Qyteti i vogël piktoresk i Krujës është ndërtuar në pllajën e faqes perëndimore të malit Sarisalltik, në një lartësi rreth 600 m. mbi nivelin e detit.
Kreshta shkëmbore e Krujës, mbi të cilën është ngritur kalaja (fig. 1), ndodhet e veçuar nga ambienti përreth, në pjesën më të lartë, nga ana juglindore e qytetit. Duke qenë me mbrojtje të favorshme natyrale, e rrethuar thuajse nga të katër anët, sidomos në anën lindore, me shkëmbinj të thepisur, kjo kodër shkëmbore përbën në vetvete një fortesë natyrale. Ajo ka një pozicion që mbizotëron mbi të gjithë fushën dhe malet përqark. Këto na bëjnë të mendojmë që kjo kodër e pazaptueshme duhet të jetë shfrytëzuar prej kohe nga të parët tanë për vendbanim e mbrojtje.
Planimetria e kalasë ka formën e një elipsoidi me perimetër rreth 800 m. Muret me trashësi 0,8-1,5 m. ndjekin konturet e kreshtës shkëmbore mbi të cilën janë vendosur, duke u ndërprerë në anën lindore, perëndimore e jugore në disa vende. Muret e anës veriore dhe lindore, që ruhen deri diku më mirë, janë të pajisur me frengii për armë zjarri.
Në ndryshim me tërësinë e mureve të sorme të kalasë, të ndërtuar vetëm me gurë e llaç dhe që i përka-sin periudhës së pushtimit turk, nga vrojtimet del se gjenden edhe gjurmë fragmentare muresh që mund t’i antribuohen periudhës para pushtimit turk. Megjithëse teknika nuk ka ndonjë ndryshim të dukshëm, dallohet se kemi të bëjmë me ndërtime jo të një dore me tërësinë e mureve, por të një kohe më të përparshme. Ky dallim vërehet në ndryshimin e trashësisë së mureve si edhe në përdorimin tek-tuk të tullës. Të tilla janë: një trakt muri pranë kullës katrore të anës perëndimore (fig. 2). disa fragmente të vogla muresh në afërsitë e mureve të sotëm jugperëndimore të kalasë, një trakt muri i jashtëm nga ana lindore.
Muret rrethuese të kalasë janë përforcuar nga 9 kulla me formë të rrumbullakët, katrore ose poligonale. Dy kulla ndodhen në të dy krahët e hyrjes, në mbrojtje të portës kryesore. Kulla në të majtë të hyrjes ka formë poligonale të çrregullt dhe ka qenë përdorur edhe për banim (Tab. I, 1); kulla e krahut të djathtë është e rrumbullakët dhe ka një perimetër 27 m. Konstruksioni i saj tregon, se pjesa qendrore e saj përdorej si sterë për depozitimin e ujit te shiut.
Duke ndjekur murin perimetral në drejtimin veri-perëndimor, në një distancë prej 41 m. nga kulla e rrumbullakët e hyrjes, gjendet një kullë tjetër e rrumbullakët me perimetër 25 m. Gjatë punimeve të restaurimit më 1967 në këtë kullë u zbulua një trakt muri i një kulle të vjetër. Po e tillë ka qenë dhe kulla katrore e anës perëndimore të kalasë, që ndodhet 56 m. më tej kullës së mësipërme; në të dallohet sot një radhë tullash midis bloqeve të gurëve. Skaji jugperëndimor i kalasë, që përbën pjesën më të ulët, prej nga mund të kalohet në kala, është pajisur me një sistem mbrojtës prej tri kullash, dy të rrumbullakta dhe një në formë segmenti rrethor. Mbi kullën e rrumbullakët, që vendasit e quajnë «Tabja e Dollmës» dhe që është e mbrojtur me mure të larta e të trasha, ngrihet një faltore e sektit bektashian. Kulla që ka perimetrin më të madh (35 m.), është ajo e skajit jug-lindor. Kulla është restauruar pjesërisht. Ajo shërben jo vetëm për ta mbrojtur kalanë nga kjo anë, por edhe për të bërë vrojtime në drejtim të Zaharisë. Në skajin verilindor të mureve rrethuese ndodhet kulla e njohur e sahatit, (TAB. II, 3) me lartësi 16 m. dhe perimetër 32,5 m„ edhe kjo e restauruar në vitin 1967. Pjesa e poshtme, e anës veriore e perëndimore e kullës së sahatit është ndërtuar me një muraturë prej gurësh të përzier me copa tullash, që, për mendimin tonë, daton para kohës së pushtimit turk.
