Shumë tregime mbi Romulin dhe themelues të tjerë na tregojnë ne mbi mënyrën se si romakët e shihnin qytetin e tyre, vlerat dhe dobësitë e tyre. Ata na tregojnë gjithashtu se si shkollarët romakë debatonin të shkuarën dhe studionin historinë. Por nuk na thonë ne asgjë ose në rastin më të mirë na thonë pak gjëra, mbi atë se çfarë pretendonin se ishin: kjo do të thotë, si ishte Roma më e hershme, çfarë procesi kaloi ajo për t’u bërë bashkësi urbane dhe kur ndodhi kjo. Një fakt është i qartë. Roma ishte sakaq një qytet shumë i vjetër kur Cicero ishte konsull në vitin 63 p.e.s, por, nëse nuk ka literaturë të mbijetuar nga periudha e themelimit, ne nuk mund të mbështetemi mbi legjenda. Si mund të kemi ne informacion mbi origjinën e Romës? A ka ndonjë mënyrë për të hedhur dritë mbi vitet e para të një qyteze të vogël pranë Tiberit që u rrit në një perandori botërore? Sado të përpiqemi, është e pamundur të konstruktosh një narrativë koherente që të zëvendësojë legjendat e Romulit dhe Eneas. Është gjithashtu shumë e vështirë, pavarësisht konkluzioneve plot vetëbesim për të kundërtën, të vendosësh data të sakta në fazat më të hershme të historisë së Romës. Por ne mund të fillojmë të krijojmë një ide më të mirë mbi kontekstin e përgjithshëm në të cilin qyteti u zhvillua për të shijuar disa detaje të gjalla dhe surprizuese (dhe disa akoma më iluzive dhe joshëse) mbi atë botë.
Një mënyrë për ta bërë këtë është që të largohemi nga rrëfenjat mbi themelimin dhe të kërkojmë gjurmë që luhaten në gjuhën latine ose në institucionet e mëvona romake që mund të na çojnë pas te Roma më e hershme. Çelësi këtu është ajo që shpesh në mënyrë të thjeshtë dhe të gabuar quhet ‘konservatorizmi’ i kulturës romake. Roma nuk ishte më shumë konservatore sesa Britania e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Në të dyja vendet, inovacione radikale lulëzuan në dialog me ato që gjoja qenë tradita dhe retorika konservatore. Megjithatë, kultura romake ishte ngurruese në hedhjen poshtë në tërësi të praktikave të saj të së shkuarës dhe në vend të kësaj kishte tendencën të ruante të gjitha llojet e ‘fosileve’ - në ritualet fetare apo në politikë ose kudo tjetër - edhe nëse rëndësia e tyre origjinale kishte humbur. Siç e ka thënë këndshëm një shkrimtar modern, romakët qenë pak a shumë si njerëzit që blejnë çfarëdolloj pajisjesh të reja kuzhine, por nuk vendosin dot kurrë të hedhin të vjetrat, të cilat vijojnë të gjenden në vendin e tyre, edhe pse nuk përdoren kurrë. Shkollarët, si modernë ashtu edhe të lashtësisë, shpesh kanë dyshuar se disa nga këto fosile apo pajime të vjetra, mund të jenë prova të rëndësishme për kushtet e Romës më të hershme.
Një shembull i parapëlqyer është rituali që zhvillohej në qytet në dhjetor çdo vit, i njohur si Septimontium (‘Shtatë kodrat’). Se çfarë ndodhte në këtë festë nuk është tërësisht e qartë, por një romak i ditur vërejti se ‘Semtimontium’ ishte emri i Romës para se të bëhej ‘Romë’, dhe një tjetër dha një listë të ‘kodrave’ (montes) të përfshira në festival: Palatium, Velia, Fagutal, Subura, Cermalus, Opius, Kaehus dhe Cispius (Harta 2). Fakti që janë tetë emra sugjeron se diçka është ngatërruar diku në këtë rresht. Por në lidhje me argumentin, çudia e kësaj liste (Palatium dhe Cermalus janë të dyja pjesë e së njëjtës kodër që zakonisht njihet si Palatine), kombinuar me idenë se ‘Septimontium’ ishte paraardhësi i ‘Romës’, ka ngritur mundësinë që këto emra të jenë emrat e fshatrave të ndarë që paraprinë qytetin. Dhe mungesa e disa kodrave të njohura nga lista, Kuirinale dhe Viminale, ka shtyrë disa historianë të shkojnë edhe më tutje. Shkrimtarët romakë u referoheshin të gjitha këtyre kodrave si colles në vend të emrit më të zakonshëm latin montes (kuptimi i të dyja fjalëve është pak a shumë i njëjtë). A vë në dukje ky dallim dy bashkësi të ndryshme gjuhësore diku në historinë e hershme të Romës? A ka mundësi që ne të jemi duke u marrë - për ta shtyrë më tutje argumentin - me ndonjë version të dy grupimeve të reflektuara në historinë e Romulit, sabinët të lidhura me colles dhe romakët me montes?
