Sporti dhe Stadiumet
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Sporti dhe Stadiumet

Përgatitja fizike si synim teotik për përsosjen morale dhe fizike dhe synim praktik për përgatitjen e luftëtarëve të shkathët, fillimisht dëshmohet në qytetet-koloni nëpërmjet institucionit të efebit, djemve mbi 18 vjeç, të cilët për marrjen e të drejtave të plota qytetare duhet të kryenin stërvitjen dhe shërbimin dyvjeçar. Poliedrizmin e kësaj përgatitjeje e dëshmon relievi arkaik (shek. VI p.e.s.) nga Epidamni (Durrësi), ku paraqiten pajimet kryesore të efebit: arribali, vazoja e vajit për lyerjen para mundjes, strigila- spatula për heqjen e llumit pas stërvitjes në palestër dhe diptyhu, tabela e palosshme me dyllë për mësimet në gjimnaz. Më tej, krahas qyteteve-koloni (apoikid), ky institucion dëshmohet nga prania e peripolarkut, komandantit të efebëve territorialë, në rrethinat e Apollonisë, Rabije (Ballsh) dhe Rizon.

Marrja pjesë në Lojërat Olimpike të qyteteve koloni dëshmohet mjaft herët: Në veriperëndim të stadiumit të Olimpit, ndodhet një tarracë e gjatë dhe e ngushtë, ku vargëzohen një sërë thesaurosesh, tempujsh të vegjël ku vendoseshin blatimet e pjesëmarrësve në garat olimpike. Sipas Pausanias, thesaurosi i tretë dhe i katërt ishin të Epidamnit/Durrësit (Paus. 2. 19. 8).

Prej tyre sot ruhet vetëm njeri, i tipit distil me ante (6,5 x 10 m). Thesaurosi, ndahet në parakthinën me ballin e hijeshuar nga dy kolonat mes anteve dhe kthinën ku vendoseshin blatimet. Datimi i thesaurosit në harkun kohor 560-mesi shek. V p.e.s. dëshmon pjesëmarrjen e rregullt të Epidamnit që në garat e hershme olimpike.

Në përshkrimin e mëtejshëm të Olimpit, Pausania ndal në një përmendore, sipas tij të veçantë: “Sipër Pantarkut është karroja e Kleosthenit nga Epidamni, e punuar nga Agelaidi... Kleostheni fitoi në olimpiadën e  (512 p.e.s.), me ç’rast i kushtoi (Zeusit) veç shtatores së dy kuajve edhe shtatoren e tij dhe të karrocierit të tij... Në karro shkruhet me vargje elegjiakë Detari Kleosten nga Epidamni më vuri këtu, pasi fitoi me kuaj garën fisnike të Zeusit.” (Paus. 2. 6. 10).

Fragmenti tjetër i Pausanies “Këtu gjenden shtatoret e vrapimit të femijëve, Meneptolemit nga Apollonia e bregut të Jonit dhe Filosit nga Korkyra (Paus. 2. 14. 13)”, dëshmon shpalljen kampionë olimpikë të këtyre dy fëmijëve. Çmimi prej 50 kanash vaji ulliri që i jepej fituesit të vrapit të femijëve Qoeraia), dy herë më i lartë se çdo çmim tjetër, tregon se në këto qytete garave dhe përgatitjes fizike që në moshën fëminore, i kushtohej një kujdes i veçantë.

Nga fillimi shek. IV p.e.s., pas nisjes së procesit të akulturimit, përgatitja e institucionalizuar fizike nis edhe në qytetet autoktone. Dëshmi për këtë janë listat e thearodokoive, kasnecëve që ftonin qytetet dhe bashkësitë (koinoti) për pjesëmarrje në lojërat panhelenike. Në listën e thearodokoive të Epidaurit, të viti 360 p.e.s., grishen në një përzierje shtetesh, qytetesh dhe koinonesh Apeiros

(Epiri), Pandosia (Kastri), Kassopea, Thesprotoi (Tesprotët), Korkyra (Korfuzi) Chaonia (Kaonia), Artichia (?), Molossoi (Molosët), Ambrakia (IG IV2,1. 95. 23-32)6.

Në listën e thearodokëve të Argosit (330-320 p.e.s.), krahas tyre shfaqen edhe [Phoinjike, [Hemai]ra dhe [Apo]lonia (SEG 23.189.10-16)7. Mjaft më e plotë është lista e viteve 230-220 p.e.s., e thearodokëve të Delfit, ku grishen sportistët nga Dodone (Dodona), Foinike (Finiqi), Kemara (Himara), Orikos, Bylis, Apollonia, Daulia (?), Abantia (Amantia), Dyrrachion (Durrësi). Kjo listë tregon edhe se procesi i akulturimit ishte shtrirë mirë edhe në Ilirinë Jugore.