Përveç hyrjes kryesore, të vendosur në anën veri-perëndimore, që e trajtojmë hollësisht më poshtë, ka edhe një hyrje tjetër në skajin jugperëndimor, (fig. 3) që komunikon nëpërmjet një tuneli. Porta e jashtme e hyrjes mbulohet prej një arkitrau, mbi të cilin ngarkesa e mureve shkarkohet me anë të një harku tullash. Mendojmë se kjo teknikë po ashtu i përket kohës para pushtimit turk. Nepërmjet kësaj hyrjeje dilet tek krojet, që burojnë në rrëzë të shkëmbit, jashtë mureve të kalasë, të cilët dikur mbroheshin me mure të dyta të fuqishme, që i lidhnin me kalanë. Pjesë të kë tyre mureve të trasha e të larta dhe mbeturinat e dy kullave ekzistojnë edhe sot.
Gjurmët, që ende ruhen, tregojnë se në hyrjen kryesore të kësaj kalaje, në periudha të ndryshme, kanë qenë vendosur tri porta, në mënyrë që hyrja në kala të ishte e kontrolluar dhe e mbrojtur sa më mirë në rast të një mësymje të armatosur. Porta e parë ka qenë njëfletëshe dhe ulej e ngrihej në drejtimin vertikal, duke rrëshqitur nëpërmjet dy kanaleve të ndërtuar qëllimisht në muret anësore të hyrjes. Gjurmët e këtyre kanaleve i gjejmë edhe sot në murin e krahut të majtë. Po në këtë mur ruhet e dëmtuar pjesa e fillimit të një harku me tulla. Porta e dytë ka qenë vendosur afërsisht aty ku është porta e sotme. Edhe këtu duken pjesë nga muri i vjetër, si edhe një fragment që mbulonte portën. Porta ekzistuese është ndërtuar me gurë të daltuar dhe dallohet si një ndërtim i kohës së vonë. Porta e tretë duhet të ketë qenë në fund të korridorit dhe duhet të nxirrte menjëherë në oborrin e kalasë. Korridori, që ka një gjatësi 22 m., ndahet nga porta e dytë në dy pjesë jo të barabarta. Në të dy anët e korridorit të pjesës së parë janë ndërtuar me tulla, në thellësi të murit, dy kamare të mëdha (nike) të mbuluara me qemere cilindrike, të kufizuara në pjesën e sipërme nga një kornizë tek tulla (Tab. IV, 2). Këto ambiente, të njohura në forma të ndryshme edhe në kala të tjera mesjetare, kanë shërbyer si vend-roje. Sot ruhet mjaft mirë kamarja e harkut të majtë, kurse nga ajo e harkut të djathtë ruhen vetëm pjesë të qemerit të saj. Në pjesën e dytë të korridorit ruhen, në gjendjen e tyre fillestare, nga dy galeri të vogla për çdo anë, të mbuluara edhe këto me qemere të ndërtuar me gurë dhe që kanë qenë përdorur për strehimin e trupit të rojes. (TAB. II. 1) Teknika e ndërtimit dhe materiali i përdorur në ndërtimin e pjesës së dytë të korridorit si edhe në ambientin e tij, tregojnë për një shtesë të mëvonshme në krahasim me pjesën e parë të korridorit. Gjurmët që ruhen në pjesën e sipërme të mureve anësore të korridorit tregojnë gjithashtu që të dy pjesët kanë qenë të mbuluara me qemer. Në pjesën e parë qemeri ka qenë ndërtuar me tulla, kurse në pjesën e dytë të mëvonshme me qemer guri.
