Xhamija Fethije në Durrës është ndërtuar mbi rrënojat e një bazilike mesjetare dhe përbëhet nga salla e lutjeve, hajati i vonë dhe minarja. Salla e lutjeve, nga ndërtimi i vjetër, ruan murin verior (arkada bazilikës) dhe murin perëndimor. Muri lindor është bërë i ri pas prishjes së murit lindor të kishës dhe të tri absidave të saj, ndërsa muri jugor është tërësisht i ri. Në sallën e mbuluar me çati druri hyhet nëpërmjet portës, në anën veriore, me hark gjysmërrethi e të zbukuruar me stuko, relieve me motive bimore. Salla është e shtruar me dysheme tullash dhe në qendër ka një shtyllë të fuqishme druri, që mban strukturën e çatisë dhe që fshihet nga tavani prej dërrasash. Në anën jugore të sallës është mihrabi, me prerje gjysmërrethore, i brendashkruar një drejtkëndëshi dhe i zbukuruar me stukorelief e me motive gjeometrike. Për sa mund të gjykohet nga gjurmët në murin jugor dhe në dysheme dikur ka pasur dhe një minber me struktura druri. Në anën veriore, menjëherë pas hyrjes, i mbështetur në dy shtylla druri, është mafili me strukturë të drunjtë. Në pamjen e tij janë tetë harqe mbi shtylla druri. Në mafil ishin dy dritare, që shihnin në hajatin e dikurshëm, dhe një portë e ulët në këndin veriperëndimor, që të nxirrte në katin e dytë të hajatit dhe prej andej në minare.
Salla e lutjeve ndriçohet mirë nga shtatë dritare të gjera e të larta, të mbuluara me hark rrethor. Nga dy dritare kanë faqet perëndimore dhe lindore dhe tri faqja e jugut, kurse dy në perëndim të mihrabit, i cili nuk është në qendër të faqes. Muret e sallës së lutjeve i takojnë disa duarve dhe janë ndërtuar me gurë e tulla të ripërdorura. Ato ngrihen mbi themele të reja ose përdorin pjesë të strukturave të bazilikës së dikurshme.
Sigurisht që në formulimin arkitektonik të xhamisë, në paraqitjen e bukur të saj, ka qenë primare minarja. Ajo përbëhej nga bazamenti shumëfaqësh, trupi dhe kazani. Bazamenti është i ndërtuar mbi një xokol vetëm me gurë dhe mbi të kemi breza gurësh e tullash. Ndërmjet rreshtave horizontale të tullave (tre ose katër) ka dy tulla vertikale, më rrallë një. Kemi të bëjmë me teknikën e kluasonazhit në formën që zakonisht e takojmë në xhamitë e kohës.
Për kohën e ndërtimit të kësaj xhamie kemi thënë se ajo duhet të jetë ngritur menjëherë me pushtimin e Durrësit nga Turqit, në verën e vitit 1501, me në krye sanxhakun e Elbasanit, Evrenosoglu Mehmed Bej, d.m.th. rreth viteve 1502-1503, kohë kur u ndërmorën punime të mëdha mbrojtëse, për të zvogëluar rrethin e kalasë. Lidhur me mendimin e Gj.Frashërit dhe S.Dashit, se xhamia është ndërtuar rreth viteve 1479-1480, kur Durrësin e morën për pak kohë turqit me Ahmet Gjedik Pashën në krye, ne nuk jemi të këtij mendimi dhe kemi treguar, mbi bazën e dokumentacionit historik, se një pushtim i tillë nuk ka ndodhur.