Ka gjasa që po. Ka pak dyshim se Septimontium lidhet në një farë mënyre me të shkuarën e largët të Romës. Por është shumë e vështirë të dihet se saktësisht në çfarë mënyre dhe sa e largët është kjo lidhje. Argumentet janë jo aq të forta nga sa unë i kam bërë të duken, e ndoshta janë edhe më të dobëta se kaq. Pse, në fund të fundit, duhet t’u besojmë romakëve të lëçitur në pretendimin e tyre se Septimontium ishte emri i hershëm i qytetit? Ky mund të ishte thjesht një hamendësim i dëshpëruar, për të shpjeguar një ceremoni arkaike që i çudiste ata po aq shumë sa edhe ne. Dhe këmbëngulja për ekzistencën e dy bashkësive duket në mënyrë të dyshimtë e shtyrë nga dëshira për të shpëtuar së paku një pjesë të vogël të legjendës së Romulit për ‘historinë’.
Shumë më e prekshme është evidenca e gjetur nga arkeologjia. Nëse gërmon në qytetin e Romës, poshtë monumenteve të lashta të dukshme, atëherë gjen gjurmë të një vendbanimi shumë më të hershëm dhe primitiv ose të disa vendbanimeve. Vetë poshtë Forumit gjenden mbetjet e një varreze të hershme, e cila shkaktoi jashtëzakonisht shumë entuziazëm kur u gërmua për herë të parë, në fillim të shekullit të njëzetë. Disa nga të vdekurit qenë kremuar, hiri i tyre ishte vendosur në urna të thjeshta krahas ibrikëve e vazove, të cilat në origjinal përmbanin ushqim dhe pije (një burri i qenë dhënë sasi të vogla peshku, mish deleje e derri - dhe ndoshta pak qull). Të tjerët qenë varrosur, në disa raste me qivure të thjeshta lisi të bëra nga ndarja më dysh e një trungu dhe gërryerja e tij. Një vajzë, rreth dy vjeç, ishte vendosur në varr me një fustan me rruaza dhe një byzylyk fildishi. Gjetje të ngjashme ka edhe në vende të tjera nëpër të gjithë qytetin e lashtë. Shumë më poshtë, një prej atyre që më vonë u bë shtëpi e madhe në Kodrën Palatine, për shembull, gjendet hiri i një të riu, të varrosur me një shtizë në miniaturë, ndoshta një simbol i mënyrës se si ai e kishte kaluar jetën.
Të vdekurit dhe të varrosurit janë shpesh shumë më të pranishëm sesa të gjallët në të dhënat arkeologjike. Por varrezat nënkuptojnë ekzistencën e një bashkësie dhe gjurmët e saj supozohet se gjenden në grupe kasollesh, konturet e imëta të të cilave janë dalluar nën pjesë të ndryshme të qytetit, përfshirë Palatinen. Ne kemi shumë pak ide të karakterit të tyre (përtej faktit që janë ndërtuar me dru, baltë e kashtë), e aq më pak për llojin e jetës që ato mbanin. Por sërish ne mund të mbushim një pjesë të hendekut nëse shikojmë pak jashtë Romës. Një nga këto struktura të ruajtura më së miri dhe të gërmuara me kujdes, u gjet në Fidenae, pak kilometra në veri të qytetit, në vitet 1980. Është një ndërtesë drejtkëndëshe, rreth 6 me 5 metra, e përbërë nga druri (lis dhe vidh) dhe baltë e ngjeshur - e ashtuquajtura pise de terre, ende e përdorur deri në ditët tona - me një portiko të thjeshtë, por efektive përreth, formuar nga daljet e çatisë. Brenda ishte një vatër në qendër dhe disa objekte balte për rezerva në formë shtambash (plus një më i vogël, të cilat duket se qenë përdorur si enë për baltën e poçeve), si dhe gjurmë të disa ushqimeve që merren lehtë me mend (drithëra e bathë), si dhe kafshë shtëpiake (dele, dhi, lopë e derra). Zbulimi më surprizues mes rrënojave ishin mbetjet e një maceje, e cila kishte ngordhur (ndoshta ishte e lidhur) nga një zjarr i madh që eventualisht shkatërroi të gjithë ndërtesën. Ajo është macja e parë e njohur shtëpiake në Itali dhe kjo përbën edhe pretendimin e saj për famë.
