Vendbanimi shpellor në arealin e banuar më tej nga Ilirët, dëshmohet që në Paleolitin e mesëm (100-30.000 p.e.s.). Shtrirja në këtë periudhë e akullnajave drejt jugut, solli kërkesën për një strehim të mbrojtur nga agjentët atmosferikë. Kjo kërkesë vitale, në kushtet e njohurive tejet të kufizuara teknike, mund të plotësohej vetëm nëpërmjet përzgjedhjes së strehimeve të oftuara nga natyra. Si i tillë i vetmi vendbanim i përshtatshëm, si në Paleolitin e Mesëm ashtu dhe në Paleolitin e Ulët (30-10.000 p.e.s.) ishte vendbanimi shpellor.
Shpella vazhdoi të jetë vendbanimi kryesor edhe përgjatë Mezolitit (9000-7000 p.e.s.). Por në Neolit dhe Eneolit, si rezultat i zbutjes së klimës dhe shkathtësimit teknik, shpellat nisën t’ja lënë vendin banesave mbi tokë. Megjithëse numri i shpellave të njohura nga kjo periudhë është ndjeshëm më i madh se i atyre të periudhës paleolitike, ai është më i vogël se i vendbanimeve të hapura. Këto vendbanime shtriheshin tarracave lumore (fig. 8) ose pranë tokave pjellore dhe pyjeve me faunë të pasur.8
Ndonëse një pjesë e shpellave vazhduan të funksionojnë si banesa (sipas kronikave televizive disa edhe sot e kësaj dite), ato nisën të përdoren gjithnjë e më shpesh për funksione ndihmëse, të ndryshme: nga ato rituale: (Ajdovska Jama, e lidhur me Kultin e të Vdekurve), tek mbrojtja provizore (Pëllumbas/Mat, ku hyrja kryhej me litar nga lart) dhe deri tek funksioni si stallë bagëtie, jo i rrallë edhe sot.