Simbole vendëse ilire te shqiptarët e Maqedonisë
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Simbole vendëse ilire te shqiptarët e Maqedonisë

~Edibe Selimi-Osmani

Fjala art do të thotë mjeshtëri, afërsi zotëruese e hollë për një gjë. Edhe tatuazh-i është vizatim shkronjash, shenjash, lulesh a figurash që bëhen në lëkurë duke e prerë ose duke e shpuar këtë dhe duke e ngjyrosur vendin me ndonjë lëndë1.

Në këtë punim do të bëjmë fjalë për një lloj forme të lehtë të tatuazhit që nuk ka të bëjë me prerjen apo shpimin a dëmtimin e lëkurës, por zbukurimin-vizatimin që bëhet mbi lëkurë duke e kënadisur, me ndihmën e fijeve të shkrepëses e karthisë. Gjatë zbukurimit ndonjëherë përdoret edhe peri prej pambuku i trashë i avlëmendit. Pasuria e madhe e ornamentikës vërehet edhe në viset ku jetojnë shqiptarët këtu në Maqedoni. Me ornamentikë kuptojmë jo vetëm tërësinë e motiveve ornamentale specifike, por dhe mënyrën karakteristike sipas së cilës çdo popull i koncepton dhe i vendos ornamentet e tij në artet e aplikuara popullore. Çdo njohës i kujdesshëm i kulturës popullore që do ta shqyrtonte  me vëmendjen e duhur prodhimtarinë artistike të  popullit tonë, do t’i binte në sy menjëherë pasuria e madhe e ornamentikës2, thotë etnografja e njohur shqiptare Andromaqi Gjergji.Përveç motiveve ornamentale që ndeshim në artin popullor dhe në drugdhendje, gurgdhendje, në poçeri, në disa pjesë të veshjes popullore, ato janë mjaft të dendura dhe të përhapura edhe në vizatimet që bëhen me këna.

Llojet e kënasë

Këna guri - Kjo lloj kënaje përdoret nga vajzat deri në moshën 10-15 vjeçare. Ato duke kullotur bagëtinë ose duke shëtitur në natyrë, ndalen te një shkëmb i përcaktuar me rrënjë me myshk e i kuqërremtë, lagin gurin dhe me ndihmën e një guri më të vogël nxjerrin lëngun e kuqërremtë dhe vizatojnë duart e njëra-tjetrës. Në ndonjë krahinë gjejmë duke vizatuar pjesën e fytyrës. Gjatë ekspeditës vërejmë se ekzistojnë emërtime të ndryshme si: Kona kec, Konë Gjuri, Gurakec. Vizatimet me llojin e kësaj kënaje s’qëndrojnë gjatë, fshihen brenda 24 orëve. Në popull thuhet se gjatë natës vijnë keci dhe i lëpijnë duart, këtu kemi të bëjmë me një mitologji të lashtë shqiptare.
 
Këna sheqeri - Sheqer i djegur mbi një enë metali. Përdoret rrallë për t’i vizatuar vetëm duart. Kënadiset femra në ditët e festave si për Ditë Vere, Shëngjergj e Bajram. Kënaja e sheqerit është përdorur para 50 vjetëve edhe për ngjyrosjen e flokëve. Zbukurimet me këna sheqeri nuk qëndrojnë më shumë se 3-4 ditë, dhe fshihen vetvetiu. Motivet e kësaj kënaje janë të pakta. Dominojnë vija paralele të vendosura  në mënyrë horizontale, vertikale, tufa, vijash zigzage, vija të vendosura në formë kurriz peshku, drejtëza të kryqëzuara në formë kryqi, siç shihet edhe në fotografitë që i  posedojmë. Vërejmë se vizatimet nuk janë precize dhe të përkryera.

