Britania, Austria dhe Prusia kishin lakmi ndaj përfitimeve të mëdha territoriale të Rusisë dhe për këtë arsye, kërkuan mbledhjen e menjëhershme të një kongresi që do të mbahej në Berlin. Rusia pranoi pa dëshirë, pasi e dinte se nëse do të refuzonte pjesëmarrjen në këtë kongres, do të shkonte drejt një krize më të rëndë dhe ndoshta edhe drejt luftës.
Britania i kërkoi Sulltanit osman ta lejonte atë të qeveriste Qipron, duke pretenduar se kjo ishte e nevojshme për të mbrojtur Anadollin Lindor kundër çdo sulmi rus, dhe e paralajmëroi se do të tërhiqej nga kongresi, nëse sulltani nuk do ta pranonte këtë kërkesë të saj. Në këtë mënyrë, sulltani u detyrua të jepte këtë koncesion në Traktatin e Qipros, që u nënshkrua më 4 qershor 1878. Megjithatë, Britania pranoi t'i paguante një shumë vjetore Thesarit Osman, nga çka mbetej nga të ardhurat që merrte ajo nga Qipro, dhe Devleti Osman vazhdoi të administronte institucionet juridike, fetare dhe arsimore të Qipros. Nga ana e saj, Britania premtoi se do t'i jepte Devletit të gjithë ndihmën e nevojshme për mbrojtjen e Anadollit lindor, në rast sulmi nga Rusia.
Kongresi i Berlinit u mblodh në 12 Xhumadel' Ahire 1295/13 qershor 1878. Kryeministri gjerman, Princ Bismarku, u zgjodh president. Kryetari i delegacionit osman ishte Aleksandër Kara Todori; këtij të krishteri iu dha ky post për të impresionuar shtetet evropiane. Bismarku u tha delegatëve osmanë në takimin e tyre të parë: "Mos e gënjeni veten duke menduar se kongresi u mblodh për Devlet-i Alijje. Nëse Traktati i Shën Stefanit nuk do t'i kishte prekur fitimet e shteteve evropiane, do të kishte mbetur ashtu siç ishte."
Faktikisht, sfera e ndikimit bullgar, në fakt e atij rus, që kishte arritur deri në brigjet e Egjeut, sipas Traktatit të Aja Stefanos (Shën Stefanit), u zvogëlua në mënyrë të konsiderueshme në Kongresin e Berlinit. Devleti Osman rifitoi Dogu (Dogu) Bejazitin (Bejazitin Lindor) dhe Eleshkirtin, që i ishin dhënë Rusisë pas nënshkrimit të Traktatit të Shën Stefanit. Por, popullsia e Bosnjë e Hercegovinës nuk i pranoi nenet që u vendosën për ta në këtë Kongres. Për këtë arsye, Austria vendosi atje një regjim ushtarak. Pavarësisht nga fakti që Abdylhamidi ishte i ndjeshëm ndaj çështjeve të Islamit, më 21 prill 1879, ai u detyrua të pranonte për një periudhë të pacaktuar njohjen e hegjemonisë austriake, sovranitetin austriak në atë territor. Megjithatë, muslimanët do të ishin të lirë të praktikonin besimin e tyre fetar dhe hutbeja do të mbahej në emër të Halifit. Popullsia e vendit do të kishte të drejtën të përmisohej në administratë dhe ata muslimanë që do të dëshironin, do të lejoheshin të largoheshin. Sulltan Abdylhamidi këmbënguli shumë për vendosjen e këtyre çështjeve dhe bëri të pamimdurën për të mbrojtur popullsinë muslimane deri në skajin e kufizimit të tij.