Ka grimca emocionuese të jetës njerëzore duke nisur nga një vajzë e vogël e shtrirë në varrin e saj me veshjen më të mirë te ‘macja’ e mjerë, të cilës askush nuk ia liroi lidhësen kur shpërtheu flaka. Pyetja është: çfarë na thonë të gjitha këto detaje. Mbetjet arkeologjike natyrisht demonstrojnë se ka një prehistori të gjatë dhe të pasur para Romës së lashtë që ne shohim, por se sa e gjatë, kjo është një çështje tjetër.
Një pjesë e problemit janë kushtet e gërmimeve në vetë qytetin. Toka e Romës është ndërtuar kaq intensivisht përgjatë shekujve sa ne gjejmë gjurmë të vendbanimeve të hershme vetëm në ato vende ku ka qëlluar të mos jenë shqetësuar.
12.Një umë tipike kremimi nga varrezat e hershme të Romës dhe të zonave përreth. Në formën e një kasolleje të thjeshtë, këto shtëpi për të vdekurit janë një nga guidat më të mira që ne kemi për pamjen e strehëve për të gjallët.
Themelet e gërmuara gjatë shekujve të parë dhe të dytë të e.s. për tempujt e stërmëdhenj prej mermeri në Forum zhdukën pjesën më të madhe të asaj që në atë kohë gjendej nën sipërfaqe: qilarët e pallateve të Rilindjes prenë edhe më shumë në pjesë të tjera të Romës. Pra ne kemi vetëm pjesë të vockla, por kurrë panoramën e madhe. Kjo është arkeologjia në kushtet më të vështira dhe - megjithëse fragmente të reja provash zbulohen vazhdimisht - interpretimi dhe ri-interpretimi i tyre është gjithmonë i kundërshtuar dhe shpesh kontrovers. Për shembull, ka një debat që vazhdon mbi atë nëse copat e vogla të kashtës dhe suvasë të gjetura në gërmimet në Forum në mes të shekullit të njëzetë tregojnë se aty ka pasur gjithashtu një vendbanim të hershëm me kasolle - ose nëse ato qenë hedhur aty pa dashje si pjesë e mbeturinave të përdorura disa shekuj më vonë për të shtruar një sipërfaqe të re në këtë zonë. Duhet të themi gjithashtu se megjithëse për një varrezë ky vend ngjan i përshtatshëm, për një fshat duhet të ketë qenë me lagështirë dhe moçalor. Datimi i saktë është edhe më i debatueshëm; kjo është arsyeja pse unë qëllimisht kam përdorur fjalën e vagullt ‘e hershme’ përgjatë faqeve të fundit Nuk mund të theksohet kurrë mjaftueshëm se nuk ka asnjë datë të sigurt të pavarur për materialin arkeologjik nga Roma më e hershme apo zona përreth dhe debatet vijojnë të zjarrta mbi moshën e pothuajse çdo zbulimi të madh. Janë dashur dekada punë përgjatë shekullit të kaluar - duke përdorur diagnostikime të tilla si punimet e baltës të prodhuara me rrotë (të cilat supozohet se janë më të vona sesa punimet me dorë), prania e herëpashershme në varre e qeramikave greke (datimi i të cilave është më i mirë, por sërish jo i kuptuar në perfeksion) dhe krahasimi i kujdesshëm nga një vend te një tjetër - për të prodhuar një skemë të përafërt kronologjike që të mbulojmë një periudhë nga rreth vitit 1000 p.e.s. në vitin 600 p.e.s.
