Është një nga ndërtimet antike më të ruajtura. Shkallarja e tij, e ndërtuar me gurë të punuar, është vendosur brenda një katrori me brinjë 28.50 m (njëqind këmbë epirote), të kufizuar nga mure anësore të përforcuara me kontrafortë, sipas një modeli të njohur nga teatri i Dodonës. Shkallarja ndahet në pesë kerkide nga gjashtë shkallë të ngushta. Ndenjëset e proedrisë, janë punuar me këmbë luanësh. Ndenjëset e tjera kanë lartësi të barabartë prej 0.42 m dhe gjerësi 0.74 m, ku dallohet vendi i këmbëve, më i thelluar. Ka pasur gjithsej 23 radhë ndenjësesh, të ndara nga një diazoma, që ofironin një kapacitet për rreth 2500 spektatorë.
Në periudhën romake kanë qenë shtuar edhe dy galeri në të dy anët e shkallares, për të lehtësuar lëvizjen e spektatorëve për në vendet e tyre sipas sistemit romak.
Orkestra ka formën e treçerekrrethit dhe ka qenë veshur me pllaka në kohën romake. Proskena ka qenë mbuluar nga pulpitum i kohës romake. i cili zbukurohet me gjashtë nishe gjysmërrethore të veshura dikur me mermer shumëngjyrësh. Balli i skenës (frons scenae) ngrihej mbi një bazament blloqesh të punuara si një mur me tri harkada dhe gjashtë nishe, të veshura dikur me mermer shumëngjyrësh dhe të zbukuruara me skulptura. njëra prej të cilave ka qenë Dea e Butrintit.
Hyrja në teatër bëhej nëpërmjet korridoreve anësore (parodoi). Muri mbajtës (analema) i korridorit perëndimor, i cili lidhej me tempullin e Asklepit, është përdorur për publikimin e 29 akteve për lirim skllevërish, që datohen pas ndërtimit të teatrit, kryesisht pas krijimit të koinonit të Prasaibëve rreth vitit 163 p.Kr. Mbishkrime të tjera, më të hershme, janë gdhendur në murin e diazomës së teatrit. ndërsa një mbishkrim kushtues për teatrin gjendet në radhën e parë të ndenjseve.
Teatri i Butrotit ka qënë ndërtuar në gjysmën I të shek. III p.Kr., ndërsa skena e tij u rindërtua në gjysmën I të shek. II m. Kr. Gjatë gërmimit të tij u zbuluan një grup skulpturash. Më e njohura dhe e ashtuquajtura “Dea e Butrintit”, që përbëhej në fakt nga koka e Apollonit, e cila ishte vendosur mbi një shtat gruaje të shek. II m.Kr. Pranë saj qëndron nga cilësia edhe portreti i strategut romak Agripa, mik i ngushtë e dhëndër i Augustit, si dhe një kokë mermeri e vetë Augustit. Pothuaj i plotë u zbulua shtati i një gruaje, ndoshta një nga muzat e lidhura me teatrin, e cilësuar nga Ugolini si Herkulania e Madhe. Gjithashtu, u gjetën edhe dy shtate identike strategësh të shek. I p.Kr., nga të cilët njëri mbante edhe emrin e skulptorit Sosikles nga Athina.