Ngrihet në qendër të lagjes me të njëjtin emër dhe formon në një ansambël me krojet dhe hamamin e vetëm të qytetit. Për të Çelebiu na thotë se "Poshtë, në fund të hamamit ndodhet xhamia e Muratit, e gurtë dhe në të hipet me shkallë. Kjo xhami ka një minare guri të zbukuruar me një çezme ... Ka vizatime në tavan mjaft të përpunuara...". Siç shihet, njësimi i kësaj xhamie me xhaminë e lagjes Meçite është i sigurt, po kështu dhe datimi i saj në gjysmën e parë të shek. XVII.
Xhamia përbëhet nga salla e lutjeve, mbuluar me çati druri e tavan, nga hajati sot i transformuar dhe minarja.Për shkak të terrenit të pjerrët, në katin e poshtëm të hajatit hipet me shkallë guri dyrampshe, të ndërtuara në mënyrë masive me muraturë. Në katin e dytë të hajatit të shpien një palë shkallë druri. Hajati ndriçohet nga dritare të vendosura në murin verior të tij. Në sallë hyhet nga porta veriore, anash të cilës janë dy dritare. Në murin jugor të sallës së lutjeve kemi mihrabin me dy dritare anash. Salla ndriçohet edhe nga katër dritare në murin perëndimor, si dhe dritare në murin lindor. Për tavanin e dikurshëm na flet Çelebiu, ndërsa tavani i sotëm është relativisht i ri. Me interes është dhe minarja ndërtuar prej guri, në bazamentin shumëfaqësh e të cilit ka një çezme, rast i veçantë për xhamitë e vendit tonë. Muratura e xhamisë është me gurë në rreshta horizontale, të lidhur me llaç gëlqereje, një teknikë e njëjtë për qytetin muze të Gjirokastrës.