Sulltan Ahmedi I 1603-1617

Sulltan Ahmedi I 1603-1617

Pasardhësi i Mehemmedit III, Ahmedi mori fronin pas vdekjes së babait të tij. Sadrazami Javuz Ali Pasha marshoi drejt Austrisë dhe Sinan Pasha, djali i Xhigalasë, u dërgua drejt Iranit. Pas vdekjes së këtij të parit në vitin 1604, Llalla Mehmed Pasha mori vendin e tij si sadrazami osman. Ai pushtoi disa kështjella dhe rrethoi Estergonin, që u rihap ndaj Islamit në vitin 1605.253 Sinan Pasha nuk arriti të rimerrte qytetin Revan dhe në vitin 1605 kaloi dimrin në Van. Një vit më pas, ai u përpoq të merrte Tebrizin, por pa sukses dhe më pas ndërroi jetë në Dijarbakër. Shahu Abbas mori Shirvanin dhe Genxhen. Kujuxhu Murad Pasha vrau rebeluesit në Anadoll dhe në vitin 1019/1610 u emërua Serdar (Kryekomandant) i fushatës kimdër Iranit. Ai marshoi drejt Shahut Abbas në Tebriz, por asnjë nga palët nuk guxoi të futej në betejë të hapur. Murad Pasha u kthye në Dijarbakër ku dhe vdiq. Nasuh Pasha, sadrazami osman, pranoi propozimin e Shahut për paqe. Sipas traktatit të paqes, Shahu duhet tiu paguante osmanëve 200 ngarkesa mëndafsh çdo vit në këmbim të njohjes së tyre të sovranitetit të tij mbi territoret që kishte marrë.

Faza e dytë e luftës me Iranin 1603-1612

Lufta midis osmanëve dhe austriakëve vazhdonte që nga viti 1001/1593, ndërkohë që Devleti Osman ishte i angazhuar për të shtypur disa kryengritje të brendshme. Shahu Abbas i Iranit (1586-1628), e shfrytëzoi këtë situatë të krijuar për të takuar një nga nënoficerët e Kontit të Eseksit, Sir Antuan Shirlin (Sir Antoine Shirley), që në atë kohë ndodhej në Iran, si dhe për të dërguar në vitin 1599 ambasadorët e tij në Evropë për të lidhur një traktat kundër Devletit Osman. Ai i dha Sir Antuan Shirlejit, që i shoqëroi këta të dërguar, disa letra adresuar Papës, Perandorit të Gjermanisë, Mbretëreshës së Anglisë, Mbretit të Francës dhe Polonisë, dhe Presidentit të Republikës së Venedikut. Raportohet madje se Shahu mbante një kryq "të varur në qafën e tij, nën këmishë, si shenjë nderimi dhe përulje ndaj Jezu Krishtit". Abbasi mbeti një besimtar musliman, edhe pse në fakt, bëri shumë përpjekje për të vepruar në bashkëpunim me fuqitë perëndimore kundër turqve. Shahu Abbas mori Tebrizin në vitin 1603,  disa qyteza të Azerbajxhanit dhe Revanin (Erivanin) pas një rrethimi që zgjati gjashtë muaj. Ndërkohë, Sulltani osman Mehemmedi III ndërroi jetë.

Traktati i Zitvatorokut 1606

Lufta me Austrinë zgjati 14 vjet, ndërkohë osmanët kërkuan me ngut të vendosnin paqen me austriakët, që të përqendronin energjitë e tyre në zgjidhjen e problemeve të brendshme të Devletit. Në këtë mënyrë, u lidh në vitin 1015/1606 Traktati i paqes së Zitvatorokut për një periudhë 20-vjeçare. Ky traktat i dha sovranit të Austrisë emërtesën "Cezar" (Perandor), duke e zëvendësuar titullin e tij të mëparshëm mbret, dhe ambasadorët osmanë, që ishin "Divan Çavushu", u ngritën në rangun "Sanxhakbej". Tagra vjetore e Austrisë prej 30.000 dukatesh, që iu paguante osmanëve, u zëvendësua një herë e përgjithmonë nga pagesa e 2/3 të kësaj shume. Devleti Osman, nëpërmjet këtij traktati, fitoi kështjellat e Janëkut (Raab), Estergonit, Istoni Belgradit, si dhe disa kështjella të tjera që ishin pushtuar nga austriakët. Mirëpo, osmanët për herë të parë e pranuan dhe e njohën me këtë traktat sovranin austriak si të barabartë me sulltanin. Më parë, të gjithë sovranët barazoheshin me sadrazamin dhe jo me sulltanin. Për këtë arsye, ky traktat është dokumenti i parë që zyrtarisht shënoi rënien e statusit të sulltanit osman dhe që e barazvlerësoi me atë të sovranit evropian.

Faza e tretë e luftës me Iranin 1615-1618

Shahu Abbas nuk e mbajti premtimin e tij, për ti dërguar Devletit Osman 200 ngarkesa mëndafsh, dhe arrestoi ambasadorët osmanë që ishin dërguar për të pyetur për këtë vonesë. Për këtë arsye, në vitin 1024/1615, Sadrazami Mehemmed Pasha marshoi drejt Iranit. Edhe pse Shahu i liroi me nxitim ambasadorët, sadrazami vazhdoi përparimin e tij. Ai rrethoi Revanin, por nuk arriti ta merrte atë, dhe për këtë arsye, lidhi një traktat tjetër paqeje që e detyronte përsëri Iranin t'i dërgonte Devletit Osman 100 ngarkesa mëndafsh çdo vit. Mehemmed Pasha u shkarkua nga detyra, pas dështimit të tij në Revan dhe kjo marrëveshje për paqe nuk u miratua nga sulltani osman. Sadrazami i ri, Halil Pasha, arriti në Tebriz në vitin 1617.

Kalorësit e Krimesë, që kishin fituar një famë të shkëlqyer gjatë shekujve, sulmuan Iranin dhe e detyruan Shahun të largohej në Erdebil në Vitin 1618, dhe kërkuan edhe lidhjen e një traktati paqeje. Sipas këtij traktati, tagra që Irani i dërgonte Devletit Osman u reduktua nga 200 ngarkesa mëndafsh në vetëm 100.

Sulltan Ahmedi vdiq në moshën 28-vjeçare në vitin 1026/1617 dhe nuk la asnjë shehzade në moshë madhore. Ai ktheu një numër te madh fshatrash të Egjiptit në vakëfe për popullin e Varfër të el-Haramejn esh-Sheirfejn.

info@balkancultureheritage.com