Ngrihet në anën jugore të pazarit të vjetër të qytetit dhe nga mbishkrimi ndërtimor datohet në vitin 1553-54 (940H) dhe është ndërtuar nga Murat beu i biri i Nasuh beut, për të cilin Kiel mendon se do të ketë qenë Komandant i kështjellës ose mbase dhe sanxhakbej i Ohrit ku në atë kohë përfshihej Kruja. Me të drejtë Kiel mendon se ndërtimi i një xhamie të madhe jashtë kështjellës tregon për një qetësi relative në qytet dhe krahinë. Në vitin 1837-8(1253 H), siç tregon mbishkrimi ka pësuar një rindërtim"meqenëse me kalimin e kohës rrezikonte shembjen".
Xhamia e Murat beut është ndërtuar në kompleksin e pazarit të vjetër dhe ngrihet në një terren të pjerrët dhe është jo shumë e rregullt në plan. Ajo përbëhet nga salla e lutjeve me përmasa 8.10 x 15,40 m, portiku dhe minarja. Salla e lutjeve ka në murrin jugor mihrabin gjysmërrethor, mimbarin me strukturë druri të dëmtuar, si dhe mafilin me struktura druri e ballkon në anën veriore. Në të hipet me një shkallë druri në këndin veriperëndimor. Nga ky ballkon nëpërmjet një porte të ulët e të ngushtë lidhesh me shkallaren e minares. Salla ndriçohet me 5 dritare në anën perëndimore, katër në anën jugore dhe vetëm një në lindje për shkak të terrenit.
Portiku është më i gjerë se vetë salla e lutjeve dhe në këndin që formon me të ndodhet minarja mbi bazament paralelopipedik. Portiku është një katesh dhe i lartë, i hapur në pjesën më të madhe të anës veriore me një kolonadë druri me shtatë hapësira. Salla e lutjeve dhe hajati mbulohen me të njëjtën çati prej strukturash druri e tjegulla vendi.