Në të djathtë të portës së tretë, që siç thamë të nxjerr në oborrin e kalasë, dallohet një ambient që, me sa duket, ka qenë përdorur si depo baruti, dhe për të cilin tradita gojore thotë se përdorej si burg, ka një planimetri në formë kryqi. Pjesa qendrore e tij mbulohet me një kupole sferike, kurse pjesët e tjera me qemer gjysmë cilindrik. Ai ka vetëm një hyrje të vogël dhe ndriçohet indirekt me anën e një dritareje, që e merr dritën nga një galeri e korridorit, si edhe me anën e një baxhaje të hapur në murin jugperëndimor. Ndërtimi i këtij ambienti, duke gjykuar nga teknika e ndërtimit, len të kuptojmë se është i njëkohshëm me galeritë e pjesës së dytë të korridorit dhe se përbën një kompleks të përbashkët me to.
Në krahun e majtë të hyrjes së këtij ambienti ndodhen gjurmët e një palë shkallëve që komunikonin me ambientet e katit të dytë.
Në afërsi të këtij tubi duken shenjat e grykës së sterës nga nxirrej me kovë uji i depozituar në të.
Në pjesën e sipërme, ndërmjet sterës dhe murit perimetral të kullës, duket një korridor i ngushtë që përshkon një gjysmë rrethi. Ky korridor lidhej me ambientin e katit të dytë, që përmendëm më lart, me anë shkallësh prej guri dhe, në anën e kundërt, përfundon pak më tej nga gryka e sterës. Përmasat e korridorit tregojnë se përbrenda tij mund të qarkullonte me pak vështirësi një njeri më këmbë. Pjesa lindore e këtij korridori, që ruhet më mirë, tregon se ai ka qenë mbuluar me anën e një qemeri gjysmë cilindrik.
Për Krujën është shkruar mjaft. Ne trashëgojmë një numër përshkrimesh, që na janë lënë qysh nga shek. XVI prej Barletit dhe Justinianit, në shek. XVII nga Bolica, ndërsa në shekullin e kaluar e këtej nga historianë si Myler, Hani, Ipeni, Paçi, Jireceku, Shuflai etj. Por burimet historike të deritanishme, që më tepër kanë karakter përshkrimor, shpesh të nisura nga pozita prej vizitori të zakonshëm, ose heshtin rreth themelimit të kalasë ose janë të cekta e kontradiktore. Të dhëna të sakta, pra, rreth kohës së ndërtimit të kësaj kalaje mungojnë.
Emri i Krujës nuk është i njohur prej gjeografëve dhe historianëve të lashtë. Ka shumë të ngjarë (dhe ky është mendimi i përgjithshëm që zotëron deri sot, të ketë prejardhje nga fjala shqipe «krue» = burim; kjo për arësye se Kruja është vend i pasur me kroje e burime natyrore rreth e përqark, sidomos nën këmbët e kalasë, të cilët kanë lojtur një rol me rëndësi për të.
Në dokumentat historike Kruja përmendet për herë të parë me emrin e saj shqip në aktet kishëtare të shek. IX si një qendër peshkopate. Sipas një tradite të shek. XV, të ruajtur në një letër të Gjon Kastriotit, të dhënat e shpien themelimin e peshkopatës së Krujës qysh nga fillimi i shek. VII, ndërsa në krono-logjinë shqiptare që boton Kersopulos jepet me rezervë viti 449.
Në periudhën bizantine, kalon një kohë e gjatë pa të dhëna dokumentare mbi krahinën e Krujës, ndërsa në shekujt e mëvonshëm ato shtohen.
