Sulltan Muradi III 1574-1595

Sulltan Muradi III 1574-1595

Shehzade Muradi, Sanxhakbeu i Manisës, mori drejtimin e Sulltanatit dhe Hilafetit osman në Stamboll në vitin 962/1574.

Marrëdhëniet me sulltanatin e Fasit (Magribit)

Sherifët Sa'adi vazhdonin të drejtonin Fasin në bashkëpunim aktiv me Spanjën, por kur kjo e fundit filloi të dobësohej, ata kërkuan miqësinë e portugezëve. Shumë shpejt rivaliteti dhe intrigat u bënë të dukshme midis pjesëtarëve të familjes drejtuese dhe froni i Mevlaji Muhammedit u vu në rrezik nga xhaxhai i tij Abdulmeliku. Ai iu drejtua Devletit Osman për ndihmë, ndërkohë që Muhammedi u hodh në duart e Mbretit Sebastjan të Portugalisë. Osmanët urdhëruan Bejlerbeun e Algjerisë, Ramazan Pashanë, që ta ndihmonte Abdulmelikun, ndërkohë që Mbreti Sebastjan u angazhua personalisht në ndihmë të Mevlaji Muhammedit, dhe mbërriti me një ushtri prej 80.000 luftëtarësh të krishterë të pajisur me 300 armë zjarri. Forcat muslimane osmane së bashku me Abdulmelikun e shkatërruan Sebastjanin në betejën e Vadi's Sejlit në vitin 986/1578. Abdulmeliku u bë sulltan i Magribit, por pak kohë pas kësaj fitoreje ndërroi jetë. Mbreti Sebastjan u mbyt ndërsa largohej nga fusha e betejës. Ai nuk la asnjë pasardhës dhe për këtë arsye vëllai i tij, Henri mori fronin e Mbretërisë së Portugalisë, edhe pse në vitin 988/1580 vendin e tij e mori Perandori i Spanjës, Filipi II. Nëse portugezët do t'i kishin mundur Abdulmelikun dhe osmanët, Magribi do të ishte kthyer në një Brazil të dytë, që do të thotë në një vend katolik, folës i gjuhës portugeze.

Nga fundi i shekullit të 16-të, Devleti Osman ishte ende shumë i fuqishëm dhe arrinte të ishte një fuqi detare e përshtatshme për mbrojtjen e territoreve të gjera bregdetare, edhe pse jo aq e përshtatshme për përballje të ardhshme të mundshme kundër spanjollëve dhe portugezëve në Ngushticën e Gjibraltarit. "Spanja dhe Portugalia, nga ana e tyre, u angazhuan në mbrojtjen e perandorisë së tyre të gjerë dhe tregtisë kundër vendeve të reja sfiduese siç ishte Anglia, Holanda dhe Franca. Prester Xhoni dhe Hani i Madh i kishin shërbyer qëllimit të tyre utopik. Floriri, skllevërit dhe erëzat, si dhe kolonizimi i territoreve të zbuluara rishtazi, tashmë ishin më të rëndësishme se kryqëzatat kundër muslimanëve. Në vitet e krijimit të kompanive të Indisë së Lindjes, përpjekjet për rimëkëmbjen e Jerusalemit, nuk ishin më faktori kryesor motivues në veprimin e tyre politik. Megjithatë, kujtimi i atyre ditëve ende mbetet në disa emërtime vendesh në Amerikë si Matamoros (Shën Xhejmsi, "Vrasësi i Maorëve").

Lufta me Iranin (Persinë)

Pas vdekjes së Shahut të Iranit, Tahmasbit, filloi lufta për pushtet që do të përfundonte me ardhjen në fron të djalit të tij, Ismailit II. Duke deklaruar se ishte sunnit, Ismaili vrau një numër të madh shehzadesh dhe fisnikësh shiitë. Megjithatë, Hudabendit, shehzadës pothuajse të verbër iu fal jeta për arsye mëshire. Ismaili II shkeli traktatin e paqes që ishte vendosur midis babait të tij dhe Devletit Osman. Ai siguroi përkrahjen nga disa bejlerë në Anadollin Lindor, por vdiq ose u vra në vitin 985/1577, dhe periudha e pasuesit të tij ekstravagant, Hudabende, u karakterizua nga trazira dhe shqetësime të shumta në Iran. Hursrev Pasha, Bejlerbeu osman i Erzurumit, i bëri thirrje Stamboliit, se ky ishte një çast i volitshëm për të bërë përpjekje për të aneksuar disa pjesë të Iranit. Në këtë mënyrë, Llalla Mustafa Pasha marshoi drejt Iranit në vitin 985/1577, e mposhti ushtrinë iraniane në Betejën e Çëlldërit dhe kapi rob një sërë fisnikësh dhe zyrtarësh safevitë. Më pas, në vitin 986/1578, ai përparoi dhe mori Tiflisin (Tbilisin) dhe Shirvanin, ndërkohë që Ozdemirogllu (Ozdemiroglu) Osman Pasha mori Dagestanin (Dagistan). Ferhad Pasha mori Revanin në vitin 991/1583 dhe ushtria osmane vazhdoi fushatën e saj nën drejtimin e Ozdemirogllu Osman Pashait, derisa mori kryeqytetin Tebriz në vitin 922/1584. Ndërkohë që Abbas Mirza (sundoi në vitet 1587-1629) mori fronin si Shah, uzbekët sunnitë sulmuan Iranin nga Lindja. Duke u përballur me një sërë disfatash turpëruese, Irani më në fund u detyrua të lidhte një traktat paqeje me Devletin Osman në vitin 998/1590. Sipas Traktatit të Stambollit, Azerbajxhani do të qëndronte nën sundimin osman dhe Shahu garantoi se do të ndalte fushatën e abuzimeve, dhe ofendimeve ndaj Hazreti Ebu Bekrit, Hazreti Omerit dhe Hazret Aishes (r. anhum).

