Përmendëm më parë umën nga Ribiçi, në të cilën është gdhendur një vizatim që paraqet një kolonë prej pesë grash që mbahen dorë për dore. Kjo është paraqitja më e lashtë e një valleje, bile e valles mortore në truallin ilir.84 Paraqitje vallesh të ngjashme mortore do të gjejmë më vonë në monumentet ilire të periudhës romake, për shembull, në monumentin e varrezës në vendin Koplik të Shqipërisë së Veriut. Shumë paraqitje të tjera të valltarëve në monumentet parahistorike dhe ato romake dëshmojnë rëndësinë e valles në jetën e ilirëve. Megjithatë, nga ato pamje mund të mësohet fare pak për karakterin e valleve ilire, për format e tyre, e veçanërisht prej atyre pamjeve vështirë se mund të shihen ndryshimet rajonale ose fisnore që pa tjetër është dashur të ekzistojnë në këtë fushë.
Studimi i valleve te popujt e sotëm të Ballkanit mundet, ashtu si edhe për muzikën, të na japë disa indikacione për llojet e valleve në vise të ndryshme ilire, sepse disa forma të vallëzimit nga kohët parahistorike janë ruajtur deri në ditët e sotme. Një valle interesante e cila gati me siguri ka ruajtur të gjitha elementet e valles parahistorike luhet edhe sot në Shqipërinë Verilindore. Kjo është vallja e luftëtarëve me shpata që zhvillohet me një ritëm tëthjeshttë hapave dhe të tingëllimës së armëve, pa përcjellje muzikore. Kjo valle që në variante të ndryshme (nganjëherë e përcjellë me daulle ose me ndonjë instrument me harqe) vallëzohet edhe në viset e tjera të Shqipërisë dhe në Kosovë, buron drejtpërdrejt nga vallëzimi i luftëtarëve që në Ilirinë e Jugut dhe te fisi i molosëve në Epir, vallëzohej në kohën pararomake dhe është përshkruar edhe në veprat e autorëve antikë.
Shumë valle të tjera sidomos vallet në Bosnje dhe Hercegovinë, në Mal të Zi dhe përgjithësisht në viset jugore të territorit ilir, ku kultura popullore sllave shumë më pak se sa në viset veriore ka ndikuar në strukturën etnopsikologjike të popullsisë vendase kanë ruajtur formën dhe karakterin e tyre të lashtë paleoballkanik.