Xhamia e Poloskës në rrethin e Korçës është me interes të veçantë për minaren e vjetër, qi i takon periudhës së parë të pushtimit osman. Ishte një xhami e vogël me planimetri gati katrore me përmasa 8.25x8.10m. Salla e lutjeve, mbuluar me çati druri, në brendësi ndahej në dy pjesë, nga një arkadë mbi shtylla druri, që nga trajtimi arkitektonik kuptohet se i takon shek. XIX. Në sallë hyhej nga ana veriore, nga një portë e mbuluar me arkitra druri dhe me një hark të ulët shkarkues mbi të. Shpatullat e portës ishin me gurë të punuar. Në të dy anët e portës kishte dy dritare me shpatulla dhe hark të ulët tullash, kurse tri të tjera janë në pjesën e sipërme të faqes veriore. Në brendësi të sallës së lutjeve, një arkadë mbi katër pilastra masive ndante mafilin nga pjesa për lutje. Nga mafili hipej dhe në minare. Në murin jugor kemi niken e mihrabit. Salla ndriçohej dy nga dritare të në anën lindore dhe një në anën perëndimore.
Në këndin veriperëndimor ngrihej minarja, që përbëhej nga bazamenti prizmatik me prerje katrore, trupi cilindrik dhe kazani. Bazamenti ishte i ndërtuar me gurë shtufi e çmërsi, të skuadruar në këndet e bazamentit. Bazamenti në pjesën e sipërme përfundonte me një kornizë të hollë prej gurësh të profiluar. Mbi të kishte një pjesë të ulët piramidale, ku fillonte trupi cilindrik i minares, i ndërtuar me breza tullash dhe rreshta gurësh çmërsi. Në të ishin disa të çara si frëngji, për ndriçimin e shkallëve. Si në pjesën e poshtme, ashtu edhe në mbarimin e trupit të minares kishte një kornizë të hollë prej guri të gdhendur në formë spirale. Mbi trupin e minares, që ruante dhe pjesë të suvatuara hollë, fillonte kazani i ndërtuar me rreshta tullash dhe gurësh të gdhendur në formë stalaktitesh. Gurët dilnin konsol ndaj njëri-tjetrit Mbi kazanin ishte pjesa e sipërme e minares, më e hollë se vetë trupi i minares. Për nga përpjesëtimet dhe silueta, minarja shquante në tërë ndërtesën për vlerat e saj. Një vend të veçantë zinte kazani, për nga mënyra dhe cilësia e zbukurimeve.
Nëse do të shohim planimetrinë, do të kuptojmë me lehtësi se minarja dhe pjesët e mureve që lidhen me të, i takojnë një ndërtimi më të vjetër, ndërsa pjesët e tjera janë të një rindërtimi më të vonë, (shek. XVIII -XIX). Ndërtimi fillestar, të cilit i takonte dhe minarja, mendojmë se ishte i periudhës së parë të pushtimit turk; fillimi i shek.XV.