Xhamia e Plumbit në Berat(Kursunlu Cami) ngrihet në qendrën e sotme administrative të qytetit, pranë lagjes së vjetër Vakëf, dhe është ndërtuar nga feudali vendas Ahmed Bej Uzgurliu. Qyteti mesjetar i Beratit, që nga turqit në atë kohë quhej Amaut Belgrad, pak vite pasi u pushtua, sipas regjistrimit të vitit 1431-32, kishte rreth 175 shtëpi, veç 32 shtëpi vejushash dhe 63 beqarësh, gjithsej pra rreth 1000 banorë, një qytete relativisht i madh që dëshmohet nga muret e kalasë dhe monumentet bizantine të tij. Në fund të shek.XV, qyteti filloi të rimëkëmbej ekonomikisht, dhe sipas regjistrimeve ndërmjet viteve 1506 e 1520, arriti rreth 761 shtëpi, dukë u bërë ndër qytetet më të mëdha të kohës në Ballkan, ndërsa në vitin 1583 shënon 650 familje myslimane dhe 400 familje të krishtera, pra 6-7000 frymë. Një pasqyrë edhe më të madhe për qytetin kemi tek Çelebiu, i cili numëron 30 lagje nga të cilat 10 të krishtera dhe 1 e hebrenjve.
Çelebiu jep listën e ndërtimeve të Ahmed Bej Uzgurliut, nga familja vjetër vendase e Skurajve, i cili nuk njihet në asnjë dokument apo kronikë e periudhës osmane. Krahas përshkrimit të vetë xhamisë, si e ndërtuar me gurë të gdhendur, mbuluar me plumb, me minare elegante dhe një portik me shtatë kupola mbuluar po me plumb, thotë se ajo ishte pjesë e një kompleksi të përbërë nga pazari, medreseja, imareti (mensë publike), shkolla, banja e çezmja. Në ndërtimin planimetrik e vëllimor xhamia e Plumbit ka sallën e lutjeve, katrore në plan, me përmasa 10,15 x 10,20 m, portikun e mbyllur dhe minaren. Vëllimi kubik i sallës së lutjeve mbulohet me një kupolë gjysmësferike mbi katër trompa parabolike në qoshet, që siç vëren Kiel trompa me nëntë brinjë sipas stilit të shekullit të XVI-të e stalaktite të punuara mirë, me profil në dukje harku fund lundre. Në sallë hyhet nga porta e vetme, që e lidh me portikun. Përballë ndodhet mihrabi, brenda një kornize të profiluar dhe me stalaktite në anën e sipërme. Gjatë punimeve të restaurimit kanë dalë dhe gjurmët e mafilit në anën e hyrjes që lidhej me minaren edhe të minberit, në të djathtë të mihrabit.
Salla ndriçohet nga dritare të vendosura në tri radhë. Dy dritaret e poshtme janë drejtkëndëshe e të rrethuara nga gurë të gdhendur e të profiluar.
Ato mbulohen me hark të rremë, me profil të mprehtë të ndërtuar me tulla. Mbi to janë dy dritare të tjera, pak më të ngushta e më të larta, mbuluar me hark tullash dhe një dritare e njëjtë, e mbuluar me hark në pjesën e sipërme, që i takon në brendësi zonës midis ty trompave.
Mbi vëllimin kubik të sallës, me një tambur të ulët tetëfaqësh, ngrihet kupola. Tamburi vazhdon direkt nga faqet e murit, pa ndonjë dhëmbëzim apo kornizë, duke pasur në të katër qoshet çati trekëndëshe të ulëta, që në brendësi u takojnë trompave të qosheve. Muratura, në anën e jashtme, përbëhet nga një xokolaturë një metër e lartë, prej gurësh të lidhur me llaç gëlqereje, që në sipërfaqe, ishte e patinuar. Në këtë nivel fillojnë dhe dritaret e poshtme. Pjesa mbi xokolaturë e muraturës së xhamisë është ndërtuar me teknikën e kluasonazhit, me dy rreshta tullash horizontale ndërmjet rreshtave të gurëve dhe dy tulla vertikale ndërmjet gurëve. Sipërfaqja ndërmjet tullave është patinuar, për të krijuar një zonë unike, ngaqë gurët nuk janë të rregullt e të gdhendur. Muret anësore përfundojnë me komiza prej tullash të vendosura në formë dhëmbësh sharre dhe mbi to vjen kupola e mbuluar me plumb, prej nga xhamia deri në ditët tona ruan emrin "e Plumbit". Ndryshe është trajtuar faqja veriore, ku ndodhet portiku dhe hyrja për në sallë. Në të ndodhen vetëm dy dritaret e poshtme, të cilat janë trajtuar më mirë. Kjo faqe është suvatuar. Në të shquhen kornizat e profiluara të portës dhe dritareve me motivet gjeometrike të pikturuara mbi të. Mbi portën dikur ka qenë vendosur dhe mbishkrimi ndërtimor që mbante datën 1553-54 (961H).
Ne nuk njohim formën e portikut të dikurshëm, veç asaj që thotë Çelebiu, për shkak se gjatë rindërtimit të tij në gjendjen e sotme kanë humbur gjurmët. Por, trajtimi dekorativ i faqes së sallës së lutjeve, tregon qartë se portiku ka qenë që në fillim. Portiku i sotëm është i mbyllur, me muret anësore sipas një plani drejtkëndor. Hyrja bëhet nga ana më e gjatë, ajo veriore, nëpërmjet disa këmbë shkallë. Porta mbulohet me arkitra të rrafshët. Në brendi të hajatit e saj. Në minare hyhet nga salla e lutjeve nëpërmjet një porte të vogël.
Në brendësi xhamia karakterizohet nga vëllimi unik statik e ndriçuar bollshëm, që përftohet menjëherë. Dikur brendësia ka qenë e suvatuar me një patinaturë gëlqereje në ngjyrë kuqërremtë, të njëjtë me atë të faqes së jashtme veriore. Më vonë, në pjesët e rëna, që përbënin shumicën, u bë një suvatim i ri, që u zbukurua me piktura me motive bimore. Mbi suvanë e hershme, pranë hyrjes së minares, ruhet data 1720, çka tregon se risuvatimi duhet t'i takojë periudhës që shkon nga gjysma e dytë e shek.XVII deri në fillimin e shek. XVIII. Dyshemeja e xhamisë ka qenë shtruar me tulla gjashtëkëndëshe, nga e cila ruhen vetëm fragmente.
Xhamia e Plumbit apo e Izgurliut është një vepër e rëndësishme e arkitekturës së shek. XVI në Shqipëri. Në të shohim të formuara tërësisht ato tipare që më vonë i gjejmë në një sërë xhamish të këtij tipi të vendit tonë.