Mbi këtë bazë, varrimet më të hershme në Forum duhet t’u përkasin viteve 1000 p.e.s, kasollet në Palatine rreth 750-700 p.e.s, (në mënyrë interesante pranë vitit 753, siç kanë vërejtur shumë vetë). Por edhe këto data nuk janë aspak të sigurta. Metodat e fundit shkencore - përfshirë ‘datimi me radiokarboh, në të cilin mosha e një materiali organik zbulohet duke matur sasinë e mbetur të izotopit karbonik radioaktiv - kanë sugjeruar se që të gjitha këto fakte janë edhe më të vjetra, me disa qindra vjet. Kasollja në Fidenae, për shembull, ishte datuar rreth mesit të shekullit të tetë p.e.s., sipas kritereve tradicionale arkeologjike, por nëse përdorim radiokarbonin, ajo shtyhet pas nga fundi i shekullit të nëntë p.e.s. Aktualisht, datat janë të bollshme, edhe më shumë sesa zakonisht; nëse ka ndonjë gjë për të thënë këtu, kjo është që Roma po del gjithnjë e më e vjetër.
Ajo që është e sigurt, është se nga shekulli i gjashtë p.e.s., Roma ishte një bashkësi urbane, me një qendër dhe disa ndërtesa publike. Para kësaj, për fazat më të hershme, ne kemi mjaftueshëm gjetje të hapërdara nga ajo që njihet si Epoka e Bronzit e Mesme (mes viteve 1700 dhe 1300 p.e.s.) për të sugjeruar se disa njerëz po jetonin në atë kohë këtu, dhe jo thjesht po ‘kalonin përmes’. Përgjatë periudhës ndërmjet, ne mund të kemi bindjen se fshatra më të mëdha u rritën, ndoshta (duke gjykuar mbi atë se çfarë përfundon në varre), si dhe vërehet një grup gjithnjë e më i pasur familjesh elite; dhe këto u rritën së bashku në një bashkësi të vetme, tipari urban i së cilës ishte i qartë nga shekulli i gjashtë p.e.s.. Ne nuk mund ta dimë me siguri se kur banorët e këtyre vendbanimeve të ndara fillimisht menduan për veten si një qytezë e vetme. Dhe nuk ia kemi idenë fare se kur ata menduan për, apo iu referuan, këtij qyteti si Romë. Arkeologjia gjithsesi nuk është vetëm për data dhe origjina. Materiali i gërmuar në qytet, në zonën përreth dhe madje edhe më larg, ka gjëra të rëndësishme për të na thënë mbi tiparet e vendbanimit të hershëm të Romës. E para, Roma kishte kontakte të gjera me botën e huaj. Unë sakaq e kam përmendur kalimthi byzylykun e fildishit të vajzës së vogël në varrezë, si dhe poçerinë greke (të bërë në Korinth ose Athinë), që u zbulua në gërmimet në Romë. Ka gjithashtu shenja lidhjesh me veriun, në formën e pak bizhuterive dhe dekorimeve me qelibar të importuar; nuk dihet se si këto mbërritën deri në Italinë qendrore, por dukshëm ato tregojnë se ka pasur kontakt, të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, me zonën e Baltikut. Roma e hershme, me aq pak sa mund të shohim, ishte e lidhur mirë, siç bëri të ditur Cicero, kur theksoi vendndodhjen e saj strategjike.
E dyta, ka pasur ngjashmëri, dhe disa dallime të mëdha, mes Romës dhe fqinjëve të saj. Gadishulli italian mes viteve 100 dhe 600 p.e.s. ishte jashtëzakonisht i përzier. Kishte shumë popuj të pavarur, me tradita kulturore mjaft të ndryshme, me origjinë dhe gjuhë të ndryshme. Ato që janë dokumentuar më mirë janë vendbanimet greke në jug, në qyteza të tilla si Kumae, Tarentum dhe Napoli (Neapolis), të themeluara në shekullin e tetë p.e.s. nga imigrantë prej disa qyteteve më të mëdha në Greqi - konvencionalisht të njohura si ‘koloni’, por jo ‘kolonizuese’ në kuptimin modem të kësaj fjale. Në të gjitha kuptimet, shumica e pjesës jugore të gadishullit, si dhe Sicilia, qenë pjesë e botës greke, me tradita letrare dhe artistike të lidhura me këtë botë. Nuk është rastësi se disa nga specimenet më të hershme të shkrimit grek që kanë mbijetuar, e ndoshta më të hershmet, janë zbuluar atje. Është shumë më e vështirë të rikonstruktosh historinë e banorëve të tjerë të gadishullit: nga etruskët në veri, përmes latinëve dhe sabinëve në dyert e Romës në jug, te oskanët, të cilët përbënin popullatën origjinale të Pompeit, dhe samnitët më poshtë tyre. Asgjë nga literatura e tyre, nëse ata kishin një të tillë, nuk ka mbijetuar dhe për prova për ta ne varemi tërësisht nga arkeologjia, nga tekstet e gdhendura në gur dhe bronz - në disa raste të kuptueshme e në raste të tjera jo - si dhe në raportimet e romakëve të shkruara shumë më vonë, shpesh të mbushura me pikëpamjen e supremacisë romake; për rrjedhojë ne kemi imazhin standard të samnitëve si të ashpër, barbar, të paurbanizuar dhe primitivë të rrezikshëm.
