Në Ilirinë e jugut shumë më herët se sa në viset e tjera ilire u bë formimi i organizatave shtetërore. Shtetin më të vjetër të njohur për të cilin flitet në bazë të burimeve të shkruara e formoi fisi enkelej në pikën më jugore të liirisë.
Shënimet më të vjetra për këtë shtet i përkasin më tepër sferës së mitologjisë se sa asaj të historisë. Përmendëm më parë rrëfimin për ardhjen e fenikasit Kadmi dhe gruas së tij Harmonisë midis enkelejve. Siç thotë legjenda në këtë kohë enkelejtë luftonin me ilirët fqinj dhe Kadmi, me urdhërin e profetit, u shkoi në ndihmë. Mbasi i mundën ilirët, enkelejtë zgjodhën Kadmin mbret të tyre.
Si edhe shumë legjenda të tjera, edhe kjo për Kadmin, ka shprehur ngjarjet që kanë ndodhur me të vërtetë. Arkeologët dhe historianët, me kohë, në bazë të shumë fakteve - arkeologjike, historike dhe linguistike - kanë arritur në përfundimin se kanë ekzistuar shkëmbime intensive të vlerave kulturore midis viseve jugore ilire dhe basenit të Egjeut e Lindjes së Aferme dhe se rruga nëpër të cilën është bërë ky shkëmbim është po ajo rruga e lashtë nëpërtë cilën kultura neolite nga baseni i Egjeut depërtoi nga deti Adriatik dhe nëpër të cilën gjithashtu më vonë kaloi Via Egnatia. Nëpër këtë magjistralë parahistorike erdhën nga fundi i epokës së bronzit në Adriatik edhe - sipas autorëve bashkëkohorë - tregtarët nga Fenikia e largët, pra nga atdheu i Kadmit. Si dëshmi materiale të pranisë fenikase te enkelejët dhe te ilirët e jugut në përgjithësi merren sopatat e shumta të bronzit, të ashtuquajturat tip shqiptare - dalmatinase (ose shkodrane), të cilat në mënyrë tipologjike mund të lidhen vetëm me sopatat e ngjashme nga Lindja e Aferme.67 Si reminisencë lidhur me praninë e fenikasve në Ilirinë e jugut disa autorë mbajnë edhe emrin e qytetit të Epirit verior Foinike (Foenice) në Shqipërinë e sotme.68
Me siguri nuk është e rastit që legjenda për Kadmin lidhet me enkelejt. Prej fakteve të pakta me të cilat disponojmë është e qartë se ky fis një kohë ka mbizotëruar në vise të gjera të Ilirisë së Jugut, se ka zhvilluar luftime edhe me fqinjtë helenë, prandaj tradita helenase, të cilën etransmeton Herodoti, ushtrisë së tyre dhe asaj ilire i mvishet sulmi në tempullin e Delfit. Nuk ka dyshim se Ilirët e Jugut, e në radhë të parë enkelejt, kanë luftuar shpeshherë me helenët verior dhe se shënimi të cilin na e ka lënë Herodoti është vetëm një hollësi nga luftimet shumëshekullore të këtyre dy popujve. Edhe një shënim i ruajtur për këto luftime që katë bëjë me sulmin e enkelejve në Tebë vërteton se ky fis u ka shkaktuar shumë brenga helenëve veriorë.
Kulmin e fuqisë enkelejt e arrijnë diku në shekullin VIII - VII para e.r. Qysh në shekullin VI para e.r. fuqia e tyre bie, kurse shteti i tyre zhduket nga skena historike vetëm në shekullin IV para e.r.