Kjo xhami është rrënuar në vitin 1967 dhe e rindërtuar vitet e fundit, ishte një rindërtim i vonë i një strukture më të vjetër që lidhej me emrin e Sulltan Bajazitit të dytë, siç na tregon dhe mbishkrimi që ruhej në të: "mirëbërësi dhe porositësi i veprave të mëdha Sulltan Bajazit Khani, meremetuesi 1271H-1854-55". Edhe Çelebiu e përshkruan shkurtazi atë si një xhami “në fund të pazarit, përball saj një pus me ujë të mirë. Eshtë më e bukura e xhamive mbuluar me çati me tjegulla, me sallë të madhe”. Ajo ndodhet në këmbë të kodrës kalasë. Pak gjurmë ruante nga ndërtimi i vjetër dhe salla e lutjeve paraprihej nga hajati dykatës që hapej ndaj sallës me një ballkon.
E këtij tipi ishte dhe xhamia e Pazarit, që ndodhej në pazarin e vjetër, ndërmejt Bunës dhe kodrave ku ngrihej dhe Kalaj e Rozafës. Me mjaftë gjasë i takon një rindërtimi të shekujve të fundit të sundimit osman. Salla e lutjeve ndriçohet nga dritare të vendosura në dy rradhë, të poshtmet më të mëdha kuadrike mbuluar me arkitra guri e hark shkarkues prej tullash në formë funlundre, të sipërmet mbuluar me hark rrethor. Hajati ishte dy katësh me sa duket i spërmi shërbente si mafil për gratë. Ai kishte hyrjen në aksin gjatësor të ndërtesës dhe ndriçohej me dritare të mëdha drejtkëndore.