Stadiumi i Bylisit paraqet një zgjidhje të veçantë, sepse ka vetëm një krah, që mbështetet në pjerrësinë e terrenit. Gjithashtu, për shkak të mungesës së hapësirës kjo shkallare ka gjatësinë 134 m dhe gjatësia standarte e stadiumit prej rreth 190 m plotësohej me zgjatjen e pistës përpara teatrit. Ruhen 19 shkallë me lartësi 0,30 m dhe gjerësi 0,40 m. Në përmasa të tilla ato nuk ofronin vend për uljen e spektatorëve, të cilët ishin të detyruar të ndiqnin garat sportive duke qëndruar më këmbë.
Veçoria më tipike e stadiumit të Bylisit është ndërtimi i një stere gjigande uji nën pistën e krahut verior të tij, e cila shërbente për të mbledhur ujrat e shirave nga shkallarja e stadiumit dhe nga çatia e stoas së madhe. Stera ka formë katërkëndëshe 50,90 m x 4,20 m me thellësi mbi 6 m, që mbushej gjatë dimrit dhe shërbente për të furizuar me ujë qytetarët gjatë veprimtarive politike, festave, shfaqjeve teatrale, apo garave sportive. Stera mbulohej me një sistem harqesh prej blloqesh gëlqerorë, mbi të cilët shtroheshin pllaka guri në nivelin e pistës së stadiumit.
Ajo ka qenë pjesërisht e gdhendur në shkëmb, ndërsa pjesa tjetër përbëhej nga mure me blloqe katërkëndëshe. Për izolimin e ujit, por edhe ruajtjen nga infiltrimet e papastërta, stera ka qenë e suvatuar me llaç të përzier me thërmija qeramike. Ndërtimi i stadiumit dhe sterës së tij i takon periudhës së madhe të ndërtimit të agorasë, rreth mesit të shek. III p.Kr.