Në një largësi prej 150m në perëndim të Xhamisë së Plumbit, direkt pas apartamenteve të reja të rrugës kryesore të Beratit, ndodhet një xhami e gjymtuar. Ajo ka një strukturë tipike të shekullit XIX, duke shprehur në mënyrë karakteristike tiparet e veçanta të një xhamie “të stilit shqiptar”. Xhamia në fjalë është themeluar nga Ibrahim Pasha i familjes së fuqishme Vlora. Ibrahim Pasha ka qenë i martuar me Hanko Pashën, vajzën e vetme të Kurt Ahmed Pashës, themeluesit të teqesë së Beratit dhe ndërtuesit të urës së madhe të Osumit. Hanko dhe Ibrahimi e mënjanuan djalin e pafuqishëm të Kurt Ahmedit, Mehmed Kemaludinin (shih përshkrimin e teqesë Halvetije) dhe ia dolën mbanë të bëhen zotërues të sanxhakut. të Beratit, duke sunduar gjatë gjithë çerekut të parë të shekullit XIX. Kjo xhami u rindërtua jo shumë kohë më vonë. Një punë e tillë u bë në vitin 1269 H (1852/53), pas dëmeve të tërmetit të vitit 1852. Rindërtimi u krye nga Sulejman Pasha, djali i Ibrahimit.
Siç e shohim sot, xhamia është e ndarë në tri pjesët e zakonshme: vendi i faljes, portiku i madh dhe minaga. Kjo e fundit u shkatërrua gjatë ngjarjeve të vitit 1967. Portiku është thuajse po aq i madh sa xhamia. Megjithatë, ai është më i gjerë, mbi 10 metra dhe 6.40m i thellë. Tavani dhe çatia me tjegulla janë të përbërë nga pasazhe, me tre harqe në anën e përparme dhe dy të tjerë në anën e djathtë. Këto pasazhe ndërtohen nga shtylla, të cilat kanë segmente të ndryshme të mbuluara me një mbulesë allçie, për t’u dukur si monolite (bllok gurësh). Ana e majtë e hajatit është e mbyllur, sepse në atë anë ndodhet një shtëpi që përpara se të ndërtohej xhamia. Kështu, ajo ëshë e hapur në të dyja anët. Një kuadër i tillë diktoi vendosjen e hyq’eve, njërën në mes të mafilit dhe tjetrën në murin anësor të sallës së faljes.
Minarja ndodhej në vendin ku bashkoheshin hajati me sallën e faljes. Ajo ka një bazë shumëkëndore, të formuar nga shtatë anë të një dymbëdhjetëfaqëshi. Kjo bazë është ruajtur, por boshti dhe pjesa e sipërme mungojnë që nga viti 1967. Salla e faljes është pak më e ngushtë se hajati. Ajo është shumë e thjeshtë, afersisht 9m e gjerë dhe thuajse 11 m e thellë. Mihrabi, minberi dhe vendi i grave u hoqën kur pjesa e brendshme u shndërrua në kantier sharrash. Me këtë rast, pjesa më e madhe e murit të mihrabit, që përfshinte kamarenë, u prish dhe u shtua një aneks i ri. Salla është e ndërtuar me blloqe gurësh gëlqerorë, të prera në mënyrë pak a shumë të rregullt, të cilët kanë patur një mbështjellëse të lëmuar lustre. Salla është e ndriçuar nga dhjetë dritare, dy rreshta të mbivendosur me nga tri dritare në murin e djathtë anësor dhe katër dritare në murin e mihrabit. Tani, pjesa më e madhe e tyre janë hequr. Muri i anës së majtë është pa dritare. Xhamia është sakatuar më shumë nga mbyllja e pasazheve të hajatit. Ndërtesa nuk njihet si monument kulture dhe do të shembet sapo të kthehet pë një objekt të panevojshëm.