës). Është fjala për atë tip vendbanimesh, muret mbrojtëse të të cilëve janë ndërtuar me blloqe gurësh të palatuar e me forma të parregullta, të lidhura në të thatë. Për shkak të gjendjes së kufizuar të kërkimeve, ne nuk bënim në atë kohë ndonjë diferencim midis qendrave të njohura prehistorike të kësaj kategorie dhe detyroheshim të kënaqeshim me një vlerësim të përgjithshëm të tyre.
Kërkimet më të reja në këtë fushë kanë lejuar të bëhet një klasifikim tipologjik e kronologjik në përgjithësi i pranueshëm i tyre. Kështu, në një studim të fundit mbi gjenezën e qytetit në Iliri, N. Ceka ka mundur të veçojë prej tërësisë së vendbanimeve prehistorike të njohura në Shqipëri, një grup që e përfshin në kategorinë e qendrave protourbane. Këtë grup vendbanimesh ai e vendos në shek. VI - V p.Kr. dhe e konsideron si përfaqësues të një faze kalimtare protourbane, e cila, nga pikëpamja kronologjike, qëndron midis vendbanimeve të tipit Gajtan, tipike për shoqërinë fisnore dhe qyteteve të mirëfillta që i pasojnë. Në grupin në fjalë përfshin vendbanimin e fortifikuar të Kalivosë në afërsi të Butrintit e të vetë Butrintit I, dhe, duke u ngjitur drejt veriut, Margëlliçin II e Mashkjezën në afërsi të Bylisit, Dorsën II e Zgërdheshin I në afërsi të Tiranës, Akrolisin e Lisin I, etj.
Në këto qendra ai sheh elementë më të përparuar të karakterit urbanistik, që shprehen në trajtimin e sistemit të fortifikimit me forma të rregullta planimetrike, të cilat arrihen nëpërmjet linjave të drejta e kthesave këndore të murit rrethues dhe ndërtimit të tij me blloqe më të përpunuar e të lidhur më me kujdes sesa në fortifikimet pararendëse. Karakteristikë tjetër esenciale e këtij fortifikimi është mungesa e kullave, ndërsa portat janë ballore dhe përshkojnë me korridorin e tyre gjerësinë e murit. Në jetën ekonomike vëren një zgjerim të prodhimit zejtar si pasojë e inovacioneve teknike (futja e çarkut në prodhimin e qeramikës, etj.) dhe një intensifikim të marrëdhënieve të këmbimit me botën greke, që dëshmohet nga prania e gjerë e qeramikës së importit jonik në shek. VII dhe atij korintik e atik në shek. VI - V p.Kr., për t'u pasuar pastaj, nga prodhimet e kolonive greke në Dyrrah, Apoloni e Orik. Ky tip vendbanimi, në të cilin realizohet kalimi nga një shoqëri me struktura të mbyllura fisnore në një urbane, përfaqëson për N. Cekën atë që Hekateu e quan polis në Iliri.
Pikëpamja e re shënon pa dyshim një hap përpara në trajtimin e problemit, por vlerësimi që u bën autori disa qendrave të pellgut të Shkodrës dhe në veçanti Gajtanit, për mendimin tonë, nuk është i saktë. Vihet re, nga ana tjetër, tendenca që disa aspekte të jetës shoqërore mbivlerësohen dhe lidhen me vendosjen në këto qendra të pranuara si protourbane, të marrëdhënieve skllavopronare qysh në shek. VII-V p.Kr. Një mendim i tillë na duket i pabazuar. Vendbanimet e fortifikuara të kësaj kohe nuk njohin ende struktura të tilla ekonomike, shoqërore apo formale urbane, që t'i përgjigjen një qyteti të një faze protourbane, siç kërkon termi i përdorur, dhe si të tilla ato nuk e njohin ende atë stad ku të jenë vendosur marrëdhëniet skllavopronare. Edhe nekropolet tumulare, që janë karakteristike për këtë periudhë, në veri e në jug të Shqipërisë, dëshmojnë për një shoqëri që ruan ende tipare të theksuara të një rendi fisnor, i cili, edhe pse në shthurje të shpejtuar, nuk e ka kapërcyer ende atë prag që e ndan nga jeta qytetare. Kjo etapë do të arrihet në shekujt që pasojnë, gjatë formimit dhe zhvillimit të qyteteve të mirëfillta.
