Triumf dhe poshtërim

Triumf dhe poshtërim

Skena që pasoi nuk është rikrijuar nga piktorë admirues. Katilina la qytetin për t’u bashkuar me mbështetësit e tij që qenë sajuar së bashku në një ushtri jashtë Romës. Ndërkohë, Cicero organizoi një operacion të hidhur dhe të mençur për të ekspozuar komplotistët që nuk kishin ikur nga qyteti. Në mënyrë jo të mençur, siç rezultoi, ata qenë përpjekur të përfshinin në komplot një delegacion burrash nga Galia, të cilët patën ardhur në Romë për t’u ankuar për shfrytëzimin e tyre nga guvernatorët romakë të zonës. Për çfarëdolloj arsyeje – ndoshta për asnjë arsye më të thellë sesa instinkti i mbështetjes së më të fortit - këta galezë vendosën të punojnë në fshehtësi me Ciceron dhe ata qenë në gjendje që të siguronin prova përfundimtare të emrave, vendeve e planeve, si dhe disa letra me informacion fajësues. U kryen arrestime pati dhe nga justifikimet e zakonshme aspak bindëse. Kur shtëpia e njërit prej komplotistëve u gjet e mbushur tejplot me armë, i akuzuari protestoi për pafajësinë e tij duke pretenduar se kishte pasion koleksionimin e armëve.

Më 5 dhjetor, Cicero mblodhi senatin sërish, për të diskutuar se çfarë duhet të bëhet me të arrestuarit. Këtë herë senatorët u mblodhën në tempullin e perëndeshës Konkord ose Harmonia, një shenjë e qartë se çështjet e shtetit qenë gjithçka tjetër përpos harmonike. Jul Cezari bëri një propozim të guximshëm, që komplotistët e kapur të burgoseshin: sipas një burimi, ose deri sa të gjykoheshin siç duhet, pasi të kishte kaluar kriza ose, sipas një burimi tjetër, të burgoseshin për jetë. Dënimet me burg nuk qenë dënimet e parapëlqyera në botën e lashtë, ku burgu ishte diçka më shumë sesa vendi ku të burgosurit mbaheshin para se të ekzekutoheshin. Gjobat, dëbimi dhe vdekja qenë repertori i zakonshëm i ndëshkimit romak. Nëse Cezari propozoi me të vërtetë burgim për jetë në vitin 63 p.e.s., atëherë ka gjasa që ky të jetë rasti i parë në historinë e Perëndimit që u propozua si alternativë ndaj dënimit me vdekje, dhe pa sukses. Duke u mbështetur me dekretin e fuqive të jashtëzakonshme, si dhe me mbështetjen e zjarrtë të shumë senatorëve, Cicero urdhëroi ekzekutimin në masë të të arrestuarve, pa kryer as edhe një gjyq formal. Triumfalisht, ai njoftoi vdekjet e tyre para një turme brohoritëse me një eufemizëm të famshëm me një fjalë: Vixere, ‘ata jetuan’ - që në fakt do të thotë, ‘ata vdiqën’.

Legjionet romake e mposhtën ushtrinë e të pakënaqurve të Katilinës në Italinë e Veriut brenda pak javëve. Vetë Katilina ra duke luftuar trimërisht në ballë të shokëve të tij. Komandanti romak, konsulli koleg i Ciceros, Antonius Hibrida, pretendoi se ishte sëmurë në ditën e betejës finale dhe ia la komandën numrit dy, duke ngritur dyshime në disa rrethe se me kë ishte ai në të vërtetë. Ai nuk ishte i vetmi që ngriti dyshime. Ka pasur spekulime të të gjitha llojeve dhe spekulime nga më të pabesueshmet, të cilat filluan që nga koha e botës së lashtë, mbi persona shumë më të suksesshëm që mund të kenë ndihmuar në mënyrë sekrete Katilinën. A ishte ai me të vërtetë një agjent i dinakut Mark Krasi? Dhe cili ishte pozicioni i vërtetë i Cezarit?

Mposhtja e Katilinës ishte gjithsesi një fitorë e madhe për Ciceron dhe mbështetësit e tij e shpallën pater patriae ose ‘babai i kombit’, një nga titujt më të shkëlqyer dhe të kënaqshëm që mund të kesh në një shoqëri shumë patriarkale siç ishte shoqëria romake. Por suksesi i tij shpejt u kthye në telash. Ishte sakaq në ditën e tij të fundit si konsull, kur dy nga rivalët e tij politikë e ndaluan atë të mbante një fjalim tradicional lamtumire para popullit të Romës: Ata që kanë ndëshkuar të tjerët pa i dëgjuar, nuk duhet të kenë të drejtë të dëgjohen. Pak vite më vonë, më 58 p.e.s., populli i Romës votoi, në terma të përgjithshëm, për të dëbuar nga shteti çdokënd që pati dënuar me vdekje një shtetas pa gjyq. Cicero iku nga Roma, pak para se një ligj tjetër të miratohej, duke e shënjestruar atë me emër dhe mbiemër për dëbim. Deri tani në këtë histori, Populus(Que) Romanus (PQR në SPQR) nuk ka luajtur asnjë rol të rëndësishëm. ‘Populli’ ishte një trupë shumë më amorfe dhe më e madhe sesa senati, e përbërë, në terma politikë, nga të gjithë shtetasit meshkuj të Romës; gratë nuk kishin të drejta formale politike. Në vitin 63 p.e.s. ishin rreth një milion burra të shpërndarë nëpër kryeqytet e nëpër Itali, si dhe më tutje. Në praktikë zakonisht populli përbëhej nga disa mijëra ose disa qindra, të cilët, në çdo rast të caktuar, zgjidhnin të paraqiteshin për zgjedhje, për të votuar apo për takimet në qytetin e Romës. Ekzaktësisht sesa ndikim kishte populli është një temë që ka qenë gjithmonë, edhe në botën e lashtë, një nga më të debatuarat aspekte të historisë së Romës; por dy gjëra janë të sigurta: në këtë periudhë, populli dhe vetëm populli mund të zgjidhte zyrtarët politikë të shtetit të Romës; nuk kishte rëndësi se sa gjak blu kishe, ti mund të merrje një post, le të themi, postin e konsullit vetëm në rast se populli i Romës të zgjidhte. Dhe ata e vetëm ata dhe jo senati, mund të miratonin ligje. Më 58 p.e.s., armiqtë e Ciceros argumentuan se, çfarëdolloj autoriteti ai pretendonte se kishte në bazë të dekretit të senatit për parandalimin e terrorizmit, ekzekutimet prej tij të mbështetësve të Katilinës kishin cenuar të drejtat themelore të çdo shtetasi romak për të pasur një gjyq të rregullt. I takonte popullit të vendoste për dëbimin e tij.

Ai që për një copë here qe, ‘babai i kombit’ kaloi një vit të mjerë në Greqinë e Veriut (vajtimi i tij për veten nuk është aspak frymëzues), deri sa populli votoi për ta thirrur sërish. Ai u mikprit pas me brohoritjet e mbështetësve, por shtëpia e tij në qytet ishte shkatërruar dhe, a thua se synohej t’i çohej argumenti politik drejtpërsëdrejti në shtëpi, një kult për Libertas ishte ngritur mbi rrënoja. Karriera e tij nuk u rimëkëmb më kurrë.

info@balkancultureheritage.com