Këna has - bojë e kuqërremtë e cila nxirret nga përpunimi i gjetheve të thara të një druri të vogël që rritet në ranishtat e Afrikës e të Gadishullit Arabik3.  Për t’u dhënë formë të bukur duarve, më parë lidhen ata duke i shtrënguar duar dhe këmbët me penj pambuku të avlëmendit. Gjatë të lidhurit kujdes i kushtohet që  penjtë të lidhen në formë rrjeti. Me ndihmën e shkrepëses mbi penj në pjesët e sipërme të duarve dhe këmbëve, mbushen vendet e zbrazëta duke dekoruar edhe motive të tjera në afërsi. Këtë lloj kënaje është vështirë për ta vizatuar. Atë e dekoron gruaja e moshuar me kujdesin më të madh, e cila e krijon vizatimin si vlerë estetike. Me këna has kënadiset edhe vajza para se të shkojë nuse, që quhet konë duman, pasi ajo vihet shpejt e shpejt pa bërë zbukurime në gishtat e duarve. Në vitet 1950-1965 ishte traditë në fshatin Poroj të Tetovës, që ditën e kënasë fisi i burrit t’i sillte vajzës-nuse dyshek e jorgan; ajo flinte në shtratin e burrit, ku besohej se dysheku ishte ai që do t’i ndihmonte asaj këna t’i zëje më mirë, e t’i skuqen duart më shumë. Kënaja është edhe shenjë që  ndahet nga vajzëria. Sipas dekorimit me Këna has, dallohen këto motive: Bajrak  shkurt, Bajrak gjatë, në fshatin Rakovec të Tetovës, kurse në fshatrat e Pollogut dallohet Konë çupe, Me krejma, çupka e tjerë. Vizatimet e duarve dhe të këmbëve me këna has ku vërehen ornamente të stilit gjeometrik që është dekoruar në pjesën e sipërme të duarve dhe të këmbëve. Motivet zakonisht ruajnë distanca të baraslarguara nga njëra-tjetra. Po me këtë lloj kënaje kënadiset gruaja e vdekur. Asaj i vënë këna në pjesën e përparme të flokëve, në majat e gishtave të këmbës e të duarve, pa bërë ndonjë zbukurim. Thuhet se kjo bëhet për sevap.

Motive vendase të ruajtura nga tradita popullore që dominojnë te këna e gurit

Është me interes të theksojmë se dekorimi me këtë këna dallohet nga motivet e tjera të kënasë. Në të dominojnë motive mjaft të lashta të quajtura nga vendaset “ernek  fejri”  (Rakovec, Tetovë), yrnek firi e gjetha, bishta dallëndyjshi (Tanushë, Bogdi, Reka e Epëreme, Gostivar), Jernet me kronde, pejka-pejka, koma pule etj. (Simnicë, Gjonovicë, Gostivar), motive “me dega e me pejka” (Radushë, Shkup), motivi me krohna” (Brodec, Bozovcë, Vicë, Tetovë), ai Lake leçe (Orashë, Tetovë), Bishta zogji, Poroj, Tetovë, Me hajmali e vija, Rrathë e pika (Tanushevcë, Shkup), jernek me lule  (Gostivar). Shumë motive nga Këna e gurit bartin kuptime nga kulte të lashta të popullit tonë si simbolin e diellit, hënës. Pasqyrim elementesh të mjedisit dhe të natyrës si fieri, gjethe, lule etj. Në fotografitë që kemi bërë gjatë ekspeditës, nga ana e vajzave është  vizatuar pjesa e fytyrës ku duken mbi vetulla vija të gjata të stolisura. Janë zbukuruar me pika dy mollëzat e faqeve. Dukshëm vërejmë se ato simbolizojnë diellin në poziconet e tij në botën reale. Në fshatin Tanushevcë të Shkupit, me këna guri janë vizatuar duart e vogëlusheve deri në moshën 13-vjeçare. Motivet rrethore (motivet solar) kanë qenë të lidhura me mite e besime të stërlashta. Por ky kuptim fillestar i tyre ka humbur  me kohë dhe ato kanë mbetur tashmë thjesht si motive dekoracioni. Gjatë ekspeditës së bërë në fshatin Llaskarcë të Shkupit, vajzat beqare me këna guri vizatojnë mbi duar gjysmëhënën, motive flore. Që këto shfaqje të kultit të diellit e të hënës tek ne kanë origjinë të lashtë, kjo s’ka asnjë dyshim. Nga Herodoti na dëshmohet se në luginën e Vjosës mbaheshin në një shpellë një tufë dhensh të njëjta kushtuar diellit. Etnologu M. Tirta thotë se  pikërisht në një vend siç është Malësia e Labërisë, ku kulti i diellit me maja të larta është shumë i dukshëm dhe te shqiptarët. Një element me rëndësi për kultin e diellit është dhe tatuazhi, i cili na dëshmohet pothuajse në gjithë Shqipërinë. Në të mirë të origjinës ilire të kultit të majave të larta na flasin edhe  dëshmitë arkeologjike.