Sipas një pllake mermeri të gjetur në Delos, një ndër qendrat ku zhvilloheshin gara sportive ishte edhe Apollonia, ku festa e Nymfave kremtohej me lojëra sportive.

Mbishkrimet e zbuluara në Nikaia (Klos, Fier) dhe Heraklea Lynkestis (Manastir, Maqedoni), përmendin gjimnaziarkun, nëpunësin e ngarkuar me ndjekjen e përgatitjes fizike, organizimin e festave dhe drejtimin e lojërave. Renditja e tij në Nikaia fill mbas Prytanit dhe Strategut, e tregon atë një ndër funksionarët më të rëndësishëm të qytetit.

Përgatitjen fiziko-ushtarake të qytetarëve, e dëshmon drejtpërsëdrejti mbishkrimi sipas të cilit “garën e vrapimit hoplit (vrapit me armatim të plotë) në Amfiareion të Oropos e fitoi Sostratos, Bylin nga Nikaia dhe tërthorazi statuetat e bronzta të punishteve lokale. Ndër to, nga 15 statuetat e gjetura në Amantia, tre janë luftëtarë dhe gjashtë atletë, njëri prej të cilëve boksier. Për ushtrimin e këtij sporti në Epidamn/Durrës sërishmi na bën të njohur Pausania, i cili bën të ditur se “e di mirë sesi Argasit vepruan me Kreugun prej Epidamni. Megjithëse Kreugu vdiq, Argasit i dhanë atij kurorën e Nemejve, pasi Damokseni prej Sirakuze i cili u ndesh me të, shkeli marrëveshjet e pranuara prej tyre (Paus. 8. 40).” Dëshmi e ushtrimit të boksit edhe në Amantia është statueta e bronztë e boksierit, një nga paraqitjet më të arritura të body language-X. të një boksieri që mezi pret hyrjen në ring, krejt i vendosur për të fituar.

Në dy nga statuetat e Amantias, paraqiten efebë, njëri duke u lyer me vaj para garës së mundjes, ndërsa tjetri me disk në dorë, gati për të hyrë në garën e pentatlonit. Dy statueta të tjera nga zona të thella fshatare, njëra nga Hotova e Përmetit dhe tjetra nga Mborja e Korçës, paraqesin garuesit e vrapimit të armatosur, vrapimit hoplit. Paraqitja e tyre me kallçina, mbrojtëse kërcinjsh, i daton statuetat para vitit 450 p.e.s. E vetmja statuetë e njohur antike, e cila paraqet atletin e kërcimit së gjati, vjen nga Selca e Poshtme. (shek. IV/III p.e.s.). Ky kërcim, krejt ndryshe nga i sotmi, nuk bëhej me vrapim, por nga një tra i fiksuar, duke marrë hov me anë të luhatjes së kundrapeshave në duar.

Dëshmi më e drejtpërdrejtë e përgatitjes fizike janë stadiumet në Amantia, Dodonë dhe Bylis, tre ndër 20 stadiumet e njohura të antikitetit pararomak. Ndërkohë stadiume kanë pasur detyrimisht edhe qytetet e tjera të fuqishme, të paktën Dyrrahu dhe Apollonia ku dhe zhvilloheshin gara sportive me karakter panqytetar.

Bylisi

Stadiumi i Bylisit, më i thjeshti ndër ta, ndodhet në agoranë e qytetit, para cisternës nëntokësore që e kufizon sheshin nga perëndimi. Shkallarja e tij përbëhet prej një krahu të vetëm drejtvizor 134 metërsh, me shtatë rreshta për uljen e spektatorëve.

Nisur nga norma 0.36 m/person, në këta rreshta 0.30 m të lartë dhe 0.40 m të gjerë mund të uleshin rreth 2600 spektatorë. Para rreshtit të poshtëm, kalonte kanali i hapur i ujit ku mund të pinin atletët dhe spektatorët. Mëtej, i ndarë prej kanalit të ujit me një bordurë guri, vijonte kanali i derdhjes së ujërave

Amantia

Stadiumi i Amantias. Gjysma e parë e shekullit III para Krishtit
Stadiumi i Amantias. Gjysma e parë e shekullit III para Krishtit

Në shek. III p.e.s. kur u ndërtua stadiumi i Amantias, territori i rrethuar me mure i qytetit ishte i zënë nga ndërtimet e tjera. Si pasojë tempulli dhe stadiumi u ndërtuan jashtë rrethimit. Për ndërtimin e stadiumit, mjaft të nevojshëm për përgatitjen fizike dhe ushtarake të qytetarëve, por krejt të panevojshëm në çaste lufte, u zgjodh një tarracë e sheshtë, 230 m larg dhe 60 m poshtë skajit juglindor të qytetit, buzë rrugës për në qytet.