Në këtë periudhë në Krujë qëndrojnë garnizone dhe guvernatorë bizantinë, nën sundimin e të cilëve ajo ndodhej gjer në fund të shek. XII. Këtu duket se e kishte selinë edhe peshkopi i Arbërisë në shek. XII. Sipas Shuflait ndoshta në fillim të mesjetës dhe gjer në mesin e shek. XII, qyteti mbante dy emra, duke u quajtur, sidomos nga ana e romakëve, edhe me emrin Arbanum.
Si kala Kruja përmendet për herë të parë në shek. XIII. Gjergj Akropoliti, qeveritari bizantin, që i njihte këto vende për së afërmi, në një kronikë të tij përmend kalanë me emrin Kroas, si posedim të Gulamit, zotëruesit të Albanonit më 1254. Kruja në kohën e mesjetës duhet të ketë qenë një kala e rëndësishme dhe qendra e krahinës Arbanum, bërthama e Arbërit, shtetit të parë feodal shqiptar, që formohet rreth vitit 1190 me në krye sundimtarin vendas, arbëreshin Progon. Në vitin 1253 sunduesi i Epirit, Mihaili II i lëshoi me traktat perandorit bizantin Joan Vataces, ndër të tjera, edhe kalanë e Krojës, që gjendej në Arbëri. Në vitin 1255 perandori bizantin Theodor Laskari i II u njeh banorëve të kalasë së Krujës privilegjin që pasuritë e tyre që kanë ose do të kenë si brënda ashtu dhe jashtë kalasë t’i gëzojnë lirisht, privilegjet që u nnjihet më vonë edhe nga Androniku i II. Në shekujt e mëvonshëm Krujën e shohim si kryeqendër të dinastive të fuqishme shqiptare.
Burimet historike të kohës së mesme ripohojnë se Kruja është vazhdimi i një qyteti të hershëm dhe se gjatë gjithë shekujve të kohës së mesme ajo ka qenë lidhur me Durrësin dhe e varur administrativisht prej tij. Kruja duhet të ketë bërë pjesë në sistemin e kaalave që sinjalizonin dhe mbronin, në raste rreziku, Durrësin. Është kjo arësyeja që nga fundi i shek. XV senati i Venedikut vendosi të marrë nën sundimin e vet, bashkë me kështjellën e Lezhës, edhe atë të Krujës, që kishte rëndësi shumë të madhe, si pararojë, për Durrësin.
Hani, Prashniker etj, kanë shfaqur mendimin se qendra e fisit ilir të albanëve duhet kërkuar ndër këmbët e Krujës, mbi shpatullën e një kodrine, në fshatin e sotshëm Zgërdhesh. Në këtë vend ndodhen rrënojat e një qyteti ilir dhe janë zbuluar materiale arkeologjike me vlerë. Ky mendim gjen mbështetje edhe në disa toponime të lashta. Për arësye të ndryshme, që ende janë të paqarta, aty nga shek. IV ky qytet u braktis dhe popullsia e tij duhet të jetë vendosur në një vend më të mbrojtur aty afër; ka shumë mundësi që të jetë shpërngulur në truallin më të afërt e më të mbrojtur të Krujës. Kjo përkon edhe me gojëdhanën që thuhet se »u ngritën gurët e Zgërdheshit dhe zunë vend në Krujë». Ka mundësi që Kruja ta ketë zanafillën e saj në rrethana të tilla.
Siç shihet, pra, burimet kryesore historike rreth themelimit të Krujës dhe kalasë së saj, na çojnë deri në fillimet e mesjetës. Me këto burime përkon edhe kultura materiale e pasur, e zbuluar nga gërmimet ose rastësisht para dhe pas çlirimit afër kalasë, nga ana veriore e saj. Këto na dokumentojnë se Kruja ka qenë një vendbanim të paktën që nga shekujt VII dhe VIII të erës sonë, se kemi të bëjmë me një popullsi jo të ardhur por vendase dhe se bartësit e kësaj kulture të mesjetës së hershme në Krujë, janë pasardhësit e ilirëve, shqiptarët. Madje, Kruja, duke gjykuar nga lënda arkeologjike e gjetur, del deri tani si një nga qendrat më të rëndësishme të kulturës mesjetare të hershme.
