Svastika
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Svastika

Reliev i mburojës ilire, gjetur në Bylis

Sikur edhe simbolet e tjerë solarë qe u përmendën deri tani, ashtu edhe svastika (kryqi i thyer) ka qenë e njohur në Ballkan shumë më parë se ç’është formuar etnosi ilir. Shembujt më të lashtë janë që nga epoka e neolitit. Nga epoka e bronzit svastika ndeshet e paraqitur në karrocat e njohura prej argjili të Duplajës.

Nga mbarimi i epokës së bronzit, pra, në kohën kur tani mund të flasim për ilirët në këto treva, svastikën e gjejmë të paraqitur në shkëmbinj në Lipci afer Risanit në Bokën e Kotorit dhe në Zhlijeb afer Vishegradit.

Me përjashtim të paraqitjes së një svastike në fibulën e gjetur në Kompolje të Likës (T. VII, 3) e cila datohet me fazën e fundit të kulturës së fushave të urnave (HaB) në trevën e ilirëve, ky simbol nuk ndeshet deri në mbarim të shek. VI. para e.r., por në shek. V. para e.r. bëhet shumë i shpeshtë. Është interesant të theksohet se svastika nuk është e pranishme njësoj në gjithë trevën ilire. Më shpesh ndeshet në Istri (T.VI, 1,4; T. VII, 1, 2, 5, b) dhe në trevat e Alpeve lindore (T. VI, 3, 6; T. VII, 4,8), kurse në trevën ndërmjet Savës, Dravës dhe Danubit ndeshet në kohën e hekurit të ri, dhe atë vetëm në një lokalitet - në Osijek (T. V, 2). Pak më e shpeshtë është në trevën e japodëve, mirëpo, nuk dëshmohet në trevën e gjerë që e kanë populluar liburnët dhe dalmatët, ndërsa nga treva e liburnëve deri tani është i njohur vetëm një ekzemplar i këtij simboli. Sërish e ndeshim në trevën qendrore të ilirëve (T. V, 4, 5; T. VI, 2, 5; T. VII, 7) si edhe në pjesët jugore të tokës ilire.

Në repertorin e gjetjeve duhen marrë parasysh edhe ekzemplarët e trikvetrumit (triquetrum), që dallohen nga svastika, të cilët në vend që të kenë katër i kanë tre gemba të thyer. Deri tani nga treva ilire janë të njohur vetëm tre ekzemplarë të trikvetrumit - njëri në fibulën e fundit të kohës së bronzit - gjetiu në Krehina Graci dhe dy pak më të reja (shek. VIII para e.r.) të skalitur në dy kallçinj - të gjetura në Ilijak në Gllasinc.

Domethënia simbolike e svastikës është e njohur mirë nga historia e religjionit. Vetë fjala “svastikë” përmban edhe domethënien e këtij simboli: në sanskritishte “svasti” do të thotë shëndet, mirësi dhe gëzim. J. Dechelette, i cili këtij simboli i ka kushtuar kujdes të veçantë, svastikën e ka karakterizuar si simbol “Dielli në lëvizje”. Sipas tij, svastika është zhvilluar prej rrethit të thjeshtë, në të cilin pastaj është skalitur kryqi. Me kohë rrembat e kryqit janë thyer dhe kështu është fituar trajta e svastikës me rremba të thyer brenda rrethit. Kjo do të ishte paraqitja më e hershme grafike e svastikës. Tipi i svastikës me rremba të thyer është i fazës së zhvilluar të mëtejshme të këtij simboli.

Përveç Dechelette-it, me këtë simbol janë marrë shumë edhe specialistë të tjerë dhe të gjithë pajtohen se svastika së pari është paraqitur në Mesopotami, qeramikën eneolitike të Suzës dhe të lokaliteteve të tjera dhe se nga këtu, bashkë me elementet e tjera kulturore, përhapet në pellgun e Danubit dhe më tutje nga perëndimi.

