Kjo teqe bektashiane, dikur e rëndësishme, ka shumë mundësi të jetë ndërtuar në gjysmën e shekullit XVIII. Ajo ndodhet poshtë qytetit, në një rrafshinë të quajtur “Kruja e poshtme”. Teqeja gjoja është ndërtuar nga Baba Aliu, i cili ka jetuar përpara kohës së Shemini Babës. Më vonë, ky i fundit luajti një rol të rëndësishëm në veprimtarinë e teqesë, që pas tij u riquajt “Teqeja Shemimi”. Ippeni e ka vizituar ndërtesën në fillim të shekullit tonë dhe e përshkruan atë si një kompleks të madh dhe të çrregullt ndërtimesh, të vendosura në një kopsht të këndshëm. Ai vërejti dy tyrbe, një të ndërtuesit, Baba Aliut, dhe një tjetër të Baba Hysejnit, i cili vdiq në vitin 1890. Teqeja u shkatërrua nga Gegët gjatë Luftës I Botërore. Kur Hasluku e vizitoi atë, ajo ishte gjysmë e rindërtuar. Teqeja i mbijetoi vitit 1967, por ka një vlerë arkitekturore të vogël dhe nuk do të trajtohet në këtë libër.
Hamami, shekulli i XV
Në pjesën e poshtme të kështjellës së Krujës, jo larg nga porta kryesore dhe teqeja e Dollmës, ndodhet një hamam i vogël i shekullit XV. Rrënojat e tij u zbuluan në vitet 1960, gjatë gërmimeve në këtë pjesë gjysmë të shkretuar të qytetit. Instituti i Monumenteve të Kulturës e zbrazi banjën nga dheu dhe më pas e restauroi atë.
Hamami i vogël përbëhet nga tri pjesët e zakonshme, një dhomë e vogël zhveshjeje (5.60m x 7.40m), e cila fillimisht ishte e mbuluar nga një tavan druri që nuk u rikonstruktua gjatë restaurimit, një sodukluk i vendosur tërthorazi me përmasa 7.40m x 2.20m, i mbuluar nga një kube dhe dy gjysma të një kupole në formë djepi mbi të dyja pjesët e mbetura të dhomës dhe dy halvete. Këto dy të fundit janë kuadrate me kube, si zakonisht. Pas soduklukut të ngushtë ndodhet një pjesë tjetër e vogël, e harkuar, e cila zgjatet përtej konturit kryesor të ndërtesës. Aty ndodhej tualeti-berberane. Edhe pse ne flasim për një sodukluk dhe një banjë (dy halvete), këto dy pjesë janë të bashkuara në një bllok. Kjo është një veçori, të cilën e gjejmë shpesh në banjat e vogla turke. Dhoma e mëparshme e nxehjes dhe kontenieri i ujit janë akoma të groposura nën dhe.
Padyshim që hamami mund t’u ketë shërbyer nevojave modeste të gamizonit të Krujës dhe popullsisë së vogël muslimane në shekullin e parë të sundimit osman. Duke e gjykuar nga ndërtimi i kubeve dhe nga forma e përgjithshme, duhet ta përcaktojmë periudhën e ndërtimit të kësaj banje në dekadat.e para pas pushtimit turk, në vitet e fundit të Fatihut apo në dekadën e parë të sundimit të Bajazidit II, pra rreth viteve 1478-1490.