Stadiumi përbëhet prej dromosit, pistës prej dheu të ngjeshur ku zhvilloheshin garat, dhe shkallares që e qarkon pistën në formë U-je të përzgjatur. Pista 12.50 m e gjerë, vijon nga jugperëndimi në verilindje, në mënyrë që dielli të kalonte pas shpinës ose anash spektatorëve dhe vrapuesve të garës kryesore, stadit, pa u dalë përballë dhe verbuar ata.

Pista prej dheu të ngjeshur argjilor pjerret lehtë drejt anës së pambyllur veriore të stadiumit, duke lejuar largimin e ujërave në rast reshjesh. Në fillim të saj ndodhen tre bazamente guri gjasisht për markimin e nisjes dhe mbarimit të vrapimit të dyfishtë vajtje-ardhje (diaulë), dyfish të dyfishtë dhe vrapimit të gjatë 24 stadesh (dolichos), i cili përkon me vrapimin e sotëm 400 metërsh. Nënfishat e largësive të vrapimit, shënjoheshin nëpërmjet shkallëve të shkallares, të cilat, si në stadiumin e Delfit, ndodhen gjysmë plethre (15.7 m) larg njëra-tjetrës. Nisur nga gjerësia standard 1.50 dhe 1.70 m e korsive të vrapimit, në pistën 12.50 metërshe të Amantias mund të vraponin 6-7 garues.

Në juglindje shkallarja mbyllet prej segmentit të harkuar, sfendona-s. Në të kundërt veriperëndimi është i hapët, duke e lënë pistën që të vazhdojë në terren të rrafshët edhe për 150 m të tjerë. Një strukturë e tillë, me sfendona nga njëri fund dhe e hapur nga fundi tjetër, mundësonte garën themeltare, vrapimin njëstadësh (184.8 m) dhe pesëgarëshin (pentathloii), renditja e të cilit ishte kërcim së gjati, vrapim, hedhje disku, hedhje shtize dhe mundje.

Krahu perëndimor i shkallares i mbështeter shpatit te kodrës për 66 m, për dy plethra gjatësi. Krahu perkundret, i cili ruhet në 47 m gjatësi mbështetet në mbushjen prej dheu dhe gurësh shtufi, të mbajtur nga pas prej një muri me blloqe të latuara.

Krahu perendimor ka 17 rreshta për uljen e spektatorëve, ndersa lindon tetë. Rakordimi i kësaj mospërputhjeje kryhej nga segmenti i harkuar, me zbritje graduale të rreshtave nga 17 në tetë.

Rreshtat e shkallares, 0.35- 0.40 m të lartë dhe 0.60 m të gjerë, shërbenin për ndenjje dhe vendosjen e këmbëve të spektatorëve të rreshtit të sipërm. Rreshtat janë ndërtuar me blloqe paralelepipede prej brekçeje shpati, të cilat mbështeteshin në mbushjen prej dheu dhe gurësh shtufi. Në disa prej tyre janë gdhendur një sërë emrash, gjasisht të personave kontribuues në ndërtimin e stadiumit dhe financimin e lojërave. Për një të tillë bëhet fjalë në mbishkrimin Lysanit, sipas të cilit Lysanit iu dha e drejta në një proces gjyqësor “pasi ai dhuroi bujarisht mjetet për garat dhe ngaqë Nikai (kundërshtari i tij) shpenzoi vetëm 600 dinarë” Krahas dëshmisë së çuditshme të shitblerjes së proceseve gjyqësore, mbishkrimi dëshmon se shpenzimet për organizimin e lojërave ishin mjaft më të mëdha se shuma e konsiderueshme prej 600 dinarësh argjendi.

Duke i lënë sipas normave të kohës çdo spektatori 0.36 m, stadiumi rezulton me kapacitet rreth 4300 spektatorë. Në se atyre do t’u shtonim edhe spektatorët që mund të qëndronin shpateve të kodrës ose tej pjeses pa shkallare të pistës, ky numër do të rritej në 6000 vetë, thuaj dy herë më shumë se banorët e qytetit. Kjo tregon se stadiumi i përkiste konfederatës Amante dhe jo vetëm bashkësisë qytetare.