Me interes për rastin tonë është fakti se si në Iliri ashtu edhe në Epir, procesi i lindjes së qytetit dhe i jetës qytetare kryhet mbi bazën e vendbanimeve të fortifikuara të tipit Gajtan-Kalivo. Siç është vërtetuar në rastin e Butrintit, Margëlliçit, Zgërdheshit, Lisit, Skodrës, etj., ai ndjek në të dyja këto krahina të njëjtën rrugë, por me ndryshimin se në jug ai kryhet pak më herët se në veri. Për të qenë më të saktë, shek. V p.Kr., që është marrë si kufi i fundit për fazën paraurbane, ka vlerë kryesisht për Kaninë dhe pellgun e Vjosës. Më në veri, dhe sidomos mbi lumin Mat në pellgun e Shkodrës, ky proces paraqitet më i vonuar dhe zgjat të paktën deri aty nga gjysma e dytë e shek. IV p.Kr.
Qyteti i mirëfilltë në Iliri e në Epir formohet aty nga fundi i shek. V dhe kryesisht gjatë shek. IV p.Kr. Në këtë kohë atë e kemi të dëshmuar qartë si në burimet e shkruara edhe në ato arkeologjike. Në Epir qyteti i kësaj kohe përfaqësohet me Buthrotin II, Foiniken I e Çukën e Aetojt, ndërsa në Iliri me Amantian e Klosin. Nga pikëpamja arkeologjike, gjurmët e tyre mund t'i ndjekim në radhë të parë nëpërmjet sistemit të fortifikimit, që përbën një nga treguesit më kuptimplotë të tyre dhe përfaqëson atë çka i ka rezistuar më mirë kohës. Kur vëmë në dukje këtë moment, kemi parasysh karakterin intensiv të jetës dhe të ndërtimeve që njohën këto qytete në shekujt që pasuan, në mënyrë të veçantë në kohën romake. Në këto rrethana, pak mund të flitet për aspekte të tjera të jetës dhe të fizionomisë së tyre urbanistike.
Këto qytete i gjejmë të vendosura mbi kodra të dalluara, të mbrojtura mirë dhe me një pozitë dominuese për ambientin që i rrethon, gjithnjë në lidhje të ngushtë me burimet ekonomike dhe rrugët natyrore të komunikacionit, vende në përgjithësi të zgjedhura, që u përgjigjeshin në mënyrë të përsosur kërkesave për një zhvillim të begatshëm të jetës. Ato shtrihen tani në sipërfaqe më të mëdha sesa në qendrat e vjetra paraurbane, mbi bazën e të cilave zhvillohen. Në Butrint hapësira e re e qytetit është 5 ha, në raport me 0.7 ha që zinte qendra e vjetër; në Foinike, Amantia e Klos kjo hapësirë rritet me 10- 20 ha. Fortifikimi i tyre bëhet në një nivel të lartë teknik dhe me disa nocione më të përparuara të artit ushtarak. Planimetritë janë të thjeshta dhe me forma spontane, që diktohen nga terreni dhe aftësitë mbrojtëse të tij. Muri që ndjek në përgjithësi linja të drejta, ndërpritet dendur nga kthesa kënddrejta, të cilat japin ndonjëherë pamjen e dhëmbëve të sharrës. Ata janë bërë tani pjesë e sistemit fortifikues, duke kryer si funksione statike, ashtu edhe mbrojtëse; në rastin e fundit ato kryejnë rolin e kullave, të cilat ende nuk i njeh ky tip fortifikimi. Portat janë të thjeshta, kryesisht të tipit tangencial, ndërsa ato ballore janë më të rralla; vetëm në një rast në Butrint ndeshemi me një tip më të zhvilluar, të njohur si tipi "skea".
Muret janë të tipit poligonal, të punuara me një teknikë të lartë dhe nga mjeshtër të kualifikuar. Ata kanë gjerësinë 3.5 m dhe formohen nga dy faqe anësore dhe mbushja; në distanca të caktuara përdoren gurët lidhës; blloqet e faqeve janë të përmasave të mëdha, ndonjëherë tepër të mëdha. Ndërtimit të portave dhe të kthesave u është kushtuar kujdes i veçantë. Këtu janë përdorur blloqe me forma trapezoidale, që lejojnë zgjidhjen e kërkesave të qosheve. Në pjesët e tjera të murit mbizotëron poligonali, në rastet e ruajtura mirë si në Amantia, Klos apo Çuka e Aetojt, paraqitet me bukuri të rrallë.
Nga këto qytete nuk njohim ndërtime të tjera publike apo private, që të lidhen me këtë fazë, megjithatë, duket se jeta e tyre zhvillohet brenda hapësirës së fortifikuar. Me përjashtim të nekropoleve, gjurmë ndërtimesh jashtë kësaj hapësire gjithashtu nuk janë konstatuar. Kështu, nuk mund të flasim ende për një ndarje të brendshme që të veçojë atë që më vonë do të quhet qytet i poshtëm, ndaj një akropoli.
