Për nivelimin e syprinës së qytetit, lehtësisht të pjerrur drejt jugperëndimit, janë përdorur mure tarracimi të ndërtuara me të njëjtën teknikë si muret rrethues. Në rrafshet e niveluar shtriheshin ndërtimet shoqërore dhe ishujt kënddrejtë të banesave.
Orientimi rigorozisht i njëjtë i rrugëve në insulat e zbuluara, 500 m larg njëra tjetrës, tregon se urbanistika e qytetit të Antigonesë i përmbahet sistemit hipodamik, atij ortogonal. Gjatësia e insulave është 53 m, ndërsa gjerësia ende nuk është kapur.
Gjerësia e rrugëve kryesore, anash të cilave vijonin trotuare 1,5 m të gjerë, ka qenë mbi 7m. Rrugët sekondare, të cilat terrenet e pjerrët i kalojnë me shkallëzime, janë 5,5 m të gjera. Si rrugët kryesore ashtu edhe ato sekondare kanë qenë të pajisura me sisteme kanalizimi.. Vetë banesat ndaheshin prej njëra- tjetrës me rrugica 2 metërshe. Agoraja ende e pazbuluar duket se ndodhej në mes të qytetit..