Në trevën ilire svastika ndeshet, siç u tha, në neolit, por edhe me këtë simbol do të ndodhë ajo, që ka ndodhur edhe me simbolet e tjera në Ballkan. Kështu, pas paraqitjes në epokën e neolitit, me përjashtime të rralla, zhduket, për t’u paraqitur përsëri madje në numër të madh, në mesin e mijëvjetëshit të I para e.re., më saktësisht nga mbarimi i shek. VI. para e.re. Kemi parë se ajo ndeshet shumë shpesh në trevat e Istrisë e të Alpeve lindore, si edhe në disa pjesë të trevës qendrore dhe jugore ilire. Shumë objekte në të cilat paraqitet svastika, sidomos në ato që janë nga Bosnja dhe Hercegovina, pastaj nga Serbia, janë punuar nën ndikimin e drejtpërdrejtë grek, prandaj mund të konkludohet se shfaqja e këtij simboli në ato treva është në lidhje me depërtimin e elementeve kulturore dhe në përgjithësi shpirtërore greke në brendësi të tokave ilire.

Shfaqja e svastikës në Istri dhe në trevat e Alpeve lindore mund të shpjegohet, në të shumtën e rasteve, me po ato ndikime të njëjta kulturore që nga bota helene, drejtpërdrejt ose thërthorazi nëpër Itali, i kanë vërshuar këto vise ilire. Në këto vise veriore ilire të tokës ilire svastika depërton kryesisht përmes kompleksit kulturor etruro-italik. Ndërkaq, është e mundur që shkaku i paraqitjes së këtij simboli të Diellit ka depërtuar në Istri dhe drejtpërdrejt nga qytetet e Italisë Jugore. Në një përfundim të tillë na shpie fakti që në Istri janë zbuluar vazat greke me prejardhje nga Italia Jugore dhe me paraqitjen e këtij simboli.

Kurse, sa i përkettrevës së Alpeve lindore, duhet përmendur edhe një rrugë përmes së cilës svastika ka depërtuar atje. Apliket e plumbit me rremba në formë të kokave të kuajve që rrotullohen në anën e kundërt të akrepit të orës janë prodhim tipik i stilit lindor të shtazëve, kurse prania e tyre në Magdalenska Gora, Toplice dhe Stiçna bëjnë të kuptohet ekzistenca edhe e burimit lindor të svastikës në viset veriore ilire.

Kuptimi kryesor i svastikës te ilirët, njësoj si edhe në viset e tjera ku ajo paraqitet, në thelb, ka qenë solare. Mirëpo, svastika ka edhe kuptime të tjera. Forma e svastikës p.sh., në mburojat ilire, të paraqitura në monedhat e qytetit ilir të Scodrës, pastaj shembëlltyra e trikvetrumit në kal Içinjtë e Iliakut etj., ka pasur domethënie apotropeike. Domethënie të tillë me siguri kanë pasur edhe paraqitjet e svastikës në fibulat, në dy byzylykët dhe stoli të tjera që i kanë bartur ilirët.

Ndoshta kanë pasur domethënie apotropeike edhe svastikat në vatrat shtëpiake të Donja Dolinës. Këto objekte, siç kemi theksuar, përveç funksionit praktik, kanë pasur rol të madh edhe në besimin e popullsisë së atij vendbanimi lakustër, prandaj edhe shfaqja e svastikës në to ka qenë padyshim e lidhur ngushtë me vendin që në besimet e tilla ka pasur vatra e shtëpisë. Sipas shpjegimit që pat dhënë Q. Truhelka, banorët e Donja Dolinës u kanë dërguar ushqim të vdekurve, pajtorëve të shtëpisë e të familjes, që kishin qenë të varrosur nën shtëpi të tyre, përmes një vrime në formë të hinkës që gjendej në fund të këtyre furrave. Svastika në këto furra mund të jetë simbol i lumturisë dhe i gëzimit, por edhe i vdekjes. Dihet se svastika me gemba të kthyer në drejtim të lëvizjes së Diellit në Indinë e lashtë ka qenë simbol i dritës, i gëzimit dhe i jetës, kurse ajo me gemba të kthyer në anën e kundërt (suavastika) ka qenë simbol i vdekjes dhe i fatkeqësisë. Te ilirët i ndeshim të dy tipet e këtij simboli dhe fakti që suavastika gjendet më shpesh në objekte të karakterit funeral se sa svastika, ka të ngjarë që te ilirët këto dy tipe të svastikës kanë pasur të njëjtën domethënie si në Indi.

info@balkancultureheritage.com