Për strehimin e spektatorëve në rast shiu, apo për shplodhjen e tyre shërbenin jo vetëm portikët e godinës së teatrit, por edhe një stoa e ndërtuar në krah të tij, përgjatë gjatë murit rrethues. Stoa ishte dykatëshe me përmasa 60 m x 11,40 m (20 x 40 këmbë antike) dhe hapej nga ana e sheshit të agorasë me një kolonadë dorike në katin e poshtëm dhe me kolonadë jonike në katin e sipërm. Hapësira e brëndshme e ndërtesës ndahej në dy pjesë, nga një rradhë kolonash. Prej ndërtesës ruhet vetëm bazamenti dhe muri lindor, që e lidhte me teatrin.
Stoa e madhe, e ndërtuar në të njejtën kohë me murin ndarës të agorasë, kufizonte këndin verilindor të saj duke e mbrojtur nga erërat e ftohta. Për këtë arsye stoa është ndërtuar në formë L-je në një gjatësi të përgjithshme prej 144 m. Ndërtesa i takon tipit Apoloniat-korintas, të zhvilluar në dy kate, me mbivënie të kolonadës jonike mbi atë dorike në fasadë. Ajo ndahet, gjithashtu, në të dy katet në dy rrugë nëpërmjet kolonadave të brendshme. Përdorimi i kolonave dorike tetëkëndëshe shënon një adaptim tjetër nga arkitektura apoloniate.
Pjesa lindore e stoas me përmasa 37 m x 11,40 m, ruhet në gjendje më të mirë, sepse ka qenë gdhendur pjesërisht në shkëmb. Pikërisht në këtë vend ruhen edhe vrimat e trarëve që mbanin dyshemenë e katit të dytë, i cili dilte mbi nivelin e plateias C në krah të stoas. Një hapësirë prej 4 m, që shërbente si hyrje në agora, e ndan këtë krah të stoas nga krahu verior që ka pasur një gjatësi prej 73 m. por një gjerësi të njejtë me pjesën tjetër. Stilobati me gjurmët e kolonave tetëkëndëshe është ruajtur më mirë në pjesën më perëndimore të stoas, ku mbi të ka qenë ndërtuar bazilika A. Në shek.III m.Kr. stoa qe shkatërruar dhe në pjesën lindore ka qenë ngritur një faltore e vogël.