Xhamia mbret në Kala të Elbasanit është më e madhja dhe më e vjetra faltore e qytetit, ndodhet në pjesën qendrore të saj, në të djathtë të rrugës që nga porta që të fut në kala dhe është në gjendje relativisht të mirë. Në përshkrimin e udhëtimit të tij Çelebiu, përmend në kala xhaminë e Gazi sinan Pashës si një ndërtesë të madhe, por të vjetër dhe të ulët. Çelebiu na tregon de të katër faqet e mureve të brendshme të sallës së lujtjeve janë mbushur me vjersha të shkruara bukur prej udhëtarëve nga Turqia, Arabia dhe Persia. Edhe ai vetë la një shënim në vitin 1670-të. Xhamia Mbret sot është e tjetërsuar nga dëmtimet e vitit të mbrapshtë 1967, kur iu rrënua minarja me mjaftë vlerë e kohës së ndërtimit dhe ju dëmtua e tjetërsua brendësia.
Xhamia përbëhet nga salla e lutjeve, portiku dhe minarja (fig.137,138). Salla e lutjeve është drejtkëndëshe në plan, me përmasa të brendësisë 11,52 x 12,35m dhe mbulohet me çati druri. Për të lehtësuar ndërtimin e çatisë, tërthor aksit gjatësor të godinës, janë vendosur tri shtylla druri, për të zvogëluar hapësirën e dritës së trarëve mbajtës të çatisë, një strukturë e rindërtuar në shek. XIX, që sipas Kiel, është një formë e rrallë7. Në sallë hyhet nga porta në murin verior, e trajtuar në formën e një portali, që e lidh me portikun. Mbas saj është mafili mbi struktura druri. Përballë hyijes është mihrabi, në të djathtë të tij minberi mbi struktura druri, i ngritur mbi një dysheme pak më të lartë.
Salla ndriçohet nga 14 dritare të vendosura në dy radhë në të tri faqet dhe vetëm në pjesën e poshtme në faqen veriore. Kështu, në secilën faqe kemi nga katër dritare. Dritaret e poshtme janë drejtkëndëshe dhe mbulohen me arkitra druri, duke pasur mbi to një hark shkarkues, të ndërtuar me tulla dhe me profil fundlundre të futur pak më brenda murit . Një shirit tullash qarkon harkun. Nikja që formohet nën hark është e suvatuar dhe e zbukuruar me motive gjeometrike, karakteristike për artin islamik. Dritaret e sipërme janë më të vogla dhe mbulohen me hark të mprehtë prej tullash.
Ndërtesa e xhamisë ngrihet në një terren që është në nivel më të lartë se rruga pranë dhe për këtë është ndërtuar një mur mbajtës. Vëllimi paralelopipedik i sallës mbulohet me çati druri, me katër kullime, e tjegulla vendi me strehë të gjera. Muratura është ndërtuar me teknikën e kluasonazhit; me dy tulla vertikale e dy tulla horizontale. Pjesa ndërmjet tullave është suvatuar me një patinë të hollë që për kërkesa estetike dhe pamje të rregullt fsheh ndërtimin e pjesës së murit që është prej disa gurësh. Pjesa e poshtme e muraturës është ndërtuar me gurë të çrregullt të lidhur me llaç gëlqereje.
Me interes për arkitekturën e xhamisë është minarja pak a shumë e ulët. Në të hyhet nga një portë e vogël në këndin veriperëndimor të sallës së lutjeve. Sot prej saj ruhet bazamenti, i ndërtuar me teknikën e kluasonazhit por të ndryshëm nga ai i mureve, me një tullë horizontale dhe pa suvatim të blloqeve të gurit. Bazamenti me pesë faqe të rregullta të një tetëkëndëshi përfundon me një kornizë të hollë prej gurësh të profiluar, mbi të cilin ishte pjesa kalimtare, e ndërtuar prej gurësh pak të punuar. Mbi të ngrihej trupi dymbëdhjetëfaqësh i minares, ndërtuar me gurë të punuar e të suvatuar. Dy korniza ndërprisnin trupin e minares, duke e zvogëluar në dukje atë, njëra, pak pas fillimit e tjetra, pak përpara kreut. Kazani i minares ishte ndërtuar me tulla trekëndëshe në pjesën e poshtme, të nxjerra pak ndaj njëra-tjetrës dhe të punuar në mënyrë të rregullt, në formë stalaktitesh.
Portiku i xhamisë dallohej nga format arkitektonike që është ndërtuar vonë dhe me sa duket mbi baza më të vjetra.
Xhamia Mbret e Elbasanit ka interes të veçantë për studiuesit sepse është e vetmja që ruan format vjetra e dikurshme me shumë se xhamitë e tjera të kohëve të para të pushtimit turk.
Për vendosjen në kohë të xhamisë, si një ndërtim i bërë rreth vitit 1492, ne jemi nisur nga cilësimi i saj "Mbret" dhe nga thënia e Çelebiut se janë ndërtuar në kohën e Sulltan Bajazitit të II (1481-1512). Dihet se nga qershori i vitit 1492 deri në mes të dimrit, sulltani qëndroi në Shqipëri, prej nga u kthye përsëri në Stamboll. Sidoqoftë nuk dimë se ku qëndroi Sulltani gjatë kësaj kohe, përveç se 24 ditë të muajit Ramazan i kaloi në Tepelenë, ku ushtria e tij shkretoi zonat përreth dhe u mundua të nënshtronte Himarjotët kryengritës. Prandaj mendojmë se kjo xhami, si dhe shumë të tjera që mbajnë cilësimin "Mbret", ose janë ndërtuar nga Sulltan Bajaziti, ose janë porositur, nga Sulltani, për t'u bërë qendra të propagandimit dhe të përhapjes së fesë myslimane. Dhe jo vetëm kjo, sepse edhe teknika e ndërtimit dhe format arkitekturore i takojnë shekullit të XV-të. Ndërsa, lidhur me ndërtimin dhe dhuruesin, Kiel mendon se kemi të bëjmë me Sinan Pasha Boroviniq, që njihet për vakëfin e tij në Elbasan në kapërcyellin e shekujve XIV-XV, me emrin e të cilit siç pamë më lartë na e jep dhe Çelebiu. Por, ndërkohë në Elbasan, por jo brenda kalasë, ruhen rrëojat e xhamisë së e Gazi Sinan Pashës nga e cila ruhen foto nga gjysma e pare dhe mesi i shekullit të XX. Ishte një xhami me portikë mbi shtylla druri në dy anët, që në një kohë të vonë rindërtohet. Minarja e lartë ishte mbi një bazament kuadratik e të ndërtuar me gurë. Ka të dhëna që në çatinë e saj dyujëse, salla e lutjeve mbulohej me kupolë me struktura të drunjta. Një foto të xhamisë e publikon dhe Tutuncu, e cila përputhet me foto të vjetra që kemi siguruar.
Pra kemi të bëjmë me një pasaktësi të Çelebiut që duhet të merret në konsideratë, ashtu siç duhet te hetojmë praninë e një xhamije, tashma të zhdukur, me këtë emër në Lagjen Kala.