Rrënojat e xhamisë ndodhen menjëherë sa kalon hyrjen kryesore të kalasë së Krujës, në anën veriore e duhet të këtë qenë ajo e ndërtuar nga Sulltan Mehmeti i II-te menjëherë pas pushtimit të kalasë në vitin 1478. Në gjendjen përpara rrënimit të vitit 1967 xhamia paraqiste një rindërtim pas rrënimeve që pësoj në vitin 1831 gjatë kryengritjes së Tanzimatit. Së pakut minarja është ndërtuar në vitin 1839-40 (1256 H) me shpenzimet e sulltan Mahmutit, siç tregon mbishkrimi i vonë në një gur pllakë i muraturës së minares.
Sot ruhen vetëm rrënojat e mureve dhe bazamenti i minares. Salla ka përmasat 11.5 me 10.9 m. ndërsa muret anësor janë rreth 0,8 metra trashësi.
Xhamia përbëhet nga salla e lutjeve dikur mbuluar me çati druri, si dhe nga hajati i vonë i lartë sa salla e lutjeve, i hapur me portik mbi shtylla druri. Portiku në anën perëndimore shtrihej deri në faqen e minares duke rezultuar në këtë mënyrë më i gjerë se vetë salla e lutjeve. Minarja përbëhej nga bazamenti paralelopipedik ndërtuar me gurë të gdhendur, që ende ruhet, kalimi me trung piramide dhe vetë minarja.