Kompleksi i monumenteve të periudhës perandorake romake, i orientuar rigorozisht sipas pikave të horizontit. ka qenë ndërfutur në një kompleks më të lashtë monumentesh të ndërtuara lirshëm rreth sheshit të agorasë në shek. IV-III p.Kr. Nga lindja dhe veriu ky shesh kufizohej me një radhë muresh mbajtëse që pengonin njëkohësisht shkarjen e dherave të kodrës drejt tij, në sajë të trajtimit në formë të nisheve gjysmërrethore. Atyre u bashkëngjiteshin edhe dy stoa që shërbenin si vende takimi dhe diskutimesh për qytetarët. Nga e para, që ka qenë mbuluar pjesërisht nga biblioteka e kohës perandorake romake, ruhet mjaft mirë stilobati me blloqe të zbukuruara me shenja apotropeike, si dhe kolonat dorike me diametër 0.52 m, të gjetura in situ. Hapësira prej 5 m pas kolonadës, e cila shërbente për shëtitjen e njerëzve, mbyllej nga një mur me nishe gjysmëcilindrike, që i vishej kodrës. Ruhen tri prej tyre me diametër 5,50 m, të ndara nga ballë 2,50 m të gjerë. Disa elemente arkitektonike të gjetura gjatë gërmimeve tregojnë se shëtitorja kishte edhe një kat të dytë. Ndërtimi i saj ka qenë bërë në gjysmën e dytë të shek.IV p.Kr.