Duhet pranuar se kalaja, si bërthama e qytetit, do të ketë egzistuar në këto kohë; megjithatë ne, tani për tani, nuk jemi në gjendje t’i veshim një lashtësi të tillë kësaj kalaje, me shpresë që ndoshta në të ardhmen do të rikthehemi në këtë çështje. Kjo për shkakun objektiv se, pavarësisht që burimet historike përputhen deridiku me të dhënat arkeologjike të kësaj qendre, vetë monumenti që kemi në shqyrtim, sot për sot, nuk na ofron të dhëna konkrete dhe bindëse për një pohim të tillë. Dëmtimet dhe rindërtimet e shumta që kanë pësuar muret e kalasë, vështirësojnë gjetjen e gjurmëve më të vjetra të ndërtimit të saj. Nuk përjashtohet mundësia që kalaja të ketë qenë ndërtuar në shek. VI në kohën e sundimit të Justinianit I. Duhet theksuar se, në gjendjen e sotme, kur në këtë monument nuk janë zhvilluar gërmime arkeologjike, përveç ndonjë sondazhi të vogël, data e hedhjes së themeleve të para të kësaj kalaje nuk mund të përcaktohet me saktësi.
Në favor të lashtësisë së kalasë hedh dritë edhe «kroi i pazarit» në të hyrë të kalasë, nga e majta, rreth 25 m. larg nga porta kryesore e saj. Thuhet se kroi dikur përfshihej brenda mureve të kalasë dhe pranë tij ishte vendosur porta e parë e kalasë, por sot për sot këtë nuk e vërtetojmë dot. Në të paraqesin interes disa fragmente arkitektonike, të vendosura në murin e kroit. Përveç dy mbishkrimeve turqisht, që kanë lidhje me çezmën, gjenden edhe tre gurë, mbi të cilët janë punuar shumë trashë disa figura, një si yll me tetë thepa dhe dy luanë. Nga mënyra e punimit të këtyre relieveve dhe nga karakteri i figurave e shenjave të pa-përdorura nga turqit, mund të gjykojmë se këta janë relike të një kohe përpara pushtimit turk.
RRETH RINDËRTIMEVE KRYESORE TË KALASË
Nga literatura historike del se meremetimi i kësaj kalaje dokumentohet vetëm pas vitit 1271, në kohën e sundimit anzhuin të Karlit I, burim ky që na tregon gjithashtu se kalaja i përket një kohe më të lashtë.
Një burim me vlerë, edhe në këtë drejtim, përbën vepra e Barletit. Humanisti ynë, duke pohuar se kalaja e Krujës ishte më e bukura dhe më e madhja nga të gjitha, shfaq mendimin se është ndërtuar nga Karl Topia, por me këtë, siç vërejnë me të drejtë Jas-trebov, etj. ai do të ketë pasur parasysh punime të mëdha përforcimi të kalasë. Duke u nisur nga kjo, Hahn shfaq mendimin se «mbase kalaja e Krujës është ndërtuar prej njërit të shtëpisë së Topiasve; për një gjë të tillë bëjnë fjalë edhe autorë të tjerë . Sidoqoftë Karl Topia, që nga gjysma e dytë e shek. XIV ish-te një sundues i fuqishëm dhe që e bëri Krujën dhe kalanë e saj kryeqendër dhe seli të dinastisë së tij, ka kryer patjetër mjaft meremetime e punime përforcimi në kala dhe në qytet. Mendojmë se këtu duhet të jetë fjala për punime në shkallë të gjerë, për një rindërtim rrënjësor që duhet t'i jetë bërë kalasë prej këtij feudali shqiptar.