Gjithsesi, ajo që tregojnë gjetjet arkeologjike është se Roma në ditët e saj të para ishte me të vërtetë shumë e zakonshme. Kapërcimi, nga vendbanime të hapërdara në një bashkësi urbane, të cilën ne mund ta dallojmë si Romë, duket se ka ndodhur afërsisht në të njëjtën periudhë me zhvillimet në rajonin fqinj dhe në jug. Dhe mbetjet materiale nëpër varreza, poçeria vendase dhe zbukurimet e bronzit, si dhe importet më ekzotike, janë gjithashtu të ngjashme. Në vetvete, ajo që është zbuluar në Romë është më pakmbresëlënëse dhe më pak sugjeruese për pasuri sesa zbulimet gjetkë. Asgjë nuk është gjetur në qytet për t’u krahasuar, për shembull, me gjetjen e disa varreve të jashtëzakonshme në Praenesten fqinje – megjithëse kjo mund të ketë ndodhur për shkak të mungesës së fatit ose; siç kanë dyshuar disa arkeologë, për shkak se disa nga gjetjet më të mira nga gërmimet në shekullin e nëntëmbëdhjetë në Romë janë vjedhur dhe shitur drejtpërsëdrejti në tregun e antikuarëve. Një nga pyetjet që ne duhet të trajtojmë përgjatë kapitujve të ardhshëm është: kur Roma pushoi së qenë e zakonshme?
Pyetja e fundit për këtë kapitull, gjithsesi, është nëse materiah arkeologjik duhet të mbahet mirë i ndarë nga traditat mitike të Romulit dhe Remit siç i kam parashtruar unë, apo jo. A është e mundur të lidhësh investigimin tonë mbi historinë më të hershme të Romës me rrëfenjat që vetë romakët kanë treguar apo me spekulimet e tyre të stërholluara mbi origjinën e qytetit? A mundemi të gjejmë pak më shumë histori te mitet?
Ky është një spekulim joshës që ka ndikuar shumë prej punës moderne mbi Romën e hershme si nga historianët ashtu edhe nga arkeologët. Ne sakaq kemi vërejtur tentativën për ta bërë historinë e Septimontiumit të reflektojë natyrën dualiste të qytetit - romak dhe sabin - të cilën e thekson edhe miti i Romulit. Së fundmi, zbulimi i disa punimeve mbrojtëse në këmbë të kodrës Palatine ka cytur lloj-lloj spekulimesh se këto mund të jenë pikërisht fortifikimet mbi të cilat Remi u hodh, për t’u përballur me vdekjen, në ditën e themelimit të qytetit. Kjo është fantazi arkeologjike. Nuk ka dyshim se disa punime të hershme muresh mbrojtëse janë zbuluar dhe se kjo është në vetvete e rëndësishme - por se si lidhen këto me vendbanimin e hershëm me kasolle në majë të Palatines, kjo është një mister. Gjithsesi, këto nuk kanë fare të bëjnë me personazhet joekzistente të Romulit dhe Remit. Përpjekjet për të masazhuar’ datimin e strukturës dhe gjetjet e lidhura me të, për të përfunduar në datën 21 prill 753 p.e.s. (unë po e ekzagjeroj vetëm pak) janë veçanërisht përqasje emocionale.
Ekziston vetëm një vend në të gjithë qytetin e Romës ku është e mundur të lidhësh mbetjet e hershme materiale drejtpërsëdrejti me traditën letrare. Me këtë lidhje, ne nuk gjejmë marrëveshje dhe harmoni mes të dyjave, por një hendek të gjerë dhe intrigues. Ky vend është në njërën anë të Forumit, pranë shpateve të kodrës Kapitoline, pak minuta më këmbë nga vendi ku Cicero sulmoi Katilinën në Tempullin e Jupiterit Stator dhe fare pranë platformës kryesore (ose rostrës) nga ku folësit i drejtoheshin popullit. Atje, para fundit të shekullit të parë p.e.s., në dyshemenë e Forumit kishte një seri pllakash të dallueshme prej guri që përbënin një drejtkëndësh afërsisht 4 me 3.5 metra, të shënjuar me një bordurë të ulët guri.