Dodona

Stadiumi i Dodonës gjendet në jugperëndina të temenosit, arealit të shenjtë ku gjendeshin tempujt dhe lisi fallxhor i Naias, emër me të cilin njihej Zeusi në Dodonë. Sipas mbishkrimeve, duke filluar nga shek. IV p.e.s. në Dodonë organizohej festivali i njëemërt, ai i Naias. Festivali kishte dy komponentë, atë artistik i cila zhvillohej në teatër dhe sportiv, i cili zhvillohej në stadium. Këtë e dëshmon dhe lidhja organike e teatrit me stadiumin, e cila arrihet nëpërmjet prerjes së skajit verilindor të teatrit. Prerja krijon një tremë të hapur 10 x 20 metërshe, faqen veriore të së cilës e zë hyrja dydyershe e teatrit dhe skajin jugperëndimor hyrja po dydyershe e stadiumit.

Stadiumi përbëhet prej pistës prej dheu të ngjeshur dhe shkallares në formë U-je, e cila e qarkon atë nga tri anët. Pista vijon nga lindja në perëndim, orientim ky i pafavorshëm, pasi dielli verbon spektatorët e krahut kryesor dhe vrapuesit. Por ky pozicion është i detyruar, për shkak të bashkëlidhjes me teatrin.

Stadiumi ka ngjashmëri pasqyre me atë të Delfit: Gjerësia e pistës së Dodonës është fiks 25.5 m, sa ajo në Delf, lidhja e krahëve të shkallares kryhet po me sfendona, trajektorja e së cilës nuk është segment i cekët si në Amantia, por gjysmërreth i plotë si në Delf dhe rreshti i parë i ndenjëseve nuk nis në nivelin e pistës si në Amantia, por ngrihet mbi të nëpërmjet një parapeti me pllaka orthostate si në Delf. Gjatësia e pistës ende nuk është kapur pasi nuk kanë përfunduar gërmimet, por ajo është mbi 150 m, çka sërish i afrohet gjatësisë prej 177.5 m të pistës së Delfit.

Standardet 1.50 dhe 1.70 m të korsive, lejonin që në pistën 25.5 metërshe të Dodonës të garonin 15-17 vrapues. Nisur nga Pausania, sipas të cilit zhvilloheshin tri gara eliminatore të cilat përzgjidhnin një ndër katër konkurrues (Paus. 6. 13,4), numri i konkurrentëve në Dodonë mund të arrinte deri në 1100.

Krahët e shkallares rreth 18 m të gjerë, vazhdojnë paralel me njeri-tjetrin, të rakorduar në fund nga sfendona. Shkallarja e krahut verior që i mbështetet shpatit të kodrës së teatrit, ka 21 rreshta ndenjësesh 0.35 m të lartë dhe 0.85 m. të gjerë. Në çdo 8 m ajo përshkohet nga shkallët e kalimit, të cilat ndryshe nga Amantia dhe njësoj si në Delf, nuk janë punuar në blloqet e ndenjjes, por veçmas tyre.

Krahu përkundrejt, po 18 m i gjerë, mbështetej mbi një mbushje dheu të mbajtur prej një muri me blloqe të latuara. Në këtë anë shihen dhe gjurmët e kanalit për largimin e ujërave të shiut dhe po në këtë anë ruhet ulluku i kanalit të ujit të pijshëm, i ndërprerë nga vaskat e vogla ku pinin atletët dhe spektatorët.

Nisur nga norma 0.36 m/spektator, stadiumi i Dodonës ka pasur një kapacitet për rreth 19000 vetë, çka përkon bukurmirë me kapacitetin prej 18000 spektatorësh të teatrit. Si i tillë stadiumi mund të kundrohet si stadium me karakter panhelenistik.

Stadiumi i Amantias kategorizohet ndër stadiumet e vegjël, ndërsa ai i Dodonës në cakun e sipërm të stadiumeve të mesëm. Të dy stadiumet shquajnë për arkitekturën e tyre të rregullt, e cila i shkëput cilësisht nga mjaft qendra të tjera, deri dhe nga Sparta ku ndonëse sporti ishte bazë e edukatës, por ku stadiumi nuk pati kurrë një shkallare të mirëfilltë guri.

Bazuar në gjetjet arkeologjike, formën segment rrethi të sfendonas dhe teknikën murale, të njëjtë me muret rrethuese të fundit shek. IV/ fillimit shek. III p.e.s., stadiumi i Amantias, daton po në këtë diapazon kohor. Ndryshe prej tij, stadiumi i Dodonës, identik me atë të një qyteti tjetër fallxhor, atij të Orakullit të Delfit, u ndërtua në vitin 219 p.e.s., pas djegies së Dodonës nga Etolët

info@balkancultureheritage.com