Siç përmendëm më sipër, nga vrojtimet direkte rreth mureve të kalasë vërehen gjurmë te cilat, nga teknika, materialet e ndërtimit, si dhe nga përmasat, ndryshojnë me tërësinë e mureve të kalasë dhe që, për mendimin tonë, i atribuohen një ndërtimi para pushtimit turk. Këto janë prova të forta që vërtetojnë se muret e sotme të kalasë, që janë të kohës së pushtimit otoman, janë ndërtuar mbi themele muresh me të vjetra. Me që është fjala për gjurmë flagmentare, është vështirë të pohohet nëse këto relike i referohen pikërisht periudhës ndërtimtare të Topiasve apo një kohe më të hershme.
Që prej kohës së Topiasve e deri më 1443, kur Skënderbeu ua mori këtë kala turqve, nuk ka të dhëna që të hedhin dritë për ndonjë rindërtim me rëndësi të saj. Janë shfaqur mendime se kalasë i janë bërë punime mermetimi ose rindërtimi prej Kastriotëve, kur ata morën nën zotrim Krujën. Qyteti, në kohën kur Gjon Kastrioti u detyrua të bëjë paqe me Sulltan Muratin dhe t’u dorëzojë Krujën si qendrën e zotërimeve të tija, ishte i fortifikuar në kulm, sepse, dihet që në këtë shekull luftrash, mbrojtjes së vendit iu kushtua një vëmendje e madhe.
Nga burimet historike na kumtohet se gjatë pranverës së vitit 1444 Skënderbeu mori masa edhe për meremetimin dhe forcimin e kalave. Me këtë rast, duhet t’i jetë bërë ndonjë farë meremetimi edhe kalasë së Krujës, sepse me kthimin nga Kuvendi i Lezhës kujdesi i parë i tij qe të fortifikojë Krujën dhe kalatë e tjera në dorë të tij; megjithatë, deri në rrethimin e parë të Krujës (v. 1450), nuk mund të flitet për ndonjë rindërtim të rëndësishëm. Por që Kruja në këtë kohë ka qënë një nga kalatë më të rëndësishme këtë e vërtetojnë Kritobuli, i cili e konsideron kalanë shumë të fortë dhe mburojë të mbarë vendit, dhe Barleti.
Dihet se më vonë kalaja, pas çdo luftimi, meremetohej nga Skënderbeu, duke përdorur për këtë qëllim edhe teknikë të huaj Për shkak të dëmtimeve të rënda që gjatë rrethimit të parë, iu shkaktuan kalasë nga mjete të fuqishme sulmi, dhe duke parashikuar rrethimet e ardhshme nga turqit, Skënderbeu mori masa për rindërtimin e kalasë, gjë që na kumtohet shprehimisht nga Barleti: Kastrioti kishte filluar me kujdesin më të madh rindërtimin e Krujës dhe meremetimin e mureve dhe gjithë ditët i harxhonte me atë punë. Ky gjithë forcomat e vjetra, të cilat ishin pjesërisht të prishura, pjesërisht të tronditura, i ripërtriu dhe i shtoi e i bëri më të bukura dhe më të forta nga ç'kishin qenë ndërtuar. . . Pranë portës së qytetit ngritën një pirg shumë të madh dhe të fuqishëm; megjithkëtë nuk e nxuarrën mbi faqen e murevel përpara, por e lanë si më të ulet, me qëllim që të mos i shtrohej dëmit e t'u shmangej goditjeve të makinave. Nga kjo dëshmi e Barletit mund të nxjerrim si përfundim se ndërtimi fillestar i kullës së rrumbullakët, përbri portës kryesore të kalasë, së bashku me kompleksin që përshkruam hollësisht më sipër; (TAB. IV, I) që përfshin galeritë e vendrojeve, rezervuarin e ujit dhe ambientin tjetër ngjitur me to, i përket kësaj periudhe, gjë që vërtetohet nga teknika e njëitë. I tërë ky ansambël është ndërtuar me gurë gjysmë të punuar të vendosur me një rregull si që dallohet nga tërësia e mureve të periudhës turke, të cilët janë ndërtuar me materiale të ripërdorura dhe të vendosura në mënyrë të shrregullt.