Prej 5 qyteteve që përshkruam, Klosi gjendet në pikën më veriore. Tre prej tyre gjenden në Epir dhe dy në Iliri, por zona e shtrirjes së tyre është ajo e kontaktit midis dy krahinave. Më në veri këtë tip qyteti, tani për tani nuk e ndeshim. Mbetet, kështu, e paqartë se çfarë paraqesin qytetet ilire të shek. VI p.Kr., që përmenden në burimet e shkruara, ku ishin e ç'fizionomi kishin ato qytete të Ilirisë që përmenden në konfliktin midis Bardhylit dhe Filipit II, pa folur këtu për njoftimet më të hershme. Sa kohë që nuk i kemi dhënë përgjigje të kënaqshme kësaj pyetjeje, mbetet të pranojmë se tipi i qyteteve që përshkruam është më tepër epirot dhe si i tillë mendoj se ai duhet konsideruar si një veçanti e kësaj krahine.
Pas mesit të shek. IV dhe sidomos gjatë shek. III p.Kr., procesi i urbanizimit në Iliri dhe në Epir hyn në fazën e tij më të lartë, që karakterizohet nga një zhvillim intensiv i jetës qytetare dhe nga një shtrirje e saj e mëtejshme në drejtim të veriut dhe të krahinave të brendshme, përgjatë luginave të lumenjve kryesorë të vendit. Një vend të veçantë zë në këtë drejtim krahina në veri të lumit Mat, ku marrin jetë qytete të tilla si Lisi e Skodra dhe një varg qendrash të tjera urbane më të vogla si Meteoni, Ulcini, Rhizoni, etj. Ndër qendrat qytetare që lindën në krahinat e brendshme spikasin Antipatrea, Selca e Poshtme dhe më tej, Lynhidi e Uskana. Në jug ky proces shtrihet në luginën e Drinos, ku lind e zhvillohet si qytet kryesor Antigonea, e pasuar nga një varg kështjellash rreth saj.
Ndërkaq, si në Epir ashtu edhe në Iliri, rriten e zhvillohen qytetet e vjetra, duke u shtrirë me ndërtimet e tyre publike e private përtej hapësirës së mbrojtur, herë duke zgjeruar, paralel me këto ndërtime, harkun e mureve rrethues (Foinike, Buthrot) e herë duke i lënë këto ndërtime jashtë fortifikimit (Amantia). Një zgjidhje krejt të veçantë i jep këtij procesi Klosi, i cili e realizon zgjerimin e tij duke i dhënë jetë një qyteti të ri, Bylisit, që ndërtohet në kodrën e afërme mbi qytetin e vjetër, jo më larg se 1.000 m në vijë ajrore prej tij.
Në këtë proces, zhvillimi kryhet edhe diferencimi i qendrave urbane. Formohen kategori të ndryshme qytetesh, midis të cilëve veçohen qytetet e mëdha nga masa e qyteteve sekondare dhe e kështjellave që lindin rreth tyre.
Qytetet e mëdha zënë një pozitë qendrore në krahinën që zotërojnë. Ata shtrihen në sipërfaqe të gjerë që përfshijnë një hapësirë prej 30-40 ha, siç është rasti i Lisit, Bylisit apo Antigonesë dhe janë të mbrojtura nga mure rrethues të fuqishëm. Në ndërtimin e tyre vazhdon të përdoret, si më parë, stili poligonal, por krahas tij hyn në përdorim edhe ai kuadratik. Tërheq vëmendjen se qy tetet e grupit verior (Lisi, Skodra, etj.) preferojnë pa përjashtim stilin poligonal në fortifikimet e tyre. Ai ka të gjitha tiparet e fortifikimeve të grupit jugor më të hershëm, që përfaqësohej nga Butrinti, Çuka e Aetojt, Amantia e Klosi, por paraqitet tani me elementë esencialë më të përparuar, që lidhen me kërkesat e reja të mbrojtjes dhe konceptet e artit ushtarak të kohës helenistike. Këto elemente janë të përfaqësuar më mirë në Lis, sistemi fortifikues i të cilit ka arritur në ditët tona me një ruajtje të shkëlqyer. Ai dallohet për përdorimin e gjerë të kullave, të cilat kanë kryesisht forma katërkëndëshe me krahët e daljes të shkurtër, por ka edhe raste kur ato janë në trajtë gjysmërrethore. Kullat janë të vendosura gjatë murit rrethues në largësi të ndryshme, veçanërisht në pikat më të rrezikuara dhe te portat. Të fundit janë të shumta, kryesore e sekondare, të tipit tangencial, por në variante të ndryshme. Më të zhvilluarat janë të përforcuara në krah nga një ose dy kulla dhe me korridor të thellë. Lisi, nga ana tjetër, ruan një element të traditës siç është përdorimi i kthesave kënddrejta në linjën e murit, që marrin formën e dhëmbëve të sharrës.