Lufta me Austrinë

Në vitin 972/1565, midis Devletit Osman dhe Austrisë u lidh një traktat 8-vjeçar paqeje, i cili përcaktonte mundësinë e rinovimit te tij në të ardhmen. Megjithatë, komandantët kufitarë te të dyja palëve nuk arrinin më të gjenin justifikime për grindjët dhe aktet ë tjera armiqësore. Sidoqoftë, në vitin 998/1590, traktati u rinovua për një periudhë tjetër 8-vjeçare, edhe pse Austria nuk pagoi tagrën e detyrueshme dhe nxiti vojvodat e Eflakut dhe Bogdanit të ngriheshin kundër kryezotëve të tyre osmanë. Ne shenjë hakmarrje, Telli Hasan Pasha, valiu i Bosnjës sulmoi Austrinë tre herë, por ai dhe shumë nga komandantët, dhe ushtarët e tij trima ranë martirë në vitin 1001/1593, gjatë njërit prej sulmeve (të akënxhinjve) ku u shemb një urë. Pas kësaj tragjedie, osmanët i shpallën luftë Austrisë dhe Sadrazami Sinan Pasha arriti disa fitore në këtë fushatë. Pasi kaloi dimrin në Beograd, ai u rinis për luftë një vit më vonë dhe Gazi Gëraji, Hani i Krimesë, erdhi së bashku me 40.000 kalorës në mbështetje të tij. Forcat muslimane aneksuan kështjellën Janëkkale (Raab), që ishte ndërtuar midis Budinit (Budapestit) dhe Vjenës duke përfituar edhe një sasi pajimesh si plaçkë lufte. Të përballur me kërcënimin serioz musliman, Perandori i Gjermanisë dhe Austrisë, Rudolfi II, Mbreti i Erdelit dhe vojvodët e Eflakut dhe Bogdanit lidhën një traktat kundër osmanëve në vitin 1003/1595. Duke qenë se të dy vojvodët ishin brenda territorit osman, aleanca e tyre me armikun e krishterë, ishte një goditje e rëndë ndaj autoritetit dhe prestigjit të tyre që duhej zgjidhur me ngut. Ndërkohë që, osmanët ishin angazhuar me nënshtrimin e kryengritjes, austriakët arritën një sërë fitoresh në disa zona të tjera të konfliktit. Vojvoda i Efiakut u mund dhe u detyrua të largohej drejt Erdelit. Në këtë mënyrë, ushtria osmane arriti të aneksonte Bukreshin (Bukureshtin) dhe Trgovishten. Gjatë rrugës së kthimit, Sinan Pasha iu imponoi ushtarakëve të kapur rob, pagesën e taksave që u mblodhën mbi një urë në lumin e Danubit. Vetëm ata që paguanin taksën u lejuan të kalonin lumin në anën jugore. Megjithatë, angazhimi i ushtrisë osmane në këtë fushatë, shkaktoi dobësimin e saj dhe i dha mundësinë Mihailit të sulmonte sërish në vitin 1595. Akënxhinjtë, që kishin mbetur në bregun e majtë të lumit, luftuan kundër tij me trimëri, por shumë prej tyre ranë martirë në fushën e betejës, ndërsa ushtria muslimane pësoi dëme të rënda. Kjo goditje e rëndë shkaktoi rënien përfundimtare të Akënxhinjve, ndërkohë që kështjella Estergon u mor nga austriakët.

Pak kohë para vdekjes së tij në vitin 1003/1595, Sulltan Muradi III organizoi një festë përrallore me rastin e ceremonisë së synetit të djalit të tij, Mehemmedit, që zgjati 40 ditë. Me iniciativën e tij, organizuesit e festës kërkuan që të shpërbleheshin duke u përfshirë në trupën e jeniçerëve, por Jeniçeri Agasë (Kryekomandanti Suprem i kësaj force), Ferhadi, nuk pranoi të plotësonte këtë kërkesë qesharake dhe dha dorëheqjen në shenjë proteste. Pasuesi i tij, Jusufi u përshtat me këtë kërkesë të paarsyeshme që do të ishte një hap domethënës drejt korruptimit të organizimit jeniçer. Deri në atë kohë, sulltanët osmanë kishin qenë shumë të kujdesshëm për ta mbajtur këtë forcë të paprekur. Për shembull, Sylejmani i Madhërishëm ishte zemëruar shumë, pasi kishte mësuar se një pjesëtar i kësaj force kishte riparuar një pjesë të frerit të tij prej argjendi, që ishte prishur gjatë xhihadit në Sigetvar, sepse ai nuk mund ta konceptonte faktin që një artizan apo një tregtar, të mund të përfshihej në forcën e tij muxhahide. Për këtë arsye, ai e shkarkoi menjëherë këtë të huaj nga forca e tij ushtarake dhe e nxori atë në pension.

info@balkancultureheritage.com