Në kapërcyell të shekujve nëntëmbëdhjetë dhe njëzet, arkeologu Giacomo Boni - një njeri i famshëm në atë kohë aq sa të rivalizonte Heinrich Schliemann, zbuluesin e Trojës, por pa reputacionin e dyshimtë si mashtrues të këtij të fundit - gërmoi poshtë gurit të zi, ku gjeti mbetjet e disa prej strukturave shumë më të hershme. Këto përfshinin një altar, pjesë të një kolone të madhe të lirë dhe një kolonë e shkurtër guri, e cila është e mbuluar me latinishte pothuajse të palexueshme, ndoshta një nga tekstet më të hershme të kësaj gjuhe që disponohen nga ne. Vendi ishte varrosur qëllimisht dhe mbushja e saj përfshinte gjithfarëlloj gjërash të jashtëzakonshme të jetës së përditshme, nga kupa në miniaturë, rruaza dhe kocka për lojë me zare, si dhe disa objekte poçerie athinase të shekullit të gjashtë p.e.s. të dekoruara bukur. Shpjegimi më i thjeshtë, nëse gjykojmë nga gjetjet, të cilat duket se përfshijnë dedikime fetare, është se ky ishte një kult i hershëm, ndoshta për zotin Vullkan. Kulti ishte mbuluar kur Forumi qe rishtruar diku rreth shekullit të parë p.e.s. - por për të ruajtur kujtimin e vendit të shenjtë poshtë saj, guri i dallueshëm i zi ishte shtruar sipër. Shkrimtarë të mëvonë romakë qenë të vetëdijshëm shumë mirë për gurin e zi dhe kishin ide të ndryshme se çfarë nënkuptonte ai. ‘Guri i zi, shkroi njëri prej tyre, shënjon një vend të mallkuar., Ata e dinin se kishte diçka poshtë saj shumë shekuj të vjetër: jo një kult fetar, siç besojnë përgjithësisht sot arkeologët, por një monument i lidhur me Romulin dhe familjen e tij. Shumë supozonin se aty gjendej varri i Romulit; të tjerë, ndoshta të shqetësuar për shkak se, nëse Romuli ishte bërë zot, ai nuk duhej të ishte me të vërtetë në varr, menduan se ai qe varri i Faustulus, babai adoptues i Romulit dhe Remit; të tjerë akoma e bënin atë varr të një prej shokëve të Romulit, Hostilius, gjyshit të njërit prej mbretërve të mëvonë të Romës.
Ata e dinin gjithashtu ose sepse e kishin parë atë më parë se të mbulohej apo për shkak të thashethemeve, se aty poshtë kishte një mbishkrim. Dionisi shënoi dy versione të asaj që thuhej: epitafi i Hostilius, ‘që dokumentonte trimërinë e tij’, ose një mbishkrim ‘që regjistronte bëmat e tij’ vendosur pas njërës prej fitoreve të Romulit. Natyrisht nuk ishte asnjëra prej këtyre gjërave. Ajo nuk ishte gjithashtu as ‘e shkruar me germa greke’, siç pretendon Dionisi: ajo është bona fide latinishte e hershme. Por ajo përbën një shembull të mrekullueshëm të faktit se sa pak dinin historianët romakë mbi të shkuarën e varrosur - dhe se sa shumë ata pëlqenin të imagjinonin gjurmë të Romulit ende të pranishme në qytetin e tyre, ose menjëherë poshtë tij.
Ajo çfarë do të thotë ky tekst - për aq sa ne mund ta lexojmë - na shpie në fazën tjetër të historisë së Romës dhe në serinë e mbretërve pothuajse po kaq mitikë që supozohet se pasuan Romulin.
13. Një diagramë e mbetjeve të një kulti të hershëm të gërmuar nga Giacomo Boni poshtë gurit të zi në Forum. Në të majtë është një altar (një strukturë e drejtë në formë U-je gjetur edhe në vende të tjera në Itali në këtë periudhë). Në të djathtë qëndron ajo që ka mbetur nga kolona, dhe pak e dukshme pas saj është shtylla me mbishkrime.