Bashkë me stoan e madhe dhe stadiumin teatri ka përcaktuar kompozimin arkitektonik të agorasë rreth mesit të shek.III p.Kr. Për ndërtimin e tij ka qenë zgjedhur këndi juglindor i agorasë, ku ngritja e menjëhershme e terrenit jepte mundësi për shfrytëzimin e shpatit për ndërtimin e shkallareve. Ky pozicion ngjitur me portën nr.5 mundësonte komunikimin e drejtpërdrejtë me horën e koinonit, nga vinte një pjesë e madhe e shikuesve.
Teatri ishte konceptuar si një ndërtim madhështor, me godinën e skenës në sfondin e shkallares. Dy mure mbajtëse anësore e theksonin këtë perspektivë, ndërsa kolonada dorike e portikut të godinës së skenës krijonte një monumentalitet të panjohur për teatrot e kohës.
Një hyrje ballore u shërbente aktorëve, për të kaluar në kthinat e prapaskenës, ndërsa spektatorët kalonin në parodoset e zbukuruara me harqe, sipas një modeli të zbatuar edhe në Dodonë. Orkestra gjysëmrrethore pritej nga një proskenë e ulët prej rreth 3 m, e zbukuruar me një kolonadë jonike, që shërbente për të luajtur aktorët. Prapa tyre ngrihej sfondi arkitektonik i skenës, me një kolonadë dorike, nga e cila ruhen, gjithashtu, disa pjesë kolonash dhe të antablementit.
Shkallarja e teatrit ka formën e një gjysmërrethi me diametër 78 m dhe lartësi 16 m. Numri i përgjithshëm i shikuesve që mund të uleshin në të llogaritet në rreth 7500 spektatorë, duke e vendosur teatrin e Bylisit pas atij të Apolonisë (10000 spektatorë) dhe të Foinikes Teatri i Bylisit i takon tipit ilir-epirot, që karakterizohet nga parodoset ballore, analemat e drejta dhe përdorimi i proskenës për lojën teatrale. Ngjajshmëritë më të afërta i ka me teatrin e Dodonës, si dhe me atë të Sirakuzës në Siqeli.