Një mbështetje na jep edhe mis Edith Durham, e cila ka bërë kërkime të posaçme në lidhje me tatuazhin dhe simbolet e vizatuara në Shqipëri. Ajo vëren se shumica që kanë tatuazh në kurrizin e dorës në parakrah, në gjoks, kanë një gjysmëhënë sipër e poshtë tij ose krahët mbarojnë me rrathë të vegjël ashtu si në monedhat bizantine7. Autorja mendon se këtu kemi të bëjmë me kultin e lashtë të diellit ndër ilirët dhe se tatuazhi s’ka të bëjë fare me grekët, as me romakët e as me sllavët që erdhën  më vonë në këto anë. Gjithashtu ky mendim gjen mbështetje te Herodoti, Straboni, Ciceroni e Plutarku, të cilët na bëjnë të ditur se tatuazhi ishte një zakon i japodëve dhe i gjithë fiseve të tjera ilire e trake. Ballafaqimi i motiveve të ndryshme të diellit që na japin dëshmitë etnografike, me ato që na jep arkeologjia dhe autorët antikë, na lejojnë të mendojmë se këtu kemi të bëjmë  me një vazhdimësi të simbolikës së diellit që nga ilirët, në mesjetë e deri në ditët tona, dhe se kjo simbolikë dikur është përdorur në funksionin magjik, mbrojtës fatsjellës. Edhe në foto shihet se mbi duart e vogëlusheve me kujdesin më të madh është  vizatuar forma e amuletës. Këtë formë e hasim në fshatin Radushë të Shkupit. Edhe tek Ilirët amulete e këtij lloji janë shumë të përhapura. Ato kanë trajtën e një disku të thjeshtë pa rreze, pastaj me katër rreze dhe me më shumë rreze, që kemi të bëjmë me kultin e lashtë të diellit ndër ilirët.

