Tyrbja e Haxhi Hamzës
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Tyrbja e Haxhi Hamzës

Deri në fillim të viteve ’70, teqeja e Haxhi Hamzait ka qenë e vendosur në një brezare poshtë Hotel “Albturist”. Në vitin 1967 qe ruajtur vetëm tyrbja. Ippeni e ka parë atë të rrethuar nga një varrezë e vogël. Ashtu siç u përmend më sipër, shenjti vdiq, sipas Ippenit, në vitin 940 H, por një gjë të tillë ne nuk mund ta verifikojmë. Tyrbja ka qenë një ndërtesë e gjerë rreth 10m2. Kubeja e ulët qëndronte mbi një tambur tetëkëndor. Katër këndet e kubit, që formonin edhe anët e ndërtesës, kanë qenë pak të pjerrëta, sipas stilit të xhamive maqedonase të shekullit XVI. E gjithë ndërtesa ka qenë e ndërtuar me gurë kave, të papërpunuar, që mbuloheshin nga një shtresë shumë e hollë suvaje. Stili dhe proporcionet tregojnë periudhën e vonë të ndërtimit të tyrbes. Ajo duket sikur është ndërtuar në fundin e shekullit XVIII ose edhe pak më vonë. Sipas fjalëve të dëgjuara nga Ippeni, kjo tyrbe qe ndërtuar në fundin e shekullit XVIII nga Kapllan Pashë Toptani, i cili është varrosur në tyrben e ruajtur në qendër të Tiranës. Kapllani e ndërtoi tyrben e Krujës si një memorial për fitoren ndaj trupave të kundërshtarit të tij, vezirit të Shkodrës, Kara Mehmed Bushatliut. Sipas Haslukut, ishte propaganduesi i rëndësishëm i Bektashizmit dhe agjenti i Ali Pashës së Janinës, Shimimi, ai i cili e nxiti Kapllanin të ndërtonte tyrben e Hamza Babës.

Menjëherë pas kësaj, Kapllani i prishi marrëdhëniet me Shimimin dhe iku nga Kruja së bashku me familjen e tij. Një gjë e tillë ka ndodhur në vitin 1800 vit të cilit i përkasin edhe veçoritë arkitekturore të kësaj ndërtese.

Në vitin 1967 unë pashë disa qindra gurë varresh historikë me çallmë bektashiane në kopshtin me mure të tyrbes. Ato janë të hedhur gjithandej, të shpërndarë dhe të thyer, një kujtim ky i hidhur i ngjarjeve të pranverës së vitit 1967. Fatkeqësisht, për këtë ndërtesë nuk u bë i mundur asnjë studim i hollësishëm dhe as manja e ndonjë fotografie.

Varri i shenjtit Hamza Baba është hequr në pranverën e vitit 1967. Kur e vizitova përsëri Krujën, në vitin 1978, tyrbja ishte shembur dhe dallohej vetëm vendi i saj. Të gjitha materialet epigrafike ishin hequr dhe shkatërruar.

Tyrbja e Mustafa Baba Dollmës (Teqeja e Dollmës)

Pas kështjellës, tyrbja e Dollmës është monumenti më i rëndësishëm i arkitekturës osmane në Krujë, i ruajtur deri më sot. Tashmë qëndron në këmbë vetëm tyrbja, por emri tregon se mund të ketë qenë edhe një teqe ngjitur me të. Kjo ndërtesë mund të jetë prishur shumë kohë më parë, pasi nuk ishte e mundur të gjendej asnjë gjurmë e ndonjë shembjeje të vonë të saj. Tyrbja ndodhet brenda mureve të kështjellës, në skajin e saj jugor, me një pamje nga malet dhe nga fusha qendrore e Shqipërisë, e ndodhur poshtë saj. Rreth tyrbes gjendet një varrezë e madhe, ku ka pemë të vjetra. Në këtë vend të këndshëm janë ruajtur një numër i konsiderueshëm gurësh varri, që janë karakteristikë bektashianë dhe secili prej tyre është i zbukuruar me “taxhin tak-en” bektashian të zakonshme me 12 faqe (kapele e dervishëve), me “tak-en hyseine” dhe “tak-en e rrallë Elifi”, në formën e kësulës së një peshkopi. Teksti i mbishkrimeve të tyre është dhënë më poshtë, së bashku me atë të varrit të një anëtari të familjes së Toptanit, që ka shumë mundësi të ketë qenë ndërtuesi i teqesë. Vetë tyrbja është një ndërtesë e përkulur (galiçe) prej guri kave të papërpunuar, të lyer në ngjyrë gri në të bardhë. Ajo është 7.20m2, pak më e vogël se tyrbja e Hamza Babës, me të cilën ngjan shumë. Trupi katror i tyrbes është shumë i ulët. Kubeja qëndron mbi një tambur tetëkëndor që ulet shumë nga brenda, duke i dhënë tyrbes një pamje të pakëndshme. Në pjesën e jashtme kubeja e tyrbes është bërë e padukshme përmes çatisë në trajtë konike, me të cilën është e mbuluar. E gjithë ndërtesa është e ngritur sipas parimeve të përdorura për xhamitë shqiptare dhe epirote me një kube të vetme. Koncepti arkitektonik i kësaj tyrbeje është shumë i ngjashëm me atë të xhamisë së Iljaz Beut në Korçë, e ndërtuar në fundin e shekullit XV, por realizimi i këtyre dy ndërtesave është shumë i ndryshëm. Këtu, ne padyshim ndeshemi me një vepër të gjysmës së dytë të shekullit XVIII, e cila tregon nivelin e prishjes së arkitekturës osmane provinciale në këto toka.

Pjesa më e mirë e ndërtesës është pamja e saj e jashtme (fasada), që është e ndërtuar me gurë të prerë mirë dhe të lëmuar me ngjyrë të verdhë. Në këtë fasadë ndodhen tri dritare, të cilat janë të bëra me një hark dekorativ në një stil shumë të bukur të barokut osman.

Mbi portën e tyrbes nuk ekziston ndonjë mbishkrim, por vetë ndërtesa na jep të dhëna të mjaftueshme për sa i përket periudhës së ndërtimit. Për më tepër, në brendësi të ndërtesës janë ruajtur disa vizatime zbukuruese, në të cilat shkruhet viti 1194 H (1780). Vizatimet janë shtresa e parë në mure, duke e bërë thuajse të sigurt faktin se ato janë realizuar menjëherë pas ndërtimit të tyrbes. Kështu, ndërtesa i përket dekadës së shtatë të shekullit XVIII, periudhë e cila përshtatet shumë mirë me veçoritë e përgjithshme arkitekturore dhe me datën mbi gurin e varrit të njeriut që ka shumë mundësi të ketë qenë ndërtuesi i saj, Adem Aga Toptani. Ai vdiq në vitin 1198 H (1784/85).

info@balkancultureheritage.com