Në skajin jugperëndimor të kodrës së Triportit vazhdon për 250 m në drejtim të jugut një gjuhë shkëmbore 3 - 20 m e gjerë. Shkëmbinjtë e gjuhës që ngrihen 0,5 - 1 m mbi nivelin e detit luajnë rolin e një valëthyesi natyral dhe krijojnë një zonë të mbrojtur mirë prej dallgëve. Në pjesën nënujore të shkëmbit, mbi tabanin ranor, ndodhen blloqe drejtkëndëshe prej formacioni ranor. Foletë në pjesën sipërfaqësore të shkëmbit dëshmojnë se gjuha shkëmbore shërbente si bazament për ndërtimin e bankinës. Gjetjet nënujore tregojnë se skela ka qenë në përdorim që në shek. IV p.e.sonë.
E dhëna e Çelebiut (shek. 17) se “në perëndim të fshatit Zvërnec, në një shkëmb në buzë të detit, gjendet kështjella e Jengjeçit, prej së cilës ruhen vetëm rrënojat e mureve dhe një liman shumë i madh... Me gurët e tyre Sulltan Sulejmani ndërtoi Kalanë e Vlorës” vërtetohet nga gjetja e blloqeve identike me ata të Triportit në Kalanë e Vlorës.
Si të tillë blloqet e skelës, bashkë me ato të murit rrethues, janë çmontuar dhe transportuar lehtë me anije për ndërtimin e Kalasë buzëdetare të Vlorës.