Në apsidë ruhet e pikturuar Shën Mëria, jo si zakonisht e tipit Oranta, por ndenjur mbi një fron pa mbështetëse, duke mbajtur Krishtin si fëmijë në pëqi, e kompozuar dhe me dy engjëj anash, të kthyer e të përkulur nga ajo në pozicion lutjeje.
Nën Shën Mërinë është brezi me temën liturgjike: jerarkët anash apsidës të kthyer nga mesi i saj, ku është dhënë e pikturuar tryeza e altarit me "melizmosin" (të pjesëtuarin), në të cilën përfytyrohet Krishti si foshnje me potirin e kungatës pranë. Figurat e jerarkëve janë: Shën Vasili i Madh, Gjon Gojarti, Grigor Theologu, Gjon Elelmoni, Shën Thanasi i Aleksandrisë dhe Grigor çudibërësi, i kompozuar kthyer nga altari. Në murin jugor në anën jugore të apsidës, ruhet figura e Shën Klimentit të Aleksandrisë, që vjen si shtojcë e figurave të jerarkëve të apsidës.
Në anën veriore të apsidës, në nikën e prothesit ruhet figura e Shën Stefanit, e fragmentuar.
Sipër, mbi apsidë, ruhet skena "Shestia" me portretet e figurave të dëmtuara. Nën të, anash apsidës, ruhet skena e ungjillëzimit me Gabrielin në anën veriore dhe Shën Mërinë në anën jugore, e cila ka mbetur e fragmentuar.
Buza përreth apsidës nga jashtë stoliset me një brez të ngushtë prej palmetash të bardha mbi sfond të errët, të njëjta me ato që janë rreth apsidës perëndimore të Trapezarisë së Manastirit të Apollonisë.