Bylisi, Antigonea dhe një varg qytetesh të tjera në Epir dhe Iliri, prej të cilëve pikën më veriore e shënon Zgërdheshi (Albanopoli?) në afërsi të Krujës, preferojnë fortifikimin me muraturë kuadratike. Ai dallohet për kulla të dendura katërkëndëshe e gjysmërrethore, me dalje të gjata krahëve dhe porta të fortifikuara mirë, nganjëherë me dalje të dyfishtë. Në ndërtimin e mureve vërehet qartë përdorimi i diatoneve dhe i kontraforteve. Në këtë stil bëhen gjithashtu rifortifikime të rëndësishme në qytetet e vjetra (Klos, Amantia, Foinike e Buthrotos). Të dy tipat e përshkruar të sistemit të ri të fortifikimit synojnë tu përgjigjen nevojave të mbrojtjes në kushtet e artit të zhvilluar ushtarak të kohës helenistike.
Qytetet e kësaj kohe paraqiten me struktura urbanistike të zhvilluara, që shprehen në ndarjen e Akropolit nga qyteti i poshtëm si dhe në ndërtimin e brendshëm të qytetit, ku, në rastin e Bylisit dhe të Antigonesë, kemi vërtetuar zbatimin e parimeve urbanistike të përparuara të sistemit ortogonal. Bylisi, si një qytet i ndërtuar ex novo, dallohet veç kësaj, për zgjidhjen e goditur urbanistike të agorasë dhe për ndërtimet e veçanta publike rreth saj (teatri, portikët, stadiumi), që përfaqësojnë realizime nga më të mirat e kësaj kategorie në qytetet ilire.
Këtij zhvillimi urbanistik i përgjigjet një lulëzim ekonomik i qyteteve si në Iliri ashtu dhe në Epir. Kategoria e qyteteve kryesore paraqitet me një zejtari të zhvilluar që mbështetet në punishtet lokale të prodhimit të veglave të punës, të armëve, të qeramikës dhe të veprave të artit. Veprimtaria tregtare e tyre mbështetet tani në monedhat autonome që presin, në emër të bashkësisë qytetare, Skodra, Lisi, Bylisi, Amantia, Olympe e Foinike
Eshtë kjo një periudhë që karakterizohet nga një bum urbanistik si në Epir ashtu edhe në Iliri. Ky proces kryhet kryesisht, gjatë gjysmës së parë të shek. III dhe shërben si bazë për gjithë zhvillimin e mëtejshëm të qytetit në këto krahina deri në pushtimin romak. Krijohet kështu një kuadër krejt i ri në krahasim me periudhën pararendëse të shek. IV, ku jeta qy tetare, e mbështetur në konceptet e reja të kohës, merr pamje të përkryer në zhvillimin e saj të plotë.
Eshtë kjo një periudhë që karakterizohet nga një bum urbanistik si në Epir ashtu edhe në Iliri. Ky proces kryhet kryesisht, gjatë gjysmës së parë të shek. III dhe shërben si bazë për gjithë zhvillimin e mëtejshëm të qytetit në këto krahina deri në pushtimin romak. Krijohet kështu një kuadër krejt i ri në krahasim me periudhën pararendëse të shek. IV, ku jeta qy tetare, e mbështetur në konceptet e reja të kohës, merr pamje të përkryer në zhvillimin e saj të plotë.
Tabloja e përgjithshme paraqitet tani thuajse e njëjtë si në Uiri edhe në Epir. Diferencimi që vërehej në zhvillimin e jetës qytetare në periudhën e mëparshme shuhet, për t'i lënë vend një zhvillimi paralel në të dy krahinat, duke pasur sigurisht, ndonjë veçori lokale.
Duke mbyllur kumtesën time, dua të vë në dukje se tema që u mundova të përballoj shtron për zgjidhje probleme të shumta, prej të cilave unë provova t'u jap përgjigje një rrethi të ngushtë të tyre dhe në shumë drejtime, në mënyrë paraprake, gjë që lidhet edhe me nivelin e sotëm të kërkimeve në këtë fushë.