Këto ndërtime të Skënderbeut janë të lidhura me faktin që, gjatë rrethimit të parë, turqit, me topat e rëndë të tyre, arritën gjatë katër ditëve bombardimi të paprerë kundrejt portës së kalasë dhe përballë mureve rrethuese lindore të qytetit, të shkatërronin muret e portës kryesore dhe një pjesë të mureve rrethuese, kështu që ndjehej nevojë e domosdoshme për një përforcim serioz të kësaj pike me rëndësi të veçantë për kalanë.
Punimet e mësipërme të kalasë duhet të jenë bërë në vitin 1451, për arësye se në këtë kohë Sulltan Mehmeti II, duke qenë i zënë me ekspeditat që kreu në Azi-në e Vogël nuk e trazoi Shqipërinë. Por ka mundësi që punime meremetimi të jenë bërë edhe në vitin 1452, para se të ndërmerreshin dy ekspeditat turke të atij viti kundër Krujës, sepse nga burime të shkruara del se në prill të vitit 1452 mbreti i Napolit, Alfonsi, dërgoi ndihma për të fortifikuar pikat e rëndësishme që mund të të shërbenin për t’iu bërë ballë turqve.
Si rezultat i masave që u morën nga ana e Skënderbeut për meremetimin e kalasë, u bë e mundur të përballoheshin rrethimet e mëvonshme të viteve 1466--1467, që u udhëhoqën nga vetë Sulltan Mehmeti II.
Pas vdekjes së Skënderbeut, turqit për të shuar krejtësisht qëndresën shqiptare, rrënuan një numur të madh kalash, ndërmjet tyre edhe atë të Krujës, ndaj të cilës urrejtja ishta aq e madhe sa e shembën menjëherë pas pushtimit më 16 qershor 1478 Megjithatë turqve iu desh që të rindërtojnë shumë vepra ushtarake me karakter mbrojtës që kishin pësuar dëme të rënda gjatë luftës 35 vjeçare. Midis tyre për-mendet edhe rindërtimi i asaj të Krujës. Siç mund të përfundohet nga përshkrimet e vjetra fortifikimet e kalasë aty nga shekujt XVI-XVII kundroheshin si të pazaptueshme. Kjo u bë një qendër me rëndësi armatimesh për perëndimin, një pikëmbështetje e fuqishme e otomonëve në bregdetin e Adriatikut.
Dëmtime të mëdha kalaja e Krujës pati nga një tërmet i fortë që ndodhi më 1617, i cili shkaktoi shkarjen e tokës dhe një vrimë të madhe në muret; si rrjedhim u dëmtua seriozisht një pjesë e mureve të rrethimit të kalasë, që u shkëputën bashkë me shkëmbinjtë e mëdhenj që ndodhen nga ana lindore dhe juglindore e saj dhe që të bindin se kanë qenë pjesë përbërëse e tërë kreshtës shkëmbore të kalasë, Pra kalaja në krahasim me gjendien e tanishme, në të kaluarën duhet të ketë qenë më e madhe nga ana lindore.
Një rrafshim tjetër të madh kalaja pësoi nga pushtonjësit otomanë më 1832, pas kryengritjes së madhe të shqiptarëve. Për t'i bërë të padobishme dhe që të mos bëheshin mbështetje e kryengritësve, turqit rrëzuan gjithashtu muret e mbetura ende në këmbë të kalasë.
Punimet e dorës së fundit, që spikatin në një pjesë të mire të mureve rrethuese qoftë si rindërtime apo përforcime, duket se i përkasin fundit të shekullit të kaluar, kur sipas burimeve, klikat sundonjëse bënë përpjekjet e fundit për të mbajtur ende më këmbë aftësinë mbrojtëse, të kufizuar, të kësaj kalaje, me qëllim që t'u bënin ballë kryengritjeve të ardhshme çlirimtare, që po dukeshin në horizont.