Xhamia e Kuqe në kala të Beratit
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Xhamia e Kuqe në kala të Beratit

Xhamia e Kuqe në kala të Beratit ndodhet në gjendje rrënoje pranë mureve të akropolit dhe mureve rrethuese Të kalasë së Beratit. Muret janë pak mbi tokë dhe minarja me tulla, që i ka dhënë emrin rrënojave, është e ruajtur deri në nivelin e fillimit të kazanit. Xhamia përbëhet nga salla e lutjeve, me përmasa 8,25 x 7,50m, dhe hajati, me brinjën më të shkurtër, 4,90m. Ndërsa brinjën lindje-perëndim nuk mund ta përcaktojmë me saktësi sepse muri kufizues i hajatit nga veriu nuk dallohet saktë deri ku shkon në drejtim të perëndimit. Në sallë hyhet nga porta në murin verior, shpatullat e së cilës nuk ekzistojnë sot. Përballë saj ndodhej mihrabi, për sa mund të gjykohet nga boshllëku në muraturën. Në të djathtë të mihrabit, në dysheme ruhen gjurmë të minberit. Dyshemeja është e ndërtuar me rrasa guri, pjesë të së cilës ruhen pranë murit perëndimor. Një shtresë më e vjetër, me tulla të vendosura mbi harasan, ruhet 60 cm nën dysheme.

Minarja është e ruajtur më mirë dhe më e vlera në këtë monument. Xhamia, duke qenë në terren të pjerrët, në pjesën e poshtme ka një bazament drejtkëndësh, rreth 1.70 m të lartë, të ndërtuar me teknikën e kluasonazhit. Mbi të fillon bazamenti pesëfaqësh i minares (pjesë e një tetëfaqëshi), edhe ky ndërtuar me teknikën e kluasonazhit me dy rreshta horizontale tullash e dy vertikale me fuga të përpunuara pastër. Mbas një kornize që përmbyll bazamentin dhe një pjesë kalimtare në formë trungpiramide kemi trupin cilindrik të minares, ndërtuar me rreshta gurësh çmërsi dhe tullash që këmbehen. Nga kazani ruhet vetëm një pjesë e fundit të tij me tulla të vendosura në formë dhëmbësharre.

Muratura e sallës është me gurë gëlqerorë të papunuar, kurse qoshet janë punuar pak më mirë. Në anën lindore vërejmë dhe tjegulla ndërmjet gurëve. Në muraturën e minares shihen vrimat e brezave të muraturës, si dhe lidhjet me muraturën e vjetër. Sidoqoftë, nuk është e lehtë të kuptohet se me çfarë teknike ishin të ndërtuar muret e sallës së lutjeve në fazën e parë dhe çfarë pjesësh i takojnë një rindërtimi eventual, kur ngrihet dhe niveli i dyshemesë. Sa i përket hajatit, janë të qarta fugat e kontaktit të muraturës së tij me të sallës së lutjeve.

Datimi i xhamisë së kuqe është i vështirë. Janë dhënë mendime të ndryshme duke u nisur nga emri ose minarja. Evlia Çelebiu e quan atë të Bajazitit II, për çka Kiel shprehet se këtë gjë ai e bënte me gjithë xhamitë e vjetra të Shqipërisë. Për Kiel, Sulltan Bajaziti mund të ketë qenë themelues për xhaminë e akropolit, xhaminë e Bardhë, sepse xhamia e Kuqe është më e vjetër dhe ka mjaft gjasë të jetë ndërtuar menjëherë pas pushtimit të qytetit në 1417. Dhe në të vërtetë emri i saj i dytë është Fetije xhami (e pushtimit). Me interes është përmendja në regjistrin e vitit 1431-32 e “Imamit të kalasë", me emrin Haxhi Faki. Dhe ne bashkohemi me mendimin e Kiel. Mendimi i shprehur nga Gj.Frashëri dhe S.Dashi, se kjo xhami është ndërtuar gjate viteve 1389-1402, koha e sundimit të Sulltan Bajazitit të I-rë, nuk është i bazuar, sepse Berati, siç tregojnë burimet historike, është pushtuar në vitin 1417. Për sa i përket argumenteve arkitektonike që sillen për një datim të hershëm, për formën dhe mënyrën e ndërtimit të minares, janë mjaft të largët. Por vlen të shënojmë se minaret e periudhës Selxhukide në Azinë e Vogël vazhdojnë të imitohen në këto treva dhe në shek.XVI. Minaren cilindrike në vendin tonë e hasim në xhamitë e Poloskës dhe të Agait në Elbasan, të ndërtuar me tulla. Teknikën e ndërtimit me breza gurësh dhe tullash në minare e takojmë në xhaminë e kalasë së Shkodrës (Shën Stefani) dhe në xhaminë e Nazireshës. Kurse bazamentin me kluasonazh në Shqipëri e gjejmë në gjitha xhamitë e fundit të shek.XV.

Prandaj, edhe ne mendojmë se xhamia e Kuqe duhet të jetë ndërtuar menjëherë pas pushtimit të qytetit, për t'u përdorur nga administrata pushtuese, garnizoni e familjet e tyre, që banonin brenda kalasë e jashtë kështjellës.

info@balkancultureheritage.com