Javuz Sulltan Selimi nuk nënvlerësonte rëndësinë e lundrimit detar. Ndërkohë që ishte në Egjipt, ai priti Selman Reisin, komandantin e flotës në Detin e Kuq, gjatë Devletit Memluk. Më pas ai mori urdhrin për tu nisur drejt Stambollit. Pasi u kthye nga Egjipti, Javuz Sulltan Selimi ndërtoi një kantier detar në Haliç (Briri i Artë) dhe urdhëroi ndërtimin e 150 anijeve të reja, ndërkohë që 150 anije ishin tashmë pjesë e flotës së tyre. Republikën e Venedikut e zuri paniku nga ky veprim dhe vazhdoi të paguante rregullisht haraxhin për ishullin e Qipros. Venedikasit e fortifikuan atë, si masë paraprake dhe filluan të kërkonin aleatë në Evropë. Nga ana tjetër, Papa Leoni X ishte angazhuar në përgatitjen e një Kryqëzate të re kundër Devletit Osman; ai dërgoi kardinalët e tij në Austri, Francë, Angli dhe Spanjë që të krijonte me ndihmën e këtyre vendeve një aleancë kundër osmanëve. Javuz Selimi krijoi kushtet që Spanja t'i shmangej kësaj aleance, duke i treguar ambasadorit të saj, që erdhi në Stamboll në vitin 1519, për kushtet e vizitorëve të krishterë në Kishën Kamame, në Jerusalem. Nëse Mbreti i Spanjës dëshironte të lidhte një traktat paqeje me të, duhej që ai të dërgonte delegatin e tij.