Kjo urë, e ruajtur vetëm si një gërmadhë, është e ndërtuar mbi lumin Drino dhe kapërcen pjesën jugore të rrugës kryesore që shkon në drejtim të luginës afer fshatit Jergucat. Ajo, së bashku me rampat prej guri, është 32m e gjatë dhe vetëm 1.90m e gjerë. Dy harqe të mëdhenj në formë rrethore kalojnë mbi shtratin e lumit, ndërsa një i tretë është i futur në bregun e lumit. Harku më i madh, ai në bregun lindor është 7.60m mespërmes. I dyti është 6.50m. Pastaj vjen një rampë masive, me gjatësi afro 4m, e ndjekur nga një hark i tretë me gjerësi 3.80m. Harku qendror dhe ai perëndimor janë ruajtur mirë. Harku lindor është akoma në këmbë, por muri lidhës, që dikur mbante sipërfaqen e rrugës dhe rampën lindore, është zhdukur plotësisht. Në përgjithësi, urat e luginës së Dropullit na japin mundësinë të imagjinojmë se si kanë qënë urat e tjera të Shqipërisë në periudhën osmane, ura të cilat unë nuk munda t’i shoh, për shkak të kohës së shkurtër të udhëtimit tim në këtë vend. Urat e luginës së Dropullit paraqesin tipin karakteristik të urës në Shqipëri. Për urat e shumta që krahasohen me vepra të këtij lloji në Ballkan, ato të Mesit, Elbasanit dhe Beratit janë domethënëse.