Jashtë qytetit, mbi shpatin e kodrës në jug, ndodhet një teqe e madhe e urdhrit bektashi. Hasluck ka mbledhur gojëdhëna lokale, sipas të cilave kjo teqe ka qenë një nga më të vjetrat në Shqipëri dhe është ndërtuar “200 vjet më parë”, afersisht rreth viteve 1720-1730. Ndërtesa që shohim sot i përket shekullit XVIII dhe meriton një shqyrtim më të hollësishëm. Teqeja është e ndërtuar me një stil të ngjashëm me fortesën, rreth një oborri të mbyllur dhe me një mur të trashë rrethues. Tipari më i dalluar i kësaj ndërtese është hyrja e saj, që është e kufizuar në secilën anë nga një tyrbe me kube. Këto tyrbe janë të ndërtuara sipas planimetrisë dhe mënyrës së zakonshme të ndërtimit të veprave arkitekturore shqiptaro-epirote, me mure shumëkëndëshe prej gur kave dhe pak të punuar, me përmasa paksa të çrregullta dhe me kube të mbuluar me rrasë. Pjesët e tjera të teqesë paraqesin stilin e një banese qytetare feudale.
Pas revolucionit kulturor të vitit 1967, teqeja shërbeu si spital psikiatrik.
Hasluck përmend se teqeja më e madhe bektashiane e Gjirokastrës ka qenë ajo e Haxhi Sulejman Babait, në veri të qytetit. Ajo kishte katër tyrbe dhe, përpara luftrave ballkanike, shërbenin rreth 20 dervishë. Sipas tij, kjo teqe është ndërtuar në shekullin XIX. Kur e vizituam, në vitin 1983, ajo ishte akoma e ruajtur mirë, përfshirë këtu edhe katër tyrbet. Këto tyrbe janë ndërtesa të thjeshta, të ndërtuara me gurë kave me një planimetri gjashtëkëndore. Ato kanë mbishkrime të vogla osmane, ku përmendet viti i ndërtimit, në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Për shkak të funksionit të tyre (ato janë përdorur si magazina municioni të ushtrisë), nuk është bërë i mundur realizimi i ndonjë studimi të hollësishëm.