Monumenti ka qenë vendosur në një nga lugjet karakteristike të shpatit të kodrës, menjëherë nën sheshin e ngushtë të agorasë, duke shfrytëzuar hapësirën e gatshme për vendosjen e një shkallareje të përafërt me atë të teatrit të Dodonës (129 m).
Kjo ka kërkuar edhe krijimin e një tarrace solide me përmasa 32.50 x 7.10 m, e cila ka shërbyer për vendosjen e ndërtesës së skenës. Një proskenë me gjerësi 3.50 m e ndërpriste orkestrën dhe shërbente për lojën e aktorëve, njëlloj si në teatrin e Bylisit. Disa elementë arkitektonikë të ruajtur në skenën e rindërtuar romake (fig.9) dëshmojnë se ajo kishte pasur një fasadë të ordrit jonik me vendosje orthostatesh midis pilastrave, gjithashtu të ngjajshme me Bylisin. Nga gërmimet është zbuluar një pjesë e analemës perëndimore, si dhe parodosi me gjerësi rreth 3 m.
Teatri ka qenë ndërtuar në dhjetvjeçarët e fundit të shek. III p.e.sonë., kur Foinike u bë kryeqytet i Epirit. Në fund të shek. lll e.sonë., teatri ka pësuar një rindërtim rrënjësor. Duke ruajtur në përgjithësi pjesën e shkallareve me analemat dhe parodoset, si dhe tarracën masive të skenës, ka qenë ndërtuar një frons scenae i ri me muraturë tullash. Ai ka një gjatësi prej 31 m dhe përshkohej nga tre dyer të inkuadruara nga nishe dekorative. Para saj shtrihej proskena me një pulpitum me gjerësi 4.30 m, e ndërtuar gjithashtu me një muraturë tullash.