Krahasime tipologjike dhe analogji

Origjina e kulturës e kohës më të lashtë të hekurit në Maqedoni edhe problemi etnik janë trajtuar në punimet e disa autorëve. Si për shembull do të cekim nekropolin e Trebenishtit në Maqedoni, që është mjaft i njohur në literaturën arkeologjike.Në lëndën arkeologjike kryesisht në qeramikë, shfaqen disa trajta enësh. Ato në periudhën e hershme të bronzit formojnë fondin e qeramikës ilire, përfshirë këtu  edhe  qeramikën  e pikturuar. Përkatësia ilire e kësaj qeramike vërehet shumë qartë te trajtat tipike të enëve të pikturuara, te motivet gjeometrike të cila përsëriten në enët e zbukuruara me  incizim dhe deri te objektet metalike të zbuluara në kodërvarret e luginës së Matit. Shtrirja e kësaj qeramike përfshin edhe krahinën  fqinje në lindje e në jug të liqeneve edhe të Ohrit e të Prespës, të përfshirë më vonë në shtetin e Maqedonisë. Në nekropolin e Trebenishtes ngjashmëria në teknikën e punimit të enëve është aq e madhe  si të ishin ato prej së njëjtës punishte - thotë në punimin e saj Zhaneta Andrea. Motivet në enë janë gjeometrike dhe linerale, trekëndësha dhe rombe të ngjyrosur ose të mbushur me vija, vija paralele të valëzuara, zigzage, motive në formë tabele shahu, në  formë kryqi dhe krahë trekëndësh brinjënjëshëm etj. Shumë motive të ornamentikës gjeometrike si trekëndëshat, rombi etj. kanë të bëjnë me simbolin e plleshmërisë në përgjithësi. Përveç qeramikës, sa për ilustrim mund të përmendim dhe hallkën e bronzit të shekullit IV p.e.s. Skajet e saj përputhen dhe mbarojnë në formën e unzës të stilizuar me kokë gjarpri, ku duken vija paralele, vija  të lakuara me shumë rrathë koncentrikë. E përafërt me hallkën e Trebenishtit, me të njëjtat tipare është dhe hallka e gjetur në nekropolin e Amantës. Më shumë të dhëna dhe mendime jep S.Anamali. Kurse J. Buzek këto hallka me rrathë koncentrikë, vija zigzage, i vendos në mesin e shekullit VI p.e.s. Po këto vija zigzage dhe rrathë koncentrikë i hasim edhe në stolisjen e duarve dhe këmbëve me këna, që kanë të bëjnë me dekoracione të kohës antike. Prania e këtyre elementeve dëshmon se bartësit e kulturës kanë ruajtur tiparet e kulturës së trungut  ilir dhe i kanë bërë ballë ndikimit të kulturave të tjera fqinje. Citojmë dhe mendimin e Lahtovit mbi kulturën e Trebenishtit, e cila formon grupin  kryesor kultural në Maqedoni. Analiza e materialit, përpunimit tipologjik, studimet linguistike dhe të dhënat burimore, thekson autori, tregojnë se kjo kulturë nuk është as greke as edhe ndonjë përzierje kulture iliro-greke. Ajo është kulturë ilire dhe bartësit e saj janë fise jugore ilire. Edhe gjatë gërmimeve arkeologjike në qytetin e lashtë të Shkupit, janë gjetur objekte që datojnë që nga shekulli i IV p.e.s. Veçuam eksponatin e gjetur në Skupin antik që gjendet në Muzeun e qytetit të Shkupit. Siç shihet edhe nga fotografia e Katalogut, se ky është bri  ashti, inventari nr.323, eksponat zbukurues, i dekoruar me të skalitura. Në të ka vija të shtrembëta dhe paralele, romboide, rrathë me pika dhe rrathë koncentrikë. Motivet  e këtij eksponati kanë të bëjnë me analogjinë e motiveve dekoruese të kënasë në fjalë. Motivet ornamentike që ndeshen  në artin popullor zbulojnë para nesh të dhëna interesante  mbi proceset kulturale historike dhe etnografike që kanë ndodhur gjatë shekujve dhe si të tilla mund të jenë një burim i vlefshëm historik. Gjatë punës së saj shkencore mbi ornamentikën popullore shqiptare, me plotë të drejtë A. Gjergji vëren se çdo njohësi të kujdesshëm të kulturës popullore që do ta shqyrtonte  me vëmendjen e duhur prodhimtarinë artistike të popullit tonë, do t’i binte në sy  menjëherë pasuria e madhe e ornamentikës. Ajo karakterizohet nga një interpretim i  stilizuar dhe gjeometrik i motiveve dekorative të përdorura. Në të mund të dallojmë së  pari vija paralele të vendosura në mënyrë horizontale, vertikale ose oblike, tufa vijash zigzage, të valëzuara në formë X-i ose në formë kryqi, kënde të ndërprerë njëri me tjetrin, fusha të mbushura me vija, të kryqëzuara, që formojnë katrorë ose rombe të vegjël etj.    

Të gjitha këto të dhëna shkencore na lejojnë të shprehim mendimin që motivet e kënasë, që nga fillimi i periudhës së hekurit e deri në ditët tona, janë përcjellë brez pas brezi. Të njëjtat motive ornamentike i hasim në veshjen popullore te përparëset - skutaçet në qilima, jastëk etj. Shumë mënyra dekorimi që përdoreshin gjerësisht në të kaluarën tani janë rralluar ose kanë humbur. Janë pakësuar gjithashtu  kombinimet e dikurshme të stolisjes së duarve dhe të këmbëve. Më rrallë përdoren ato të këmbëve, ku manifestohet ndjenja për të bukurën dhe aftësitë dekoruese të nënave tona.

info@balkancultureheritage.com